Protestat më të rëndësishme të studentëve në historinë e kohës së fundit ndodhën në vitin 1968. Leštarić i kujton shumë mirë protestat e Beogradit të asaj kohe, por është skeptik për ndikimin që patën protestuesit studentorë.
“Në mbarë botën, viti 1968 ishte vit i shënuar jo vetëm për rebelimet e studentëve, por edhe për Lufta e Vietnamit dhe demonstratat e përgjakshme të lidhura me të. Jugosllavia nuk përbënte përjashtim — u derdh gjak, por askush s’fliste rreth kësaj. Pak njerëz e përmendin atë edhe në ditët e sotme; ndonëse qershori i vitit 1968 është subjekt i një numri të madh të letërsisë, që përfshin shumë gjëra, por pa përmendur shtypjet”, tha Leštarić.
Protestat e studentëve dhe përplasjet e vazhdueshme me policinë zgjatën për shtatë ditë para se Josip Broz Tito të mbante një njoftim publik. Kur foli në televizion, ai e konfirmoi se studentët kishin të drejtë dhe jo qeveria.
“E gjitha dukej gjë e mirë, po në fakt ndodhi sa për t’i thyer studentët dhe demonstratat e tyre”, tha Leštarić, teksa shpjegoi se nga këndvështrimi i sotëm është e qartë se ishte thjesht veprim demagogjik dhe se kërkesat e studentëve në përgjithësi u neglizhuan.
Pavarësisht gjithë kësaj, viti 1968 hyri në histori si vit i veçantë që ende kujtohet me mall.
Ekspozita e ka shtyrë Kujo Novović të mendojë për dallimet mes ditëve të tij të studimeve dhe jetës me të cilën përballen studentët sot. Në kohën e tij, tha ai, “përqindja e shtresës së mesme të popullsisë ishte 80%, nuk kishte dallime të konsiderueshme mes njerëzve dhe të gjithë ishim të vetëdijshëm për pozicionet tona përkatëse përbrenda shoqërisë. S’ka qenë asnjëherë e turpshme të mos kesh para, por tash është ndryshe — nëse ke pak para, automatikisht je i/e përjashtuar”.
“A jetoj sot aq sa JETUAN:ATA atëherë?”
Një pjesë e projektit kulmoi me një ekspozitë fotografish të arkivit me titull “A jetoj sot aq sa JETUAN:ATA atëherë?”
“Pyetja e titullit u konceptua si ftesë që të gjithë ne bashkërisht të reflektojmë mbi jetën studentore si fenomen, pikërisht përmes të dhënave arkivore që u mblodhën dhe u shfaqën”, tha Milena Prelević.
Ekspozita është një përpjekje bashkëpunuese kuratoriale e ndërmarrë nga dhjetë studentë, dy nga secili institucion apo organizata që morën pjesë në “Ata jetojnë”. Një përzgjedhje prej rreth 75 fotografish të shkrepura nga fundi i Luftës II Botërore dhe sot, u mblodh nga koleksionet private të banorëve të konviktit të dikurshëm dhe të tanishëm.
“Mund të them se kemi kuruar një koleksion të shkëlqyer fotografish nga periudha të ndryshme; për të gjithë ish-banorët e konvikteve, këto duhet ta kenë një nuancë disi nostalgjike. Është vërtetë bukur dhe interesante të shohësh një mori fotografish të tilla në një koleksion”, tha Ivana Bošković, njëra nga kuratoret.
Milena Prelević shtoi se fotografitë dhe regjistrimet audio, që ata mblodhën u dhanë atyre një pasqyrë shtesë për jetën e studentëve bashkëkohorë dhe atyre të kohës së shkuar.
“Dëshimitë fotografike na tregojnë se si dukej e kaluara atëherë — mbledhjet, dhomat e konviktit, sallat, ballkonet dhe kafenetë — diçka që na mundëson po ashtu të gjurmojmë ndryshimet hapësinore që ndodhën me kalimin e kohës. Mund t’i shohim prirjet mbizotëruese për sa i përket modës, argëtimit, zakoneve ushqimore dhe pikave të takimit, kurse disa fotografi kapin zhvillime me ndikim social-politik”.