Zogjtë migrojnë; njerëzit migrojnë. Stinët migrojnë; trumcakët migrojnë; papagallët migrojnë; fjalët migrojnë; peshqit migrojnë; fluturat migrojnë; balenat migrojnë; ndjenjat migrojnë; njerëzit migrojnë. Të gjithë migrojmë. Migrojmë… Migrojmë… Migrojmë…
– Lemn Sissay
Është një fotografi e Petrit Halilajt si 11-vjeçar, veshur me një xhaketë të gjelbër në mesin e refugjatëve që po linin Kosovën më 1999, si të ishte kuruar dhe ekspozuar kujdesshëm në ndonjë muze.
Sot, Petriti është artist bashkëkohor i nivelit botëror që ekspozon ndërkombëtarisht. Nëse keni parë ndonjë prej instalacioneve të tij, është e sikletshme dhe pothuajse e pamundur të ndani punën e tij artistike nga përvoja e tij personale e vitit 1999.
Përvoja e migrimit mund të ndikojë thellësisht në botëkuptimin, etikën, dhe profesionin tonë pavarësisht nga arsyet se pse detyrohemi apo zgjedhim të lëmë shtëpitë tona.
Krizat e fundit të refugjatëve në Evropë dhe SHBA shpërfaqën mungesën e humanitetit të shteteve perëndimore dhe të një përgjigjeje të përbashkët e pragmatike, duke evokuar imazhe të panumërta të Petritëve.
Migrantët e mirë dhe të padëshiruar
Rrëfimet për policët hungarezë në kampe që ushqejnë njerëzit në lëvizje si të ishin kafshë; dhuna ndaj refugjatëve nga policia kufitare në Greqi, Kroaci dhe gjëkundi; policimi dhe zhvendosja e kufijve fort përtej kufijve imagjinarë të Evropës; marrëveshja për refugjatë mes BE-së dhe Turqisë më 2016; tre-vjeçari sirian Aylan Kurdi i vdekur në brigjet turke; kushtet jonjerëzore të jetesës në një kamp migrantësh të tejmbushur që më parë shërbente si deponi mbeturinash.
Bashkë me fotografitë e një babai dhe vajzës së tij dy vjeçe të vdekur në ujërat mes Meksikës dhe SHBA-së dhe me fëmijët e mbyllur nëpër kafaze në SHBA, kemi pasur shumë rikujtime dhe shenja të çnjerëzimit të atyre që konsiderohen “të tjerë”.
Kjo na ka bërë të mendojmë rreth asaj se si në shoqëritë perëndimore refugjatët dhe migrimi kanë filluar të analizohen dhe justifikohen mbi atë se çfarë sjellin “migrantët dhe refugjatët e mirë”. Sikur të mos ishte justifikim i mjaftueshëm shpërngulja për shkak të luftës, sistemeve të dështuara dhe shtypjes strukturore. Sikur, siç Suhaiymah Manzoor-Khan thotë fuqishëm në një kontekst tjetër, kjo kërkesë ndaj njerëzve (në lëvizje) për të dëshmuar njerëzinë e tyre të mos fliste në radhë të parë për njerëzinë e atyre që e kërkojnë atë.
"Migrantja e mirë" e riafirmon superioritetin e vetë-përjetësuar të vendit perëndimor ku ajo jeton, punon, apo thjesht banon.
Në vitet e fundit, pjesa dërrmuese e diskursit në vendet perëndimore për njerëzit në lëvizje, veçanërisht me zhvillimet në Lindjen e Mesme që nga viti 2003, është formuar rreth dy kategorive që duken të ndryshme.
I ashtuquajturi migrant “i mirë”, pranohet në një shoqëri të re në bazë të mënyrës si sillet, të kuptuar brenda diskurseve si “integrim i duhur”. Kjo varion nga një nivel i caktuar i shkollimit dhe aftësive si dhe respektimit të ligjit, e deri te pritshmëritë e rritura për shkathtësi superheronjësh dhe fshehje strikte të ndjenjave nacionaliste kundrejt vendlindjes.
