Në thelb | Art

Si t’i tregojmë historitë ndryshe

Nga - 02.11.2021

Bienalja Manifesta shpreson ta riimagjinojë mjedisin urban të Prishtinës.

Në fillim të gushtit, gjatë atyre ditëve të nxehta të verës që dukeshin që s’do mbaronin kurrë, Vanesa Orana erdhi në përfundim se rrugët e Prishtinës ishin shumë më të rrëmujshme, më të pjerrëta dhe më të ngushta se që e kishte menduar ndonjëherë. Si dikush që ka jetuar tërë jetën në Prishtinë, Orana e njeh kaosin urban të kryeqytetit. Tani, në vitin e fundit të studimeve universitare për arkitekturë, ka bërë lexime të shumta mbi planifikimin e rrëmujshëm urban të Prishtinës.

Megjithatë, vetëm kur e kaloi verën duke mbledhur të dhëna pamore nga rreth 2000 rrugë anembanë kryeqytetit, arriti t’i shohë me sy më kritik çështjet urbane të Prishtinës. Pjesë e një ekipi prej rreth 15 studentësh të arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Orana përshkoi dhe inçizoi pamjet e pothuajse çdo cepi të qytetit — nga sheshi “Skënderbej” tek Kodra e Trimave e deri në Sofali — qoftë në këmbë me kamerë të montuar në helmetë apo me veturë që po ashtu pati kamerë.

Pesëmbëdhjetë studentë të arkitekturës dolën në gjithë qytetin dhe mblodhën të dhëna pamore nga pothuajse secila rrugë në qytet. Foto: © Manifesta 14 Prishtina | Atdhe Mulla.

“Në lëndën e urbanizmit e kemi diskutuar trafikun e rënduar të Prishtinës, mungesën e hapësirave publike dhe trotuaret e mbingarkuara; megjithatë, këto probleme i vëreni shumë më qartë kur e analizoni secilën rrugë nga afër. Më duket se tash e njoh Prishtinën më mirë”, thotë Orana, teksa kujton përvojën e saj nga puna në terren.

Studimi i hartëzimit nga studentët e arkitekturës është një nga elementet e shumta të Vizionit Urban të edicionit të radhës të Manifesta-s, një bienale nomade evropiane e artit që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2022. Me synimin që të kuptojë se si përdoret hapësira publike e qytetit, studimi shqyrton lëvizjet e njerëzve, biçikletave dhe automobilave dhe ndërveprimin ndërmjet tyre. Miliarda pamje të videove të incizuara nga studentët janë dërguar tashmë në Senseable City Lab, hapësirë ​​kërkimore në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) që kombinon planifikimin urban, arkitekturën dhe shkencën kompjuterike.

Atje, të dhënat pamore do të sintetizohen me inteligjencë artificiale për ta krijuar një hartë unike urbane, në bazë të së cilës do bëhen ndërhyrjet në kuadër të edicionit të 14-të të Bienales Manifesta, që do të fillojë në korrik të vitit 2022 dhe do të zgjasë tre muaj.

Manifesta organizohet në një qytet të ri çdo dy vjet dhe përbëhet nga një varg aktivitetesh që përfshijnë ekspozita arti, diskutime, ndërhyrje në hapësirën publike dhe publikime. Duke bashkuar audiencën vendase dhe atë ndërkombëtare, bienalja tenton të nisë dialog rreth prodhimit artistik, teorisë, politikës dhe ndryshimit shoqëror midis hapësirave dhe konteksteve të ndryshme kulturore. Dy edicionet e mëparshme të saj ndodhën në Marsejë të Francës dhe Palermo të Italisë.

Manifesta do të ndërhyjë në disa nga ndërtesat ikonike të Prishtinës që janë shpërfillur për vite me radhë.

Nën titullin “ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si t’i tregojmë historitë ndryshe”, edicioni i 14-të i bienales në Prishtinë përqendrohet në përdorimin e rrëfimit dhe praktikave të narrativave si mjete të angazhimit qytetar e politik për t’i rimenduar dhe transformuar mjediset ekzistuese sociale, ekologjike dhe urbane.

Drejtorja dhe themeluesja e Manifesta-s, Hedwig Fijen thotë se gjatë muajve të fundit kanë organizuar ndërhyrje të përkohshme urbane, studime hartëzuese dhe diskutime me institucione publike, njerëz nga akademia dhe organizata vendore për t’i identifikuar hapësirat publike që shpresojnë t’i riimagjinojnë përmes ndërhyrjeve artistike.

Në tetor, në Kino Armata, drejtorja dhe themeluesja e Manifesta, Hedwig Fijen prezantoi pjesë të programit. Foto: © Manifesta 14 Prishtinë | Atdhe Mulla.

“Përveç pjesës artistike, natyrisht që ka edhe projekte edukative [në program]”, tha Fijen. “Dhe mendoj se komponenti artistik dhe hulumtimi paraprak tani po përbashkohen. Projektet e propozuara nga kuratorja janë kyçe në të kuptuarit dhe shtjellimin e asaj se çfarë rëndësie mund të ketë hapësira publike ekzistuese për qytetin në të ardhmen”.

