Përderisa gjithkush që e do Kosovën shpreson se vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku do të jetë akti i fundit i dhunës, situata është përkeqësuar aq ashpër dhe aq shpejt gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, saqë tani duket gjithnjë e më e mundshme që dhuna mund të shpërthejë në shkallë të gjerë.
Pas sulmit të së dielës, presidenti serb Aleksandar Vučić filloi ta përgatisë terrenin me një varg pretendimesh, që variojnë nga të rreme deri në iluzione. Ai fajësoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për dhunën, duke pretenduar se KFOR, forca paqeruajtëse e NATO në Kosovë, i kishte dhënë policisë së Kosovës “lejen e pakufishme” për të vrarë serbë sa të duan dhe pretendoi se serbët e Kosovës po rebelohen kundër “terrorit të Kurtit”, i cili u mundësua me “ndihmën e komunitetit ndërkombëtar”. Të nesërmen ai u takua me ambasadorin rus në Serbi, duke i thënë se Kosova po kryente “spastrim etnik brutal” kundër serbëve të Kosovës. Qeveria e Serbisë shpalli ditë zie për paraushtarakët serbë të vrarë gjatë sulmit, ndërsa në Kosovë, Srspka Lista (Lista Serbe) shpalli tri ditë zie.
Duket se Vučić ka një qëllim të qartë: zbutjen e opinionit publik në Serbi për të krijuar hapësirë për një ndërhyrje të mundshme të armatosur në Kosovë, në qoftë se ai vendos se dëshiron ta ndjekë atë udhë. Veprimet dhe retorika e tij janë frikshëm të ngjashme me taktikat e Milošević në Bosnjë dhe Kroaci (dhe të Putinit në Ukrainë): nxit milicinë vendore, shkakto trazira, moho çfarëdo përfshirje dhe prit një pretekst për të ndërhyrë.
Si erdhi situata në këtë pikë të errët? Pjesa më e madhe e fajit duhet t’i atribuohet përkëdheljes së Perëndimit ndaj Vučić.
Akrepi dhe Bretkosa
Një bretkosë po rrinte ulur pranë një lumi kur andej kalon një akrep, i cili i kërkon bretkosës ndihmë për të kapërcyer matanë lumit. Natyrisht, bretkosa heziton. Akrepi e siguron bretkosën se thjesht dëshiron ta kalojë lumin — ai nuk do ta thumbojë sepse nëse e thumbon atëherë edhe ai mbytet në lumë. Bretkosa pajtohet dhe e lejon akrepin t’i ngjitet në shpinë. Në gjysmë të rrugës, akrepi thumbon bretkosën. Teksa të dy fundosen, bretkosa bërtet: “Pse? Tani të dy do të mbytemi”. Akrepi përgjigjet: “S’kam çka bëj. Është në natyrën time”.
Ky tregim paralajmëron që nuk duhet t’iu besojmë atyre që janë thelbësisht të paaftë për t’i ndryshuar mënyrat e tyre, pavarësisht premtimeve që bëjnë. Është një mësim që ka shumë ngjashmëri me situatën në Kosovë. Për një kohë të gjatë, ShBA dhe BE i kanë besuar Vučićit. Të dielën, natyra e tij e vërtetë doli në pah dhe kështu, ai i thumboi ato.
Përkëdhelja
Për shumë vite, udhëheqësit perëndimorë e kanë shpërfillur autoritarizmin në rritje të Vučić, teksa fotografoheshin buzagaz me të dhe festonin fitoret e tij elektorale. Kësaj politike dukej se i printe logjika se përkëdhelja ndaj Vučić do ta largonte atë nga ndikimi i Rusisë dhe do ta parandalonte kapacitetin e Moskës për të ushqyer destabilitet në Ballkan. Pavarësisht të kaluarës së tij dhe pikëpamjeve të tij politike haptazi nacionaliste, udhëheqësit perëndimorë besonin se Vučić mund të zbutej. Pushtimi rus në Ukrainë në vitin 2022 rriti dëshpërimin e tyre për ta përqafuar atë dhe përkëdhelja ndaj tij u shpeshtua.
Kjo ishte shkatërrimtare për Kosovën. Në përpjekjen e tyre për të dëshmuar mbështetjen ndaj Vučić, udhëheqësit dhe diplomatët e ShBA dhe BE u kthyen kah Kosova, duke e qortuar për mosgatishmërinë e saj për të bërë “kompromis” dhe duke kërkuar prej saj që t’u përulet dëshirave të Vučić. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE u shndërrua në një farsë. Vučić do të refuzonte të nënshkruante çdo gjë, Kurti do të ofronte të nënshkruante, si dhe Borrell dhe Lajčák do të vajtonin më pas kokëfortësinë e Kurtit. Zbatimi i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u bë një sine qua non; kërkesat për ta themeluar atë u përcollën me një zell thuajse maniak, pa ndonjë arsyetim mbështetës, pavarësisht pikëpamjes gjerësisht të përhapur se ky asociacion do të krijonte një Republika Srpska brenda Kosovës. Kosovën e qortuan, autoritetet qeveritare u kërcënuan haptazi dhe përfundimisht BE vendosi sanksione.
