Pikëpamje | Drejtësi

Për t’i parandaluar rastet si të Astrit Deharit në të ardhmen, duhet ta ndryshojmë sistemin duke e përdorur atë

Nga - 11.11.2016

Në vend të orientimit drejt efikasitetit kolektiv, Kosova po shkon në drejtim të kundërt.

Të gjithë jemi të burgosur por disa sosh
janë në qeli me dritare
e disa pa to.
Kahlil Gibran

Astrit Dehari ndërroi jetë në rrethana të paqarta të shtunën, ndërsa mbahej në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Duke mos pasur shpjegim përfundimtar nga autoritetet shtetërore – dhe duke mos qenë plotësisht e sigurtë për të gjitha detajet në lidhje me rastin — do të përpiqem t’u shmangem spekulimeve lidhur me specifikat; në fakt, unë do të përqendrohem në sistemin që konsideroj se ka çuar në vdekjen e të ndjerit, si dhe do të mbroj qëndrimin se pavarësisht se çka ka ndodhur në qeli, shteti duhet të japë llogari për këtë rast.

Duke marrë parasysh se aspekti emocional dhe ai analitik tashmë janë mbuluar nga të tjerët, unë do të përqendrohem në tri çështje të ndryshme, por shumë të rëndësishme, dhe do ta analizoj rastin kryesisht nga aspekti juridik.

Keqpërdorimi i paraburgimit

Pikësëpari, mënyra se si paraburgimi funksionon në Kosovë nganjëherë është e pabusueshme. Shumë prokurorë në mënyrë rutinore si masë të parë kërkojnë paraburgim, përkundër faktit se Neni 173 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës  është tejet i qartë në lidhje me atë se kur duhet kërkuar paraburgimi. Kodi thotë: “Me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatojë për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet t’i marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të sigurojë që të mos zbatojë masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë”.

Duket se shpeshherë qëllimi kryesor i sistemit të drejtësisë nuk është t'i shërbejë drejtësisë por t'i fajësojë njerëzit dhe t'i mbushë qelitë me ta.

Kodi thotë se paraburgimi mund të urdhërohet brenda 48 orëve pas arrestimit, dhe vetëm pas shqyrtimit gjyqësor në prani të të pandehurit dhe avokatit mbrojtës, derisa për lexim duhen plotësuar tri kushte: së pari, duhet të ketë dyshim të bazuar se personi ka kryer vepër penale, së dyti, duhet të ekzistojë rreziku se personi i pandehur mund të ikë, se identiteti i tij apo i saj nuk mund të vërtetohet, se personi do të shkatërrojë apo të falsifikojë prova, apo të ndikojë në dëshmitarë apo palë të dëmtuara apo bashkëpunëtorë, apo se i pandehuri do ta përsërisë veprën penale; dhe së treti, masat alternative të parapara me kod duhet të konsiderohen të pamjaftueshme për të siguruar praninë e të akuzuarit, zhvilimin e sukseshëm të procedurave dhe parandalimin e kryerjes së sërishme të veprës.

Për më tepër, vendimet për paraburgim duhet të përmbajnë arsyetime të detajuara në lidhje me atë se pse është e nevojshme heqja e lirisë në rrethanat specifike të rastit, dhe ligji gjithashtu përfshin parimin “jo më gjatë sesa është e nevojshme”, duke paraparë që “çdo heqje lirie, e sidomos kohëzgjatja e paraburgimit në procedurë penale, duhet zvogëluar në kohën sa më të shkurtër të mundshme”. Të gjitha këto masa mbrojtëse të përfshira në kornizën ligjore të Kosovës pasqyrojnë standardet e pranuara ndërkombëtarisht sa i përket të drejtës individuale për liri dhe siguri, e megjithatë rrallëherë përdoren si duhet.

