Gjere e gjate | Privatizimi

Peizazhe rrënojash industriale

Nga - 19.01.2022

Ish-punëtorët e fabrikave rrëfejnë për premtimet e dështuara të privatizimit.

Në kohën midis fundit të viteve të ‘60-ta dhe fillimit të viteve të ‘80-ta, nëpër qytetet e qytezat e Kosovës u ngritën fabrika. Këto fabrika, monolite të fuqisë industriale, punësonin dhjetëra mijëra njerëz dhe eksportonin mallrat e tyre në të gjithë Jugosllavinë, në Evropë e më gjerë, duke përçuar kështu premtime për përparim modern në rajonin që asokohe ishte më i varfëri në Jugosllavi. Përpos të qenit shtylla ekonomike nëpër komunitete, përmes zhvillimit të kapacitetit industrial të Kosovës, këto fabrika ushqyen ëndrrën për një republikë të pavarur në imagjinatën kolektive të shumë shqiptarëve të Kosovës.

Për burrat që punuan në industrinë e rëndë të Kosovës — kryesisht ishin burra — fabrikat ishin burim i krenarisë dhe i punës së dinjitetshme.

Sot, pak prej këtyre fabrikave kanë mbetur funksionale. Shumë prej tyre janë braktisur, zbrazur, rrënuar, janë shndërruar në peizazhe rrënojash industriale, apo në disa raste, në supermarkete, depo apo hapësira për shfrytëzime të tjera. Përkundër dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara, këto fabrika i bënë ballë një dekade të politikës shtypëse dhe deindustrializuese të Beogradit në Kosovë, që kulmoi me luftën e viteve 1998-1999. Megjithatë, ato nuk i mbijetuan dot privatizimit të pasluftës.

Në vitin 2002, kur filloi privatizimi në Kosovë, ai u prezentua si një domosdoshmëri e pashmangshme në procesin ndërkombëtar të shtetndërtimit. Aktorët ndërkombëtarë, kryesisht Misioni i Administratës së OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe Banka Botërore, e promovuan atë si çelësin që do ta mundësonte rritjen ekonomike dhe do ta hapte udhën për në panteonin e  tregut të lirë të demokracive liberale perëndimore.

Që atëherë, vlerësohet se mbi 75,000 persona humbën vendet e tyre të punës si rezultat i drejtpërdrejtë i privatizimit. Prej kohësh, kritikët kanë argumentuar se qytetarët janë përjashtuar nga procesi dhe se nuk ka pasur ndonjëherë diskutim përmbajtësor për strategjitë alternative ndaj privatizimit që do të mund të ofronin mundësi për ringjallje të ekonomisë industriale. Për më tepër, procesi është mjegulluar nga akuzat për korrupsion; shumë prej rreth 600 ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës iu shitën një grupi të vogël biznesmenësh me çmime tejet të ulëta.

Ndër më të prekurit nga privatizimi qenë ish-punëtorët e fabrikave, të cilët papritmas u përballën me luftën për ta gjetur udhën e tyre në ekonominë e re post-socialiste. Nostalgjia që shumë prej këtyre punëtorëve e ndiejnë për kohën e punës industriale socialiste mund të tingëllojë si përrallë për një të kaluar të humbur, të romantizuar e mitike, por ndjesitë e sigurisë dhe pavarësisë që ata kishin gjersa punonin për ndërmarrjet shoqërore me politika të fuqishme të mirëqenies sociale ishin larg nga të qenit një mit. Kjo nostalgji mbase është rritur edhe nga papunësia masive dhe shpronësimi social që erdhën më pas.

Qeveria e tanishme e Kosovës ka njoftuar që synon të shkëputet prej trashëgimisë dy-dekadëshe të privatizimit përmes themelimit të një fondi sovran për t’i menaxhuar asetet shtetërore. Në këtë moment të ndryshimit politik, disa nga ish-punëtorët e industrisë së Kosovës reflektojnë për atë që u humb gjatë periudhës së privatizimit.

Ishte jetë e mirë për atë kohë

Kur Ruhan Kadriu vendosi të aplikonte për një punë të re, pasi kishte kaluar afro 16 vjet si zyrtar i financave në Fabrikën e Armaturave të Ndërtimtarisë – FAN në vendlindjen e tij në Podujevë, thellë në shpirt shpresonte të mos e merrte punën.

E ndodhur rreth 200 metra larg shtëpisë së tij, fabrika kishte qenë si shtëpi e dytë për të, që nga viti 1985, kur dy vjet pas hapjes së fabrikës kishte filluar të punonte aty si praktikant. Si njëri nga punëtorët e saj më të hershëm, Kadriu pati fatin ta jetonte atë që më vonë do të kujtohej si koha e artë e fabrikës. Ato ishin ditët nga mesi deri në fund të viteve të ‘80-ta kur kamionë nga e gjithë Jugosllavia rreshtoheshin para portave të fabrikës për t’i marrë ngarkesat e tyre të armaturës dhe paneleve të rrjetave prej çeliku.

Fabrika ishte degë e kombinatit metalurgjik të Zenicës, njëri nga më të mëdhenjtë në Bosnjë dhe Hercegovinë. 50,000 ton produkte prej çeliku të rafinuar të degës së Podujevës  transportoheshin nëpër Jugosllavi dhe eksportoheshin në Greqi e Itali.

