Je duke ecur në sheshin kryesor të Prishtinës, përballë ndërtesës së Kuvendit, syri të kap diçka që s’e ka vendin aty. Një shtëpi e verdhë rri e vendosur përmbi atë që dikur ishte Shtëpia e Mallrave e Gërmisë, sot zyrë e Administratës Tatimore të Kosovës. I fërkon sytë për t’u siguruar që po sheh mirë. Është shokuese, çfarë guximi. “Edhe këtu a?” mendon i zemëruar duke e kapë telefonin për ta lajmëruar policinë.
“Dikush ka ndërtuar një objekt pa leje, midis qendrës. Bëni diçka”!
Shtëpia nuk ishte njëra nga ndërtimet e shumta të paligjshme nëpër Prishtinë, por ishte vepra më fundit e artistit bashkëkohor Alban Muja (i cili tregon se njëmend disa banorë e thirrën policinë për ta raportuar atë që ata mendonin se ishte një ndërtim ilegal mbi çati).
Instalacioni i Mujës në çati ishte pjesë e edicionit të 14-të të Bienales Nomade Manifesta, e cila u hap në Prishtinë më 22 korrik dhe u mbyll më 30 tetor. Gjatë gati tri dekadave të fundit, Manifesta ka udhëtuar gjithkund nga Spanja në Shën Petersburg. Me përjashtim të një edicioni të hershëm në Lubjanë, Manifesta 14 shënon herën e parë që bienalja vjen në Ballkan.
Me premtimin për t’u ndihmuar kosovarëve ta rimarrin hapësirën publike dhe t’i “tregojnë historitë ndryshe”, bienalja i caktoi vetes detyrën të angazhohej me disa nga vendet më emblematike të Prishtinës, shumë prej të cilave kanë vuajtur nga neglizhenca institucionale — aq sa ishte e besueshme për disa se në çatinë e ndërtesës së administratës tatimore mund të ndërtohej një objekt pa leje.
Tani me Manifestan në ikje, Prishtina reflekton se çka ishte Manifesta dhe çka la pas.
Kosova asnjëherë nuk është prezentuar kaq shumë në botën e artit ndërkombëtar dhe një ngjarje kulturore ndërkombëtare e këtij niveli nuk është mbajtur më parë në vend. Artistët vendorë dhe rajonalë patën mundësinë të prezantohen dhe të lidhen me pjesën tjetër të botës dhe pati një shtytje të përpjekjeve për t’i rigjallëruar hapësirat publike të neglizhuara të qytetit dhe trashëgiminë historike.
Por dritat e ndritshme të bienales krijuan edhe hije. Një numër i transformimeve të propozuara ishin të mangëta ose mbetën të papërmbushura, ndërkohë që për shumë organizata kulturore jofitimprurëse vendore u zhgënjyen nga fondet publike në pamje të pafundme dhe mbështetjen që shteti u dha bienales, ndërkohë që ata mezi ia dalin me fonde bazike. Organizatat vendore, shumë prej të cilave janë të angazhuara në ruajtjen e vendeve me të cilat është angazhuar Manifesta, mbesin duke hamendësuar nëse mbështetja që institucionet e Kosovës i dhanë bienales do t’u ofrohet atyre në vitet e ardhshme.
Rikuperimi i hapësirës publike
Dritaret e mëdha të studios së artit të Driton Selmanit shohin kah ndërtesa e Rilindjes, njëra nga ikonat e arkitekturës brutaliste të Prishtinës të viteve të ’70-ta. Fillimisht e quajtur Pallati i Shtypit “Rilindja”, për më shumë se 20 vjet ndërtesa ishte qendër e jetës letrare dhe kulturore të Kosovës, duke strehuar një numër ndërmarrjesh shoqërore, përfshirë edhe gazetën e njohur “Rilindja” dhe shtëpinë botuese të saj. “Jam rritë duke e ndjekë atë logo [të Rilindjes]”, tha Selmani. “Muret e betonit të asaj që ka mbetur nga ndërtesa e shtypshkronjës janë fascinuese”.
