Pikëpamje | Roma

Populli rom është lënë në margjinat e shoqërisë, sërish

Nga - 31.03.2020

Romët e rajonit nuk po ballafaqohen vetëm me COVID-19, por edhe me urinë.

Thurjet Ačoven khere (“Rri në shtëpi”), Beš khere (“Ulu në shtëpi”) dhe Na vazden panika (“Mos shkakto panik”) dolën në internet menjëherë pasi përhapja e COVID-19 ishte deklaruar pandemi dhe i kishte nxitur shtetet në rajon të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

Më pas, këto mesazhe u ndanë nga aktivistët romë në profilet e tyre në rrjete sociale, ndërsa njëkohësisht disa organizata që punojnë me komunitetin rom filluan t’i riorganizojnë aktivitetet e tyre në mënyrë që të gjitha përpjekjet dhe burimet të përqendroheshin në ofrimin e ndihmës gjatë përhapjes. 

Fatkeqësisht, së shpejti u bë e qartë që ngazëllimi fillestar dhe kapacitetet funksionale të kufizuara të këtyre organizatave nuk ishin të mjaftueshme, pasi kjo luftë e vazhdueshme kërkonte përfshirjen e strukturave shtetërore.

Edhe para se virusi të përhapej nëpër botë, romët jetonin në kushte shumë të këqija. Përhapja e pandemisë i ka lënë edhe më të rënduar — jo vetëm sa i përket financave — tani që një katastrofë shëndetësore po afrohet.

Disa mund të thonë se për të gjithë është njëjtë, e ky është fakt i pamohueshëm. Megjithatë, komuniteti rom nuk ka mundësi të reagojë vetë ndaj kësaj krize, dhe nuk është e sigurt se a do ta marrin mbështetjen e nevojshme. 

Veçse në pozitë të pasigurt

Kur është shkruar ky artikull, më shumë se 370 njerëz në Bosnjë dhe Hercegovinë kishin rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa në Serbi më se 780, në Maqedoninë e Veriut 285 dhe në Kosovë 106 (për të dhënat e fundit në lidhje me rastet e konfirmuara, klikoni këtu). 

Nuk dihet se a është infektuar ndonjë person rom, por mund të themi me siguri që ky komunitet është shumë më i rrezikuar se grupet e tjera. 

T’ia fillojmë nga gjërat e domosdoshme — qasja në ujë të pijshëm, linja e parë e mbrojtjes kundër sëmundjes. Ekspertët e OKB-së kanë theksuar se Coronavirusi nuk mund të ndalet nëse popullsitë e prekshme nuk kanë qasje të sigurt në ujë të pastër.

“Pasi që larja e duarve me sapun dhe ujë të pijshëm është jetike në luftën kundër COVID-19, qeveritë anembanë botës duhet të sigurojnë qasje të vazhdueshme në ujë të bollshëm për popullsitë e tyre që jetojnë në kushtet më të cenueshme”, ka thënë OKB-ja.

Fakt është se një numër i madh i komuniteteve rome në rajon nuk kanë qasje ose kanë qasje të kufizuar në ujë. Shumë prej këtyre komuniteteve e kanë vetëm një burim të ujit për gjithë popullsinë (dhe shpeshherë ky burim gjendet jashtë zonës ku jetojnë).

Në valën e parë të panikut — që i shtyu njerëzit të blejnë në mënyrë të furishme gjithçka që kishin mundësi — romët ndejtën dhe shikuan në heshtje, pa mundësi për të vepruar. 

Në këtë pikë, ata më shumë kanë frikë se do të mbesin pa ushqim sesa që do të infektohen.

Aktualisht është vështirë të gjesh dezinfektues apo maska kudo në rajon. Ata që kishin para për t’i blerë tashmë i kanë blerë. Ndonëse ka ushqim të mjaftueshëm, prapë se prapë po shohim njerëz që po blejnë rezerva pa pasur nevojë për to.

Disa javë kanë kaluar; derisa ngadalë po e kuptojmë që kjo situatë do të zgjasë shumë më shumë se që kemi menduar, romët ende po rrinë e po shikojnë në heshtje, veç se tani e kanë barkun e zbrazët. 