Migrantja e mirë është falënderuese ndaj shtetit mikpritës dhe “shkrihet” mirë në teksturën socio-kulturore të shoqërisë vendase mikpritëse. Më me rëndësi, migrantja e mirë e riafirmon superioritetin e vetë-përjetësuar të vendit perëndimor ku ajo jeton, punon, apo thjesht banon. Në rastin ideal, ajo nuk bëhet pjesë e diskursit për migrantët, pasi mund të jetë jashtëzakonisht e aftë, apo thjesht “esenciale” si shumë punëtorë rumunë të kujdesit që mbërritën me trena të mbikëqyrur në mënyrë të veçantë në Austri gjatë muajve të parë të krizës COVID-19.
Në atë që duket si ana e kundërt e spektrit janë migrantët e padëshiruar dhe refugjatët.
“Migrantët e padëshiruar dhe refugjatët” jetojnë në vende ku nuk do të jetonte askush tjetër, siç janë kampet në Bosnjë dhe Hercegovinë të rrethuara me mina. Foto: Jelena Obradovic-Wochnik.
Ata mbesin në margjinat e vendeve ku kërkojnë strehim, duke u lënë edhe të vdesin, në rastet kur nuk dëbohen dhunshëm përtej brigjeve të Kalasë Evropë apo kufijve të SHBA-së.
Nuk ka vullnet për t’i “integruar” këta individë. Përtej debateve për integrimin e refugjatëve dhe migrantëve të aftë për punë në kujdesin shëndetësor dhe edukim, kontrolli i shtuar ndaj migrantëve të tjerë në krahasim me të “ardhurit” e parrezikshëm dhe të pasur, ka dëbuar dhe çnjerëzuar popullatat në nevojë.
Në ndërkohë, "të huajt" që provojnë të kalojnë kufijtë për në "Kalanë Evropiane" e gjejnë murin e ngritur lart.
Bazuar në përvojat tona të jetuara si subjekte në pritje për të kaluar kufijtë, kemi vërejtur një ndryshim në dukje të ashpër, edhe pse jo të vetëkuptueshëm në retorikën ndaj refugjatëve, azilkërkuesve, migrantëve, njerëzve në lëvizje dhe të gjithë të “huajve”, kur krahasojmë krizën e refugjatëve në Jugosllavi me krizat e sotshme.
Për shumicën e njerëzve që iknin nga trazirat në Jugosllavinë e viteve 1990, mjerimi i luftës, apo dhe ai politik e ekonomik, ishin dëshmi të “mjaftueshme” për t’u “pranuar” si refugjatë dhe migrantë. Në ndërkohë, “të huajt” që provojnë të kalojnë kufijtë për në “Kalanë Evropiane” e gjejnë murin e ngritur lart — ikja nga lufta dhe përndjekja nuk është më “mjaftueshëm” autentike apo legjitime për ta fituar hyrjen.
Përkundrazi, në 15 vitet e fundit, teknologjitë politike dhe kufitare në Evropë janë zhvilluar dhe shtuar për ta bërë pikërisht të kundërtën: ta bëjnë të pamundur për subjektin “e huaj” madje edhe afrimin te kufijtë e saj.
Hierarki e racializuar
Në këtë narrative të re të shtrembëruar vërejmë se njerëzit në lëvizje nuk është se shikohen, problematizohen apo gëzojnë empati për shkak të subjektivitetit të tyre plotësisht njerëzor. Përkundrazi, haptazi pyetet nëse kanë potencial të bëhen investim i mirë në shoqëritë tona multikulturore, demokratike dhe të krishtera-laike.
Në këtë vështrim të ri, migrantes i kërkohet t’i lë anash arsyet që e sollën në dyert tona, dhe në vend të kësaj të argëtojë imagjinatën perëndimore për vlerën e saj për shoqërinë perëndimore.
