Para katër dekadash në shtetin e tij të lindjes, në Ontario të Kanadasë, Paul Haggis po shkonte tek vendi i tij i punës në ndërtimtari kur babai i tij, i cili ishte pronar i një kompanie teatrore, i dha një këshillë: “Ti duhet të shkosh në Hollywood dhe ta ndjekësh ëndrrën tënde”.
Si te dialogu përmbyllës i filmit “Pretty woman”, kur një person i përhumbur bredh rrugëve duke bërtitur “Mirë se vini në Hollywood!”. Cila është ëndrra jote? Çdokush vjen këtu: ky është Hollywood-i, toka e ëndrrave”. Hollywood-i vërtet ia plotësoi ëndrrat Haggis-it, i cili sot është regjisor dhe skenarist i famshëm, fitues i dy çmimeve Oskar.
Gjatë kësaj jave në Prishtinë, fituesi i dyfishtë i Oskarit u shfaq disa herë gjatë edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFest, duke përfshirë edhe një ligjëratë përpara Teatrit Kombëtar të marten (8 korrik), ku për një orë të plotë artistët kosovarë patën mundësinë të marrin njohuri në lidhje me zanatin e tij.
Haggis u tregoi të pranishmëve rrugëtimin e tij prej një punëtori pa letra në Bregun Perëndimor të SHBA-ve deri te njëri prej artistëve më të kërkuar të industrisë së filmit në vend. Ai i shpjegoi audiencës se iu deshën plot 10 vjet shkrime për të kuptuar se çka është një skenar i mirë. Në një rast atij i kishin thënë se skenari ishte shumë i mirë, por e pyetën “Çka del nga ti?” Cilat pyetje ia bën vetes për veten?”
Pyetja e kishte habitur Haggis-in. “A isha dashur ta bëja këtë? Nuk e kisha haberin se çka, në fakt, bënte shkrimtari. Kështu, nga ajo pikë, kur kthehem mbrapa e kuptoj se ishte pikërisht ai moment kur fillova të bëhem shkrimtar”, i tha ai audiencës, duke qeshur. “Por për 10 vjet i bëra kushtet e mira dhe thjesht e kuptova se çka është ajo që bëjnë shkrimtarët”. Pyetjet që Haggis filloi t’i parashtronte në lidhje me gjërat që e shqetësonin atë dhe të tjerët rreth tij, i bënë storiet e tij më komplekse dhe domethënëse.
Shumë shpejt atij iu besua puna e parë në televizion, e cila i dha mundësi të reja të punojë me zhanre të reja, komedi dhe drama, dhe gjithashtu filloi të punonte si producent. Megjithatë, gjatë kësaj kohe disa herë u pushua e u kthye në punë. “Dështimi është diçka e mrekullueshme — në atë kohë ndjenja ishte e tmerrshme, por ajo të motivon të bësh më shumë”, tha Haggis. “U përjashtova nga shou im dhe u ndjeva shumë keq. Pastaj shkrova ‘Million Dollar Baby’ dhe ‘Crash’. Kështu, sa herë që përjashtohem, fitoj dy gjëra”.
Haggis e shkroi skenarin dhe e bëri produksionin e filmit “Million Dollar Baby”, për të cilin u nominua për çmimin Oskar. Vitin tjetër, filmi “Crash” me skenar dhe regji të tij i solli dy çmime të Akademisë, për “Skenarin më të mirë dhe origjinal” dhe “Filmin më të mirë të vitit”.
“Kur korr një sukses të tillë, duhet ta mbash mend se je po ai dështim që ke qenë para një jave”, tha Haggis. “Duhet ta analizosh atë vetëbesim të ri për t’u siguruar që të mos shndërrohet në arrogancë, dhe të mos e gjykosh vetën në bazë të asaj që të tjerët thonë për ty. Nëse mendon se gjithçka që bën është e mrekullueshme, shumë shpejt nuk do të jesh më artist. Mund të jesh i suksesshëm por nuk do të jesh më artist”. Për Haggis-in, artistët gjithmonë do të zhvillojnë beteja me procesin e tyre, duke u përpëlitur vazhdimisht me storie dhe gjetje të mënyrës për të thënë diçka të sinqertë.
Duke e komentuar procesin e kreativitetit dhe të prodhimit të një vepre të madhe origjinale të artit, ai tha se në fillim të karrierës joorigjinaliteti është i pashmangshëm. “Kështu bëjmë të gjithë, vjedhim shkathtësi, kështu punojmë të gjithë”, pohoi Haggis. “Nuk ka asgjë të keqe këtu. Vjedh deri në momentin kur je në gjendje të kesh mendime të tua. Në fillim, vetëm i kopjon të tjerët. Thjesht e kopjoja Scorcesse-n apo Hitchcock-in, Godard-in apo këdo që kishte ndikim mbi mua”.
