Pikëpamje | Arsimi

Pas pandemisë, mësimdhënia duhet rimenduar

Si mund ta përmirësojë Kosova performancën e saj dëshpëruese në vlerësimet ndërkombëtare?

Pavarësisht gjoja prioritizimit nga qeveritë e njëpasnjëshme gjatë periudhës së pasluftës, sistemi arsimor i Kosovës mbetet në gjendje jofunksionale dhe renditet si njëri nga më të dobëtit në Evropë. Nevoja urgjente për ndryshime thelbësore ekziston në të gjitha nivelet për t’i adresuar mangësitë strukturore që janë të pranishme prej kohësh, si buxheti i ulët në shkolla, infrastruktura e dobët, planprogramet dhe tekstet shkollore të papërshtatshme dhe/ose të vjetruara, si dhe mungesa e trajnimeve për zhvillimin profesional për mësimdhënësit, veçanërisht në fushën e teknologjisë.

Treguesi më i qartë i gjendjes së dobët të sistemit arsimor të Kosovës ka qenë për një kohë të gjatë performanca e dobët e nxënësve në testet e standardizuara ndërkombëtarisht, siç është Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), test ky që organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik Zhvillim (OECD). Testi vlerëson sistemet arsimore duke i matur njohuritë dhe aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në mbarë botën. Në vitin 2015 nxënësit kosovarë morën pjesë në PISA për herë të parë dhe ndërkombëtarisht u renditën në pesëshen e fundit nga 70 vende pjesëmarrëse dhe në vendin e fundit në rajon.

Kjo renditje e dobët ishte thirrje për reflektim për mësimdhënësit e Kosovës. Në vitin 2018, Kosova mori pjesë në PISA për të dytën herë dhe përderisa performanca e nxënësve në lexim dhe matematikë ishte po aq e dobët, në shkencë performanca e tyre doli edhe më e keqe. Raundi PISA 2022 është duke u zhvilluar, por rezultatet nuk do të publikohen deri në vitin e ardhshëm. Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit për nevojën për ta përmirësuar performancën e nxënësve, ka pak hapësirë për optimizëm për rezultatet e këtij viti duke pasur parasysh problemet e vazhdueshme strukturore dhe efektet e dëmshme të pandemisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie në dy vitet e fundit.

Njëri nga problemet e vazhdueshme strukturore është planprogrami kombëtar, i cili ka pësuar shumë ndryshime që janë keqkoordinuar. Kjo ka bërë që klasat të funksionojnë sipas udhëzimeve të reja të planprogramit, por duke shfrytëzuar tekstet e vjetra që nuk përputhen me materialin e ri mësimor, sepse procesi i botimit të teksteve u vonua. Kjo ka shkaktuar konfuzion në klasa, ka dëmtuar mësimdhënien dhe ka penguar procesin e të nxënit.

Përderisa mësimdhënësit janë përpjekur ta kuptojnë planprogramin e ri dhe tekstet e reja shkollore, pandemia i vështirësoi pafundësisht gjërat dhe i detyroi mësuesit të përshtaten njëkohësisht edhe me mësimdhënien online. Përgjatë kulmit të pandemisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) udhëhoqi zbatimin e mësimdhënies online në bashkëpunim me shkollat ​​dhe institucionet e tjera arsimore. Kjo përfshinte video incizime nga mësuesit që u transmetuan në televizionin publik dhe përgatitjen e mësimeve online duke përdorur platforma si Zoom dhe eShkollori.

Sistemi arsimor i Kosovës mbetet në gjendje jofunksionale dhe renditet si njëri nga më të dobëtit në Evropë.

Në mes të këtij kaosi, një gjeneratë e re nxënësish të klasës së parë po përgatitej ta fillonte shkollën për herë të parë. Fatkeqësisht, dita e tyre e parë e shkollës nuk u ndoq me ngazëllimin tradicional të takimit me bashkëmoshatarët dhe mësuesit e tyre të rinj. Edhe më e vështirë ishte sfida e përshtatjes me shkollimin online pa përjetuar asnjëherë shkollimin normal. Këto sfida u shtuan për fëmijët nëpër shtëpi me lidhje të paqëndrueshme ose të pasigurt të internetit apo ku kishte shpërqendrime.

Zakonisht, nxënësit e klasës së parë e mësojnë alfabetin, leximin, shkrimin dhe problemet bazë të matematikës dhe prandaj kanë nevojë për mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga mësuesi dhe prindi/kujdestari. Përkundrazi, orët online që u prezantuan gjatë pandemisë u shkurtuan, me kohëzgjatje rreth 30 minuta në vend të 45 minutave të zakonshëm. Kjo nënkuptoi se jo të gjitha lëndët mund të mbuloheshin e as mund të kishte angazhim efektiv të nxënësve në aktivitetet e klasës, komentet apo vlerësimet e mësuesve.

