Fakti që Kosova e ka një ndër shkallët më të larta të papunësisë në Evropë tashmë nuk përbën lajm, ndonëse ky problem ndikon veçanërisht tek të rinjt e vendit me popullsinë më të re në Evropë. Megjithatë, ky fakt është shqetësues dhe krijon padurim e pesimizëm për të ardhmen.
Norma e papunësisë në Kosovë sjellet tek 30 përqindëshi. Por, disa shifra edhe më marramendëse janë shfaqur së fundmi. Në vitin 2018, 101,612 njerëz apo 30.1 përqind e të rinjve (të moshës 18-24 vjeç) nuk vijonin shkollën apo universitetin, nuk ishin të punësuar dhe nuk ndiqnin ndonjë trajnim. Cila është e ardhmja e kësaj rinie?
Përderisa ekonomia llogaritet të ketë patur rritje prej 3.9 përqind , në vitin 2018 ishin rreth 12,000 njerëz më pak të punësuar në krahasim me vitin 2017. Pse nuk po përkthehet kjo rritje në punësim? Arsyet janë të shumta, por ne do të fokusohemi këtu në aspektet mikroekonomike.
Pjesërisht për shkak të madhësisë — shumë të vogla për t’u rritur
Ndonëse arsyet janë të shumta, disa të dhëna nga databaza e Bizneseve të Hapura e tregojnë një pjesë të tyre. 98 përqind e bizneseve në Kosovë kategorizohen si mikrondërmarrje që i punësojnë nga një deri në nëntë punëtorë. Një përqind janë ndërmarrje të vogla, përderisa ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha së bashku e përbëjnë përafërsisht një përqindëshin tjetër.
Raporti mes madhësisë së ndërrmarrjes dhe punësimit është ende një temë e diskutueshme mes ekonomistëve. Ekzistojnë të dhënat empirike që mbështesin qëndrime të ndryshme. Megjithatë, një çështje më pak e diskutueshme është fakti se mikrondërmarrjet kanë më pak potencial për të përfituar nga ekonomia e shkallës sesa ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha. Sepse mikrondërmarrjet nuk e zgjerojnë veprimtarinë e tyre duke u bërë më efiçiente në proces, me ç’rast nuk rriten, rrjedhimisht s’krijohet nevoja për të punësuar më shumë punëtorë.
Pjesërisht për shkak të llojit të aktivitetit — shumë në tregti përderisa mungon prodhimi
Përveç madhësisë, lloji i aktivitetit është shumë i rëndësishëm. Gjashtë nga top dhjetë llojet e aktivitetit përbëhen nga bizneset që merren me tregti me shumicë dhe pakicë. Këto gjashtë lloje të aktivitetit përbëjnë rreth 80,000 ndërmarrje. Në përgjithësi, sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë llogaritet të ketë të punësuar rreth 59,000 punëtorë, me ç’rast e përbën sektorin më të madh të punësimit.
Megjithatë, këto shifra nuk duhet të na mashtrojnë. Në vitin 2018, deficiti tregtar arriti në rreth 3 miliardë euro, dhe në vitin 2019 duhet të presim një deficit edhe më të lartë. Në ndërkohë, investimet e huaja direkte, shumica e të cilave shkojnë në patundshmëri, kanë rënë për 16 përqind apo rreth 42 milionë euro në mes të vitit 2017 dhe 2018. Remitancat, në anën tjetër, kanë arritë mbi 800 milionë euro apo mbi 41 milionë më shumë se në vitin 2017. Çka do të thotë kjo?
Së pari, kjo do të thotë se ne jemi shumë të varur nga importi, një pjesë e madhe e të cilit po financohet nga mërgata jonë. Në ndërkohë, investimet e huaja direkte po bien, janë të orientuara në patundshmëri, dhe nuk po krijojnë mjaftueshëm vende pune. Dhe, duke e ditur dallimin në teknologji dhe kapital mes bizneseve vendore dhe bizneseve të huaja, konkurrenca mes tyre mund të nënkuptojë edhe shuarjen e disa prej bizneseve vendore.
Pastaj, duhet ta kuptojmë që sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë e gjeneron shumicën e fitimit prej dallimit në mes të çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes. Ndërsa prodhimi është sektori ku krijohet pjesa më e madhe e vlerës së shtuar. Prodhimi është sektori që mund të gjenerojë shumë më shumë vende pune, qoftë në industritë parësore, qoftë në ato mbështetëse.