Në këtë pikë, ata më shumë kanë frikë se do të mbesin pa ushqim sesa që do të infektohen — shumica e romëve punojnë në sektorin joformal, shumica kryejnë punë me orar të pjesshëm në formë të shërbimeve të ndryshme, si pastrim apo mbledhje të lëndëve të para sekondare. 

Çmimet e lëndëve të para sekondare tani po bien për shkak të izolimit, ndërsa mbyllja e tregjeve ku punojnë romët i ka lënë ata pa mundësi për të fituar para. Pak prej tyre kanë burim të përhershëm të të hyrave, e edhe më pak kanë kursime.

Vite të humbura

Qeveritë në rajon janë angazhuar në përpjekje të kahmotshme për integrimin e komunitetit rom me shkallë të ndryshme të suksesit. 

Ndërkohë — pas shumë viteve të punës dhe shpenzimit të fondeve — shumë pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdojnë të mos kenë mundësi t’i përmbushin nevojat themelore, përfshirë këtu qasjen në ujë, energji elektrike, punësim dhe shëndetësi. Në mënyrë që kjo situatë të ndryshojë nevojitet një sasi e konsiderueshme e parave, si dhe një nivel i konsiderueshëm i vullnetit politik.

Vetë termi “integrim” ka një konotacion mjaft negativ në këtë kontekst sepse na bën të besojmë se populli rom nuk ka jetuar në këto pjesë të botës me shekuj të tërë, por se ata kanë ardhur këtu para vetëm disa dekadave dhe tani papritmas ne po mundohemi t’i integrojmë.

Romët gjithmonë kanë qenë “ata që jetojnë afër nesh”, dhe kurrë “ata që jetojnë me ne”. Shoqëria e ka ndërtuar një marrëdhënie të tillë me romët, duke pranuar që ata jetojnë pa ujë dhe energji elektrike, dhe kjo i ka shtyer njerëzit të mendojnë që ata kanë “zhvilluar rezistencë” ndaj të ftohtit, sëmundjeve, urisë dhe çdo gjëje tjetër që moti do t’i kishte shfarosur njerëzit “normal”.

Njëkohësisht, njerëzit janë të bindur që secili rom është gazmor, që kanë talent për muzikë dhe nuk kanë dëshirë të shkojnë në shkollë apo të punojnë. 

Kur njerëzit filluan ta kuptojnë se 15 milion romët — ky është numri i popullsisë së tyre në Evropë — jetojnë me ta dhe jo afër tyre, si dhe që ata vdesin nga sëmundjet shumë më shpesh se të tjerët, atëherë vendosën t’i integrojnë.

Një përqindje e madhe e këtyre 15 milion njerëzve jetojnë në Ballkanin Perëndimor. Më 4 korrik 2019, liderët e rajonit u mblodhën në Poznań (Poloni) për ta nënshkruar një Deklaratë për Integrimin e Romëve, që parasheh një sërë masash me synim përmirësimin e statusit të këtij komuniteti.

Shtetet që po marrin pjesë në këtë proces janë Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, qeveritë e të cilave janë zotuar të punojnë për ta përmirësuar shëndetin, jetesën, arsimimin dhe kushtet e punësimit të romëve. 

Siç u përmend më lart, një nga shtetet që kanë nënshkruar këtë marrëveshje është Bosnja dhe Hercegovina, qeveria e së cilës e themeloi një Komitet Kombëtar për Romët në vitin 2002. Një nismë është lansuar nga ky organ për t’i ndarë 300,000 marka boshnjake (rreth 153,000 euro) për Fondin e Sigurimit Shëndetësor të Romëve — që është krijuar edhe në nivelin kombëtar — për të siguruar strehim për anëtarët e komunitetit rom.

Megjithatë, pasi formimi i qeverisë në nivel shtetëror u vonua shumë (u realizua më shumë se një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në tetor 2018), buxheti kombëtar ende nuk është miratuar, kështu që aktualisht gjasat janë që romët do të mbesin jashtë dhe të vetmuar. 

