Pikëpamje | Politika

Pacifisti që mbështeti një bombardim

Nga - 15.06.2023

Vështrim mbi vëllimin III të “Sërbia tjetër”, kushtuar avokatit Srđa Popović.

Përkundër mureve, jo vetëm fizike, por edhe mendore, që jo rrallë karakterizojnë hapësirën tonë ballkanike, Shkëlzen Gashi (Xeni) dhe organizata “ADMOVERE”, përmes vëllimeve “Sërbia tjetër”, kanë dëshmuar se ka zëra që ngrehin kokat përmbi këto mure dhe kërkojnë e gjejnë fijet e holla, që mund të lidhen dhe të bëjnë një shteg. Nëpër këtë shteg mund të kalohet nga gjendja konfliktuoze në atë paqësore, nga mosbesimi në besim. 

Kështu, nga shikimi nëpërmjet tytës së pushkës, arrihet shikimi sy më sy, pozitë kjo, e cila mundëson komunikimin si mjetin më të mirë për marrëveshje dhe mirëkuptim. 

Është në natyrën e frikacakëve të ndërtojnë mure, ndërsa të guximshmit ndërtojnë ura. Këtë më së miri e shpjegon edhe shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges në esenë e tij “Muri dhe librat”, ndërsa shkruan për Murin Kinez si një mrekulli e ndërtuar nga djegia e librave dhe nga frika për të vërtetën që bartin ato. 

Nga ky këndvështrim duhet parë edhe vullneti i Xenit e mbase edhe guximin e tij intelektual, sepse idetë e tilla ende janë pronë e pakicës në hapësirat ballkanike, ku njerëzit me shumicë bien e zgjohen me mite të ndryshkura, të veshur me emblema e flamuj që i yshtin kundër njëri-tjetrit. Në veçanti, miti serb për Kosovën vazhdon të projektohet si një e drejtë historike, e cila bie ndesh me realitetin dhe si e tillë vazhdon të prodhojë keqkuptime deri në konflikt. 

Xeni, në përgatitjen dhe botimin e kësaj kolone për tre personazhe të rëndësishme, që shpërfaqin një Serbi tjetër: arkitektin Bogdan Bogdanović (vëllimi I, 2021), politikanin Miloš Minić (II, 2021) dhe avokati Srđa Popović (III, 2022), ka ndjekur metodën e përzgjedhjes, duke u përqendruar kryesisht në qëndrimet dhe reflektimet e këtyre personazheve në raport me Kosovën. 

Prandaj në “Sërbia tjetër” paraqiten fragmente nga intervista të ndryshme, në medie po ashtu të ndryshme, sikundër dhe nga periudha të ndryshme, për të ndërtuar kështu një lloj kronike të ngjarjeve, gjë që na mundëson të kuptojmë më mirë edhe gjendjen, përkatësisht pozitën e dy popujve sot, të cilët ndodhen në një proces të vështirë dialogu. Si rrjedhojë, “Sërbia tjetër”, duhet shikuar si vlerë e shtuar edhe në kuadër të dialogut, që po zhvillohet tash e sa vjet ndërmjet Serbisë e Kosovës, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.

Srđa Popović, avokati i pashoq

Dihet se në luftë së pari vritet e vërteta –– digjen librat dhe gazetat. Pastaj vriten e digjen njerëzit, gjë të cilën e kemi parë dhe përjetuar në lëkurat tona –– ne banorët e këtyre hapësirave të ngulfatura nga gënjeshtra dhe mashtrimi. Njësoj dihet se jeta e intelektualëve është jetë për të vërtetën, përkatësisht i gjithë kuptimi i qenies së tyre mbështetet mbi këtë premisë.

Të tillë janë edhe tre personazhet e kolonës “Sërbia tjetër”, të cilët patën guximin të ngriheshin mbi atë gërmadhë gënjeshtrash e mashtrimesh, që kishte ndërtuar politika shtetërore serbe, duke shfrytëzuar mitet si të drejtë historike për të shtypur të drejtat etnike të të tjerëve në këto hapësira.

