Siç është bërë thuajse traditë në javët e fundit, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) sot (e hënë, 14 gusht) përsëri vendosi të mos marrë pjesë në seancën e vazhduar fillestare të Kuvendit të Kosovës. Është hera e pestë prej kur nisi seanca fillestare më 3 gusht që koalicioni PAN së bashku me 20 deputetë që i përfaqësojnë komunitetet pakicë zgjodhën të mos marrin pjesë. Mungesa e vazhduar e tyre po e parandalon zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, lëvizje e nevojshme për të nisur procesin e formimit të qeverisë.
Vetëm 53 deputetë, të gjithë të Lëvizjes Vetëvendosje ose të koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA) ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit. Ky numër nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur kuorumin e nevojshëm (61 deputetë) për të mbajtur seancë votimi. Megjithatë, pa praninë e PAN-it nuk mund të mbahen seanca votimi për shkak të një vendimi të diskutueshëm që e mori Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 për t’i dhënë partisë ose koalicionit më të madh të drejtën që të parët ta propozojnë kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit.
Koalicioni PAN vazhdimisht ka refuzuar të marrë pjesë në seancën fillestare, duke thënë se i duhet më shumë kohë për konsultime. Ata gjithashtu kanë akuzuar Vetëvendosjen për kapje të Kuvendit duke përdorur Adem Mikullovcin – kryesuesin e seancës fillesatre – për qëllime partiake; Mikullovci e ka këtë rol meqë është deputeti më i moshuar.
Kritikët i kanë vënë në dyshim justifikimet e PAN-it për mungesën e tyre, duke theksuar faktin se ky koalicion që prej fundit të zgjedhjeve vazhdimisht ka deklaruar se ka mbështetje të mjaftueshme për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar qeverinë. Ata thonë se koalicioni PAN është duke e vonuar procesin meqë nuk i ka votat e mjaftueshme për ta siguruar rolin e Kryetarit të Kuvendit për kandidatin e tyre të supozuar, liderin e PDK-së, Kadri Veselin.
Të dielën, ambasadat e shteteve tê Quintit – gjegjësisht Ambasada e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë – publikuan një deklaratë të përbashkët nëpërmjet së cilës thanë se janë të “shqetësuar me situatën e vazhdueshme politike në Kosovë”, si dhe theksuan që “formimi i këtyre institucioneve është përgjegjësi e liderëve të Kosovës”. Ata gjithashtu thanë duhet të jepen propozime konkrete në mënyrë që të shohim progres në këtë situatë.
Deklaratën e përfunduan me këtë fjali: “Parim fillestar i rëndësishëm është që deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seanca të Kuvendit, në mënyrë që të mundësohet funksionimi i tij”.
A ka alternativë?
Pasi u konfirmua që nuk ka kuorum në seancën e mbajtur sot në mëngjes, Mikullovci e hapi foltoren për fjalime të deputetëve të pranishëm.
Glauk Konjufca i Vetëvendosje e kritikoi vendimin e PAN-it për mospjesëmarrje në seancë, duke deklaruar se “është tipike për ta”. “Ku është problemi? Është shumë e thjeshtë. Ata nuk i kanë numrat as për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, e as për ta formuar qeverinë”, tha ai. “PAN-i operon me logjikë totalitare: ‘Ose ne jemi në pushtet, ose nuk ka alternativë’”.