Problemi kryesor këtu është se duke marrë parasysh rrethanat politike — lexo: ndikimin politik — duket se shpeshherë qëllimi kryesor i sistemit të drejtësisë nuk është t’i shërbejë drejtësisë por t’i fajësojë njerëzit dhe t’i mbushë qelitë me ta. Historia ka dëshmuar se kjo kurrë nuk ka funksionuar dhe se qëllimi thelbësor është t’u ndihmojë njerëzve të riintegrohen, e jo t’ua heqë shpresat se ata mund të lirohen, e të mos flasim për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Ky qëndrim është në kundërshtim jo vetëm me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, por edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikës gjyqësore të GjEDNj. Duke u nisur nga konteksti juridik në të cilin hyn instrumenti i paraburgimit në kuadër të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut — Kosova është e obliguar të respektojë praktikën gjyqësore të GJEDNj-së në përputhje me Nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë kontekst e drejta e lirisë është e drejtë thelbësore e njeriut dhe respektimi i saj është parakusht kyç për sundimin e ligjit; çdo ndërhyrje me të drejtën e lirisë duhet të jetë në përputhje rigoroze me listën kufizuese të ndalesave të lejueshme sipas Nenit 5 të Konventës.

Për më tepër personat të cilët mbahen në paraburgim pandehen të pafajshëm dhe kanë të drejtë të trajtohen si të tillë, derisa përdorimi apo keqpërdorimi i paraburgimit ka ndikim të madh në paanshmërinë e gjykimit, që garantohet me Nenin 6 të Konventës. Asnjëra prej këtyre të drejtave nuk respektohen shpesh në Kosovë.

Nuk është se kjo çështje nuk është adresuar në të kaluarën; është shumë e dhimbshme që dikush duhej të vdiste që kjo cështje të ngritej përsëri. E vërteta është se një rast strategjik i vitit 2013, me mbështetje të The Public International Law & Policy Group (PILPG) përmes fushatës “Justice and the People”, iu dërgua Gjykatës Kushtetuese specifikisht lidhur me këtë çështje të keqpërdorimit të masës së paraburgimit. Rasti kishte të bënte me një qytetar të Kosovës i cili ishte mbajtur në burg për gati katër vjet pa gjykim.

Ndryshe nga të gjitha parashikimet, dhe të gjitha faktet e argumentet e paraqitura në këtë rast, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shpërfillë mundësinë e “edukimit” të gjykatave se si ta shfrytëzojnë masën e paraburgimit dhe vendosi standard qesharak të shpërfilljes së keqpërdorimit të tepërt të masës së paraburgimit.

Zhvillimi i një sistemi funksional

Çështja e dytë të cilën po e përmendi është se duhet të bëhet e qartë se përgjegjësia ka rëndësi. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë për atë që ndodhi dhe për mënyrën se si u adresua ky rast. Rasti është ende në proces të zgjidhjes prandaj duhet të kemi durim. Por në momentin që përfundon paraqitja e fakteve, zyrtarët të cilët e keqinformuan publikun në lidhje me rastin e vdekjes duhet të mbahen përgjegjës.

Sistemi i mbikëqyrjes dhe i organizimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka hapësirë për përmirësim, shikuar në përgjithësi. Ju kujtohet rasti i një të paraburgosuri në Prizren i cili praktikisht ia ndërtoi vetes qelinë? Pastaj, rasti i kryetarit të komunës i cili e udhëheq komunën nga qelia? Këto raste dëshmojnë se sistemi jonë ofron mundësi që të fuqishmit ta ruajnë fuqinë e tyre pavarësisht se ku janë — qoftë në zyrë, në burg, në spital, apo madje edhe në rrugë.