Selmani ishte njëri nga 103 artistët që morën pjesë në Manifesta 14, 65 prej të cilëve ishin nga Ballkani Perëndimor dhe afërsisht 40 nga Kosova. Përqindja e lartë e artistëve të rajonit e dalloi bienalen e këtij viti si “radikalisht lokale”, sipas fjalëve të organizatorëve.
Vepra e Selmanit “Letra dashurie” u ekspozua në katin e shtatë të Grand Hotel Prishtina. Një projekt që vazhdon që nga viti 2018, vepra përbëhet nga fraza të shkurtra të pikturuara në qese plastike, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë se si “dashuria mund ta marrë formën e listave të blerjeve dhe qeseve plastike të mbushura me artikuj supermarketi”.
Grandi dhe Rilindja ishin dy nga 25 hapësirat në hartën e veçantë të gjelbër e vjollce të Manifestas, që i dërgonte vizitorët në një ecje nëpër të kaluarën e qytetit dhe premtimit të tij për të ardhmen. Nuk ishin vetëm vizitorët që përshkuan qytetin me hartë në dorë. “Për herë të parë në jetën time kam ecur me hartë në qytetin tim”, tha Selmani. Të pasurit destinacione të ndryshme kulturore për t’i vizituar në një qytet është diçka që Selmani e ka dëshiruar dëshiruar gjithmonë dhe këtë ai pati rastin ta bëjë në Prishtinë gjatë tre muajve të fundit.
Thelbi artistik i bienales ishte në qendër të qytetit në Grand Hotel, ku vizitorët patën mundësi t’i vizitonin shtatë kate të artit dhe ta shikonin zemrën e Prishtinës nga lartësitë dhe pikëpamjet e reja. Kulmi u transformua me një ndërhyrje që ta tërhiqte vëmendjen, nga artisti kosovar Petrit Halilaj, i cili zëvendësoi tabelat e hotelit me të tijat, që në shqip thonin “kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”.
E titulluar “Skema e Madhe e Gjërave”, ekspozita brenda hotelit e mori një pikë referimi të qytetit, që është e zhytur në polemika dhe borxhe dhe e mbushi atë me dhjetëra vepra nga artistë ndërkombëtarë dhe vendorë.
I ndërtuar në vitin 1978, në ditët e tij të mira, Grandi ishte simbol i modernitetit dhe sofistikimit për qytetin. Në vitet e ’90-ta, u bë një prej shumë hapësirave publike nga të cilat shqiptarët u përjashtuan. Rënia e tij u përshpejtua pas luftës pasi përjetoi një proces veçanërisht të pasuksesshëm të privatizimit, duke u kthyer përfundimisht në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Me një të ardhme të mjegullt dhe një të kaluar të trazuar, Grandi prej kohësh ka qëndruar kryesisht bosh.
Shtatë katet e Grandit, me art që mbushi Instagramin, ishin atraksioni kryesor i Manifestas, por transformimi më i madh i ndërmjetësuar nga bienalja ishte ndërtesa që dikur strehonte Bibliotekën “Hivzi Sulejmani”. Një monument i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ndërtesa e vitit 1930 ishte shtëpia e bibliotekës së qytetit për gati 70 vjet.
E vendosur në njërën nga lagjet më të vjetra të Prishtinës, ndërtesa ishte vendtakim dhe hapësirë për ngjarjet e komunitetit deri në vitin 2016, kur biblioteka u zhvendos në mjedise të reja. Ndërtesa ishte e mbyllur, deri në kohën kur Manifesta e ktheu atë në Qendër për Praktikën Rrëfyese (QPR), institucion kulturor ndërdisiplinor, që iu bë shtëpi programitedukativ të bienales –– aty u mbajtën punëtori, ngjarje letrare dhe shfaqje muzikore. (Bashkautorja e këtij artikulli Lirika Demiri kontribuoi në një projekt kërkimor të financuar nga Manifesta lidhur me Bibliotekën. Bashkautorja Aulonë Kadriu udhëhoqi një punëtori për edukimin e fëmijëve për Manifesta.)