Raportet e fundit nga terreni tregojnë se populli rom në rajon është pak a shumë i harruar.

Në Sarajevë — ku jetoj aktualisht — shërbimet e ndihmës janë sporadike, me përjashtime të dalluara në dy komuna — Ilidža dhe Centar — ku komunitetet lokale rome pranuan 300 pako të ndihmave me gjëra esenciale nga autoritetet komunale.

Sa u përket masave parandaluese, lëvizja e Maqedonisë së Veriut AVAJA ka organizuar diskutime me tre mjekë romë në gjuhën rome në mënyrë që populli rom të informohet për rreziqet dhe parandalimin në një mënyrë të kuptueshme për ta.

Fushata onllajn RESPECT pritet të lansohet në Mal të Zi. Synimi i fushatës është informimi i popullsive të romëve dhe egjiptianëve për COVID-19, në përputhje me masat mbrojtëse të përkohshme.

Sidoqoftë, ende nuk kemi parë ndonjë reagim konkret nga qeveritë shtetërore.

Edhe nëse vetëm një rom rezulton pozitiv, e gjithë popullsia rome mund të stigmatizohet nga shoqëritë tona të mbushura me paragjykime.

Është e paarsyeshme që ende nuk ka zgjidhje për t’i ndihmuar popullit rom. Kështu ka qenë me vite — kur vjen puna te populli rom, gjithçka është në pritje. 

Nëse nuk gjejmë ndonjë zgjidhje të zbatueshme sa më parë, romët do të ballafaqohen me rreziqe serioze. 

Deri tani nuk kemi të dhëna se a ka njerëz romë të infektuar me COVID-19. Edhe nëse vetëm një rom rezulton pozitiv, e gjithë popullsia rome mund të stigmatizohet nga shoqëritë tona të mbushura me paragjykime, duke u etiketuar në mënyrë të gabuar si rrezik potencial për gjithë komunitetin, ngjashëm siç po ndërtohet aktualisht një rrëfenjë për migrantët si bartës potencialë të virusit.

Për shkak të mungesës së të dhënave dhe problemeve tjera të lartpërmendura mund të infektohen komunitete të tëra, shumë prej të cilave gjenden larg objekteve të shëndetësisë.

Në anën tjetër, nuk mund të jemi të sigurt që asnjë person nga komunitetet e shumta të romëve anembanë rajonit nuk e ka Coronavirusin. Kjo informatë do të jetë në dispozicionin tonë kur të testohen edhe këto komunitete.

Ndërkohë — si pjesë e reagimit ndaj pandemisë COVID-19 — Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) u ka bërë thirrje qeverive të shteteve evropiane që të sigurohen se komunitetet e margjinalizuara — përfshirë romët — kanë qasje në ujë të pastër.

“Është e domosdoshme që njerëzit e margjinalizuar në shoqëri të mos përjashtohen nga politikat që po zbatohen aktualisht për ta përmbajtur përhapjen e virusit”, ka deklaruar ERRC, dhe ka shtuar se do të kërkojnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) që t’u bëjë presion liderëve evropianë në mënyrë që ata të garantojnë barazi për të gjithë njerëzit. 

Sidoqoftë, në këto rrethana, mesa duket ende nuk kemi arritur te pika e punës së vërtetë.

Duhet të kuptojmë që kasollet e improvizuara në disa raste i strehojnë shumë familjarë të cilët burim të vetëm të të hyrave e kanë mbledhjen e kartonit.

Duhet ta kuptojmë faktin që — nëse nuk ndërmarrim asgjë — do të ballafaqohemi me një katastrofë edhe më të madhe. 

Ndërsa jemi duke pritur, qeveritë në rajon nuk po gjejnë zgjidhje për komunitetet rome; gjithçka që po shohim dhe dëgjojmë është pasojë e paternalizmit të kahmotshëm dhe të gabuar. 

Imazhi i ballinës nga OJQ Avaja.

  • PËR AUTORIN/EN Dalibor Tanić
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.

KOMENTO