Pjesërisht për shkak të jetëgjatësisë — lehtë për t’u krijuar, vështirë për të mbijetuar
Në raportin e fundit Doing Business të Bankës Botërore, Kosova ka rënë në vendin e 44-të prej 190 ekonomive sa ishin në renditje, që i bie katër pozita më poshtë se vitin e kaluar. Raporti i njëjtë e rendit Kosovën në vendin e 13-të sa i përket lehtësisë për ta nisur një biznes. Prandaj, që prodhuesit në mënyrë ligjore të fillojnë dhe në mënyrë formale të drejtojnë një kompani, koha dhe kostoja e kërkuar për të përfunduar secilën procedurë, apo kapitali minimal që duhet paguar për ta nisur biznesin, nuk duket të jenë probleme të mëdha.
Megjithatë, nëse kthehemi në databazën e Bizneseve të Hapura, e shohim se nga 191,860 biznese që janë themeluar në mes të vitit 2000 dhe tani (qershor 2019), 26,592 janë shuar. Hapja e një biznesi është shumë më e lehtë sesa mbajtja e tij. Problemet, duke filluar nga ato ekonomike (për shembull, qasja në kapital) deri te ato ligjore (zbatimi i kontratave) mbesin pengesat kryesore për këto biznese që së pari të jenë të qëndrueshme, dhe pastaj të rriten e të lulëzojnë.
Poashtu, duhet ta kemi parasysh se barra e shuarjes së një biznesi nuk rëndon mbi pronarin sa rëndon mbi punëtorët. Punëtorët e pushuar menjëherë i bashkohen ushtrisë së madhe rezervë të të papunësuarve, duke e rritur kështu konkurrencën për një vend pune.
Më tutje, ekonomia joformale llogaritet të jetë përafërsisht sa 30 përqind e Bruto Produktit Vendor. Kjo krijon konkurrencë të pabarabartë dhe i përkeqëson edhe më shumë kushtet e punës, që veçse janë problem. Vetëm vitin e kaluar 24 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës , ndërsa kushtet e punës për të tjerët janë larg prej optimales.
Pjesërisht për shkak se gjysma e popullsisë nuk është aty
Gati gjysma e popullsisë në Kosovë janë gra. Megjithatë, ky fakt nuk pasqyrohet edhe në ekonomi.
Vetëm një në pesë gra është aktive në tregun e punës dhe vetëm 12.3 përqind janë të punësuara. Sidomos për të rejat situata është shumë e vështirë. 65.7 përqind e grave të moshës 15-24 dhe 43.5 përqind të moshës 23-34 janë të papunësuara.
Situata nuk është më mirë as sa i përket pronësisë së bizneseve. Databaza e Bizneseve të Hapura tregon se vetëm 14.56 përqind e bizneseve janë në pronësi të grave. Është e qartë se rritja e pronësisë së bizneseve nuk e zgjidh patjetër problemin e papunësisë tek gratë. Megjithatë, është një tregues i pozitës së tyre në ekonomi — sepse në mënyrë që ta hapësh dhe ta mbash një biznes, përveç të tjerave, është i nevojshëm kapitali. Prandaj, në këtë kontekst, kapitali ose duhet të jetë i trashëguar, i krijuar gjatë jetës apo i huazuar.
Vetëm katër përqind e grave trashëgojnë pronë dhe vetëm 15.4 përqind e kanë pronën e regjistruar në emrin e tyre. Pra, kapitali i trashëguar nuk është resurs i bollshëm për ta hapur dhe për ta mbajtur një biznes për gratë.
Pastaj, me më shumë se 80 përqind të grave joaktive në tregun e punës, është e dukshme se as kapitali i fituar nuk është zgjidhja e çështjes së financimit dhe mbajtjes së biznesit.
Së fundmi, kur dikush nuk është fare në tregun e punës apo është por është e papunësuar, dhe nuk ka ndonjë pronë në emër të saj, është shumë e vështirë për të marrë kredi dhe për të filluar një biznes. Në shumicën e rasteve, në mënyrë që të marrësh kredi biznesore, duhen disa të ardhura dhe kolateral.
Ndonëse çështja e papunësisë në nivel shtetëror është çështje makroekonomike, dhe trajtimi i saj duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore ekonomike të qeverisë, një perspektivë mikroekonomike na mundëson ta shohim problemin prej një këndvështrimi “mikroskopik”. Është kjo perspektivë që na mundëson të shohim si madhësia e biznesit, lloji i aktivitetit, jetëgjatësia dhe pronësia janë çështje mikro që, kur mbledhen, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të arsyes që shpjegon se pse kemi norma kaq të larta të papunësisë.
Foto kryesore: Faton Selani / K2.0.