Kur Joaquin Phoenix takon një bletare nga Maqedonia e Veriut.
Ndërsa e gjithë bota po fliste për fjalimin e Joaquin Phoenix pasi javën e kaluar u nderua me çmimin Oskar për aktorin më të mirë në ceremoninë e 92-të të Academy Awards, ai vetë po e kërkonte Hatixhe Muratovën, një bletare nga fshati Bekirlija në Maqedoninë e Veriut.
Muratova është protagonistja në filmin “Honeyland” (“Toka e Mjaltit”), me regjisorët Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanov. Filmi u nominua për dy kategori: Dokumentari më i Mirë i Metrazhit të Gjatë dhe Filmi më i Mirë i Metrazhit të Gjatë.
Bashkëregjisorja Tamara Kotevska thotë se nominimi për Oskar dhe vëmendja e madhe që i është kushtuar protagonistes Hatixhe dhe filmit janë dëshmi që “bota është ngopur me superheronjtë e rremë”.
Menjëherë pas ndarjes së çmimeve, ekipi i filmit foli me gazetarët në Shkup përmes një videolidhjeje për t’i shprehur përshtypjet e para. Sipas tyre, filmi mori shumë vëmendje, paçka se nuk fitoi ndonjë çmim.
“Rrinim krah për krah me yje të mëdha që as nuk kisha ëndërruar se ndonjëherë do t’i takoj,” thotë regjisori i fotografisë, Samir Ljuma. “Reagimi i tyre ishte i mrekullueshëm, sikur edhe fakti që Hatixhja eci mbi tepihun e kuq. Shumë yje donin të bënin foto me të. Erdhi ta takojë edhe Joaquin Phoenix, si dhe regjisori i filmit “Joker”, Todd Phillips”.
“Honeyland” është filmi i tretë në filmografinë maqedonase që është nominuar për Oskar.
Pesë vjet në bërje e sipër
Filmi ka marrë 48 nominime nga shpërbyesit prestigjiozë të filmave anembanë botës dhe ka fituar 32 prej tyre, përfshirë Festivalin e Filmit Sundance ku u shpërblye në kategorinë Dokumentari më i Mirë i Metrazhit të Gjatë dhe me Çmimin Special të Jurisë.
“Honeyland” është filmi i tretë në filmografinë maqedonase që është nominuar për Oskar. I pari ishte filmi i shkurtër i Stolle Popovit, “Dae” (1979), kurse mandej edhe “Before the Rain” (“Para Shiut”) i Millço Mançevskit, që u nominua për kategorinë e Filmit më të Mirë të Huaj më 1994.
Fabula e filmit lidhet me një grua dhe nënën e saj të sëmurë në fshatin Bekirlija, të izoluar nga qytetërimi. Ato jetojnë në harmoni me natyrën dhe bletët i kanë shoqe të ngushta. Filmi flet për Hatixhen dhe marrëdhënien e saj me natyrën dhe bletët, me të cilat ndan mjaltin — njërën gjysmë për vete, e tjetrën për bletët. Harmonia trazohet nga njerëzit që e shohin natyrën si mjet për t’i rritur përfitimet, dhe rrjedhimisht e prishin baraspeshën natyrore.
U deshën tri vjet që të kryhet filmi “Honeyland”. Foto nga Deckert Distribution GmbH.
Filmi u xhirua në vitin 2015 si pjesë e një projekti për mbrojtjen e natyrës në Maqedoninë e Veriut. Fillimisht, ideja ishte që të xhirohej një dokumentar mjedisor për një lum në atë pjesë të vendit. Sidoqoftë, planet ndryshuan kur ekipi i filmit zbuloi hoje të bletëve të egra që ruheshin me kujdes nga një grua e quajtur Hatixhe.
“Hatixhja dhe familja Huseini u çelën me ne”, kujton regjisori Ljubo Stefanov. “Ata na lejuan të hyjmë në botën e tyre, ta shohim lindjen, vdekjen, përlarjet, fjalosjet. Gjithfarë gjërash. Edhe gjërat që ke qejf t’i shohësh në film, edhe ato që s’ke. Kuptojmë që publiku i gëzohet suksesit, por duhet të mbajmë në mend që po flitet për karaktere të vërteta me jetë të vërteta”.
Kameramani Fejmi Daut thotë se marrëdhëniet e afërta të Hatixhes me karakteret e tjera paraqisnin sfida të mëdha gjatë punës në film, por ishte gjithashtu “dashuri në shikim të parë”.