Ky ndryshim i narrativës dhe politikës nuk është krejtësisht i ri. Ishte pjesërisht i pranishëm edhe gjatë krizës jugosllave të refugjatëve kur shtetet e BE-së ofruan vetëm mbrojtje të përkohshme dhe statuse të pasigurta juridike për shumë nga ata që iknin nga dhuna. Rrëfimi për atë se sa mikpritëse janë shtetet perendimore ndaj refugjatëve shpiket në mënyrë retroaktive në të tashmen.
Për shkak se racializohemi si të bardha, njerëzit nuk hamendësojnë menjëherë se jemi migrante apo refugjate.
Anëtaret e këtij Kolektivi ishin pothuajse në të njëjtën moshë me Petritin kur nisën luftërat në Jugosllavi. Ne e lamë rajonin si refugjate të shoqëruara nga prindërit tanë, migrante ekonomike të sistemit të dështuar, “të huaja” që erdhëm të studionim me bursa, dhe/ose si migrante të afta në jetët tona të maturuara. Ne kemi jetuar dhe punuar me shkëputje në Veriun Global, nga SHBA-ja dhe Kanada në Britaninë e Madhe, nga Evropa Perëndimore dhe Veriore në Zelandën e Re.
Në këto vende, ne kemi llojin “e duhur” të theksit dhe llojin e “duhur” të punës, dhe shihemi si “migrante të mira”. Për shkak se racializohemi si të bardha, njerëzit nuk hamendësojnë menjëherë se jemi migrante apo refugjate. Ndonjëherë, vetëm pasi na dëgjojnë kur flasim mes vete (“Nga jeni në të vërtetë? Oh, anglishtja juaj është shumë e mirë!”), e kuptojnë që jemi të tilla.
Por duke qenë të racializuara si të bardha, edhe kur kuptojnë se disa prej nesh jemi refugjate, ne perceptohemi si “migrante të mira” sepse për vendet mikpritëse nuk e sfidojmë estetikën e pretenduar racore. Përmes reflektimit mbi atë se si përdoret imazhi i “migrantëve të mirë” nga Jugosllavia, ne argumentojmë se ndërthurja e racës me klasën ka luajtur një rol qendror në ndryshimin e narrativës. Kjo ndonjëherë ka çuar në situata denigruese ku komentet e dhëna kanë çnjerëzuar migrantët e “tjerë”.
Megjithatë, “migranti i mirë post-jugosllav” është pjesë e një hierarkie të racializuar në Veriun Global. Të qenët të bardha shpesh ka qenë e kushtëzuar nga performanca jonë si “migrante të mira”. Si pjesë e elitës intelektuale, edhe pse ekonomikisht shpesh më të pasigurta se qytetarët vendas, manifestimi i mirënjohjes për vendet ku kemi migruar është pjesë e atij kushtëzimi. Në hierarkinë e racializuar të Veriut Global duket se ne gjithmonë jemi “të bardha-por-jo-tamam” dhe të qenët e bardhë atribuohet si privilegj i kushtëzuar.
Në të njëjtën kohë, ky privilegj i kushtëzuar që u jepet disa migrantëve post-jugosllavë, u refuzohet refugjatëve, azilkërkuesve dhe migrantëve të tjerë të padëshiruar të tanishëm të cilët perceptohen se nuk i plotësojnë standardet për këtë privilegj. “Refugjatët e këqij jo të bardhë” qofshin nga Lindja e Mesme, Afrika apo Amerika Latine, vihen në ballafaqim me “migrantët e mirë”, derisa ende “duhet t’i fitojnë” disa nga të drejtat më bazike, siç është ribashkimi me familjet e tyre.
Trajtim i veçantë
Duke qenë se punojmë në akademi, ne jemi pjesë e hapësirave tradicionalisht të lidhura me klasën e mesme dhe të lartë. Në pak vite, ne filluam t’i flasim rrjedhshëm gjuhët e vendeve ku jetojmë, nëse veç nuk i flisnim kur erdhëm. Shpeshherë, ky është rezultat i lëvizjeve tona të shpeshta mes shteteve dhe kontinenteve. Edhe pse sigurisht që akademia nuk është rrugë ideale profesionale drejt “suksesit” ekonomik, megjithatë konsiderohet si hapësirë elitare, e ndarë dhe e veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Akademia na ka ofruar rehati përmes ambientit ndërkombëtar, shkëmbimit të ideve, dhe mundësisë për të udhëtuar në konferenca dhe për të kryer hulumtime në terren, duke mbetur të lidhura me rajonin post-jugosllav. Si rezultat, kemi qenë kryesisht të neglizhuara nga diskurset për migrantë pasi nuk jemi konsideruar “problematike”.
