Pikëpamje | Religjioni

Përse ka diskriminim ndaj myslimanëve në Kosovë?

Nga - 26.08.2020

Nëntëdhjetë e pesë përqind e kosovarëve janë myslimanë — pse atëherë shtypen të devotshmit?

Për islamin në Kosovë flitet rrallë. Dhe kur përmendet, zakonisht paraqitet si problem. Për shembull, një rast i tanishëm është polemika e vazhdueshme rreth ndërtimit të një xhamie të re në Prishtinë.

Brenda dhe jashtë Kosovës, shumë njerëz frikësohen nga rritja e dukshmërisë publike të islamit, e cila ka dalë në pah gjatë dekadës së fundit. Arsyeja më e cekur është se përtëritja e fetarisë myslimane në Ballkan dhe në Kosovë shpeshherë lidhet me ndonjë lloj ndikimi të lig nga fuqitë e jashtme sikur Arabia Saudite, Irani dhe për disa, Turqia.

Ç’është e vërteta, pavarësisht nga xhamitë e financuara prej Turqisë dhe dyshimet rreth agjendave neo-osmane, infiltrimi i huaj islamist në Kosovë është i vërtetë dhe duhet të adresohet. Para vetëm katër vjetësh, vendi më i vogël në Ballkan bëri famë të padëshiruar duke pasur numrin më të madh të qytetarëve për kokë banori që janë bërë pjesë e organizatës ISIS në Siri. Në Bruksel, ky shihet si problem i madh për sigurinë dhe zhvillimin.

Por, sado i vërtetë të jetë problemi, ana tjetër e çështjes është se ka sjellë një lloj atmosfere shoqërore në Kosovë që është po aq problematike.

Ishte viti 2018 kur shoku im Beni më tregonte për intervistën e tij të fundit për punë në një dyqan pajisjesh elektronike në Prishtinë. Duke i ditur vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë kosovarë për të gjetur punë, u ngazëllova kur dëgjova këtë lajm të mirë.

Beni është i mençur, i afrueshëm, i mbajtur dhe di si të sillet me njerëz, prandaj do të ishte shitës jashtëzakonisht i mirë për cilëndo kompani të madhe teknologjike. Në fakt, me shkollimin dhe aftësitë gjuhësore që ka, ai është i përcaktuar për diçka shumë më të vështirë për nga aspekti intelektual. Sigurisht që do t’ia dilte me këtë.

Por Benit nuk iu ofrua vendi i punës. Natyrisht, arsyet e punëdhënësve janë gjithnduersh dhe konkurrenca në tregun e punës në Kosovë është më se e egër. Por, kur Beni më tha se intervistuesja kishte qenë në fakt e kënaqur me të dhe fillimisht kishte ofruar ta punësonte në vend, unë mbeta i habitur.

“Çfarë ndodhi?” e pyeta.

“Ajo më kërkoi ta rruaj mjekrën”, u përgjigj Beni.

“Kuptoj…”, i thashë.

Edhe pse sipas statistikave zyrtare rreth 95% e njerëzve në Kosovë janë myslimanë, praktikuesit e hapur sikur Beni shpesh shihen si të pazakontë nga ata që janë relativisht të shekullarizuar. Me rritjen e numrit të kosovarëve të devotshëm në kohën e fundit dhe së fundi me diskutimin e ndezur rreth ndikimeve të huaja islamiste, situata po rëndohet në vazhdimësi. Ç’është e vërteta, kjo ka dhënë hapësirë për diskriminim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kundrejt myslimanëve të devotshëm në Kosovë.

A mund të jetë që pikërisht diskursi politik i BE-së është disi në burim të këtij lloji të ri të diskriminimit identitar në Kosovë?

Kjo dukuri nuk është e re. Artikuj të mëhershëm në K2.0 si dhe në gazeta të ndryshme ditore tashmë kanë ngritur këtë çështje, dhe në vitin 2010 edhe BBC-ja raportoi për ndalimin e shamisë myslimane në shkollat publike si përpjekje për ta “evropianizuar” vendin dhe për ta ruajtur identitetin kombëtar laik.