Një tjetër hapësirë e papërdorur që u mor përsipër nga Manifesta 14 ishte Fabrika e Tullave. Objekti i braktisur prej kohësh u privatizua pas luftës, para se Komuna e Prishtinës ta blinte atë nga AKP-ja. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë dhënë premtime të papërmbushura për ta ringjallur atë. Dikur flitej për një Muze të Gjenocidit dhe pastaj erdhën premtimet e fundit elektorale për ta kthyer atë në një qendër digjitale dhe hapësirë të kombinuar shkencore kulturore për rini. Në vend të këtyre, fabrika prej vitesh është lënë si deponi ilegal.
Manifesta 14 tentoi ta kthente hapësirën në një qendër mësimi eko-urban dhe ftoi raumlaborberlin, një kolektiv gjerman arkitektësh dhe urbanistësh për ta transformonuar hapësirën, e cila u pastrua dhe u përdor për ngjarje gjatë bienales.
Rrugës për në Fabrikën e Tullave, harta mund t’ju ketë çuar nëpër një segment të shinave të braktisura të trenit, segment që Manifesta 14 premtoi ta riimagjinonte si “Korridori i Gjelbër”, duke ndjekur vizionin urban të studios së projektimit CRA-Carlo Ratti Associati. Ndërhyrja u përbë nga një shteg këmbësorësh prej druri 1,300 metrash, të ngjyrosur me të verdhë përgjatë shinave që ndajnë lagjen “Arbëria” nga qendra e qytetit.
Për banorët e lagjes “Arbëria”, rutina e përditshme e të ecurit nëpër shtigje të improvizuara — me baltë në ditët me shi e me pluhur gjatë verës — për t’u lidhur me qendrën e qytetit është një aktivitet pothuajse Sizifian. Korridori i Gjelbër synonte ta krijonte një hapësirë më të qasshme, më të gjelbër dhe më të sigurt për këmbësorët dhe ta ndryshonte marrëdhënien e tyre me atë pjesë të qytetit.
Në mbyllje të bienales, e verdha që binte në sy tashmë ka filluar të zbehej, disa nga pemët e reja nuk i mbijetuan verës dhe shtegu duket se nuk ka tërhequr shumë banorë. Sipas Manifesta 14, Komuna e Prishtinës do të vazhdojë zhvillimin e projektit për shtatë vitet e ardhshme në bashkëpunim të ngushtë me UN-Habitat, një program urbanistik i Kombeve të Bashkuara.
Pikat e gjelbra nëpër qytet çonin në hapësirat ekspozuese të Manifesta. Disa të çonin në një hapësirë tjetër të lënë pas dore, të kthyer në ekspozitë: Hamami i Madh. I ndërtuar në shekullin XV, hamami është një nga mbetjet e pakta të arkitekturës osmane në qytet. Duke mos qenë më një vend i gjallë i banjave shoqërore, hapësira është shkatërruar për dekada.
Brenda hamamit ndodhej “Tregoma rrëfimin tënd”, një vepër e artistes Chiharu Shiota që përbëhej nga copa letre me tregime personale të shkruara në to, të gjitha të varura me fije të kuqe të lidhura në traj. Instalacioni atraktiv tërhoqi të gjithë, nga adoleshentët që kërkonin prapavijë të bukur për fotografi e deri te politikanët që mbanin konferenca për shtyp, potencialisht duke ua rikujtuar njerëzve të Prishtinës mundësitë që kjo hapësirë e neglizhuar ende ruan brenda vetes.
Problemet e vjetra mbesin
Njëra nga ndërtesat më të dallueshme të Prishtinës, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ishte baza e përkohshme e Manifestas dhe gjithashtu vendi ku bienalja nisi në gusht. Me ndërhyrjet artistike të Flaka Haliti, Lee Bul dhe Astrit Ismaili, Manifesta e injektoi pak shpirt rinor e kulturor, që ka munguar me të madhe dekadave të fundit, si dhe tërhoqi Presidenten, Kryeministrin dhe Kryetarin e Komunës të bëheshin pjesë e ngjarjes hapëse bashkë me qindra njerëz.