Në fakt, angazhimi dhe punësimi ynë është mirëpritur si pjesë e përpjekjeve për ndërkombëtarizim dhe diversitet, si jo-vendase simbolike që e flasin gjuhën dhe janë të integruara mirë.
Kur dalim jashtë akademisë, kthehemi prapë brenda strukturave në të cilat konsiderohemi “tjera".
Në Austri, ekziston një emërtim për një kategori të statusit të migrantit — Forscher — hulumtues, që është specifik dhe reflekton hierarkitë e statuseve të migrantëve. Ngjajshëm në Belgjikë, postdoktorantët e programit Marie Skłodowska Curie (i konsideruar si një nga programet më prestigjioze në Evropë) janë të përjashtuar nga taksa të caktuara që paguajnë qytetarët, por ende i kanë përfitimet e sigurimit shoqëror dhe janë të përfshirë në skemën e pensioneve.
Ky “trajtim i veçantë” dallon shumë nga përvojat tona të mëhershme si refugjate dhe azilkërkuese, apo sot, si shtetase të huaja në kërkim të vizave të përkohshme për të udhëtuar në ngjarje akademike përtej kufijve të shteteve që na kanë pranuar, shpesh përkohësisht, deri në përfundimin e kontratës akademike.
Sidoqoftë, edhe në shtetet që na kanë ofruar punësim, vizat tona shpesh janë të përkohshme dhe të kushtëzuara. Kur dalim jashtë akademisë, kthehemi prapë brenda strukturave në të cilat konsiderohemi “tjera”, ku dokumentet tona hetohen dhe ne merremi në pyetje, duke e ndier nevojën të justifikojmë kontributet tona. Sapo mbesim pa punë, bëhemi prapë pjesë e masës së paemër të punëtorëve të përkohshëm migrantë të çnjerëzuar, të cilëve u kërkohet të “shkojnë në shtëpi” dhe të mos u bëhen barrë qytetarëve që i binden ligjit dhe paguajnë taksat.
Në këtë mënyrë hiqet privilegji i të qenit e bardhë, dhe pa të, ne po ashtu jemi migrante të “rrezikshme” dhe të padëshiruara.
Aspiratat për “Evropianizim”
Hapësira post-jugosllave nga e cila dikur ikën njerëzit, dhe prej nga ende vazhdojnë të migrojnë, është gjithashtu e njohur si zonë “transiti” për ata që ikin nga dhuna e vazhdueshme diku tjetër. Rajoni që dikur njihej për “luftërat jugosllave” tani është “Rruga Ballkanike”, “tokat e këqija” të imagjinuara të BE-së, periferia e jashtme ku kanalizohen fondet për siguri kufitare në mënyrë që të parandalohet migrimi i mëtutjeshëm i “tjerëve” të racializuar.
E ashtuquajtura “Rruga Ballkanike” u bë alternativë atëherë kur kalimet përmes detit u cilësuan si shumë të rrezikshme; sot është përfshirë aq shumë në dhunën kufitare të BE-së sa që vetëm një grup monitorues në rajon ka regjistruar më shumë se 700 raportime të brutalitetit policor dhe mohimit të azilit, me 70% të incidenteve të raportuara të ndodhura në Kroaci.
Vendet e Jugosllavisë, në veçanti Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia, “migrantët e mirë” të së cilave shpesh kanë arritur ta lënë rajonin dhe të arrijnë relativisht të sigurt në vendet e Veriut Global, tani janë përfshirë në mbrojtjen e kufijve të BE-së sa që rregullisht janë pjesë e dëbimit të burrave, grave dhe fëmijëve nga kufijtë e jashtëm të BE-së. Aspiratat e tyre për “Evropianizim”, të kuptuara kryesisht si anëtarësim në BE, ushtrohen përmes mbrojtjes dhe legjitimimit të superioritetit evropian edhe pse lëvizja e vet qytetarëve të tyre brenda BE-së është e kufizuar.
