Pikëpamje | Korrupsioni

Po qytetarët e shtetit të korruptuar kush i mbron?

Nga - 05.10.2016

Mungesa e llogaridhënies u kushton kosovarëve miliona euro.

Viktor Marku është shërbyes civil në Komunën e Klinës. Në fund të qershorit 2010, në kundërshtim me ligjet në fuqi, ai ishte larguar nga puna me urdhër të kryetarit të komunës. Për dy vite e gjysmë, Viktori ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, në Gjykatën Komunale e deri tek Gjykata Kushtetuese. Të gjitha i kishin dhënë atij të drejtë dhe kishin urdhëruar komunën që ta kthenin Viktorin në punë dhe t’i kompensoheshin të gjitha pagat për kohën që nuk ka punuar. Përfundimisht, Viktori ishte kthyer në punë në nëntor 2012. Komuna ishte detyruar t’ia kompensonte 28 paga, apo mbi 8,100 euro dëmshpërblim.

Viktori nuk është i vetmi nga ata që kanë pësuar nga vendimet arbitrare dhe politike në institucionet publike të Kosovës. E Komuna e Klinës nuk është e vetmja e cila ka bërë shkelje të tilla. Në pesë vitet e fundit, Buxheti i Kosovës ka humbur në total 30.8 milionë euro në vendime gjyqësore. Këto vendime përfshijnë rastet kur institucionet publike kanë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe janë detyruar t’i kompensojnë ata, apo rastet kur kompanive u është bërë e padrejtë në procese prokurimi apo vonesa në pagesat për punëkryesit.

Në të shumtën e rasteve, gjykatat mbajnë anën e të dëmtuarve, kundrejt institucioneve publike. Kjo ndodhë për dy arsye: e para, gjykatësit më shumë ndiejnë keqardhje për gjendjen sociale të individëve dhe kompanive, se sa për ruajtjen e buxhetit të shtetit; dhe e dyta, mbrojtja e institucioneve publike në procese gjyqësore bëhet nga avokat publik të cilët nuk kanë përgatitjen e duhur dhe u mungon motivimi për të mbrojtur interesin publik. Për shembull, avokati i Komunës së Prizrenit ishte akuzuar nga prokuroria se nuk kishte ankimuar dy vendime të cilat i shkaktonin dëme materiale komunës.

Kohëve të fundit, është shfaqur një rrezik i ri i humbjes së parasë publike: ai i vendimeve të gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit. Në fund të korrikut 2016, Gjykata e Arbitrazhit në Paris mori vendim që Ministria e Punëve të Brendshme të kompensojë me 5 milionë euro shtypshkronjën austriake e kontraktuar për prodhimin e pasaportave. Më 2013 MPB kishte shkëputur kontratën me firmën  austriake në mënyrë të jashtëligjshme.

Në anën tjetër, ndërmarrja publike Posta dhe Telekomi i Kosovës po përballen me dy procese gjyqësore. Këtë vit, operatori virtual i telefonisë mobile “Z-mobile” ka paditur PTK-në për prishje të marrëveshjes dhe kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë euro; kurse vitin e kaluar kompania AXOS, e cila kishte garuar për të privatizuar PTK-në, proces i cili ishte anuluar, kërkon 50 milionë euro dëmshpërblim.

Për 36 milionë eurot e humbura deri më tani dhe për rrezikun e humbjes së 94 milionë eurove të tjera, askush nuk jep përgjegjësi.

Për 36 milionë eurot e humbura deri më tani dhe për rrezikun e humbjes së 94 milionë eurove të tjera, askush nuk jep përgjegjësi. Në rastin e Viktorit, kur komuna ishte dëmtuar mbi 8.000 euro, askush nuk kishte dhënë përgjegjësi.

Njësoj, në rastin e pasaportave, ndaj askujt nuk u ngrit proces gjyqësor për të kuptuar arsyet e shkëputjes së marrëveshjes me kompaninë austriake, e cila i solli 5 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës. E askush nuk ka dhënë përgjegjësi deri më tani për marrëveshjen e PTK me operatorin virtual Z-Mobile e cila i solli miliona euro dëme kompanisë publike, dhe askush nuk jep përgjegjësi për dy procese të dështuara të privatizimit të PTK, në të cilat vetëm për këshilltarë të transaksionit janë shpenzuar me miliona euro.

Atëherë, në një shtet të varfër e të korruptuar, me gjykata të cilat amnistojnë keqpërdoruesit, kush i mbron interesat e qytetarëve – taksapaguesve, të cilët janë të vetmit që humbin në këto procese? Aktualisht, nuk ekziston një mekanizëm ndërkombëtar i cili do t’i dilte në krah qytetarëve të shtetit të korruptuar kundrejt kompanive që e padisin atë në gjykata ndërkombëtare.