Por ndërtesa nuk e ka pasur gjithmonë vëmendjen e udhëheqësve kosovarë. Ngjashëm me shumë ndërtesa ku Manifesta organizoi ngjarje dhe ekspozita, Pallati ka qenë nën pronësinë e AKP-së dhe më pas të Komunës. Premtimet ndër vite për të restauruar infrastrukturën e vjetër kanë mbetur boshe.
Megjithëse tepihu i kuq u shtrua për Manifesta, Teatri “Oda”, që ndodhet në Pallat prej vitit 2003, është ankuar për mungesë të mirëmbajtjes, ngrohjes, izolimit dhe sigurisë. Ndonëse në vitin 2021 u hap një thirrje për projekte rinovimi për hapësirën e organizatës teatrore jofitimprurëse, asnjë hap nuk është ndërmarrë deri tani. Kur K2.0 pati kontaktuarKomunën për t’i pyetur për planin, patën thënë: “Jemi shumë të zënë me Manifestan”.
Kjo ka bërë që organizatat kulturore vendore të ndihen të neglizhuara. Dramaturgu Jeton Neziraj, njëherit drejtor i organizatës kulturore jofitimprurëse Qendra Multimedia, e cila ndan hapësirën me teatrin “Oda”, është kritik për “rrethanat armiqësore” me të cilat përballen organizatat vendore në krahasim me mbështetjen dorëshlirë të qeverisë ndaj Manifestas. Teksa “Oda” dhe Qendra Multimedia rrinë të vendosura në një bodrum të Pallatit dhe përballen me probleme serioze infrastrukturore, tha Neziraj, “ndërkombëtarëve”, pra Manifestas, iu dhanë zyra komode sipër.
Manifesta 14 gjeti sektorin e artit dhe kulturës në Kosovë duke u përballur me problemet sistematike, që janë grumbulluar gjatë dy dekadave të fundit. Organizatat e pavarura kulturore përballen me mbështetje të paqëndrueshme financiare, mungesë të hapësirës së punës dhe pengesa të ngurta burokratike për t’u qasur në fondet publike.
Organizatorët e bienales e kanë vlerësuar se buxheti total i bienales së këtij viti ishte rreth 6 milionë euro, shumë prej të cilës 69% është paguar me fondet publike nga Kosova; Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ishin kontribuuesit kryesorë. Drejtoria e Kulturës në Prishtinë ka refuzuar vazhdimisht t’i ofrojë K2.0 një raport më të detajuar të buxhetit se çka i është ndarë Manifestas dhe si është shpenzuar, duke përmendur nevojën për t’i pritur raportet përfundimtare pas përfundimit të Manifestas.
Në një podcast, Vesa Sahatçiu, ish-këshilltare e kryetarit të Prishtinës dhe ish-anëtare e bordit të Manifesta 14, deklaroi se Komuna ka ndarë rreth 2 milionë euro për bienalen. Ministria e Kulturës përmes një emaili për K2.0 ka treguar se ka ndarë 1,971,881 euro për Manifesta.
Financimi publik ndaj Manifesta, u përcoll me disa kundërshti pasi u bënë publike detaje të dy faturave të ushqimit, në total mbi 5,000 euro, që qyteti pagoi për të ftuarit ndërkombëtarë. Komuna iu përgjigj bujës duke thënë se shpenzimet ishin në përputhje me rregulloret përkatëse të qytetit.
Lajmi ishte veçanërisht neveritës për Jeton Nezirajn. “Është hipokrizi, ky raport i shtetit me Manifestën, kjo zemërgjerësi e tepruar, ndërkohë që, skena kulturore vendore është e gjuajtur në margjina, e injoruar, e përbuzur për vite”, tha ai.
Në vitin 2021, Qendrës Multimedia, Ministria e Kulturës ia ndau 5,000 euro për Festivalin e tyre vjetor ndërkombëtar letrar Polip. Në një postim thumbues në Facebook, Qendra Multimedia e refuzoi financimin, duke e cilësuar atë si të vogël dhe të pamjaftueshëm dhe sugjeroi me sarkazëm që Ministria t’ia ofronte të gjitha mjetet Manifestas. Ky lloj zhgënjimi për bienalen nga figurat kulturore është i përhapur, ndonëse pak e shprehin hapur.