“Gjatë bërjes të filmave dokumentarë është me rëndësi të jesh në vendin dhe kohën e duhur, dhe është edhe më mirë kur ke përpara një person të jashtëzakonshëm”, kujton Daut. “Ndërsa mësoja për jetën e Hatixhes, e imja ndryshonte tok. Kryesisht kam mësuar se si t’i trajtojmë gjërat përreth nesh në jetën e përditshme”.
Daut dhe anëtarët e tjerë të ekipit mendojnë që nominimi për Oskar ishte rrjedhojë e gjërave që i mësuan gjatë xhirimeve: këmbëngulja, durimi, sakrifica dhe përkushtimi ndaj punës.
Rrëfimi universal
Për Hatixhen, e cila u pushtua nga kamerat, jeta ka ndryshuar mjaft me xhirimet dhe udhëtimet për ta promovuar filmin. Megjithatë, edhe pas shumë muajve në udhë e sipër, Hatixhja ende ka mall për bletët e saj.
“Tash dua të jem në paqe dhe të mos jem e rrethuar nga njerëz që duan të më intervistojnë”, ka thënë ajo përmes videolidhjes në Los Anxheles.
Përveç “Honeyland”, sivjet kanë dalë disa dokumentarë të tjerë me porosi të fuqishme.
Sipas producentit dhe redaktorit të filmit, Anatas Georgiev, “Honeyland” niset prej një individi dhe pastaj përçon një porosi universale që e tërë bota mund ta kuptojë.
“Ne besojmë që kjo porosi, e cila preku botën dhe mbushi kinematë anembanë planetit, do ta qasë çdokënd dhe do të shkaktojë ndryshime — së pari te vetja jonë e pastaj te mjedisi,” ka thënë Georgiev.
Përveç “Honeyland”, sivjet kanë dalë disa dokumentarë të tjerë me porosi të fuqishme.
“The Cave” (“Shpella”) me regji të Feras Fayyad bën fjalë për një grua në Siri që ka mirëmbajtur një spital në territorin e kontrolluar nga rebelët; fituesi ishte “American Factory” (“Fabrika Amerikane”) me regji të Julia Reichert dhe Steven Bognar, i cili rrëfen për hapjen e një kompanie kineze të përpunimit të qelqit në shtetin amerikan të Ohajos dhe përplasjet kulturore mes punëtorëve kinezë dhe amerikanë. “For Sama” (Për Samën) me regji të Vaad al-Kateab tregon për jetën në një spital të Halepit të rrethuar; dhe në fund “The Edge of Democracy” (Skaji i Demokracisë) me regji të Peter Costa, i cili flet për jetën në një prej periudhave më diskutueshme në Brazil, kur në pushtet vjen një parti e djathtë.
Katër nga pesë filmat e nominuar kanë regjisore ose bashkëregjisore gra, dhe gratë janë protagoniste në tre prej tyre.
Tamara Kotevska thotë se të gjitha gratë që i ka takuar në ceremoninë e Oskarëve janë “shembuj të vërtetë”.
“Ishte një grua me dy fëmijë që kishte xhiruar gjatë luftës në Siri; më tej, ishte Yulia që vuante prej kancerit por prapëseprapë xhiroi një film; ishte dhe një grua që luftonte regjimin në Brazil. Janë karaktere të jashtëzakonshme. Janë njerëz guximtarë që kanë ecur përpara të patrembur”, ka thënë Kotevska.
Autorët e “Honeyland” i gëzohen punës vijuese në projekte të tjera. Foto nga Tamara Kotevska.
Në fund të fundit, ani pse filmi nuk fitoi Oskar, i gjithë ekipi theksoi se nuk janë të zhgënjyer. Ata thonë se dy nominime janë më të mira se një Oskar. Janë të vetëdijshëm për suksesin e tyre dhe për faktin që iu është dhënë mundësia për ta shpërndarë porosinë që ngërthen filmi.
Tash, është koha për filma të rinj.
“Për ne, bërësit e filmave dokumentarë, publiciteti sjell më shumë dëm se dobi. Po na e vështirëson punën”, ka thënë Atanas Georgiev. “Jemi falënderues për mbështetjen e publikut. Jemi të lumtur me punën tonë për duam të përqendrohemi në projektet në vazhdim gjatë muajve që vijnë”.
Hatixhja po ashtu do të kthehet te bletët e saj.
“Dua t’iu kthehem bletëve të mia sa më parë. Tani po flenë por s’mund të rrinë pa mua. Dua t’i shoh”, ka thënë ajo prej Amerikës.K