Kadriu shpesh ngarkohej me detyra financiare që i kërkonin të udhëtonte në të gjithë Jugosllavinë për t’u takuar me partnerët e biznesit të fabrikës. “Kam qenë pothuajse përherë në rrugë”, kujton ai.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Ruhan Kadriu: "Askush në këtë tokë nuk mund të më bindë se privatizimi i ka sjellë ndonjë të mirë këtij vendi".


"Punëtorët që ishin aty tash e 20 vjet u përfshinë nga iluzioni se privatizimi do ta bënte fabrikën të lulëzonte".

Me më shumë se 350 punëtorë, fabrika luante rol qendror në ekonominë e Podujevës. “I gjithë qyteti gëzohej kur punëtorët e fabrikës merrnin pagën mujore”, më tha Kadriu. Përveç pagës së mirë, fabrika ofronte përfitime të tjera karakteristike për sistemin socialist jugosllav: sigurim shëndetësor dhe pushime falas. Çdo verë, punëtorët shkonin në Neum, një qytet bregdetar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku kombinati i Zenicës kishte një hotel. Tri nga dhomat rezervoheshin për punëtorët e fabrikës së Podujevës. “Shkonim me radhë ashtu që të gjithëve të na binte t’i përdornim dhomat”, tha Kadriu. “Ishte jetë e mirë për atë kohë”.

Në vitin 2001, kur Kadriu aplikoi për vendin e ri të punës, fabrika e armaturës nuk ishte më “gjiganti metalurgjik” madhështor që kishte qenë dikur për Podujevën. Dekada e trazirave politike, që kulmoi me luftën e vitit 1999 në Kosovë, ia kishte zbehur shkëlqimin.

Sidoqoftë, situata nuk ishte krejtësisht dëshpëruese. Dy vjet pas luftës, ishte vendosur njëfarë normaliteti dhe punëtorët kishin filluar të ktheheshin në fabrikë, prodhimi kishte nisur përsëri dhe madje kishte të ardhura të mjaftueshme sa për t’i përballuar pagat e mira për punëtorët. “Në një pikë, pas lufte, rrogën e kisha 800 marka gjermane”, tha Kadriu.

Kadriu ishte ndër punëtorët e parë që hyri në fabrikë në qershor të vitit 1999, vetëm disa ditë pasi trupat e NATO-s mbërritën në Podujevë.

Kështu, kur në një ditë, gjatë një shëtitjeje me miq në Prishtinë, Kadriu pa shpalljen e një konkursi për punë, ai nuk e kishte menduar ta ndryshonte rrjedhën e karrierës së tij. Bëhej fjalë për një pozitë pune si zyrtar i financave në Departamentin e Mirëqenies Sociale, në ato që atëherë ishin institucione të përkohshme, të themeluara nga UNMIK-u. “Aplikova më shumë prej kurreshtjes”, tha Kadriu. “Por, në atë kohë nuk mendoja të largohesha nga fabrika”.

Në qershor të vitit 1999, Kadriu ishte ndër punëtorët e parë që hyri në fabrikë vetëm disa ditë pasi trupat e NATO-s mbërritën në Podujevë, duke sjellë lajmin e gëzuar të çlirimit. Brenda fabrikës, ai dhe disa nga kolegët e tij gjetën një sasi të konsiderueshme të lëndës së parë që ua mundësoi fillimin e prodhimit. “Fabrika ishte e dëmtuar lehtë prej luftës dhe ne mblidheshim ditë pas dite për ta pastruar”, kujton Kadriu. “Shumë shpejt arritëm ta ringjallnim fabrikën dhe kjo gjë na mbante”.

Megjithatë, nuk u desh shumë kohë që entuziazmi fillestar të zbehej. Sipas Kadriut, filluan të ndodhnin mosmarrëveshje të përditshme mes punëtorëve dhe stafit menaxherial. Ai pohon se punëtorët e kualifikuar nisën të largoheshin teksa ata me më pak përvojë e morën në duar menaxhimin e fabrikës. Shpejt, fjalët për privatizim do të përhapeshin. Të planifikuara cinikisht ose jo, Kadriu mendon se inati dhe pakënaqësitë përbrenda ndihmuan në zhvlerësimin e fabrikës. Kjo bëri që privatizimi të dukej i pranueshëm, madje i dëshirueshëm. “Punëtorët që ishin aty tash e 20 vjet u përfshinë nga iluzioni se privatizimi do ta bënte fabrikën të lulëzonte”, tha ai.

Pikërisht atëherë, Kadriu sot drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve u ndje me fat që e kishte pranuar pozitën e  punës në Departamentin e Mirëqenies Sociale. Për pak kohë, ai kishte punuar edhe aty edhe në fabrikë. Teksa ndasitë mes punëtorëve thelloheshin dhe privatizimi paraqitej si shpëtimi i vetëm, për të kishte qenë e qartë se në fabrikë nuk kishte të ardhme më. “E gjithë puna jonë e mundimshme, i gjithë kapitali dhe asetet papritur u fundosën”, kujton me zemërim Kadriu.