Veton Nurkollari, drejtori artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit në Prizren, Dokufest, pati shqetësime të ngjashme. Në një intervistë për K2.0 në gusht, tha se mbështetja masive financiare e shtetit për Manifesta 14 tregoi se çka mund të bëhet për ngjarjet kulturore në Kosovë. Gjithashtu theksoi zhgënjimin e tij që Dokufestit i duhet të vazhdojë të aplikojë për thirrje të mundimshme për mbështetje publike, teksa “Manifesta 14 nuk aplikoi për asnjë thirrje dhe mori disa milionë nga fondet publike”.
Gjersa Manifesta pranoi afërsisht 4 milionë euro fonde publike, së fundmi ndarja vjetore e fondeve për organizatat kulturore nga Ministria e Kulturës ishte 1.7 milionë euro. Kjo shumë u shpërnda mes 51 organizatash dhe u vonua tetë muaj.
Manifesta 14 deklaroi se rreth gjysma e buxhetit të tyre, pak më shumë se 3 milionë euro, shkoi për shpenzime dhe investime direkte në Kosovë, për shembull, mbulimi i pagesave të artistëve, projektet e restaurimit dhe ndërhyrjet, përgatitja e vendeve si Grand Hoteli për qasje publike dhe për pagat e personelit nga Prishtina.
Megjithatë, për artistin Driton Selmani, trashëgimia e Manifesta 14 ka të bëjë me më shumë sesa thjesht paratë, për të ishte një mundësi për ngritje të kapaciteteve. “Kishte kontribut të rëndësishëm vendor. Shumë punonjës të kulturës u punësuan nga Manifesta 14 dhe mendoj se kjo ishte një përvojë e vlefshme për institucionet e ardhshme kulturore që aspirojmë t’i themelojmë”, tha ai. Nga 53 të punësuarit me orar të plotë të bienales, 88% ishin kosovarë. Ndërkohë 175 kosovarë tjerë u trajnuan dhe u angazhuan si personel mbështetës dhe u punësuan për 100 ditët e bienales.
Për shkak të regjimit kufizues të vizave, shumë kosovarë nuk kanë qasje në botën e artit ndërkombëtar, veçanërisht në vendin e ardhshëm nikoqir të Manifesta, Spanjën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për artistin Alban Muja, fakti që Manifesta arriti ta sjellë botën e artit ndërkombëtar te kosovarët ishte karakteristika e saj më domethënëse. “Artistët e rinj nuk kanë shumë mundësi të dalin jashtë vendit dhe të shohin vepra arti e të ekspozojnë punën e tyre, andaj kjo është një mundësi shumë e mirë për ta”, tha ai.
Sociologia dhe ligjëruesja e Universitetit të Prishtinës, Linda Gusia, përmendi Qendrën për Praktikën Rrëfyese si “historia më e mirë e suksesit” e Manifestas, për atë se si u mor një hapësirë publike e braktisur dhe u restaurua për shfrytëzimpublik. Ajo shtoi gjithashtu se duhet të ketë më shumë informacione në dispozicion për publikun për planet për të ardhmen e Qendrës.
Sipas Manifesta, Qendra do ta vazhdojë aktivitetin e saj së paku deri në vitin 2027 “me një investim të parashikuar prej 1 milionë euro” dhe do të jetë pronë e Komunës së Prishtinës. Komuna nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0 se si do të financohet dhe menaxhohet kjo qendër pas përfundimit të Manifesta 14.
Një nga shembujt më të rëndësishëm dhe më të suksesshëm të rinovimit të hapësirave publike të braktisura në Prishtinë para Manifestas ishte Termokiss. Në një strukturë të madhe të braktisur, dikur në pronësi të ndërmarrjes publike të ngrohjes së Prishtinës, një grup të rinjsh e të rejash u zhvendosën dhe e transformuan atë në një qendër komunitare dhe hapësirë për ngjarje.
