Pikëpamje | Drejtësi

Padia e gjyqtarëve ndaj aktivistëve, përpjekje për ta heshtur kritikën

Nga - 08.03.2022

Gjyqtarët duhet ta mbështesin punën e shoqërisë civile e jo ta pengojnë atë.

Në fillim të këtij viti, dy gjyqtarë i paditën dy organizata të shoqërisë civile për shpifje. Paditësit nuk ndiheshin përgjegjës për kritikat që e konsideruan seksist një aktgjykim, ku këta kishin qenë anëtarë të trupit gjykues. Aktgjykimi në fjalë, kishte liruar nga akuza pesë të akuzuar për dhunimin e një gruaje 19-vjeçare, duke u mbështetur në një arsyetim që e fajësonte viktimën.

Mes tjerash, të akuzuarit u liruan nga akuza sepse viktima ka pranuar të udhëtojë me taksi me njërin nga të akuzuarit, duke e ditur se ai është burrë, prandaj sipas Gjykatës, “logjikisht” shihet se ajo ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të “bredhjes” dhe “shoqërimit me meshkuj”.  Gjykata po ashtu konstatoi se duke qenë se viktima ka qenë në banesë me të akuzuarit që ishin burra, “vetvetiu nënkuptohet” se viktima ka qenë e pajtimit “të lëshohet në aventura seksuale”.

Ky arsyetim jo vetëm që është seksist, por kur kemi parasysh se është marrë në emër të popullit për lirimin e jo dy, as tre, por pesë të akuzuarve për dhunim seksual, bëhet edhe tragjik. Përfundimet e gjykatës, rrënjët i kanë në një mendësi patriarkale e paragjykuese që e konsideron inekzistente të drejtën e gruas për të vendosur për trupin e saj.

E drejta e gruas në integritetin e saj fizik e seksual nuk zhveftësohet kur ajo hipë në taksi me një burrë, kur shoqërohet me një burrë a me shumë burra ose kur gjendet në një banesë me ta. Ajo gjithmonë mbetet e vetmja që mund të vendosë ta shprehë apo të refuzojë ta shprehë pëlqimin për të hyrë në marrëdhënie seksuale.

Derisa aktgjykimi në vete është mjaftueshëm problematik në aspektin e diskriminimit gjinor dhe kërkon shtjellim të gjerë, gjyqtarët, duke paditur zërat kritikë, ia dhanë një dimension shtesë kësaj çështjeje: atë të përpjekjes për kufizimin e lirisë së shprehjes.

Rrjedha e ngjarjeve

Aktgjykimi në fjalë u bë i njohur për publikun më 4 dhjetor 2021, kur Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në platformën “Betimi për Drejtësi”, shfaqi emisionin “Arsyetimi seksist i vendimit të Gjykatës së Gjilanit”. Në aktgjykimin që e posedon IKD, lirimi i të akuzuarve për dhunim seksual arsyetohet duke thënë, mes tjerash, që njëri nga të akuzuarit ka qenë i martuar, kurse të tjerët s’e kanë pasur për qëllim “ta marrin për grua” viktimën. 

Si reagim, më 7 dhjetor, Qendra për Informim Kritikë dhe Aksion (QIKA), organizoi një protestë paqësore dhe aksion simbolik para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në objektin e së cilit ngjitën parulla si: “Seksistat s’e kanë vendin në Gjykatë”, “Vizita në banesë nuk është leje për dhunim”, “Në taksi, në banesë, në çdo hapësirë dhe në çdo kohë, seksi pa pëlqim është dhunim”. Në këtë aksion, aktivistet e aktivistët kërkuan edhe hetim disiplinor ndaj të tre anëtarëve të trupit gjykues. 

Si pasojë e publikimit të emisionit që bëri bujë e u përcoll me kritika të shumta nga publiku ndaj arsyetimit, më 14 janar 2022, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kishte kërkuar që të inicohet procedurë disiplinore ndaj të tre anëtarëve të trupit gjykues për shkak të gjuhës së përdorur në aktgjykimin për lirimin e pesë të akuzuarve për dhunim seksual.

Dy javë më vonë, në fund të janarit 2022, gjyqtarët Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi –– anëtarë të trupit gjykues që kishte nxjerrë aktgjykimin –– i paditën për shpifje organizatat IKD dhe QIKA. 