Përfundimisht, fabrika e armaturës u privatizua në vitin 2006. Një biznesmen nga Podujeva, Agim Deshishku, e bleu për 2.3 milionë euro. Për Kadriun, çmimi i shitjes ishte ofendues. Ndonëse punëtorët asnjëherë nuk e llogaritën saktë vlerën reale të fabrikës, ai mendon se me shtatë hektarë tokë dhe me të gjitha makineritë që zotëronte, fabrika kishte vlerë 20 herë më shumë se sa që ishte shitur.

Fabrika ishte në mesin e 24 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara me metodën e “spin-off-it special” që kërkonte nga blerësit ta ruanin aktivitetin e mëparshëm të kompanisë, të bënin një sërë investimesh dhe të punësonin një numër të caktuar punëtorësh. Në bazë të kontratës, Deshishku obligohej të investonte 2.8 milionë euro dhe të punësonte 236 punëtorë në fabrikë.

Krahas mospërmbushjes së kushteve të kontratës, në vitin 2014, Deshishku u arrestua për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, të gjitha në lidhje me aktivitetet e tij me fabrikën, në periudhën 2006-2012. Si pjesë e këtij rasti, zyrtarë të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, anëtarë të bordit drejtues të saj dhe punonjës të Zyrës së Kadastrës në Komunën e Podujevës u akuzuan për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në vitin 2019, Deshishku u shpall fajtor për mashtrim dhe shmangie nga tatimi dhe ishte i detyruar t’i paguante Administratës Tatimore të Kosovës dëmshpërblim prej afro 54 mijë eurosh, ndërsa u lirua nga akuza për legalizim të përmbajtjes së rreme. Palët e tjera të akuzuara u shpallën të pafajshme. Megjithatë, në vitin 2020 Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Deshishku sërish akuzohet për legalizim të përmbajtjes së rreme, ndërsa të tjerët akuzohen për keqpërdorim detyre.

Ndërkohë, në vitin 2008, Deshishku e kishte hipotekuar fabrikën në Raiffeisen Bank dhe më pas nuk kishte arritiur t’i përmbushë detyrimet e kredisë. Që atëherë, ai është përfshirë në një betejë të gjatë ligjore me bankën për pronësinë e fabrikës. Raiffeisen Bank në një email për K2.0 ka thënë se banka ende nuk është konfirmuar si pronare e fabrikës për shkak të masës së ndalimit afatgjatë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Pas rrethojave të ndryshkura, vetëm një qen endacak me këlyshët e saj dhe roja i mërzitur sillen përreth.

Deshishku është paditur edhe nga sindikata e punëtorëve të fabrikës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Sindikata pretendonte se ai nuk i paguante punëtorët sipas kontratës së punës dhe u bënte presion të largoheshin nga sindikata. Një artikull i publikuar nga Preportr në vitin 2012 thotë se punëtorët pretendonin se ishin pushuar nga puna në shenjë hakmarrjeje për mbajten e grevës kundër trajtimit të padrejtë, që përfshinte vonesa të pagave dhe detyrimin për të kryer punë jashtë kontratave.

Fabrika e armaturës në Podujevë është mbyllur gati qe një dekadë. Pas rrethojave të ndryshkura, në shtegun që të çon në hyrje të fabrikës, vetëm një qen endacak me këlyshët e saj dhe roja i mërzitur sillen përreth.

Por në kujtesën e Kadriut lundron një tjetër pamje, më e gjallë, e asaj se si ishte ai vend dikur. “Çdo mëngjes punëtorët rreshtoheshin në hyrje, duke pritur që të regjistroheshin. Rreth orës 9:00 të mëngjesit shkonim në kafenenë që ndodhej atje në të majtë”, tha ai, duke bërë me dorë nga jashtë rrethojave. “Punishtja e prodhimit ishte në të djathtë”.

“Askush nuk mund të më bindë se privatizimi i ka sjellë ndonjë të mirë këtij vendi”, vazhdoi Kadriu, gjersa roja, i cili po ashtu më parë kishte punuar në një ndërmarrje publike, e dëgjonte nga ana tjetër e rrethojës. Ndonëse e kryente detyrën e tij për të na ndaluar hyrjen në fabrikën e mbyllur, dukej se mendonte njësoj si Kadriu. “Asnjëri prej nesh”, tha ai, “nuk do të ishte sot këtu tek këto dyer të mbyllura po të mos kishte ndodhur privatizimi”.

E kanë larguar tabelën e fabrikës

Në fillim të viteve të ‘70-ta, Ramadan Ahmeti u kthye në vendlindjen e tij në Prishtinë për pushime pasi kishte kaluar tri vite e gjysmë duke punuar në një fabrikë makinash të Peugeot-së, në Francë. Ai ishte njëri nga 60 punëtorët nga Kosova që ishin dërguar nga Zyra për Inkorporim — një organ shtetëror socialist që merrej me politikat e punësimit — për të ndjekur trajnime profesionale në Francë.

I shkathët në montimin e makinave, Ahmeti kishte një punë të qëndrueshme dhe rrogë të mirë në fabrikën e Peugeot-së dhe po të mos ishte babai i tij që i lutej  të qëndronte në Kosovë, ai do ta kishte marrë trenin nga Fushë Kosova dhe do të kthehej në Francë. Por, në vend të kësaj, ai u nis për në stacionin e trenit vetëm për t’u thënë lamtumirë miqve të tij të punës dhe duke iu bindur dëshirës së babait të tij, u hodh në kërkim të punës në Prishtinë.

