“Fati që shoqëria tradicionalisht ua ofron grave është martesa”, shkroi Simone de Beauvoir në librin e saj të shquar “The Second Sex” të vitit 1949. Pas 71 vjetësh, shumë gra vazhdojnë t’i nënshtrohen trysnisë shoqërore që i shtyn të zgjedhin ose familjen, ose karrierën.
Thënë thjesht, asnjë shoqëri nuk e ka arritur plotësisht barazinë gjinore. Sipas një studimi të Plan International, “edhe në shtetet më të barabarta për nga aspekti gjinor, normat e dëmshme dhe diskriminuese do të vazhdojnë t’i mbajnë mbrapa vajzat dhe gratë deri në vitin 2030 e më tej”.
Meqë kam pasur mundësinë t’i eksploroj dy kultura të ndryshme si shqiptare e Kosovës e lindur në Çeki, ky parashikim botëror më duket fort i mundshëm. Megjithatë, këtu dua të përqendrohem te “fati” që iu ofrohet grave nga shoqëria kosovare, dhe ta vë në dukje retorikën qesharake dhe mjaft fyese me të cilën ato përballen.
Nga përvoja ime, gratë indokrinohen me virtytet e martesës prej një moshe tejet të hershme. “Famija është e para dhe qëllimin duhet ta kesh te ajo — nuk mund ta kalosh tërë jetën me studime dhe punë”, është një fjali që i është thënë thuajse secilës grua që njoh, përfshirë këtu veten time. Martesa dhe karriera shpeshherë u paraqiten në mënyrë asimetrike grave dhe burrave.
De Beauvoir do ta përshkruante këtë duke thënë se burrat janë autonomë dhe individë të plotë në shoqëri, të cilët mbi të gjitha shihen si prodhues, dhe qenia e tyre përligjet nga puna që sigurojnë për grupin. Ndërkaq në kohët e hershme, gratë janë njësuar si skllave ose vasale në grupin familjar të mbizotëruar nga etërit dhe vëllezërit, dhe janë dhënë për martesë nga burrat për burrat e tjerë.
Në vështrimin tradicional, gratë e reja ishin tërësisht pasive; ato jepeshin për martesë nga prindërit e tyre. Në anën tjetër, burrat merrnin gra. Mund të them se në Kosovë, edhe brezi i prindërve tanë mbase është përballur me këto përvoja .
Sot, kjo praktikë kryesisht është zhdukur, përveç në disa fshatra. Sidoqoftë, zgjedhja e lirë e grave gjithmonë është kufizuar së tepërmi.
Kemi dëshirë të mendojmë se kohët e moçme kur “gratë janë dhënë” kanë përfunduar, ama prapë ballafaqohemi me forma të tjera të shtypjes.
De Beauvoir do të argumentonte se në martesë, gratë kërkojnë zgjerim, një konfirmim të qenies së tyre, porse jo vetë të drejtën për të qenë. Dhe kjo është çfarë i përkufizon shumë martesa kosovare. Konfirmimi i qenies, i vlerës, i dobisë — si konstrukte shoqërore. Por, jo vetë e drejta për të qenë me plot kuptimin e fjalës
Qasjet disfatiste i nxisin gratë të rehatohen
Ekzistenca i paraprin esencës — duke pasur këtë parasysh, ti ke mundësinë ta zbulosh qëllimin tënd. Nuk mund të jesh esencialist për gratë sepse nuk ka ndonjë rol esencial që gratë duhet ta luajnë. Vetëm fakti se grave u flitet shumë më shpesh dhe më qëllimisht për martesën dhe karrierën sesa burrave, është mënyrë esenciale për ta adresuar pozitën e tyre.
Sot, në një kohë kur kemi dëshirë të mendojmë se kohët e moçme kur “gratë janë dhënë” kanë përfunduar, prapë ballafaqohemi me forma të tjera të shtypjes. E kjo, në rastin më të mirë, është shtypje retorike. Në rastin më të keq është shkallëzimi i saj që çon te moslejimi i grave të reja për të vendosur për vetveten, dhe te përkujtimi i vazhdueshëm se martesa është qëllimi i vetëm i jetës, duke e bërë kështu arsimimin vlerë dytësore — vlerë shoqërore, e jo diçka që bëhet vërtet për hir të zgjerimit të dijes.
Arsimimi dhe dija janë procese që sjellin të vërtetën dhe mundësitë. Gratë (si dhe burrat) duhet të mësohen si të mendojnë, jo çfarë të mendojnë në mënyrë që të jenë të përshtatshëm brenda modelit të normave tona kulturore. Përkundrazi, shumë prindër, në vend se të përpiqen për të rritur gra të vetëmjaftueshme që s’kanë nevojë të merakosen se kush do të martohet me to, vazhdimisht ua rikujtojnë bijave se martesa është qëllimi përfundimtar.
Në vend se të ruajnë para për “festën e shenjtë” të martesës, pse mos ta shpenzojnë për arsimim? Dhe ç’është më me rëndësi: në vend se ta përgatitësh bijën për martesë duke e mësuar të bëjë gatesa tradicionale dhe të merret me punët e shtëpisë, pse mos t’ia mësosh dashurinë për vetveten dhe vetëbesimin?
Për shkak të kësaj qasjeje cinike që paraqitet nga prindërit, me fjalët e de Beauvoir, gruaja lehtësisht mjaftohet me sukses mediokër — ajo nuk mësyn më shumë. Duke nisur punën me arsimim të përciptë, ajo shpejt i tkurr ambiciet e saj. Shpeshherë e sheh faktin që i ka të ardhurat e veta si arritje të mjaftueshme — sikur edhe shumë të tjera, ajo kishte mundur t’ia besojë një burri të ardhmen e saj.