IKD u padit për shkak të realizimit të emisionit që e njoftoi publikun lidhur me këtë aktgjykim me të cilin i kritikonte të tre anëtarët e trupit gjykues për nxjerrjen e tij, e QIKA u padit për shkak të protestës para Këshillit Gjyqësor të Kosovës. 

Dy gjyqtarët paditës, kritikat e organizatës IKD e madje edhe protestën paqësore të organizatës QIKA i kanë cilësuar si shpifje. Sipas tyre, aktgjykimin në atë rast e kishte përpiluar kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri, ndërkaq ata dy kishin qenë “vetëm” anëtarë të trupit gjykues dhe kështu, s’mund të mbahen përgjegjës për përmbajtjen e aktgjykimit. Përkundër kësaj, deri tash, nuk janë distancuar publikisht nga arsyetimet në aktgjykim. 

Përgjegjësia e përbashkët

Por çfarë thotë ligji për rolin e anëtarëve të trupit gjykues në nxjerrjen e aktygjimit? Sipas Kodit të Procedurës Penale, për ta marrë vendimin, të tre gjyqtarët tërhiqen në seancë të mbyllur për këshillim dhe votim. 

Kryetari kujdeset për “shqyrtimin e tërësishëm të të gjitha çështjeve nga çdo këndvështrim” dhe e drejton këshillimin dhe votimin, ndërkaq për çështjet e shtruara, së pari votojnë anëtarët e trupit gjykues e i fundit, voton kryetari. Votimi përsëritet deri sa të arrihet shumica e votave për secilën çështje. Çështja e parë që votohet është se a e ka kryer i akuzuari veprën penale dhe a është përgjegjës penalisht. 

Të tre anëtarët e trupit gjykues janë bashkëvendimmarrës dhe bashkërisht duhet thirrur në përgjegjësi.

Në rastin në fjalë, tre gjyqtarët e trupit gjykues individualisht –– pra veç e veç –– kanë votuar nëse pesë personat e akuzuar e kanë kryer ose jo dhunimin seksual. Për ta vendosur këtë, është dashur të shqyrtojnë dhe të vendosin bashkërisht për arsyet dhe rrjedhën logjike të ngjarjeve që i solli te përfundimi se pesë të akuzuarit nuk e kanë kryer dhunimin. 

Kodi i Procedurës Penale përcakton se kur gjykata refuzon aktakuzën, arsyetimi i aktgjykimit përqendrohet në arsyet për refuzimin e akuzës. Vetë Ramiz Azizi e ka konfirmuar për IKD-në se vendimi i tre anëtarëve për lirimin e të akuzuarve nga akuza ka qenë unanim. Ndonëse përpilimin e aktgjykimit e bën kryetari i trupit gjykues, kjo nuk do të thotë se dy anëtarët tjerë nuk mbajnë përgjegjësi për konstatimet në të. 

Të tre anëtarët e trupit gjykues janë bashkëvendimmarrës dhe bashkërisht duhet thirrur në përgjegjësi.

Teksa dy anëtarët tjerë nuk janë distancuar publikisht nga përmbajtja e aktgjykimit, Aziz Shaqiri, kur IKD e pyeti për gjuhën seksiste në aktgjykim, tha se gjuha e arsyetimit “përkon me realitetin e vërtetuar” dhe s’mund të konsiderohet seksiste. Sipas tij, gjykata “me maturi” ishte përgjigjur ndaj të kaluarës së viktimës dhe sjelljeve të saj, duke përfshirë nisjen me taksi në Gjilan.  

Kjo është përgjigjje e një gjyqtari që nuk ia ka fare idenë se çka është pëlqimi dhe përmes vendimeve të tilla, mirëmban shtypjen ndaj grave. Për më keq, kjo përgjigje është një prej atyre që ua vërteton vajzave e grave frikën se po ta raportojnë dhunën, do të paragjykohen, fajësohen e ritraumatizohen. 