Në një prezantim në TED, Peter Eigen – themelues i Transparency International, rrëfen përvojën e tij kur ishte drejtor i Bankës Botërore në Nairobi të Kenisë. Duke parë se qeveria e Kenisë ishte e korruptuar dhe punonte në dëm të qytetarëve të saj, në cilësinë e drejtorit të BB, Eigel ishte munduar që të ndërtojë mekanizma të cilat do të mbronin qytetarët nga qeveria e tyre. Por, menjëherë ai ishte ndaluar nga zyra ligjore e BB, duke thënë se “këto janë punë të brendshme të shtetit dhe zyrtarët e BB nuk do duhej të përziheshin”.

Pas largimit nga BB, Eigel e kishte kuptuar se qeveritë e vendeve perëndimore, përfshirë edhe vendin e tij Gjermaninë, lejonin kompanitë e tyre që të përfshiheshin në raste korruptive në vende tjera. Madje, ai përmend se si qeveria gjermane aplikonte edhe ulje në taksa nëse një kompani arrinte të dëshmonte se u ka dhënë ryshfet qeverive të huaja për të fituar kontrata publike. Me avokimin e Transparency International, Gjermania dhe vendet tjera të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) nënshkruan marrëveshjen për nxjerrjen e ligjeve të cilat kriminalizojnë dhënien e ryshfetit edhe jashtë vendit.

Austria është një ndër nënshkrueset e kësaj marrëveshje. Po ashtu, që nga 1997, Bashkimi Evropian ka aprovuar politika që ndalojnë përfshirjen e kompanive të shteteve anëtare të BE-se në raste korruptive edhe jashtë BE-së. Në rastin e pasaportave, janë së paku tetë persona të dënuar në grupin e Natali Veliaj, të gjendur fajtor për shpërndarjen e 1.4 milionë eurove, apo 10% të të tenderit të pasaportave. Avokati mbrojtës i MPB në procesin e arbitrazhit do të duhej të ngriste edhe çështjen nëse kompania austriake është përfshirë në ryshfet, çka do të ishte e dënueshme sipas rregullave të BE. Por dyshoj se kjo çështje është ngritur në këtë proces, ngase kjo do të implikonte edhe më tej zyrtarët e MPB, ani pse ndoshta do mund të shpëtoheshin 5 milionë euro.

Në tërë këto procese gjyqësore nuk po humbin zyrtarët publik të cilët marrin vendime të dëmshme, as komunat, as ministritë apo ndërmarrjet publike. Por, humbin qytetarët e Kosovës.

Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, çdo dëm mbi 50.000 euro konsiderohet si “shkatërrim në shkallë të madhe” dhe është i dënueshëm me më së paku tre vite burg. Por, për 36 milionë eurot e humbura deri me tani nuk ka dhënë përgjegjësi askush. Për çdo vit, raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm raportojnë me dhjetëra raste kur buxheti i institucioneve është dëmtuar në procese gjyqësore dhe në këto raporte ceken edhe përgjegjësit kryesorë. Këto do të duhej të ishin fakte shqetësuese për secilin prokurorë e gjykatës, por edhe për çdo qytetar të Kosovës.

Në tërë këto procese gjyqësore nuk po humbin zyrtarët publik të cilët marrin vendime të dëmshme, as komunat, as ministritë apo ndërmarrjet publike. Por, humbin qytetarët e Kosovës, të cilët me tatimet dhe taksat e tyre kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit. Andaj, prokuroria e shtetit do të duhej t’i dal në mbrojtje interesave të taksapaguesve, e jo të mbaj anën e të korruptuarve. Po ashtu, për dy rastet në prtoces gjyqësor ndaj PTK, Qeveria nuk duhet të lë PTK të organizojë mbrojtjen, por të angazhoj kompani kredibile ndërkombëtare të cilat do të parandalonin humbjen e afro 100 miliona eurove.

Në të kundërtën, raste si këto, humbin besimin e qytetarëve dhe bizneseve në shtetin e Kosovës, si dhe rrezikojnë dukshëm investimet e huaja. Si mund të kërkoj unë një kupon fiskal nga një burektore, kur e di se me ato centa që i kontribuoj shtetit, dikush i keqpërdor pa asnjë konsekuencë? Si munden bizneset të jenë të përgjegjshme kur kompanitë diskriminohen nga shteti? E si mundet të sjellim investime ndërkombëtare, në kohën kur Austria vetëm ka filluar të kërcënojë me fushatë ndërkombëtare kundër investimeve në Kosovë, nëse nuk i bëhet së shpejti pagesa shtypshkronjës austriake?

KOMENTO