Natyrisht, qenia e gruas nuk është e varur nga qenia e burrit, por fatkeqësisht paraqitet si e tillë. Shoqëria duhet ta ketë për qëllim luftimin e nënshtrimit të grave, gjë që pa dyshim ka qenë i pranishëm përgjatë historisë. Ajo na ka përcjellë përgjithmonë, prandaj duket e natyrshme në mendjet e shumë njerëzve.
Inferioriteti vjen si rrjedhojë e trajtimit ndaj dikujt, dhe nuk i paraprin atij.
Duke mbajtur këtë paraysh, është me rëndësi të shënohet se nuk janë vetëm burrat që i mbajnë gratë në këtë pozitë të nënshtruar, por edhe gratë kontribojnë mjaft për këtë situatë. Filozofja dhe mbështetësja e të drejtave të grave Mary Wollstonecraft ka shkruar se gratë historikisht kanë pasur tendencë të mos kenë nevojë për të mësuar vetë për moralin, kështu që i kanë mësuar sjelljet para moralit, se si të sillen e jo përse të sillen në një mënyrë të caktuar, dhe si t’i kënaqin burrat e jo si të kujdesen për veten.
Kjo është për të ardhur keq, sepse mënjanohesh prej aspekteve ekonomike dhe metafizike; nuk ke nevojë ta gjesh kuptimin e jetës tënde, e nuk ke nevojë të gjesh siguri — burri e gjen për ty. Sërish, inferioriteti vjen si rrjedhojë e trajtimit që të bëhet, dhe nuk i paraprin atij.
Pritshmëritë e vjetruara duhet të zhduken
Ajo që i frikëson tradicionalistët më së shumti është kur një grua i përkushtohet doktoratës dhe vetëm doktoratës, ose punës dhe vetëm punës. S’do ta harroj herën kur një grua e moshuar më pyeti: “Për çfarë arsye studion?” Ose atë herën tjetër kur më është thënë se nuk duhet të jem karrieriste ambicioze.
Me fjalë të tjera, njerëzit që më janë qasur në atë mënyrë më kanë thënë se një grua e vetme është qenie shoqërisht e paplotë, edhe nëse i ka të ardhurat e veta. Sipas tyre, gruas i duhet unaza në gisht për të pasur dinjitet të plotë si individ. Para 71 vjetësh, de Beauvoir shkroi se asnjë burrë i ri nuk e sheh martesën si projekt themelor; suksesi ekonomik është çfarë i ofron pjekuri të respektueshme. A s’është e frikshme se sa shumë përkon me gjendjen në ditët tona?
Çka nëse një grua vendos të jetojë vetë nga dëshira e saj?
Le ta marrim parasysh rastin kur një grua ua del të dyjave — edhe të qenit karrieriste e suksesshme, edhe si grua/nënë. Kjo zgjedhje do të duhej t’i takonte secilit individ, dhe natyrisht që të jesh edhe njëra, edhe tjetra është e mundshme. Sidoqoftë, këtu shfaqet ndërrimi i dytë.
Fakti se bashkëshortet në shoqërinë e sotme moderne nuk kanë më përgjegjësi për punët e përditshme të shtëpisë shtë i vendosur në familjet perëndimore. Sidoqoftë, duket se kjo nuk mund të thuhet për shoqërinë kosovare, ku pabarazitë gjinore në ndarjen e punëve të shtëpisë mbeten dhe pranohen si tradicionalisht të mirëqena — edhe nga burrat, edhe nga gratë.
Kryerja e pjesës më të madhe të punëve shtëpiake bashkë me zhvillimin e karrierës i ngjan torturës Sizifike. Edhe kur punët e shtëpisë nuk janë monotone, ato i shërbejnë vetëm mirëmbajtjes së jetës së njeriut, e jo përparimit të saj; janë të nevojshme për jetën por nuk i japin ndonjë domethënie. Kështu, amvisja nuk arrin asgjë për vete, por e bart raison d’être (qëllimin) tek ata me të cilët jeton.
Një situatë tjetër që vlen të diskutohet është kur një grua mbërrin moshën 30 vjeçe si beqare, duke u përqendruar vetëm në karrierën e saj — ajo shihet si e dëshpëruar dhe si objekt keqardhjeje. Në anën tjetër, një burrë beqar i brezit të njëjtë “ka boll kohë”, së paku në sytë e shoqërisë.
Çka nëse një grua vendos të jetojë vetë nga dëshira e saj? Përveç kritikave që do të marrë nga shoqëria, ajo vazhdimisht do të dëgjojë zëra në rrethin e saj që thonë: “Është një burrë me nam të mirë që dua ta takosh…”
Besoj se ka nevojë për një shndërrim të pritshmërive normative që lidhen me pozitën e një gruaje, një karrieristeje, dhe një bashkëshorteje — në Kosovë dhe më tej. Mbas de Beauvoir, martesa është shtypëse dhe përfshin një faj moral kur e lehtëson epërsinë e bashkëshortit duke e ulur bashkëshorten në nivelin e punëve jokreative që nevojiten për ta mirëmbajtur jetën në shtëpi.
Edhe pse shihet si e vjetruar, për fat të keq analiza e saj mbetet relevante për martesat e ndërrimit të dytë në Kosovë dhe për perceptimin e rolit të grave në shoqërinë tonë.
Feature image: Arrita Katona / K2.0.