Udhëtimi im i parë jashtë Kosovës ishte në semestrin tim të fundit si studente, në shtator të vitit 2023. Kisha aplikuar në konkursin e shpallur nga Erasmus+, që përzgjidhte studentë të arkitekturës për të vijuar një semestër në Universitetin e Dortmundit në Gjermani.
Kur mësova se isha në mesin e të pranuarave, nuk mund ta besoja. Isha aq entuziaste që më në fund do ta shihja nga afër punën e mjeshtërve të mëdhenj me mësimet e të cilëve isha rritur e kisha studiuar për pesë vjet gjatë studimeve.
Ndonëse rrezikoja të përsërisja vitin për shkak të mospërputhshmërisë së numrit të kredive të disa lëndëve në Universitetin e Prishtinës me atë të universitetit nikoqir, prapë vendosa të shkoj. “Vizat do të hiqen në janar. Nëse e ke vetëm për shkak që dëshiron të udhëtosh, prit edhe pak. Mendoj se nuk ia vlen të rrezikosh të humbësh vitin,” — këshilla si kjo merrja thuajse përditë. Por duke marrë parasysh se sa kohë dhe përpjekje i ka kushtuar Kosovës t’i liberalizohen vizat, më dukej ende e pabesueshme që një gjë e tillë do të ndodhte njëmend në janar.
Kështu, vendosa të shkoj. Nuk e dija me siguri se çka do të më priste atje. Marrë parasysh këtu faktin se nuk më kishte rastisur kurrë të takoja personalisht studentë nga vende të zhvilluara siç është Gjermania, lindën një sërë pikëpyetjesh. A do të isha shumë inferiore ndaj studentëve gjermanë? A do të mund të ambientohesha me një sistem krejt të ri funksionimi në përgjithësi? Sidoqoftë, mendova me vete sa shumë ishim rropatur për net të tëra pa gjumë për t’i kryer në kohë dorëzimet e projekteve këtu. Nuk mund të ishte më sfiduese as atje.
Pas një sërë ngarendjesh për ta kompletuar atë pirg me dokumente që kërkonte ambasada gjermane në Kosovë, më në fund, postieri i DHL-së më solli pasaportën së bashku me vizën studentore. Bëra gati valixhen.
Në Gjermani do të më priste motra që jetonte atje. Para se të nisesha, më kishte shpjeguar dhjetëra herë procedurat në aeroport duke më siguruar se gjithçka ishte më e thjeshtë sesa mund të mendoja, pasi ishte hera e parë për mua në aeroplan, dhe për më tepër, udhëtoja vetëm. Por në fakt, nuk ndieja ndonjë shqetësim. Kisha projektuar edhe vetë aeroport si detyrë semestrale në fakultet. Tani kishte ardhur koha ta shihja praktikisht se si funksiononte gjithçka që kisha vizatuar vetë.
Duke ateruar filluan të zhduken retë dhe pashë nga lart planin urban fantastik të asaj zone, plane këto që isha mësuar t’i shoh veç në libra.
Një mësim përtej librave
Qysh nga blerja e biletave të trenit e rruga deri në banesën e motrës, vërehej kallëpi i rregullsisë në çdo hap. Ambient i pastër. Shtëpi të ndërtuara të gjitha një stil, në një vijë ndërtimore. Më dukej se ai kallëp rregullsie i bënte jehonë të qartë përpikërisë dhe rigorozitetit, ndërkohë që arkitektura me të cilën jam rritur unë në Kosovë pasqyron periudhën tonë transitive, ku ende mundohemi të gjejmë një stil karakterizues për ne, duke rezultuar në të shumtën e rasteve me hapësira të planifikuara dobët e me një zinxhir telashesh tjera.
S’vonoi shumë dhe personalisht u gjenda përballë kësaj mendësie të përpikërisë. U vendosa në konviktet e kampusit me tri shoqe nga Universiteti i Prishtinës (UP). Për dallim nga konviktet në Prishtinë, kur tre persona vendoseshin në një dhomë 9 metra katrorë, atje kisha gjithçka personale, nga dhoma deri te kuzhina dhe banjo. Njerëzit e dinin pak gjuhën angleze. Madje edhe ata që dinin, më dukej se hiqeshin sikur s’e dinin.