Ahmeti e fitoi vendin e punës, por nuk pushoi kurrë së kërkuari adrenalinën e punishteve të zhurmshme të fabrikës.

Në atë kohë, Radio Televizioni i Prishtinës (RTP) — televizioni i parë me transmetim në gjuhën shqipe në vend — sapo kishte filluar të funksionojë. Kështu kur Ahmeti u takua me një udhëheqës vendor të sindikatave për t’i kërkuar punë, ai i sugjeroi që të aplikonte aty. Ahmeti e fitoi vendin e punës, por nuk pushoi kurrë së kërkuari adrenalinën e punishteve të zhurmshme të fabrikës. “Në Francë, fabrika prodhonte deri në 1600 makina në ditë dhe i montoja të gjitha modelet e Peugeot-së, nga 104-shi te 504-shi”, kujton ai. “Kjo ishte puna për të cilën isha i trajnuar dhe çfarë doja të bëja”.

Shpejt, Ahmeti do ta lexonte në gazetë se Fabrika e Amortizatorëve, që gjendej në periferi të Prishtinës, kërkonte rreth 150 punëtorë. Ai shkoi drejt te drejtori i fabrikës dhe me përvojën që kishte, u punësua shumë shpejt.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ramadan Ahmeti: “U kthyem me idenë që ta ringjallim fabrikën dhe t’i punësonim fëmijët tanë aty”.


"Së fundmi, e larguan tabelën e fabrikës dhe më nuk na lejojnë të hyjmë brenda”.

Në ditën e parë të punës, Ahmetit fabrika i ishte dukur si miniaturë krahasuar me fabrikën e Peugeot-së në Francë. “Kur hyra për herë të parë, fabrika më dha ndjesinë e një depoje të vogël”, kujton Ahmeti. Ishte mësuar me katet e pafundme të fabrikës, në të cilat mund të humbiste kur shkonte nga njëra linjë e prodhimit në tjetrën.

Fabrika e Amortizatorëve ishte ndër fabrikat më të mëdha që operonin në Kosovë në atë kohë. Me mbi 1600 punëtorë, ishte e vetmja fabrikë në rajon që prodhonte një gamë të gjerë amortizatorësh për lavatriçe, vetura, autobusë, aeroplanë, trena dhe tanke ushtarake. Prodhimi mujor arrinte në mbi 300,000 sosh. “Kemi prodhuar amortizatorë për të gjitha llojet e automjeteve në Jugosllavi”, tha Ahmeti, duke shtuar se prodhuesit e mëdhenj të makinave, si Mercedes-Benz, Peugeot dhe Zastava ishin po ashtu ndër klientët e tyre të rregullt.

Përveç amortizatorëve, fabrika prodhonte pjesë për armë të ndryshme ushtarake — pistoleta, armë zjarri automatike, minahedhës — kryesisht për Ushtrinë Popullore Jugosllave.

Ahmeti punoi në linja të ndryshme të prodhimit deri në vitin 1989, kur, bashkë me shumicën dërrmuese të punëtorëve shqiptarë, u detyrua të largohej nga fabrika pas shpalljes së “masave të dhunshme” — që vinin si reagim i regjimit të Milošević-it ndaj tensioneve në rritje në Kosovë — dhe fillimit të viteve të gjata e të vështira të të ’90-ve. Vlerësohet se gjatë asaj periudhe 145 mijë shqiptarë janë shkarkuar nga postet në institucionet publike dhe ndërmarrjet ekonomike.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Ahmeti u kthye në fabrikë dhe u befasua kur gjeti depot plot me produkte të gatshme. “U kthyem me idenë që ta ringjallim fabrikën dhe t’i punësonim fëmijët tanë aty, meqenëse shumë punëtorë ishin afër pensionimit”, tha Ahmeti. “Kështu që ishim të lumtur kur pamë se prodhimi nuk ishte ndalur krejtësisht”.

Në vitin 2001, Agjencia Evropiane për Rindërtim e kishte renditur fabrikën si një nga pesë ndërmarrjet me potencialin më të madh për t’u rimëkëmbur në Kosovë, kurse një raport i BIRN-it i vitit 2016 thoshte se ishte “shembull i shkëlqyer i përpjekjeve të suksesshme për të rifilluar prodhimin pas konfliktit”.

Megjithatë, gjërat morën kah tjetër. Ahmeti — i cili tani është udhëheqës i sindikatës së pavarur të punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve — pretendon se bordi i fabrikës filloi përvetësimin e fondeve dhe shitjen e parregullt të aseteve të fabrikës.

Ajo pasoi ishte një dekadë keqmenaxhimi, paga të ulëta dhe shkelje e të drejtave të punëtorëve, duke kulmuar me privatizimin e fabrikës në vitin 2010. “Asnjëri nga punëtorët nuk u informua kur fabrika u privatizua”, tha Ahmeti. “Na larguan me forcë nga vendi ynë i punës, pa asnjë vendim apo njoftim paraprak”.