Sistemi po shkon drejt krijimit të një modeli të mosefikasitetit kolektiv — e kundërta e asaj që vendet në zhvillim duhet të synojnë. Përpjekjet për promovimin e efikasitetit kolektiv synojnë ta ngushtojnë hendekun ndërmjet gjeneratave, të ndërtojnë resurse shoqërore të cilat promovojnë shkëmbime të dyanshme ndërmjet pjesëtarëve të komunitetit dhe të inkurajojnë kontrolle joformale shoqërore. Në rastin tonë, sistemi po shkon në drejtim të kundërt duke krijuar hendek edhe më të madh jo vetëm ndërmjet gjeneratave por edhe ndërmjet klasave, duke shkurajuar kontrolle joformale shoqërore dhe duke promovuar “benefite për të fuqishmit”.

Mediat e përgjegjshme

E fundit, por jo më pak e rëndësishme — është jashtëzakonisht me rëndësi të merret parasysh ndikimi i mediave në gjithë këtë çështje duke u nisur nga fakti se ato kanë qenë tejet aktive në rastin e vdekjes së Astrit Deharit. Mbrëmë gati të gjitha mediat online në Kosovë publikuan disa xhirime nga Qendra e Paraburgimit në Prizren (vërejtje: gati të gjithë — ka pasur disa media të cilat nuk i kanë shfaqur këto xhirime). Përderisa është me rëndësi të jemi transparentë, gjithashtu është me rëndësi të merret parasysh korniza ligjore përbrenda së cilës ne funksionojmë në baza ditore.

Në këtë pikë, ne nuk e dimë nëse këto xhirime u siguruan nga burimet e panjohura apo nëse mediat i morën ato nga prokuroria. Në të dyja rastet, përgjegjësia ekziston dhe duhet të vihet në pah.

Kodi i Procedurës Penale është i qartë kur thotë se gjatë fazës së hetimit të rasteve — të gjitha shënimet, raportet, incizimet, transktiptat, provat, urdhrat, vendimet, kërkesat, ankesat, gjykimet dhe dokumentet tjera relevante për ndjekje penale duhet të ruhen në një skedar të rastit; vetëm Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë komeptenca të vendosin rregulla sa i përket përdorimit të brendshëm të skedarit të rastit brenda zyreve të prokurorëve dhe brenda gjykatave. Kodi përmend vetëm përdorimin e brendshëm të skedarit të rastit, që do të thotë se vetëm kur mbaron procedura e hetimit, provat mund të shfaqen në publik, kur diçka e tillë është e nevojshme.

Në këtë pikë, ne nuk e dimë nëse këto xhirime u siguruan nga burimet e panjohura apo nëse mediat i morën ato nga prokuroria. Në të dyja rastet, përgjegjësia ekziston dhe duhet të vihet në pah. Në skenarin e parë përgjegjësia bie mbi mediumin i cili i publikoi këto xhirime i pari (por edhe mbi të gjitha mediat tjera që e bënë këtë më vonë), derisa në rastin e dytë përgjegjësia mbie mbi zyrën e prokurorit.

Dëmi i cili mund të shkaktohet kur e gjithë popullsia shndërrohet në gjykatës dhe prokurorë të pavarur gjatë fazës së hetimeve është shumë më i madh se dobitë që mund të dalin nga publikimi i këtyre xhirimeve. Për këtë arsye mediat duhe të kenë shumë më shumë kujdes në këto raste dhe, të paktën njëherë, ta lënë anash nevojën e tyre të përhershme për të qenë ekskluzive dhe për të marrë sa më shumë klikime.

Koha për ndryshime

Shumëçka është shkruar për rastin e Astrit Deharit gjatë ditëve të fundit dhe e përbashkëta e këtyre shkrimeve është zëri i dëshpërimit të njerëzve të cilët çojnë dorë nga vendi i tyre. Nëse lejojmë që këto zëra të na udhëheqin, ne do të bëjmë atë që sistem dëshiron: të heqim dorë.