Në fakultet përkundër që marrëveshja me universitetin nikoqir ishte që ligjëratat t’i ndjekja në gjuhën angleze, në realitet kjo kurrë nuk ndodhi. Kolegët tjerë ishin gjermanë, unë isha e vetmja që vija nga Kosova, kështu që ligjëratat mbaheshin gjermanisht. Nuk kuptoja asgjë. Madje edhe profesorët kishin paragjykimet e tyre, të cilat i shprehnin haptazi. Kur kuptuan gjatë ligjëratës së parë se nuk kuptoja gjuhën gjermane fare, profesorja më tha: “Pse duhet të jesh këtu nëse nuk e zotëron të paktën një nivel B1 të gjuhës?”. E kur u sqarua se si kishte qenë marrëveshja me UP-në tha: “Epo mirë, meqenëse jemi të gjithë gjermanë, ligjëratat do të vazhdojnë të mbahen gjermanisht, kurse ti punimet tua mund t’i shkruash në gjuhën angleze, pasi ne e kuptojmë këtë gjuhë. Vetëm se, edhe punët grupore duhet t’ia dalësh vetë t’i kompletosh pasi nuk besoj se dikush nga studentët do të donte të të kishte si pjesëtare në grupet e tyre”.
Kjo deklaratë kaq e drejtpërdrejtë dhe ky sinqeritet kaq brutal nga dikush që i përkiste personelit akademik të universitetit ishte shokuese për mua. Por gjithsesi, kisha vendosur ta çoja deri në fund. Si njeri introvert, u detyrova të ndërroja karakter përballë një aparati paragjykes, duke u përpjekur me të gjitha forcat për të nxjerrë një projekt mbresëlënës.
E mira e studimeve në arkitekturë është se shumica e problematikave kuptohen vetëm nga vizatimet. Por duke e parë interesin për bashkëpunim, profesorja ndërroi shpejt qasje duke ligjëruar shpesh edhe në gjuhën angleze dhe u mundua të më jepte literaturë shtesë anglisht, të cilën më pas e zgjeroja edhe vetë.
Ajo çka më la përshtypje të mirë në këtë lëndë ishte se si detyrë projektuese ishte dhënë konsolidimi i rrënojave dhe renovimi i disa pjesëve ekzistuese të një sinagoge në qytetin e Hamburgut, e cila ishte shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga vetë gjermanët. Pra, mundoheshin që përkundër asaj që kishte ndodhur, sot t’i vetëdijësonin gjeneratat e reja që kurrë më të mos përsëritej diçka e tillë. E si mund të kishte më të ndjeshme se kjo temë, për mua si studente nga Kosova? Që të gjithë e dimë sa shumë të tilla monumente e objekte si kjo sinagogë kemi në vendin tonë, të cilat shpërfaqin ende plagët e luftës së fundit të viteve 1998-99 në Kosovë.
Nuk u desh shumë kohë kur secila nga ne studentet që kishim shkuar nga Kosova të prezantonim idetë dhe konceptet për realizimin e projekteve tona. U vlerësuam me nota maksimale. Nuk kisha qenë asnjëherë më shumë krenare me vendin tim, me profesorët e mi nga Kosova, të cilët na kishin mësuar jo vetëm metodologjitë e projektimit, por edhe na kishin nxitur të mendonim më thellë e të ishim kritikë.
Pa dyshim ajo që na skaliti më së shumti gjatë kësaj periudhe, nuk ishin detyrat e fakultetit. Në fakt ishin udhëtimet e shumta në qytetet e ndryshme gjermane dhe në veçanti, shteteve si: Holanda, Franca, Belgjika, Zvicrra, Skandinavia, Greqia, Italia dhe Vatikani. Italia sidomos ishte më e jashtëzakonshmja, të cilën do t’ia propozoja secilit ta vizitojë. Është aq e vështirë të përshkruhet me fjalë takimi i parë me tablotë e mëdha që i kishim studiuar, me penelin origjinal të artistëve si Peter Paul Rubens, Johannes Vermeer, Vincent Van Gogh, Edvard Munch, Rembrandt Harmenszoon van Rijn dhe mjeshtërve tjerë të kalibrit të tillë. Pastaj arkitektura dhe efekti magjepës i gjithë atyre kishave e muzeve. Kulturat e ndryshme të ushqimeve, veshjeve e sjelljeve. Kam parë se me të vërtetë, për t’u formuar si person, kam pasur nevojë të shoh.
Pra për një periudhë gjashtë-mujore ndihesha më e rritur. Nga një shtet i vogël me rrugë të ngushta, tani isha në gjendje të menaxhoja udhëtimet vet në çdo cep të Evropës. Këta gjashtë muaj më kanë formuar po aq sa pesë vitet e studimit.
Por, mbi të gjitha këto udhëtime më kanë bërë të shoh se sa inferior dhe sa arrogant mbetet njeriu i cili është i kufizuar vetëm në kulturën brenda kufinjëve të shtetit të tij. Në Kosovë u ktheva në muajin mars. Më kishin munguar aq shumë njerëzit dhe në veçanti espressot, të cilat nuk krahasoheshin me kafet në Gjermani, të cilat s’kishte kush që i gjerbte. Vizat ishin liberalizuar njëmend.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.