Përmes menaxhimit të kufijve të përbashkët, BE-ja i mban kufijtë e Ballkanit të mbyllur. Foto: Slađana Lazić.
Siç thekson Piro Rexhepi, përmes bashkëpunimit në “menaxhimin e kufijve të përbashkët” shtetet post-Jugosllave e luajnë një rol në ndarjen imagjinare të Evropës Oksident/Orient dhe prodhojnë një “lloj të veçantë të politikës kufitare” të bazuar pjesërisht në “rritjen e racializimit të dallimit religjioz që i shënjon myslimanët e Ballkanit si të bardhë laikë dhe evropianë autoktonë, ndryshe nga migrantët më me ngjyrë, andaj fanatikë nga Lindja e Mesme”.
Kjo reflektohet edhe në atë se si popullatat lokale përgjatë rrugës ballkanike u përgjigjën ndaj migrantëve të ardhur së voni, në mënyra komplekse dhe kundërthënëse. Disa nga ta strehuan migrantët në shtëpitë e tyre, u ofruan ushqim, riatdhesuan trupat e atyre që vdiqën apo u mbytën gjatë rrugës, shfrytëzuan “lidhjet” e tyre në stacione policore apo spitale për të marrë ndihmë apo trajtim për ata që kishin nevojë.
Në të njëjtën kohë, rajoni konsiderohet si "tjetri" dhe është i përfshirë në krijimin e "të tjerëve" në diskurset rreth migrimit.
Por të tjerë kanë racializuar të tjerët dhe janë ankuar për njerëzit e zhvendosur nga Afganistani, Pakistani dhe Maroku — “Ishte më ndryshe kur ishin vetëm sirianët!”
Prandaj, rajoni njëkohësisht konsiderohet si “tjetri” dhe është i përfshirë në krijimin e “të tjerëve” në diskurset rreth migrimit. Këto hierarki të racializuara dhe klasore të njerëzve në lëvizje mirëmbahen përkundër asaj që me mijëra njerëz nga hapësira post-jugosllave në vazhdimësi presin para ambasadave të vendeve të BE-së dhe vendeve të tjera në Veriun Global, apo kërkojnë mënyra për të marrë shtetësi të BE-së ashtu që të migrojnë më lehtësisht.
Duke iu kthyer pyetjes sonë fillestare se si imazhi i “migrantit të mirë” nga Jugosllavia përdoret në diskurset e tanishme perëndimore rreth njerëzve në lëvizje, përmes përvojës sonë ne theksojmë një përdorim të dyfishtë.
Në njërën anë është narrativa e të ndjerit mirë, duke ri-imagjinuar një të kaluar të mirë samaritane përmes thjerrave të sotshme. Në anën tjetër, i shërben gjithashtu qëllimit për krijimin e një dikotomie të rrejshme mes migrantëve “të mirë”, të cilët janë të shkathët, të edukuar, mirënjohës, dhe të tjera standarde që gjithnjë shumëfishohen, si dhe refugjatëve e azilkërkuesve të “rrezikshëm” dhe të padëshiruar të cilët do të jenë “thjesht barrë për sistemin”.
Përfundimisht, ne sugjerojmë se dallimi mes dy kategorive ka të bëjë me atë se kush konsiderohet njerëzor dhe kush çnjerëzohet, edhe pse kërkimi i lumturisë apo mbijetesës është ndoshta një prej karakteristikave më themelore njerëzore.
Në fjalët e Sissay, “Thuaje! Normalizoje! De-patologjizoje! Migro. Migro. Migro.”
Imazhi i ballinës: Nidžara Ahmetašević / K2.0.
Ky artikull fillimisht u shkrua për The Disorder of Things dhe është ri-publikuar me leje.