Se kjo ishte ashiqare e padrejtë ishte e qartë për të gjithë ata që e kuptojnë situatën në Kosovë. Por nga një pikëpamje më e gjerë gjeopolitike, ndoshta mënjanimi i Kosovës ishte një çmim që ia vlente të paguhej, për t’ia mundësuar Vučić ta përqafonte Perëndimin, t’i jepte një goditje Rusisë, si dhe të ruante stabilitetin në Ballkan. Gjersa ne mund të gërditemi nga mungesa e moralit këtu, marrëdhëniet ndërkombëtare janë biznes i fëlliqur. Megjithatë, edhe kur lëmë anash çështjet e etikës dhe të drejtësisë, vetëm në bazë të ndikimit të vet gjeopolitik, strategjia e Perëndimit ka qenë një dështim katastrofal.
Vučić dhe Perëndimi
Gjykuar sipas të gjitha kritereve kyçe, Vučić nuk ka qenë në një linjë me interesat e Perëndimit që kur ka filluar përkëdhelja. Ai është bërë më autoritar brenda vendit ku qeveris. Në rajon, ka nxitur paqëndrueshmëri në Bosnjë e Hercegovinë përmes mbështetjes së tij për presidentin besnik ndaj Putinit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, një njeri që hapur kërkon ta copëtojë Bosnjën. Në nivel ndërkombëtar, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve që Perëndimi ka vendosur kundër Rusisë — sepse serbët “e duan Rusinë” — dhe ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Kremlinin. Ai ka lejuar gjithashtu që Serbia të bëhet “qendër rajonale” e Kinës.
Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten, Vučić kritikoi Perëndimin për “sulmimin brutal” të Serbisë në vitin 1999 dhe “copëtimin e vendit tim”. Duke iu referuar kritikave për pushtimin rus në Ukrainë, ai akuzoi shtetet perëndimore për hipokrizi, sepse ata “kishin përdorur të njëjtën narrativë, të njëjtat fjalë dhe të njëjtat shpjegime” në vitin 1999, të cilat ai i përshkroi si “gënjeshtra dhe marrëzi, për ta justifikuar dhunën”. Që atëherë ai është i mllefosur se “pothuajse të gjitha fuqitë perëndimore kanë shkelur me dy këmbë, si Kartën e OKB ashtu edhe Rezolutën 1244 të OKB”.
Është e qartë se përkundër përpjekjeve të Perëndimit, Vučić nuk është joshur. Në vend që ta zbusë, strategjia e përkëdheljes veç e ka trimëruar atë. Kjo është e dukshme në Kosovë, si askund tjetër.
Destabilizimi i Kosovës
Gjersa shtetet perëndimore e kanë përkëdhelur atë, qëndrimi i Vučić ndaj Kosovës është bërë dukshëm më armiqësor. Retorika e tij është bërë gjithnjë e më nxitëse: ka mohuar se në Kosovë kanë ndodhur masakra, e përshkroi Milošević si “një udhëheqës i madh serb që padyshim kishte qëllimet më të mira”, kërcënoi se “do t’i ndërmarr të gjitha masat për ta mbrojtur popullin tonë dhe për ta ruajtur Serbinë” gjatë protestave për targat e automjeteve dhe e përshkroi kryeministrin Kurti si “lëmyshk terrorist”.
Por s’janë veç fjalë. Vučić mban kontroll mbi serbët e Kosovës përmes përfaqësuesve të tij të Srpska Lista (Listës Serbe). Kundërshtarët e tij janë detyruar të nënshtrohen ose janë vrarë. Lidhjet e Vučić me bandat kriminale janë të mirënjohura dhe ato janë bërë më aktive në veri të Kosovës gjatë mandatit të tij.
Ata/ato në Perëndim, që e kanë kritikuar Vučić dhe aktivitetet e tij në veri të Kosovës, janë ballafaquar me zemërimin e tij; në fillim të këtij viti, kryetarja e Komitetit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, deklaroi se ushtria britanike beson se armë po grumbullohen në manastiret serbe në Kosovë. Vučić iu përgjigj duke e kërcënuar. I nxitur dukshëm nga ngurrimi turpërues i Perëndimit për t’u përballur me të, Vučić ka përshkallëzuar përpjekjet e tij për ta destabilizuar Kosovën; në maj turma serbësh sulmuan trupat e KFOR dhe në qershor, ka pretendime bindëse se policia serbe, brenda territorit të Kosovës, kidnapoi tre policë kosovarë.
Marrë parasysh tërë këtë, dhuna të dielën ishte, në thelb, e pashmangshme. Pavarësisht nëse ky ishte operacion i planifikuar apo i pa menduar mirë, shkalla dhe natyra e rezervave të armëve të gjetura sugjeron se paraushtarakët serbë në veri të Kosovës po bëheshin gati për një aksion të madh. Për më tepër, është e pabesueshme që armët të kenë ardhur nga ndonjë vend tjetër përveç Serbisë. Dhe tani e kuptuam se ekzistojnë video-dëshmi që nënkryetari i Srpska Lista, Milan Radoičić ishte njëri nga sulmuesit.
Nëse ka ndonjë shpresë për paqe në Kosovë dhe në rajonin e gjerë, përkëdhelja ndaj Vučić duhet të kthehet shpejt në drejtim të kundërt. Naiviteti i atyre në Perëndim që besonin se mund ta zbusnin dhe t’i besonin Vučić — një njeri, e gjithë karriera politike e të cilit është ndërtuar mbi nxitjen e nacionalizmit agresiv sektar — është tashmë i dukshëm. Fati i tyre, njësoj si i bretkosës në tregim, tani është i lidhur me të tijin. Me natyrën e vërtetë të Vučić të dalur sheshit tashmë, ata që e përqafuan atë, janë pakthyeshëm të damkosur me këtë etiketë dhe nuk duhet të kenë më asnjë rol udhëheqës në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
Imazhi i ballinës: K2.0.