S`fundmi | Mali i Zi

Presion për ndryshime në Mal të Zi

Pas dy muajve me protesta, opozita pajtohet të punojë për zgjedhjet e reja.

Milo Đukanović, presidenti aktual i Malit të Zi, ka dominuar në skenën politike të vendit, si kryeministër ose president, për pjesën më të madhe të 30 viteve të fundit. Megjithatë, pozita e tij i është nënshturar presionit të vazhdueshëm për shkak se mijëra malaziasë kanë dalur në rrugë në javët e fundit për të protestuar kundër korrupsionit sistematik, si dhe mungesës së lirive mediale dhe të drejtave të njeriut.

“Protestat më masive kundër qeverisë në Mal të Zi në vitet e fundit” siç i përshkruan mediat u nisën nga një grup të qytetarëve në mes të janarit dhe u mbështetën nga 39 parti opozitare dhe kanë çuar deri te nënshkrimi publik i Marrëveshjes për të Ardhmen nga deputetët e opozitës dhe disa aktivistë kyç.

Kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua më 30 mars dhe përbëhet nga pesë pikë, përshkruhet nga ata që e kanë nënshkruar si dokument politik që i obligon partitë opozitare të punojnë bashkë për t’i organizuar “zgjedhjet e para të lira dhe të drejta në historinë e Malit të Zi”.

E kërkon dorëheqjen e presidentit dhe kryeministrit, si dhe kreut të prokurorisë dhe drejtorëve të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe transmetuesit publik, Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG).

Synimi përfundimtar i protestave, siç kanë pretenduar organizatorët, është “çlirimi i shtetit të kapur”.

Nënshkruesit janë pajtuar të avokojnë për themelimin e një “qeverie të unitetit civil” e cila do të ishte e kufizuar në mandatin e saj dhe do të punonte për të krijuar kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Organizatorët e protestave po e përshkruajnë marrëveshjen si “udhërrëfyes për tranzicionin paqësor të qeverisë”.

Çdo të shtunë, protestuesit mbledhen në sheshin kryesor të Podgoricës dhe shfaqin mesazhe të ndryshme për qeverinë: “Ne jemi shteti”, “Turp ju qoftë”, “Milo Hajni”, “Faleminderit për shkatërrimin e qëndrueshëm”, dhe “Dorëheqje”.

Ish-miku i pasur

Protestat që kanë vazhduar nën slloganin “Rezizto  97000” filluan si reagim ndaj aferës “zarfi”, që u nis nga Duško Knežević biznesmeni i arratisur”, siç quhet nga mediat pro-qeveritare të Malit të Zi. Kjo aferë përfshiu publikimin e materialeve video dhe audio në të cilat anëtarët e elitës janë kapur në situata inkriminuese që tregojnë korrupsion.

Edhe pse kjo aferë i nxiti protestat, organizatorët i kanë thënë Knežević-it se ai nuk duhet ta marrë përsipër lëvizjen, por duhet të mbetet si “dëshmitar i penduar”.

Inçizimet i kanë shtuar dyshimet në lidhje me zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 në Mal të Zi dhe mundësinë që përbërja e parlamentit aktual mund të jetë produkt i korrupsionit politik dhe financimit të fshehtë.

Džemal Perović, njëri nga drejtuesit e protestës, i ka kryesuar demonstratat nga dita e parë. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Synimi përfundimtar i protestave, siç kanë pretenduar organizatorët, është “çlirimi i shtetit të kapur” dhe përjashtimi i të gjithë atyre që i kanë okupuar postet kryesore, si parakusht për themelimin e një sistemi normal.

“Jemi mbledhur për të thënë se jemi të turpëruar nga poshtërsia e tyre, ndërsa ata na vjedhin, gënjejnë e tradhtojnë”, tha Džemal Perović, një nga drejtuesit e protestës dhe ish-deputet i Aleancës Liberale të Malit të Zi, në një nga protestat e para. “Duam t’i tregojmë botës dhe Evropës, në mënyrë që ata të mund ta ndjejnë turpin tonë, në mënyrë që ata ta dinë që këtu ka njerëz normal”.