Të marten në mbrëmje, për nder të Haggis-it, PriFest shfaqi filmin e tij “In the Valley of Elah”, i cili portretizon një baba në kërkim të djalit të tij ushtar, pasi ishte gjetur trupi i tij, dhe përndjekjen e mëpastajme të vrasësve të djalit të tij. Filmi ndërton një qasje jorelevante ndaj rolit të Amerikës në luftën e Irakut, dhe shtjellon abuzimin e të burgosurve dhe të ushtarëve që vuajnë nga Çregullimi i Stresit Post-traumatik (PTSD).
Ndërsa Haggis ishte i bindur se publiku amerikan do të ketë telashe me protagonistët irakianë, ai po kërkonte rrëfime të jetës reale të cilat flasin për kompleksitetin e luftës dhe të dhunës. Duke iu referuar betejës biblike ndërmjet Davidit dhe Goliathit e cila u zhvillua në vendin e quajtur Lugina e Elahut (Valley of Elah), Haggis shtjellon se çka u ndodh njerëzve “kur shkojnë të luftojnë kundër Goliathit, bishës së tmerrshme e cila i vret njerëzit e vet, dhe në fund e kuptojnë që ata, vetë, janë Goliathi”. Ai i analizoi efektet që do të prodhoheshin dhe këtë ua tregoi disa ushtarëve të cilët ishin kthyer nga iraku dhe vuanin nga PTSD-ja.
Filimi u bazua në ngjarje të vërteta dhe Haggis-in e pyetën nëse do të dëshironte ta takonte protagonistin e vërtetë, por ai e refuzoi këtë shans sepse e dinte se qasja e tij mund ta shqetësonte babain e ushtarit të vdekur. “Kjo është e rëndësishme për një shkrimtar. Duhet të jesh i gatshëm t’ia thyesh zemrën secilit, dhe të jesh i gatshëm ta ekspozosh jo vetem veten por edhe të tjerët”, tha Haggis.
Të nesërmen, gjatë një konference për media Haggis ia shtjelloi K2.0 edhe më tej këndvështrimet e tij në lidhje me hamendjen se kush është hero e kush është i ligu, tema të cilat shpesh pasqyrohen në punën e tij. “Ka njerëz që bëjnë gjëra të liga, ka njerëz që bëjnë gjëra heroike, dhe nganjëherë po flasim për njerëzit e njëjtë”, i tha Haggis ekipit të K2.0. “Mendoj se është e lehtë të bëhesh i lig, është e lehtë të bësh gjëra të liga kur ndihesh i viktimizuar. Kësisoj, qeveritë dëshirojnë të na kontrollojnë, ata dëshirojnë të na bëjnë viktima, që ne të kryejmë krime të tmerrshme. Ne u lënduam, dhe rrjedhimisht kemi të drejtë t’i lëndojmë të tjerët. Këtë sigurisht mund ta shihni në ish-Jugosllavi.
Haggis shtoi se kjo dinamikë nuk zhvillohet vetëm në plan të madh, por atë e shohim edhe në jetën e përditshme. “Gjithkush bën kështu, madje edhe në nivel personal për t’u arsyetuar për dhunën, për t’u arsyetuar për veprime agresive ndaj të tjerëve, s’kemi qare, si qenie njerëzore”, i tha ai K2.0. “Nuk është se mund të themi: “Do të bëj diçka të keqe”. Kësisoji, ne e pikturojmë veten si heronj dhe pastaj veprojmë si keqbërës”.
Haggis gjithashtu e vuri në pah këndvështrimin e tij se arti, për nga vetë natyra e tij, është gjithmonë politik. “Nëse jeton në një kohë e cila është e turbullt dhe bën komedi për dy njerëz të cilët e shpërfillin politikën, kjo është deklaratë politike”, i tha ai K2.0. “Mendoj se kinemaja vdes kur shteti, apo forcat tjera, përpiqen ta kanalizojnë zërin e saj në një mënyrë të caktuar, dhe ajo lulëzon në kohërat kur ka telashe dhe ka storie mbresëlënëse për t’u shtjelluar. Të gjithëve na pëlqejnë storiet mbresëlënëse të cilat na prekin dhe të cilat shpesh janë politike, qoftë sociale qoftë ato që injorojnë politikën, prapëseprapë janë politike”.
Në projektin e radhës, Haggis po e adreson edhe një çështje politike, një dokumentar i cili paraqet ngjarjet në San Francisco gjatë epidemisë së AIDS-it. Ai nuk e ka në plan të ndalet së punuari, duke i thënë audiencës në ligjëratën e tij: “Ndiej dhimbje sa herë që nuk kam ide, apo sa herë që nuk e punoj me një ide. Seç e kam një ndjenjë të tmerrshme faji kur nuk krijoj. Më duket se po më shkon jeta huq. Besoj se njeriu duhet të nxitet. Nuk mund të sillesh e pështillesh me filxhan në dorë dhe të mendosh për jetën. Storien duhet ta kërkosh””.
Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.