Megjithatë, Termokiss nuk u shfaq në hartën gjelbër e vjollce të Manifesta dhe anëtarët kryesorë të saj nuk janë përfshirë në rivitalizimin e hapësirave si Qendra ose Fabrika e Tullave për shkak të dallimeve të mendimeve rreth asaj se çka do të përfshinte një bashkëpunim i mundshëm.
Nikki Murseli, arkitekte dhe aktiviste e komunitetit Termokiss, vuri në pikëpyetje nevojën për një qendër krejtësisht të re siç është Qendra për Praktikë Rrëfyese dhe tha se një numër i organizatave ekzistuese kulturore në Prishtinë shpresonin se hapësira do t’i akomodonte nevojat e tyre për më shumë hapësirë pune dhe burime teknologjike, në krahasim me strehimin e një organizate të re. “Nuk u mor parasysh gjatë diskutimit nëse kemi nevojë për një qendër të tillë të re”, tha ajo, “ose nëse kemi nevojë për më shumë hapësirë që mund të ndahet mes organizatash ekzistuese”.
Ndonëse Manifesta e ftoi Termokissin të kontribuonte në rivitalizimin e Fabrikës së Tullave, Murseli pohon se “qasja e Manifesta ishte sikur ne të mos ishim partnerë. “Kur ata e prezantuan punën, mua më shumë më është dukë si konkurencë në skenë lokale, sesa si shtysë që organizatat vendore të forcohen”.
U diskutua se Fabrika e Tullave do të shfrytëzohej si hapësirë për bizneset e reja, kompanitë teknologjike dhe profesionistët e pavarur gjatë dhe pas bienales. Manifesta i ofroi hapësirën dhe pak buxhet Qendrës Inovative të Kosovës (ICK) për t’i futur këto plane në lëvizje, por shumë pak u bë “për shkak të motit dhe mungesës së internetit të duhur”, sipas bienales.
Ngjashëm, Korridori i Gjelbër duket se nuk doli siç ishte planifikuar. Gusia sugjeroi se çfarë mungoi ishte angazhimi më kuptimplotë me njerëzit që përdorin hapësirën dhe se ndryshimet e rëndësishme urbane nuk mund të arrihen me projekte afatshkurtra.
Murseli shprehi shqetësime edhe për Korridorin e Gjelbër. “Unë nuk e pashë askund, ku është ai korridor i gjelbër“, tha ajo. “Si arkitekte, prisja një projekt më profesional; si qytetare dua të di se sa para nga buxheti i shtetit janë shpenzuar aty”.
Manifesta shpërfaqi se me mobilizimin e duhur, sektori i kulturës në Kosovë mund të lulëzojë. Siç tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një intervistë për Le Monde, “Qyteti dhe bienalja kanë bashkuar forcat për ta arritur një transformim të domenit publik”.
Rama ishte pjesë e bordit të Manifesta 14. Ai u emërua para se të zgjidhej kryetar i komunës.
Megjithatë, ky mobilizim i la disa pjesë të skenës kulturore vendore të ndihen sikur “E tërë aparatura e shtetit është kthyer në shërbim të Manifestës”, siç tha Neziraj, “neve as emailat nuk na i kthejnë”.
Ç’pritet tutje?
Shumë e lavdërojnë ndikimin e Manifesta 14 dhe i gëzohen mundësive që ka hapur për skenën kulturore të Kosovës. Selmani beson se Manifesta 14 “e ka larguar pluhurin nga pasuria që e kemi”, duke shtuar se trashëgimia e Manifestas duhet të jetë besim i ripërtërirë për kosovarët që ta “ndërtojmë historinë tonë”.
Por të tjerë pyesin se çka la pas Manifesta. “Cili është plani pas largimit? A është që me 1 nëntor të gjitha ekspozitat ka me u futë në paketa edhe kanë me shku?” pyeti Linda Gusia. Sipas Manifesta 14, po diskutohet që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës mund t’i blejnë vepra artistike nga pjesëmarrësit kosovarë dhe rajonalë të bienales së sivjetshme, por plane konkrete nuk janë bërë publike.