Knežević ka publikuar inçizime nëpërmjet llogarisë së tij në Instagram që kanë tronditur sektorin politik dhe sistemin e bankave.

President Milo Đukanović ua ktheu mesazhin duke e dhënë një intervistë për RTCG-në, në të cilën tha “sigurisht se nuk do të jap dorëheqje” dhe iu referua protestave si “politike dhe jo civile” për nga natyra. Ai theksoi se aferat aktuale kanë sjellur jostabilitet në shoqërinë malaziase, “që në fund do të rezultojë me revolucion”.

Biznesmeni Duško Knežević, presidenti i grupit Atlas, mbikëqyr gjithçka që ndodh në Mal të Zi nga distanca, nga Londra; ai u ka thënë mediave se nuk do të kthehet përderisa qeveria aktuale është në pushtet.

Brenda dy muajve, Knežević ka publikuar inçizime nëpërmjet llogarisë së tij në Instagram që kanë tronditur sektorin politik dhe sistemin e bankave. Mbi të gjitha, ai e dëmtoi imazhin e Bankës Qendrore të Malit të Zi (CBCG), duke publikuar një video në të cilën zëvendës-drejtori i CBCG, Velibor Milošević, ia shpjegon atij se si mund t’i jep ryshfet inspektorëve të CBCG-së të cilët e verifikojnë ligjshmërinë e operacioneve të bankës.

Knežević vet është pronar i dy bankave Atlas Bank dhe Invest Banka Montenegro (IBM) të cilat janë në krizë dhe në prag të mbylljes, e situata e këtyre dy bankave e nxiti zemërimin e tij.

Në një zarf që ai ia prezantoi ish-kryetarit të Podgoricës […] ai ofroi një “donacion” për partinë në vlerë 97,000 euro.

Në dhjetor 2018, CBCG-ja e vendosi Atlas Bank dhe IBM nën administrim të përkohshëm, vendim i marrur në bazë të një raportit negativ të auditimit që u bë në 2017, por u publikua vetëm pas ndërhyrjes.

Vendimi i Bankës Qendrore erdhi pasi paralajmërimit të Bankës Botërore në fund të vitit të kaluar që i definoi kushtet se si mund të merr shteti kredi të favorshme. Banka Botërore kërkoi mbikëqyrjen e bankave problematike, përfshirë këtu dy bankat që i përkasin Knežević-it.

Ai pretendon se i publikoi inçizimet për të dhënë dëshmi publike për të cilat ai beson se tregojnë plot raste të aferave të korrupsionit dhe abuzimit të detyrës dhe i përziejnë disa zyrtarë të lartë të qeverisë dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS)  e cila është në qeveri  si dhe vet Presidentin Đukanović.

Çdo të shtunë nga mesi i janarit, njerëz prej vendeve të ndryshme të Malit të Zi kanë shkuar në Podgoricë për t’iu bashkuar protestave më të mëdha në historinë moderne të vendit. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Knežević, i cili ka nënshtetësi britaneze, është subjekt i një hetimi nga Zyra e Prokurorit të Shtetit të Malit të Zi, e cila ka dyshime se ai është lider i një grupi kriminal që i ka pastruar qindra miliona euro nëpërmjet dy bankave të tij. Zyra e Prokurorit Special të Shtetit i bllokoi 63 milion euro që lidheshin me Atlas për shkak të akuzave për mashtrime me taksa nëpërmjet e-banking, akuza që më vonë u ndryshuan në pretendime për pastrim të parave. Hetimi i përfshinë gati 180 individë dhe entitete ligjore.