Padi për ta heshtur kritikën 

Organizatat e paditura ende nuk e kanë pranuar padinë për shpifje nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila sipas të gjitha gjasave është gjykata kompetente për trajtimin e padisë meqë IKD dhe QIKA i kanë selitë në Prishtinë. Lajmin për padinë, organizatat e morrën nga faqja zyrtare e Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila lëshoi një njoftim për të kumtuar se dy gjyqtarët Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi kishin parashtruar padi private për shpifje ndaj dy organizatave në fjalë.

Ky veprim i gjykatës bie në kundërshtim me parimin e funksionimit të pavarur të gjyqësorit dhe atë të ndalimit të komentimit të proceseve të papërfunduara gjyqësore. Me publikimin e këtij njoftimi, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë qëndrim për një çështje që me gjasë është në zhvillim e sipër në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, edhe po të kishte përfunduar shqyrtimi gjyqësor i padisë, nuk u takon e as nuk është punë e gjykatave ta njoftojnë publikun për paditë private të nëpunësve të saj. 

Publikimi i këtij njoftimi në faqet zyrtare bëhet edhe më problematik kur kemi parasysh se njëri nga gjyqtarët paditës, Ramiz Azizi, është njëherësh kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan –– pra, e drejton këtë institucion. Kjo ngase ai e ka shfrytëzuar funksionin e tij si kryetar për ta shtyrë përpara një interes krejtësisht privat, duke ia krijuar përshtypjen publikut se Gjykata Themelore në Gjilan ia mban anën gjyqtarëve në padinë e tyre ndaj organizatave të shoqërisë civile. 

Në një konferencë për media të Gjykatës Themelore në Gjilan në fillim të shkurtit 2022, Ramiz Azizi nuk iu përgjigj pyetjeve të aktivistëve për atë se cili është pozicioni i gjykatës lidhur me padinë e gjyqtarëve ndaj aktivistëve, por u tha: “Shihemi në gjykatë” dhe “Po, unë jam zoti i shpisë këtu”. 

IKD dhe QIKA kanë deklaruar publikisht se nuk do të zmbrapsen nga angazhimi i tyre publik dhe se nuk i frikësohen padisë.

Ndërkohë, aktgjykimin për lirimin e të akuzuarve nga akuza, gjykata nuk e ka publikuar ende, edhe pse e ka obligim kushtetues e ligjor e edhe përkundër kërkesave të shumta për qasje nga organizata QIKA. Gjatë konferencës për media, Ramiz Azizi u përgjigj shkurt në pyetjen se pse nuk po ofrojnë qasje në aktgjykim duke thënë se fjala është për një viktimë të mitur, pastaj se është rast i dhunës në familje dhe se “do të përgjigjen edhe ata që e kanë publikuar”. Por në fakt, viktima në rastin në fjalë nuk ka qenë e mitur, por i ka pasur 19 vjet, ndërsa akuza nuk ka qenë për dhunë në familje, por për dhunim seksual. 

Padia e gjyqtarëve ndaj organizatave bashkë me njoftimin e publikuar nga gjykata, ngjajnë në një përpjekje të dëshpëruar për heshtjen e kritikës e madje duket të jetë mesazh edhe për të tjerët që të mos kritikojnë publikisht gjykatat për vendimet që i nxjerrin, në të kundërtën do ta pësojnë njëjtë si IKD dhe QIKA. Kjo përpjekje bëhet edhe më e dukshme kur kemi parasysh faktin se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka përfunduar procesin disiplinor ndaj gjyqtarëve për nxjerrjen e aktgjykimit seksist.

IKD dhe QIKA kanë deklaruar publikisht se nuk do të zmbrapsen nga angazhimi i tyre publik dhe se nuk i frikësohen padisë. 

Puna që po e bëjnë organizatat e shoqërisë civile dhe mediat për njoftimin e publikut për vendime të tilla si dhe me parashtrimin e kërkesave për llogaridhënie të zyrtarëve publikë përgjegjës është qenësore për emancipimin e shoqërisë dhe çrrënjosjen e mendësisë patriarkale që ende mbizotëron në shoqërinë e institucionet e Kosovës. 

Fjalori shqip foljen “emancipoj” e definon si vijon: “Flak tej paragjykimet, besimet e kota etj. që më ndrydhin mendimin e më pengojnë të zhvillohem e të veproj si pjesëtar i një shoqërie të përparuar”. Pikërisht këtë po e bëjnë IKD dhe QIKA.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0