Organizatorët e bienales njoftuan K2.0 se do ta publikojnë një raport të ndikimit duke përfshirë intervista me vendorët. Rezultatet do të publikohen në pranverën e vitit 2023. Një raport i veçantë që do t’i shikojë kthimet në investim dhe rezultatet e grupeve të fokusit do të publikohet gjithashtu.
Gjatë përgatitjes për Manifesta dhe gjatë 100 ditëve të ngjarjes, thirrjet vendore që Kosova ta ketë muzeun e saj të përhershëm të artit bashkëkohor u bënë edhe më të zëshme. Mbështetësit shpresojnë se ky mund të jetë njëri nga rezultatet më afatgjate konkrete të bienales. Në maj të vitit 2022, Ministria e Kulturës bëri publike planet për një muze të tillë dhe ministri Hajrulla Çeku caktoi një këshill, që do të udhëhiqet nga Yll Rugova, nënkryetar i bordit të Manifesta 14 dhe drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Prishtinë në kohën kur Manifesta u ftua në qytet.
Më 28 tetor, dy ditë para përfundimit të Manifesta 14, Ministria e Kulturës organizoi një simpozium për t’i diskutuar idetë për muzeun e ardhshëm, për të cilin ministri Çeku tha se po përdorin njohuritë dhe përvojën e Manifesta. Si vendndodhje po konsiderohen Fabrika e Tullave dhe aneksi i Rilindjes.
Tani për tani, Manifesta 14 është zotuar të jetë më pak nomade sesa në edicionet e kaluara dhe planifikon të lë pas një grup njerëzish për të ndihmuar në drejtimin e Qendrës për Praktikë Rrëfyese. Ndonëse kanë financim për katër vite, nuk është ende e qartë se si do të menaxhohet kjo qendër saktësisht apo cili do të jetë saktësisht roli i Manifestas në të. Komuna e Prishtinës nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth menaxhimit të ardhshëm, pronësisë dhe buxhetit të Qendrës.
Pasi Manifesta të shkojë, duket se disa ndërtesa do t’i lë të braktisura ashtu siç i gjeti. Hamami i Madh i Prishtinës duket të jetë një prej tyre.
Në vitin 2021 hamami mendohej të rinovohej nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe për këtë, u nënshkrua një memorandum. Por pasi TIKA kërkoi që hamami të riemërohej Muzeu i Hamamit Fatih (“fatih” që do të thotë “pushtues”), pati reagime publike në lidhje me përpjekjen për një festim të politizuar të pushtimit osman të Ballkanit. Menjëherë pas kësaj, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës e anuloi vendimin.
K2.0 pyeti Komunën e Prishtinës nëse ende ekzistojnë planet për restaurimin e hamamit dhe shndërrimin e tij në muze, por ata nuk u përgjigjën. Kur u pyet për planet për hamamin, Ministria e Kulturës përmendi një memorandum ekzistues me TIKA-n, megjithëse projekti i tyre i vitit 2021 u anulua.
Teksa trashëgimia e Manifestas dhe e ardhmja e skenës kulturore në Kosovë është e paqartë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vetëm një ditë pas mbylljes së bienales njoftoi se do ta rrisë buxhetin vjetor nga 39 milionë euro në vitin 2022 në mbi 57 milionë në vitin 2023. Ministria tha gjithashtu se “po ndërmarrin hapa për t’u siguruar që të mbetet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestas, diçka që do të finalizohet ditëve në vijim”.
Gjersa Manifesta po niset drejt Barcelonës, ku do të zhvillohet edicioni i 15-të në vitin 2024, një gjë duket e sigurt — me Spanjën që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe regjimin e mundimshëm të vizave, pak, në mos asnjë kosovar duket se ka gjasa të jetë pjesë e bienales nomade së shpejti.
Klauzolë: Kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci është anëtare e papaguar e bordit të Manifesta 14. Ajo nuk ka pasur asnjë rol në prodhimin e këtij artikulli dhe nuk ka pasur qasje në përmbajtjen e tij para botimit.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.