Korrigjimi i drejtimit

Qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë janë fokusuar në ndërtimin e objekteve të reja shkollore në vend të zhvillimit të kapaciteteve të mësimdhënies të shkollave që tashmë ekzistojnë. Përderisa objektet e reja shkollore ngrihen, në institucionet arsimore anembanë Kosovës ka mungesë të përgjithshme të pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), materialeve mësimore, bibliotekave shkollore, laboratorëve dhe kompjuterëve.

Kjo mungesë shkakton pasoja të drejtpërdrejta në rezultatet e të nxënit të nxënësve. Ndonëse ka shumë organizata ndërkombëtare që ofrojnë pajisje TIK dhe materiale të tjera të nevojshme mësimore, në shumicën e rasteve këto pajisje nuk përdoren për shkak të mungesës së njohurive të mësuesve apo mungesës së internetit të qëndrueshëm në shkolla. Problemi është edhe më i madh në shkollat rurale.

Plani strategjik i MASHTI-it për vitet 2017-2021 synonte adresimin e disa prej këtyre çështjeve përmes objektivave të tij kyçe, të cilat, ndër të tjera, përfshinin zhvillimin e një sistemi funksional të sigurimit të cilësisë në përputhje me standardet ndërkombëtare, rritjen e cilësisë së mësimdhënies përmes një sistemi efektiv dhe të qëndrueshëm për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe rritjen e nivelit të të nxënit përmes mësimdhënies cilësore, zbatimit të planprogrameve bazuar në kompetenca dhe shfrytëzimin e burimeve cilësore të mësimdhënies.

Strategjia gjithashtu identifikon qartazi sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi arsimor i Kosovës. Këto përfshijnë cilësinë e testeve kombëtare, analizën e rezultateve të testeve dhe përdorimin e tyre në përmirësimin e cilësisë, mungesën e sistemit të licencimit që bazohet në performancën e mësuesve, mungesën e zhvillimit të detyrueshëm profesional për mësuesit, vështirësitë në zbatimin e planprogramit të ri dhe integrimin e mangët të teknologjisë dhe burimeve online.

Për t’i adresuar këto sfida, MASHTI-i ka provuar ta zhvillojë një sistem për zhvillimin profesional të mësuesve duke përfshirë procesin për vlerësimin e performancës të mësuesve, zbatimin e sistemit të licencimit të mësuesve dhe trajnimin e mësuesve potencialë. MASHTI po ashtu planifikon ta bëjë më të lehtë procesin e zbatimit të planprogramit të ri dhe ta adresojë nivelin e pamjaftueshëm të integrimit të teknologjisë në materialet mësimore shkollore.

Megjithatë, sipas një raport nga Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN) për zbatimin e planit strategjik gjatë viteve 2017-2021, zhvillimi profesional për mësimdhënësit dhe procesi i licencimit u vonuan. Raporti tregon gjithashtu se ka mungesë të të dhënave për trajnimin e mësuesve për përdorimin e materialeve elektronike. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh nevojën thelbësore për zhvillimin efektiv dhe profesional të mësimit onlinw gjatë pandemisë.

Raporti i KEEN-it gjithashtu thekson se planprogrami i ri shkaktoi probleme në procesin mësimor pasi nuk kishte udhëzime për përdorimin e teksteve të vjetra në përputhje me planprogramin e ri. Për më tepër, MASHTI kontribuoi në mënyrë modeste në pajisjen e shkollave me kompjuterë, infrastrukturë teknologjike dhe mjete të tjera të nevojshme mësimore. Një pjesë e problemit buron nga fakti se ndonëse shumica e shkollave kanë internet, në përgjithësi ky i fundit integrohet në mënyrë të kufizuar në procesin mësimor.

Për momentin, MASHTI është duke hartuar strategjinë e re për vitet 2022-2026. Është thelbësore që ky draft ta adresojë nevojën urgjente për zhvillimin profesional të mësuesve dhe integrimin efektiv të STEAM (Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë, Arteve dhe Matematikës) në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Shumë ekspertë të arsimit të njohur ndërkombëtarisht e konsiderojnë STEAM (dhe paraardhësin e tij STEM) si komponent thelbësor të arsimit modern. Me strategjinë e duhur dhe zbatimin efektiv të saj, mund të presim rezultate më të mira në PISA se performanca e tanishme dëshpëruese.

Por kjo nuk varet vetëm nga planifikuesit në ministri. Drejtorët e shkollave duhet të ofrojnë mundësi për zhvillim profesional dhe integrim të TIK-ut në mësim përmes partnerëve të ndryshëm të organizatave arsimore në Kosovë. Ka shumë donatorë ndërkombëtarë në Kosovë që ofrojnë trajnime të mësuesve për integrimin e teknologjisë në arsim dhe që ndihmojnë në furnizimin e shkollave me materiale të tjera mësimore. Për t’i rritur përfitimet nga ndihma e donatorëve, MASHTI duhet të demonstrojë se ka vizion, strategji dhe plan të veprimit, të qartë dhe gjithëpërfshirës.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0