Në vitin 2022 u botua vëllimi i tretë, i cili u promovua në festivalin “Mirëdita Dobar Dan”, në maj këtë vit. Ky vëllim në qendër ka avokatin Srđa Popović. Një intelektuali të tillë, të përkushtuar kështu për të vërtetën e kemi zor t’ia gjejmë shokun në këto hapësira, ku ende nuk kultivohet mendimi filozofik dhe ku ende historia vazhdon të shkruhet në formë të letrarizuar. 

Popović u lind më 1937 në Beograd dhe vdiq po aty, në vitin 2013. Aktivitetin prej një oponenti të dalluar e kishte filluar qysh herët, kur në vitin 1976 ishte dënuar me një vit burg sepse kishte ndarë të njëtat bindje me klientin e tij, poetin dhe disidentin serb Dragoljub Ignjatović

Si avokat, guximshëm kishte mbrojtur jo vetëm studentët dhe profesorët e demonstrative të vitit 1968 në Beograd, por kishte mbrojtur edhe studentët e Prishtinës të demonstrative të vitit 1981. Në vitin 1990 themeloi gazetën e përjavshme “Vreme”, si kundërpërgjigje ndaj instrumentalizimit të medieve serbe nga regjimi i Slobodan Milošević, madje në këtë projekt, ai kishte angazhuar gazetarët, që kishin humbur vendet e tyre të punës. Një vit pas, u zgjodh president i Lëvizjes Evropiane në Serbi, kur edhe, pas kërcënimeve të vazhdueshme nga regjimi, u shpërngul në ShBA. Në Beograd u kthye pas 10 vitesh, pra pas rënies së regjimit të Milosević.

Një intelektual si Popović, kapërcen përmasat kombëtare dhe bëhet pjesë e vlerave universale, pa dallim race, etnie a besimi. Në këto hapësira edhe mund të gjesh intelektualë që veprojnë si oponentë politikë, por janë të rrallë, shumë të rrallë ata intelektualë që shfaqen si oponentë kombëtarë, çfarë është avokati Popović.

Popović, duke mbrojtur të vërtetën dhe për hir të saj, mbështeste idenë që NATO të sulmonte shtëpinë e tij, përkatësisht atdheun e tij.

Në hyrje të këtij libri, në formë të parathënies, me të drejtë Xeni konstaton se intelektualët e tipit të Popović ishin të frymëzuar nga social-demokratët serbë të prirë nga shkrimtari e politikani Dimitrije Tucović, i cili që me pushtimin e parë të Kosovës (1912-1913) kishte deklaruar: “Shkaku themelor i krejt halleve tona [serbe] nën të cilat vuajmë sot dhe prej të cilave edhe në të ardhmen do të vuajmë shumë është se kemi hyrë në tokë të huaj”. 

Pas më shumë se një shekulli ky konstatim i Tucović gjen mbështetje vetëm nga intelektualët e tipit si Popović, të cilët në mjedisin tonë janë shikuar dhe vazhdojnë të shikohen me dyshim dhe mospërfillje. 

Popović, duke mbrojtur të vërtetën dhe për hir të saj, mbështeste idenë që NATO të sulmonte shtëpinë e tij, përkatësisht atdheun e tij –– mbase duke konsideruar se kjo ndërhyrje po vonohej shumë. Kjo ndodhi përkundër që Popović ishte një pacifist i njëmendtë. Ai në këtë mënyrë besonte se do ta shpëtonte të vërtetën serbe, përkatësisht të drejtën, e cila edhe është sinonim i së vërtetës. Ai shprehej hapur se nuk mbante mend tjetër serb që t’i ketë bërë kaq keq interesit të vërtetë serb sa Miloševiç. Në këtë kontekst, duhet përmendur se në vitin 1993 ishte ndër nënshkruesit e peticionit, dërguar presidentit të ShBA Bill Clinton, për të vepruar kundër veprimeve të Serbisë në Bosnjë.