Por si studiues, tërë këto incidente më shtynë të mendoj: nëse Kosova mëton të bëhet pjesë e BE-së dhe diskursi i BE-së ka peshë të madhe në politikën kosovare, atëherë nëse BE-ja i druhet rritjes së forcave islamiste në Kosovë, a mund të jetë që pikërisht diskursi politik i BE-së është disi në burim të këtij lloji të ri të diskriminimit identitar në Kosovë?

Por, nuk isha i pari që kisha shtruar këtë pyetje. Në vitin 2015, dijetari kosovar Piro Rexhepi kishte dhënë argumentin në dy punime të tij se “aparatçikët e BE-së” ishin ata që zbatonin “taksonomi të islamofobisë [që] i paraqesin popullatat myslimane në Ballkanin Perëndimor si komunitete të dyshimta që kanë nevojë për dhunë disiplinore me premtimin e integrimit në BE”.

Thënë ndryshe, mesazhi delikat por i qartë nga zyrtarët e Brukselit për Kosovën gjoja ka qenë: “Nëse doni të bëheni pjesë e ekipit, duhet të jeni të ashpër me mjekroshët”.

Fakti që praktikimi i hapur i islamit në Kosovë është politizuar dhe paraqitur kinse si problem i sigurisë në vetvete është shkolitur edhe nga sociologu Gëzim Krasniqi në vitin 2011.

Gjithashtu, hulumtimet e mia për këtë çështje që nga viti 2016 kanë gjetur të dhëna shqetësuese për një lloj “sigurizimi orientalist” të kosovarëve të devotshëm myslimanë në diskursin publik dhe në jetën sociale, duke i stigmatizuar praktikuesit më konservatorë të islamit si kërcënim “kulturalisht i huaj” për shoqërinë kosovare në një mënyrë të njohur ndryshe nga disa vende të Evropës Perëndimore.

Si rrjedhojë, një raport i vitit 2017 nga Instituti Norvegjez për Punë Ndërkombëtare ka ardhur në përfundim se “shumë myslimanë praktikues ndihen të sulmuar” në Kosovë dhe se zbatimi i politikës së përligjur kundër terrorizmit nga qeveria e Kosovës lehtas mund ta gabojë cakun.

Por a mund të ngërthehet gjithë kjo brenda diskursit të zyrtarëve të BE-së që merren me Kosovën?

Vendosa të hyj më thellë për ta kuptuar lidhjen e paramenduar mes asaj që mendojnë zyrtarët evropianë dhe asaj që zyrtarët kosovarë bëjnë në lidhje me myslimanët praktikues në Kosovë.

Pavarësisht nga ajo se sa e drejtpërdrejtë ishte teza e Rexhepit, dëshmitë nuk ishin të tilla, duke u bazuar në disa gjurmë të gjuhës së ngatërruar ligjore të disa dokumenteve të politikave të BE-së. Qëllimi i tyre ishte të tregonin se administrata e Brukselit imponon drejtpërdrejt ose tërthorazi thjerrën e tyre gjoja islamofobike në politikëbërjen e Kosovës, kështu duke ua vështirësuar jetën fetarëve.

Për të kuptuar me të vërtetë nëse argumenti qëndron, ma mori mendja se duhet të flas me një nga këta përfaqësuesit evropianë.

Pra në vitin 2018 vendosa të hyj më thellë për ta kuptuar lidhjen e paramenduar mes asaj që mendojnë zyrtarët evropianë dhe asaj që zyrtarët kosovarë bëjnë në lidhje me myslimanët praktikues në Kosovë.

Për ta arritur këtë, unë intervistova një mostër prej 24 akterësh politikë evropianë — të cilët i përcaktova si punëtorë të organizatave evropiane që merren me politikat kosovare ose si punëtorë të organizatave ndërkombëtare që bëjnë një gë të tillë — nga 18 organizata të ndryshme në Bruksel, në Berlin dhe në Prishtinë. Ato përfshinë institucione, agjenci dhe përfaqësi të ndryshme evropiane si dhe ambasada kombëtare dhe ministri të shteteve anëtare të BE-së, anëtarë të parlamentit, institute të politikave dhe agjenci zhvillimore, NATO-n, OSBE-në dhe UNDP-në.

Rezultatet e etnografisë sime të vogël të flluskës politike evropiane në Kosovë më dolën edhe më interesante sesa që kisha pritur.