Në dhjetor të vitit të kaluar, një njoftim i kuq u lëshua nga Interpol kundër Knežević, që do të thotë se ai duhet të arrestohet përkohësisht deri sa të ketë veprime të mëtejme ligjore apo mundësisht edhe ekstradim në vendim që e ka kërkuar arrestimin e tij. Megjithatë, është e paqartë ajo se a do ta ekstradonte Britania qytetarin e saj.

Deri së fundmi, Knežević ishte mik i afërt i Đukanović dhe ai pretendon të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të partisë së tij, e cila ka qenë në pushtet për tri dekada.

Është e pasigurt ajo se a është në fakt ai donatori më i madh. Megjithatë, në një zarf që ai ia prezantoi ish-kryetarit të Podgoricës, Slavoljub Stijepović para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 ai ofroi një “donacion” për partinë në vlerë 97,000 euro.

Këtë e pa publiku në një nga inçizimet që i publikoi Knežević kur vendosi ta ngritë zërin, pasi dolën probleme në lidhje me biznesin e tij bëri që afera të emërohet “zarfi”, ndërsa lëvizja e protestave mbanë emrin “97000” sipas sasisë së donacionit.

Stijepović tani është këshilltar i President Đukanović.

Përderisa prokuroria është duke zhvilluar procedura gjyqësore dhe ka lëshuar urdhër arreste kundër Knežević-it, ai pretendon se ende nuk e ka publikuar inçizimin më të rëndësishëm. Thuhet se inçizimi që ende nuk është publikuar e shfaq vet Đukanović-in duke marrë para prej tij.

Themelimi i një elite të biznesit

Knežević e akuzon Đukanović-in dhe vëllaun e tij Aco, pronarin e Prva bank, për përfshirje në biznesin e tij me qëllim të shkatërrimit të tij dhe për ngrirje të të gjitha bizneseve që i ka themeluar ai, nga bankat e deri te shërbimet që lidhen me universitete.

Megjithatë, Đukanović mohon të ketë qenë ndonjëherë mik i Knežević-it dhe pretendon se Knežević-i po bën gjithçka në fuqinë e tij për ta djegur arkivën e Prokurorisë Speciale, me shpresë që një revolucion do ta shpëtojë atë që të mos mbajë përgjegjësi para ligjit. Ai mohon kategorikisht se Knežević-i posedon materiale që e inkriminojnë atë.

Një numër i madh i të rinjve kanë dalur në rrugët e Podgoricës për të protestuar kundër atyre që kanë qenë në pushtet gjatë gjithë jetës së tyre. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Sipas analistes ekonomike Mila Kasalica, rrënjët e kësaj shkojnë shumë më thellë. Kasalica thotë se për ta kuptuar këtë situatë, është e domosdoshme t’i njohësh katër fazat që kanë shënuar formimin e “elitës së biznesit” në territorin që është quajtur “Ballkani Perëndimor”, i cili përfshinë Malin e Zi.

Ajo thotë se faza e parë nga 1992 në 1995 u karakterizua nga ngritja e klasës së biznesmenëve që përfituan nga lidhjet e tyre me politikanët. Faza e dytë ishte shpërbërja e sistemit ekonomik, që u shoqërua me procesin e privatizimit nëpërmjet të cilit pronat e shtetit iu shitën akterëve privat pas kollapsimit të Jugosllavisë. Ky proces u karakterizua vazhdimisht me parregullsi të ndryshme dhe shpeshherë rezultoi me mbylljen e fabrikave dhe shkarkimin e punëtorëve.

Kur ra loja e “sjelljes së mirë” të bankave, thelbi i shkatërrimit institucional ngadalë doli në dritë.

Si në shtete të tjera të rajonit, privatizimi në Mal të Zi u zhvillua në mënyrë shumë të dyshimtë. Kompanitë që ishin në pronësi të shtetit iu shitën shumë lirë të huajve që e ndalën prodhimin, duke sjellë kështu greva të shumta dhe duke e rrëzuar pothuajse krejtësisht industrinë malaziase.