Por mos harroni — ne mund ta duam vendin tonë, dhe njëkohësisht të mos jemi aq të kënaqur me qeverinë tonë. Duke u nisur nga kjo, është koha t’i shqyrtojmë disa opsione për zgjidhje të cilat mund të kenë ndikim më të madh në një afat më të gjatë. Natyrisht, asgjë nuk do ta kthejë Astrit Deharin dhe asgjë në këtë botë nuk mund t’ia lehtësojë dhimbjet familjes së tij. Asgjë nuk mund të bëjmë lidhur me këtë. Por ajo që mund të bëjmë është të ndihmojmë në parandalimin e rasteve tjera si të Astritit.

Për ta bërë këtë ka mjete të ndryshme juridike dhe ato duhet ndjekur. Është shumë vështirë t’i besohet këtij sistemi — E kam parasysh. Por s’kemi tjetër pos këtij sistemi dhe duhet ta sfidojmë atë nëse dëshirojmë ta përmirësojmë atë.

Rëndësi ka t'i përshtatesh mjedisit dhe ta gjesh gjënë e duhur dhe mjetet në dispozicion për ta bërë atë gjë në një moment të caktuar kohor, derisa të arrish në pikën kur mjedisin e përshtat dhe e kthen në rrugë të mbarë.

Një masë e tillë është të dorëzohet rasti në Gjykatën Kushtetuese në bazë të konceptit iluzor të ‘shterrimit të mjeteve juridike’: Në këto raste kur pretendimet thirren në mjetet iluzore, mjetet juridike në të vërtetë nuk mund të përmbushen — asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta kthejë Astritin — prandaj zinxhiri standard i rrugëtimit nga Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme e kështu me radhë, mund të tejkalohet. Subjektet e pranueshme mund ta paraqesin rastin në Gjykatën Kushtetuese me bazën që shteti e ka dhunuar të drejtën e Astritit për jetë (Neni 25 i Kushtetutës së Kosovës).

Pas verdiktit duhen përcjellur hapat e tjerë. Asnjëri prej tyre nuk do ta kthejë të ndjerin por ato mund të ndihmojnë të përmirësohet sistemi, duke parandaluar raste të ngjashme dhe duke e edukuar sistemin se si të merret me raste të tilla.

Ky proces u përdor në rastin e Diana Kastratit, të cilën e vrau ish-bashkëshorti i saj në vitin 2011, përkundër urdhërit të gjykatësit për ndalim tri javë para vdekjes së saj. Prindërit e saj nuk e kthyen atë në jetë, por për shkak të rastit të tyre ka pasur ndryshim thelbësor në mënyrën se si sistemi i qaset rasteve të dhunës në familje; humbja e tyre ndihmoi në zvogëlimin e dhimbjes së humbjeve tjera potenciale. Dhe, megjithëse kjo është gati asgjë, kaq mund të presim nga një shoqëri si kjo e jona e cila funksionon në mënyrë abnormale. Sistemin duhet ta përmirësojmë duke e përdorur, sado e vështirë që mund të duket kjo.

Me gjithë faktin se vdekja e Astritit është rast tragjik dhe duhet të trajtohet si i tillë, unë besoj se nëse këtë rast e trajtojmë strategjikisht dhe përpiqemi të kemi ndikim më të madh në afat të gjatë, mbase jemi në rrugë të duhur. Mirëpo, duhet të nxjerrim tri mësime të rëndësishme: Koncepti dhe shfrytëzimi i paraburgimit duhet të rishqyrtohet, masat juridike duhet të shfrytëzohen për t’i adresuar personat përgjegjës për keqmenaxhimin e rastit të Astritit, dhe media duhet t’i rishqyrtojnë nocionet e tyre të profesionalizmit dhe të zbatimit të ligjit.

Në fund të fundit, peshë nuk çon teoria apo konceptet. Rëndësi ka t’i përshtatesh mjedisit dhe ta gjesh gjënë e duhur dhe mjetet në dispozicion për ta bërë atë gjë në një moment të caktuar kohor, derisa të arrish në pikën kur mjedisin e përshtat dhe e kthen në rrugë të mbarë. Vetëm atëherë mund të themi se ia kemi dalur ta ndryshojmë sistemin duke e përdorur atë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.