Për ta shkurtuar që nga fillimi, shumica e të intervistuarve shihnin kosovarët myslimanë konservatorë dhe të devotshëm si të ndikuar nga fuqitë e huaja islamiste përmes: ndonjë lloj trushpëlarjeje ideologjike; sigurimit të synuar të stimujve materialë të ndryshëm; apo ndonjë lloj joshjeje “rebele” të identitetit personal në kundërshtim me statuskuonë e korruptuar të Kosovës dhe “Perëndimit”.

Këto imagjinime rrinë paralel me pretendimet e politikanëve, gazetarëve dhe analistëve evropianë për shndërrimin e ngadaltë të Kosovës në një lloj “kalifati ballkanik”. Edhe pse nuk ishte misioni im që ta vlerësoj vërtetësinë e këtyre besimeve, këto gjetje tregojnë se një diskurs i tillë evropian vërtet lejon trajtimin e myslimanëve që janë “shumë myslimanë” si të dyshuar për terrorizëm të mundshëm.

Por historia nuk përfundon këtu.

Këto elita të brendshme kanë interesa personale për ta përçuar një imazh ku Kosova “nuk është vërtet myslimane, por rrezikon të islamizohet”.

Duke u thelluar më shumë në të dhënat në fjalë, vrisja mendjen për atë se si të intervistuarit i dinin gjërat që i dinin.

Përgjigja është se elitat kosovare — pra, zyrtarët qeveritarë, përfaqësuesit publikë, punëtorët e instituteve politike dhe stafi lokal i organizatave ndërkombëtare — u kishin thënë ashtu. Këta janë kosovarët me të cilët evropianët e punësuar në Kosovë dhe vizitorët e radhëve të larta komunikojnë më së shumti, dhe janë këta kosovarë anglishtfolës dhe laikë që e formësojnë idenë e zyrtarëve evropianë për realitetin në Kosovë.

Për më shumë, janë këto elita të brendshme që kanë interesa personale për ta përçuar një imazh ku Kosova “nuk është vërtet myslimane, por rrezikon të islamizohet”. Sepse një mesazh i tillë ka tri kuptime: që askush brenda BE-së nuk duhet të frikësohet nga Kosova për shkak të islamit; që BE-ja nxitet ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën dhe në veçanti për liderët e tanishëm në mënyrë që të garantojet siguria; dhe se elitat laike të Kosovës gjithmonë mund t’i referohen “Evropës” për ta justifukuar zbatimin e një modeli të shoqërisë moderne që u vjen për shtati.

Për shkak të idesë që islami është thjesht barrë historike për shqiptarët, në mos që shqiptarët janë në fakt “laramanë”, nuk është vetëm e popullarizuar për sojin e Ismail Kadaresë dhe Ramush Haradinajt. Rezultati është se janë liderët skeptikë ndaj BE-së sikur Albin Kurti që nuk kanë harruar t’u premtojnë myslimanëve praktikues të Kosovës një ndër vlerat themelore të BE-së: lirinë e fesë.

E, çfarë tash?

Unë kuptoj që këto gjetje mund të ngjajnë si godite për shumë njerëz në të njëjtën kohë. Por edhe pse nuk i takon studimit akademik të japë rekomandime të politikave, unë besoj që implikimet praktike të këtij hetimi sociologjik janë të qarta. 

Vetëm nëse përfaqësuesit evropianë komunikojnë me një numër më të madh të myslimanëve kosovarë, nëse përpiqen fort që të mos i lënë vetëm elitat ta përfaqësojnë vendin për ta, atëherë mund të zgjerohet diskursi evropian për islamin në Kosovë dhe imazhi i myslimanëve të devotshëm kosovarë mund të rafinohet.

Shpesh, përmendja e BE-së i jep legjitimitet politik politikave të brendshme kosovare. Nëse me të vërtetë është ashtu, i takon BE-së të sigurohet që kjo të mos shpërdorohet. BE-ja nuk duhet ta lë veten të citohet për ta legjitimuar sigurizimin e diskursit që shkon kundër vetë vlerave të saj, gjë që shkakton dëme kolaterale për besimtarët kosovarë dhe i tëhuan më shumë nga projekti evropian.

Tekefundit, një qëndrim i fortë për atë që përfaqëson dhe që nuk përfaqëson BE-ja do ta ndihmonte edhe Benin.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.