Fabrika dhe mbi tetë hektarët tokë iu shitën për pak më shumë se 2 milionë euro korporatës Devolli Group, e cila gjerësisht konsiderohet se ka monopole në shumë sektorë të ekonomisë së Kosovës. Ndërtesa administrative e fabrikës u privatizua veçmas dhe u ble për pak më shumë se 5 milionë euro nga një kompani me lidhje të afërta me Devollin.

Përveç çmimit të ulët të shitjes sindikata vlerësoi se vetëm pasuritë e luajtshme të fabrikës kushtonin 93 milionë marka gjermane pati një sërë shkeljesh procedurale në procesin e privatizimit. Ndonëse procedurat e tenderimit kërkonin të paktën tre ofertues, Devolli Group fitoi tenderin edhe pse oferta e tyre ishte e vetmja. Për më tepër, në kohën kur Devolli e bleu fabrikën, pronarët e kompanisë po hetoheshin nga EULEX-i për mashtrim, shkelje të besimit, falsifikim dokumentesh dhe krim të organizuar. Rregullorja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përcaktonte se ofertuesit me aktakuzë do të diskualifikoheshin qysh në fillim.

Blerësi po ashtu dështoi t’i përmbushte kërkesat e kontratës. Fabrika u shit përmes metodës së spin off-it special, që nënkupton se pronari i ri detyrohej ta mbante të njëjtin aktivitet ekonomik për të paktën pesë vitet e ardhshme, gjë që nuk ndodhi.

Një dekadë pas privatizimit të saj, pothuajse asgjë nuk ka mbetur nga vend-punishtja e vjetër e fabrikës.

Në një debat parlamentar të vitit 2014 për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve, Visar Ymeri, asokohe deputet i Vetëvendosjes, kishte thënë: “Kjo e tregon më së miri se si ka shkuar procesi i privatizimit dhe çfarë dëme i ka shkaktuar potencialit ekonomik të vendit. E ridestinoi atë nga fabrikë prodhuese, në objekte dhe tokë”.

Në fjalën e tij, Ymeri iu referua edhe një raporti që Sindikata e punëtorëve të Fabrikës së Amortizatorëve e kishte dorëzuar në Kuvend, ku pretendohej se pronarët e fabrikës kanë përvetësuar rreth 1000 asete të luajtshme të fabrikës dhe i kanë shitur për 7 milionë euro, edhe pse ato nuk ishin pjesë e marrëveshjes së privatizimit.

Një dekadë pas privatizimit të saj, pothuajse asgjë nuk ka mbetur nga vend-punishtja e  dikurshme e fabrikës. Gjeneratat e reja mund të mos e dinë se zyrat e tanishme të Klan Kosovës — një prej kompanive më të mëdha private mediale në vend — dhe terminali doganor në pronësi të Devolli Group, ndodhen aty ku dikur qëndronte fabrika që simbolizonte fuqinë prodhuese dhe zhvillimin industrial të Kosovës.

“Së fundmi, e larguan tabelën e fabrikës dhe më nuk na lejojnë të hyjmë brenda”, tha Ahmeti.

Pavarësisht zhgënjimit dhe frustrimit të punëtorëve, lufta e tyre maratonike për, siç shprehen ata, “kompensimin e të gjithë djersës së rinisë sonë të derdhur në dyshemenë e fabrikës” nuk ka përfunduar.

I rrethuar nga një mal dokumentesh — shumica të zverdhura dhe të grisura qosheve —  Ahmeti ndalet tek ankesa e fundit e sindikatës e dorëzuar në Institucionin e Avokatit të Popullit. Punëtorët, 496 prej tyre, kërkojnë ta marrin të gjithë shumën e 20-përqindëshit të të ardhurave nga shitja e privatizimit të fabrikës që u takon ligjërisht.

Sipas rregullave të AKP-së, punëtorët kanë të drejtë në 20-përqindshin e të ardhurave të krijuara nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike për të cilat kanë punuar më parë . Deri më tani, punonjësit e Fabrikës së Amortizatorëve kanë marrë 627,476 euro nga 1.4 milionët që u takojnë nga privatizimi i fabrikës.

Ende janë në pritje për mbi 800 mijë euro. Megjithatë, kjo shumë mund t’u shpërndahet 676 e jo 496 punëtorëve, siç ishte planifikuar fillimisht, pasi rreth 180 punëtorë të tjerë — kryesisht serbë — janë shtuar në listën e përfituesve. Ahmeti dhe sindikata e punëtorëve po e kundërshtojnë këtë vendim, duke pretenduar se këta punëtorë nuk kanë punuar në fabrikë pas vitit 1999, si njëri nga kushtet e nevojshme për të qenë pjesë e listës së përfituesve.

Ndër tjerash, punëtorët po kërkojnë që t’i marrin pagat mujore për shtatë muajt e fundit të punës në fabrikë, të cilat ende nuk u janë paguar edhe pas një dekade.

Gjersa procedurat burokratike të AKP-së dhe rastet gjyqësore në lidhje me privatizimin e fabrikës janë kthyer në një sagë të pafundme, jeta e përditshme e shumë prej punëtorëve është kthyer në luftë të vazhdueshme kundër varfërisë. “Jemi gjetur në një situatë të mjerueshme ekonomike, duke u endur nga njëra punë e pasigurt në tjetrën. Tregomë, si do të ndiheshe po t’i shihje ish-kolegët e tu duke lypur apo duke mbledhur hekurishte rrugëve?” pyeti Ahmeti. Pastaj, u përgjigj vetë: “Nuk mendoj se ka ndjenjë më të keqe”.