Popović shkaku i këtyre qëndrimeve dhe angazhimeve, jo vetëm që u cilësua si tradhtar në Serbi, por edhe u kërcënua me jetë. Sot, koha po e dëshmon se ai ishte patrioti i njëmendtë serb.

Popović vlerësoi se shqiptarët jetuan si trup i huaj në Jugosllavi dhe u trajtuan si qytetarë të rendit të dytë.

Në një intervistë të vitit 1991, për “Koha” të Prishtinës, Popović, kur tregon se një shqiptar e kishte falënderuar, thotë se i ishte përgjigjur: “[…] këtë nuk po e bëj shkaku juaj, por në rend të parë për shkak të ndërgjegjes sime”. 

Ai kishte guximin që haptas të fliste për shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta dhe vlerësonte se shqiptarët nuk u integruan kurrë në Jugosllavi, por jetuan si trup i huaj dhe u trajtuan si qytetarë të rendit të dytë. 

Sigurisht që vëmendje të veçantë tërheq vlerësimi i tij i shprehur në intervistën me gazetarin Darko Vukorepa, gjatë bombardimeve të NATO në Kosovë, në revistën kroate “Feral Tribune”, në prill 1999: “Pas gjenocidit të kryer në Bosnje, tani po kryejnë gjenocid të ri në Kosovë.”

Edhe pas lufte, përkatësisht pas kthimit të tij nga Amerika, ai vazhdoi angazhimin. Ndoshta më mirë se kushdo tjetër, Popović ka identifikuar gjendjen në Serbi, duke e cilësuar kështu: “Kemi një pushtet të bazuar në shtyllat klasike të një qeverisje të tillë: Akademinë, (si sinonim i dijes), Ushtrinë (si sinonim i forcës) dhe Kishën (si sinonim i besimit) 

Në pyetjen se a patën kuptim sulmet e NATO, të gazetarit Igor Vukić, të gazetës “Novi list”, të Zagrebit, në gusht të vitit 1999, avokati Popović përgjigjet: ”Tash atje situata është dukshëm e keqe. Përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk kanë ende forcë ta shtypin revanshizmin, të cilin unë e kuptoj në njëfarë mënyre, sepse ndaj shqiptarëve u kryen krime të tmerrshme, masive”, duke shtuar se ka frikë se mos kompremetiohet aksioni i NATO e se nuk do të shihet si ndërhyrje humanitare.

Në intervistën e vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të botuar në “Peščanik” në Beograd, ai thotë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ky fakt nuk ndryshohet, duke shtuar se “E vërteta është se ata politikanë, parti dhe qytetarë që të parët marrin guximin e mjaftueshëm për të thënë haptazi se mbreti është cullak, se Kosova është e pavarur dhe se ‘beteja për Kosovën’ është marrëzi e demagogjisë, meritojnë të vlerësohen jo vetëm për ndershmërinë dhe guximin, por edhe për patriotizmin e vërtetë”.  

Ky libër, mbase e gjithë kolona, përgatitur nga Shkëlzen Gashi në tri gjuhë, na shfaqet si një manifest mirëkuptimi dhe mirëbesimi, për të cilin kemi nevojë të madhe ne njerëzit e këtyre hapësirave që vazhdojmë të jetojnë me urrejtje e  paragjykime. 

Ne që jetojmë në këto hapësira, ku edhe urat marrin kuptimin e mureve, siç është rasti me urën mbi lumin Ibër, kemi nevojë të mësojmë sa më shumë nga shembujt që na japin personazhet e kësaj kolone. Nëse bëhemi ithtarë të së vërtetës, kështu si na udhëzon ky libër, ne rrjedhimisht bëhemi edhe ithtarë të së drejtës. E për këtë kemi nevojë më shumë se për çkado tjetër.   

Imazhi i ballinës: Aulonë Kadriu / K2.0