“Faza e tretë ndodhi para dhe gjatë Recesionit të Madh [që nisi në 2008], kur u njohën [gjerësisht] milionerët lokal dhe rajonal”, thotë Kasalica, e cila shton se Mali i Zi aktualisht është duke përjetuar fazën e katërt.

“Në këtë fazë, në të gjitha fushat dhe drejtimet e zhvillimit ekonomik, zyrtarët klientelistë, partiakë dhe burokratikë po e asgjësojnë progresin dhe po ia pamundësojnë tërë shoqërisë zhvillimin duke i detyruar ata t’u binden”, thotë Kasalica.

Sipas Kasalicës, rënia e bankave të Knežević-it është “një ngjarje që ka nxitur një zinxhir të reagimeve brenda sistemit, por është gjithashtu dëm kolateral i shpërfilljes menaxheriale të tij ndaj ndjeshmërisë së kryerjes së shërbimeve bankare me seriozitet”.

Megjithatë, Kasalica thekson se këta janë tregues objektiv të performancës së dobët në përgjithësi të rregulluesve të bankave në Mal të Zi.

Afera “zarfi” vuri në pah dështimet institucionale

Duke biseduar për pozitën e CBCG-së dhe dëmin që Knežević-i ua bëri nëpërmjet paraqitjes së tij dhe inçizimeve që i publikoi ai, Kasalica shpjegoi se reputacioni i mbikëqyrësve të bankës malazeze është shkatërruar sistematikisht dhe në masë të madhe, si dhe i theksoi disa afera tjera që u shpërfaqën në 2018.

“Prandaj afera me publikimin e plot fotografive dhe video inçizimeve ka arritur ta bëjë të dukshme atë që ishte një ‘fshehtësi’ për të cilën e dinin të gjithë brenda sistemit. Të gjithë në komunitetin e mediave qëndruan të heshtur për një kohë të gjatë, duke iu nënshtruar presionit nga buxhetet e mëdha të bankave për marketing në tregun malazias”, thotë Kasalica, dhe shton se kur ra loja e “sjelljes së mirë” të bankave, thelbi i shkatërrimit institucional ngadalë doli në dritë.

Nuk po duket se do të ndalen protestat pas nënshkrimit të marrëveshjes më 30 mars. Foto: Boris Pejović / K2.0.

Duke iu referuar hetimit kundër Knežević-it, Kasalica thotë se publiku ende ka mungesë të informatave për atë se a kanë marrë pjesë bankat malazeze në skema të ngjashme, por aludon se menaxherët dhe administruesit e këtyre bankave kanë më shumë ndikim se Knežević-i, dhe kështu me gjasë janë më të relaksuar deri sa i presin rezultatet e këtyre proceseve gjyqësore.

Në letrën e Bankës Botërore, dy banka të tjera përmenden përveç atyre të Knežević-it Prva Banka, e cila i përket familjes së Đukanović-it, dhe Universal Capital Bank, e cila i përket biznesmenit dhe manjatit medial grek, Petros Stathis.

Për ta kuptuar se si do të përfundojë “kriza shkatërruese”, Kasalica beson se qytetarët duhet të kenë durim dhe “të presin të kalojë vërshimi, e pastaj të shohin çfarë të mira do të mbesin pas pastrimit të baltës së mbetur”.

“Unë besoj se gjithçka do të ndryshojë pas këtyre aferave”, vjen në përfundim ajo. “Sepse askush nuk dëshiron të përfundojë në diktaturë të hapur, që është pasojë logjike sistemike nëse kriza e sektorit bankar nuk pranohet strategjikisht si sinjal relevant që diçka civile, sistemike dhe e shëndetshme duhet të vendoset për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Malit të Zi”.

Ndërkohë, protestat vazhdojnë.K

Foto kryesore: Boris Pejović / K2.0.