Fabrikën do ta blejmë vetë 

Në vitin 1973, Nebi Jashari u bë inxhinieri i dytë shqiptar i makinerisë, i punësuar në Fabrikë e Gypave, në vendlindjen e tij në Ferizaj. Dhjetë inxhinierët e tjerë që punonin në fabrikën e cila ishte hapur vetëm një vit më parë, ishin serbë.

Jashari sapo ishte kthyer nga Rijeka e Kroacisë, ku kishte studiuar me bursë shtetërore. Në fund të viteve të ‘60-ta nuk kishte asnjë program për inxhinieri mekanike në Fakultetin Teknik në Prishtinë, kështu që Jashari, bashkë me katër studentë të tjerë shqiptarë nga Kosova, kishin shkuar për të studiuar në Kroaci. “Në fillim kemi dashur të regjistrohemi në Zagreb, por e humbëm afatin e aplikimit. Rijeka ishte zgjedhja e dytë”, tha Jashari.

Pas diplomimit, fillimisht ishte caktuar të punonte në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në Obiliq, por më pas u transferua në Fabrikën e Gypave të Ferizajt, e cila atëbotë kishte rreth 1300 punëtorë. Fabrika ishte ndërtuar si pjesë e kombinatit metalurgjik të Smederevës, i cili prodhonte çelikun e papërpunuar që më pas rafinohej në tuba të të gjitha madhësive në Ferizaj.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Nebi Jashari: “Ka pasur festë të madhe në Ferizaj ditën kur u pat hapur fabrika”.

"Periudha pas privatizimit është goxha e hidhur. Nganjëherë, për të ecur përpara, njeriut i duhet t’i shtypë disa emocione”.

“Tregu i Kosovës ishte shumë i vogël për prodhimin që bënte fabrika. Kishim kontrata mbi 20 milionë dollarëshe me ShBA-në dhe Turqinë”, tha Jashari, duke shtuar se eksportonin edhe në Bashkim Sovjetik, Hungari, Rumani, Bullgari dhe Itali.

Në tetë vitet e tij në Fabrikën e Tubave, Jashari punoni në një sërë pozitash të ndryshme dhe ngadalë ngjiti shkallët menaxheriale duke u bërë drejtor teknik. Gjatë asaj kohe, shpesh kthehej në Kroaci për punë dhe studime pasuniversitare.

Në vitin 1981, ai ishte me disa kolegë të tij në Panairin Vjeshtor të Zagrebit, kur e diskutuan idenë e ndërtimit të një fabrike të re në Kosovë. Jashari ishte takuar me menaxherët e kompanisë kroate të inxhinierisë metalike Đuro Đaković për të parë  se si të përdorej më së miri Fondi Federal i Zhvillimit që u shpërndahej pjesëve më pak të zhvilluara të Jugosllavisë — Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 1979, mes viteve 1971 dhe 1975, 70% e investimeve të aseteve fikse në Kosovë vinin nga burimet financiare të Fondit Federal.

Jashari dhe menaxherët e Đuro Đaković-it dolën me një propozim për ndërtimin e një fabrike të re që do të prodhonte këmbyes të nxehtësisë — sisteme që përdoren për këmbimin e nxehtësisë mes dy lëngjeve të ndryshme të nevojshme për prodhimin industrial. Nuk u desh më shumë se një vit që fabrika të ndërtohej. “Ka pasur festë të madhe në Ferizaj ditën kur u pat hapur fabrika”, kujton Jashari. “Ende jam i lidhur emocionalisht me fabrikën meqenëse isha pjesë e çdo faze të projektimit të saj dhe u emërova drejtori i parë”.

Me rreth 200 punëtorë të punësuar, fabrika fillimisht parashihej të prodhonte për nevojat e termocentralit Kosova C, i cili kishte për qëllim të gjeneronte energji elektrike për republikat jugosllave jashtë Kosovës. Megjithatë, termocentrali Kosova C nuk u ndërtua kurrë dhe fabrika përfundoi duke prodhuar këmbyes të nxehtësisë, konstruksione metalike dhe pajisje ujitëse për minierat e Trepçës, KEK-un dhe fabrikën e çimentos në Han të Elezit. Gjithashtu eksportonte në Kroaci dhe Vojvodinë.

Jashari shërbeu si drejtor i fabrikës deri në fund të vitit 1988 kur zyrtarët komunalë, të cilët pretendonin se punëtorët serbë nuk e donin si drejtor, e detyruan të largohej. “Vendimi ishte shumë i dhimbshëm për mua”, tha Jashari, duke shtuar se serbët përbënin vetëm 15% të të gjithë punëtorëve të fabrikës.

“Punëtorët frikësoheshin se do të përfundonin të papunë, por u joshën nga blerësi”. Nebi Jashari.

