Blogbox | #CkaKishaNdërru

Po du me dalë shlirë

Nga - 16.02.2022

Infrastruktura në Kosovë vazhdon t’i diskriminojë personat me aftësi të kufizuara.

“Po du me dalë vetë me ecë”, më tha një shok një ditë.

Nuk ma kishte marrë kurrë mendja që dalja vetëm do të mund të shndërrohej në një dëshirë kaq të largët për dikë. Aq më pak, që të dalurit vetëm të jetë një sfidë kaq e madhe. Kur e dëgjova këtë fjali, apo thënë më mirë, këtë dëshirë nga shoku im, u ndala dhe mendova, sa shumë gjëra, aktivitete i marrim si të mirëqena, e sa shumë aktivitete që ne i përjetojmë si krejt të zakonshme, janë në fakt të paqasshme për dikë. Janë pra, dëshira të largëta. 

Shoku im dëshironte të ecte vetëm në rrugë. Shoku im i verbër dëshironte t’i ecte udhët e Prishtinës pa përcjellës dhe pa frikë. Kjo ishte dëshira e tij –– një aktivitet thelbësor, të cilin ne e bëjmë përditë, pa e vënë re. 

Personat me aftësi të kufizuara përballen me aq shumë vështirësi saqë dëshirat e tyre nuk mund të kalojnë ende përtej atyre bazike, siç është ecja lirshëm në rrugë. Kjo, sepse rrugët nuk janë miqësore me ta. Trotuaret e ngushta, të dëmtuara e shpeshherë të uzurpuara nga makinat janë diskriminuese. E kjo bën që njerëzit si shoku im të detyrohen të heqin dorë nga dëshirat e tyre, nga liria e tyre.

Trotuaret që diskriminojnë

Kjo bisedë e shkurtër më shtyri që të interesohesha për zgjidhje të mundshme të këtij problemi. Njëra prej tyre ishin trotuaret “tactile”, të cilat i sheh rrallë në Prishtinë. Këto trotuare janë të punuara me një lloj të veçantë materiali, ashtu që të lehtësojnë lëvizjen e personave me vështirësi në të parë. Trotuaret e këtilla e mundësojnë orientimin e këtyre personave dhe i bëjnë rrugët më pak të rrezikshme, rrjedhimisht më të qasshme. Një zgjidhje që duket e lehtë, por që për dikë si shoku im është baraz me liri. 

Pos që mungojnë këto lloje trotuaresh, ato vazhdojnë të jenë të ngushta dhe tepër të larta. Çdo ditë kur shkoj në punë apo fakultet, rrugët janë sfiduese. Të ecësh rrugëve të Kosovës, do të thotë të ekspozohesh ndaj rrezikut të vazhdueshëm të rrëzimit, goditjes nga ndonjë makinë pasiqë të duhet të dalësh në rrugën ku qarkullojnë automobilët, sepse trotuaret janë të zëna. 

Trotuaret, kështu në vend të asaj që duhet të shërbejnë, pra si “shteg për këmbësorë’, shërbejnë si parkingje, hapësira për bizneset afariste e kushedi çka, mjafton që nuk e kryejnë funksionin të cilin duhet ta kryejnë. Imagjinojeni se çka do të thotë kjo për personat me aftësi të kufizuara –– privim nga liria e lëvizjes –– e drejtë themelore e njeriut. 

Imagjinojeni një rrugëtim të një personi të verbër, a një personi në karrocë. Trotuaret janë vetëm fillimi. Imagjinojeni nëse një njeri në karrocë dëshiron të bëjë diçka krejt të zakonshme, pra një shëtitje të shkurtër dhe një kafe me miq. Kjo nuk do të jetë krejt e zakonshme, sepse përpos trotuareve që ngushtohen përditë e më shumë, me shumë gjasë kafiteria nuk do të ketë pjerrinë. Nëse ai person dëshiron të shkojë në punë apo në dyqan, apo kudo, ky veç aktivitet i zakonshëm nuk do të jetë. 

Çka nëse një person me karrocë ka nevojë për ta nxjerrë një dokument në një institucion publik? Apo i duhet të shkojë të votojë? Apo thjesht, të kërkojë informacion?

Sa herë u ka rënë të shihni dy apo tre persona duke e ndihmuar një person në karrocë për të hyrë në hapësira si dyqani, kafiteria, institucioni? Çka ndodh nëse ata tre persona nuk janë përreth? Personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të mbesin në vullnetin e ndihmës nga kalimtarët. Ata duhet të kenë qasje të barabartë në hapësirë publike dhe kudo tjetër.

Çka nëse një person me karrocë ka nevojë për ta nxjerrë një dokument në një institucion publik? Apo i duhet të shkojë të votojë? Apo thjesht, të kërkojë informacion? 

Nëse po atij personi i duhet të kërkojë ndihmë në institucione publike, me shumë gjasë nuk do të ketë mundësi të hyjë, sepse edhe institucionet publike nuk janë të qasshme. Edhe ato janë diskriminuese. Në fakt, edhe në vetë Kuvendin e Kosovës, ashensori që u mundëson personave me aftësi të kufizuar hyrjen në këtë insistucion, u rregullua tash së voni. 

Një raport i nxjerrë në vitin 2020 nga organizata HANDIKOS tregon se Kosova ka përmbushur vetëm 6.5% të standardeve ndërkombëtare për qasshmëri të personave me aftësi të kufizuara. I njëjti realitet është edhe nëpër shumë shkolla, anipse edhe shkollimi është e drejtë themelore, madje, ai fillestar –– i detyruar.

Kështu, personat me aftësi të kufizuara, midis vështirësive të tjera, izolohen apo nuk mund ta jetësojnë atë që merret si e mirëqenë –– të drejtën për lëvizje të lirë.

Shoku im nuk ka ëndrra të mëdha, ai dëshiron vetëm qasje në të drejtat e tij. Ai dëshiron që hapësira publike t’i takojë atij po aq sa u takon të tjerëve. Mbase, nëse kjo kërkesë bazike do t’i realizohej, atij do t’i hapej udha për ëndrra tjera. Pra, ky është ndryshimi që e kërkoj me ngulm në Kosovë, hapësirë publike për të gjithë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0