Ai vazhdoi të punojë në një byro inxhinierike për t’u kthyer në fabrikë një dekadë më vonë në verën e vitit 1999, prapë si drejtor. “Të gjithë xhamat ishin thyer nga bombardimet dhe shumica e makinave nuk ishin funksionale, kur u kthyem pas luftës”, tha Jashari. “Por, me 60,000 marka gjermane që morëm si donacion nga IOM [Organizata Ndërkombëtare për Migracion], arritëm t’i riparojmë më shumë se 20 makina dhe të blejmë të reja, ta instalojmë ngrohjen dhe ta hapim kafenenë brenda fabrikës”, shtoi me krenari. Fabrika rifilloi punën pothuajse menjëherë, duke prodhuar kryesisht për nevojat e KFOR-it, Kampit Bondsteel dhe Postës së Kosovës.

Pavarësisht ringjalljes së fabrikës, vala në dukje e pashmangshme e privatizimit erdhi në vitin 2005. Sipas Jasharit, nuk ka pasur diskutime për privatizim.

“Drejtuesve të fabrikave u është bërë presion që ta pranojnë privatizimin si të pashmangshëm”, tha ai, duke shtuar se u përdorën një sërë formash presioni ndaj tyre dhe ndaj sindikatës. “Punëtorët frikësoheshin se do të përfundonin të papunë [pas privatizimit], por u joshën nga blerësi. Tashmë ishin përhapur fjalë se kush do të ishte pronari i ri”.

Jashari ishte përpjekur t’i organizonte punëtorët që ta blinin vetë fabrikën, por pëpjekjet e tij kishin dështuar. “Në një mbledhje të këshillit të punëtorëve pata thënë: “Fabrikën do ta blejmë vetë. Kush dëshiron, është i ftuar të investojë me aq sa ka mundësi.” Megjithatë, punëtorët që për rreth 20 vite kishin shpenzuar gjithë kohën dhe energjinë e tyre në fabrikë, nuk kishin kapital për ta blerë atë. “A po na kërkoni t’i shesim shtëpitë tona?” e kishin pyetur Jasharin.

Fabrika, bashkë u me tokën u privatizua në vitin 2005, e blerë për rreth 1.5 milionë euro nga Sami Musliu.

Edhe pse fabrika nuk u mbyll dhe sot e kësaj dite vazhdon të funksionojë, Jashari thekson se jo të gjithë punëtorët e kanë ruajtur vendin e punës. “Nga 10 inxhinierë sa kanë punuar më parë në fabrikë, vetëm dy prej tyre janë ende të punësuar”, tha ai.

Jashari ka vazhduar të punojë si inxhinier në ndërmarrje private, por shton se shumë kolegë të tij kanë mbetur të papunë në ekonominë kapitaliste të tregut. “Tani marrin një pension prej 70 deri në 90 euro”.

Kolegët e tij në Fabrikën e Tubave kanë pasur përvojë edhe më të rëndë. Deri në vitin 2018, ata kanë mbajtur rreth 130 protesta dhe greva e tyre mbi 600-ditëshe është një nga më të gjatat në Kosovën e pasluftës.

Për gati 20 vite, punëtorët luftojnë kundër trupave të privatizimit, për një vendim të Gjykatës Komunale të Ferizajt të vitit 2002, përmes së cilit iu është dhënë e drejta për t’i përfituar mbi 25 milionë euro si kompensim për largimin e detyrueshëm nga puna dhe humbjen e pagave në periudhën mes viteve 1989 dhe 1999. Bordi ekzekutiv i fabrikës e kishte aprovuar kërkesën, por pasi nuk kishte mjete të mjaftueshme që t’i kompensonte punëtorët, ishte pajtuar t’u lëshonte letra me vlerë. Kjo nënkuptonte se punëtorët do të kishin të drejtë të bëheshin aksionarë në kompani nëse pronësia do të ndryshonte.

Megjithatë, 912 punëtorët nuk morën kurrë asnjë formë kompensimi, gjë që çoi në pesë vite ankesa gjyqësore të parashtruara kundër njëri-tjetrit në mes sindikatës së punëtorëve dhe Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Kjo situatë vazhdoi deri në nëntor të vitit 2007 kur policia hyri në fabrikë dhe ua ndaloi punëtorëve vazhdimin e punës. Një ditë më pas, AKM-ja njoftoi se fabrika ishte privatizuar me një çmim prej 3.6 milionë euro, përkundër faktit se punëtorët e kishin refuzuar procesin si të paligjshëm dhe arbitrar.

Ish-punonëtorët e Fabrikës së Tubave mblidhen thuajse çdo të hënë në sheshin kryesor dhe shkëmbejnë të reja për betejën e tyre.

Kur në vitin 2010, Gjykata Kushtetuese vendosi që vendimi i vitit 2002 i Gjykatës Komunale të Ferizajt duhet të zbatohet dhe duk se sindikata e punëtorëve përfundimisht e kishte fituar rastin — qeveria dhe AKP-ja ishin caktuar si  përgjegjëse për ta paguar kompensimin. Por vendimi i vitit 2002 ende nuk është zbatuar, duke mos u lënë punëtorëve asnjë rrugëdalje tjetër përveç protestave të vazhdueshme para ndërtesës së qeverisë dhe atyre në Ferizaj.

Në vitin 2019, kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, i dërgoi një letër-njoftim Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se “rasti ende nuk mund të konsiderohet i mbyllur dhe i përfunduar plotësisht pasi vendimi i Gjykatës mbetet i pazbatuar nga organet përgjegjëse”, dhe i kërkoi prokurorit ta trajtonte këtë çështje.

Edhe sot e kësaj dite, ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave mblidhen pothuajse çdo të hënë në sheshin kryesor të Ferizajt dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin të reja për betejën e tyre.

“Periudha pas privatizimit është goxha e hidhur”, më tha Jashari. “Dhe rasti i punëtorëve të Fabrikës së Tubave është ndër më të dhimbshmit. Nganjëherë, për të ecur përpara, njeriut i duhet t’i shtypë disa emocione”.

Shpëtimi i asaj që ka mbetur

Në fund të majit të vitit 2021, procesi i privatizimit pësoi përmbysje. Në një mbledhje të tensionuar, Kuvendi votoi shkarkimin e bordit të AKP-së, hap i parë ky drejt mbylljes së agjencisë.

Duke i quajtur dy dekadat e fundit si “periudhë e tjetërsimit ekonomik dhe deindustrializimit”, kryeministri Kurti tha se shkarkimi i bordit ishte një hap drejt krijimit të Fondit Sovran, një organ që synon t’i menaxhojë asetet shtetërore për të mirën e përbashkët dhe një premtim afatgjatë elektoral i Vetëvendosjes.

Sipas programit të qeverisë së tanishme për vitet 2021-2025, Fondi Sovran “do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit”.

Udhëheqësi i grupit punues të formuar së fundmi për krijimin e Fondit Sovran është Besnik Pula, profesor i shkencave politike në Universitetin Teknik të Virxhinias, hulumtimi i të cilit përqendrohet në ekonominë politike krahasuese të shteteve në Evropën Qendrore dhe Lindore. Në një prononcim për K2.0, Pula tha se Fondi Sovran përfaqëson një model të ri të menaxhimit strategjik të aseteve që do të mbështetet në një fond investues dhe jo në agjenci dhe komisione ministrore.

Fondi Sovran synon ta ndryshojë modelin ekonomik të përqendruar rreth idesë së privatizimit që ka dominuar që nga periudha e pasluftës.

Të gjitha përvojat ndërkombëtare tregojnë se një menaxhim i tillë është shumë më efektiv se sa forma aktuale, në kuptimin e përmirësimit të cilësisë së menaxhimit të ndërmarrjeve, të performansës financiare të tyre e të qasjes së ndërmarrjeve në burime të kapitalit”, tha Pula.

Ndërmarrjet publike që aktualisht operojnë si shoqëri aksionare në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës planifikohet t’u dorëzohen Fondit Sovran, bashkë me një numër të kompanive aktualisht jofunksionale apo asete të papërdorura që administrohen nga AKP-ja.

I konsideruar nga Kurti si “njëra nga reformat më të mëdha ekonomike në vend që nga shpallja e pavarësisë”, Fondi Sovran synon ta ndryshojë modelin ekonomik të përqendruar rreth idesë së privatizimit që ka dominuar që nga periudha e pasluftës.

Më 17 janar, grupi punues i dorëzoi qeverisë një koncept-dokument që përcakton strukturën e Fondit. Ky dokument nuk është ende i qasshëm për publikun.

Ndonëse ideja për krijimin e Fondit Sovran bart premtimin e shkëputjes nga privatizimi dy-dekadësh, fabrikat e humbura në këtë proces do të vazhdojnë të peshojnë rëndë në jetën e ish-punëtorëve dhe në kujtesën kolektive të vendit.

Video e ballinës: Sovran Nrecaj / K2.0

 

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Balkan Trust for Democracy”, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk i përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze, Balkan Trust for Democracy, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara ose partnerëve të tij.

  • 28 Jan 2022 - 19:17 | Basri Beqiri:

    Ju Përgëzoj për kët punim rreth privatizimit. Është dashtë që mostrat e zgjedhura të kishin qenë ma reprezentative, me qërast do ti largoheshi nga shabllonet referuese. Punim i cili do të duhej të sheh frymen e vitalizimit në praktikë. Nuk e takova as kundë që ;jo vetem që ka pasur joshëje nga blersit si thuhet në një pjesë të këti punimi por ka pasur edhe kërcnim dhe përdorim të forcës për të dëbuar punëtorët nga puna..Ishte ma i rëndë debimi nga procesi i privatizimit se sa perioda e largimit nga Serbija(organet e dhunshme serbe). Pata fatin që në IMK ti perjetoi tri dëbime nga IMK. Zojes Demiri po ja përkujtoj edhe një fenomen i cili ekonomisë Kosovare do ti kushtoi shum shtrejtë: Dihet se në këto ndermarrje ka punuar një nr. i madhë i ekspertëve të lamive të ndrzshme. Këta ekspert paten bërë nami në ishë Jugosllavi dhe botë.Këta ekspert duke e mos pasë ku të vazhdonin dhe ta lenin trashigimi kët përvojë do të na shkruhet edhe si humbje materjale e pa kompenzuar. Lirika të dëshiroi suksese ma të mdha dhe të presim punime edhe ma shumë.Mos të jet ky i fundit .Urime.

KOMENTO