Vizioni Urban dhe Koncepti Kuratorial i Manifesta-s u prezantua publikisht në Kino Armata më 12 tetor. Vizioni urban u krijua nga zyra e dizajnit CRA-Carlo Ratti Associati, e drejtuar nga profesor Carlo Ratti, ndërsa koncepti kuratorial u krijua nga studiuesja dhe kuratorja e arteve, Catherine Nichols.

Vizioni urban dhe koncepti kuratorial përfshijnë plane të ndërhyrjes në disa prej ndërtesave ikonike të arkitekturës moderne brutaliste në Prishtinë — Pallatin e Rinisë dhe Sporteve dhe hotelin “Grand” ndër të tjera — si dhe në hapësira të tilla si Fabrika e Tullave dhe ish-biblioteka “Hivzi Sulejmani” të cilat prej vitesh nuk funksionojnë dhe janë lënë pas dore.

Hapësirat për ndërhyrje urbane dhe artistike janë përzgjedhur në koordinim me Komunën e Prishtinës [klauzolë, Kryeredaktorja e K2.0 është në bordin e Manifesta 14]. Ardian Berisha, drejtor i kulturës në komunën e Prishtinës, tha se lokacionet e përzgjedhura përfaqësojnë ndërthurjen karakteristike të trashëgimisë arkitekturore osmane dhe socialiste në Prishtinë. Por gjithashtu shtoi se komuna do të propozojë përfshirjen edhe të lokacioneve që përfaqësojnë sistemin paralel shqiptar të viteve 1990.

Në ish-bibliotekën “Hivzi Sylejmani” tashmë kanë filluar ndërhyrjet e para urbane të Manifesta 14. Foto: © Manifesta 14 Prishtinë | Atdhe Mulla.

“Besojmë se ky është një draft-koncept andaj ne do të propozojmë edhe hapësira të tjera, konkretisht ato si shtëpia e familjes Hertici, Teatri Dodona, Hani i Dy Robertëve apo ndërtesa e Shoqatës Nënë Tereza”, tha ai.

Eksperimentet në qytet

Ndërhyrjet e para urbane të Manifesta 14 veç kanë filluar. Këtë verë, ekipi i studentëve të arkitekturës, i udhëhequr nga Carlo Ratti, filloi një fushatë të koordinuar për të tërhequr vëmendjen e publikut tek hapësirat publike të lëna pas dore në qytet. Ata morën hapësirën e Fabrikën e Tullave, një vend të braktisur post-industrial dhe e kthyen përkohësisht në një laborator të urbanizmit pjesëmarrës.

“Gjatë takimeve që patëm në Fabrikën e Tullave, na erdhi ideja që aty të organizojmë netë të filmit, si mënyrë të rikthimit të asaj hapësire publike”, tha Orana, studentja e arkitekturës.

Për Ratti-n, këto lloj ndërhyrjesh të përkohshme urbane qëndrojnë në thelbin e arkitekturës me burime të hapura— një qasje e transformimit të një qyteti përmes angazhimit të banorëve për të bërë ndryshime urbane. “Ashtu si në rastin e softuerit [me burime të hapura], kjo do të thotë t’u japësh të gjithëve hapësirë për të kontribuuar në bërjen e qytetit”, tha ai. “Në arkitekturën me burime të hapura, urbanizmi  përcillet e shkëmbehet vazhdimisht midis propozimeve, instalimeve, transformimeve — të gjitha duke i analizuar, përdorur dhe zbatuar kërkesat e njerëzve”.

Studentët e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me profesorin e MIT Carlo Ratti, filluan ndërhyrjet në Fabrikën e Tullave, duke organizuar shfaqje filmash dhe eksperimente për rinovimin urban. Foto: © Manifesta 14 Prishtinë | Atdhe Mulla.

“Gjithçka qëndron tek ajo se duhet të provojmë gjëra — disa do të jenë më të suksesshme, disa më pak. Kjo do të na mësojë nëse duhet t’i kthejmë ndërhyrjet e përkohshme në ndërhyrje të përhershme”, tha Ratti. “Do të dëshironim të shihnim diçka që nuk është e suksesshme, sepse kjo do të na tregonte se çfarë nuk dëshirojnë njerëzit “.

Një nga ndërhyrjet e propozuara eksperimentale të Manifesta 14 është “Ura e Munguar”, e cila do ta mundësonte lidhjen e platformës së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve me atë të Hotelit Grand, një distancë rreth 500 metra. Emri i urës rrjedh nga fakti se ishte pjesë e planit urbanistik të qytetit në vitet 1970. Ura synonte t’ua mundësonte vizitorëve të hotelit të arrinin në kompleksin sportiv pa pasur nevojë ta kapërcenin rrugën. Megjithatë, nuk u ndërtua kurrë dhe mbeti pothuajse e harruar nëpër skica të vjetra.

Tani, si pjesë e vizionit urban të Manifesta 14, shpresohet që “Ura e Munguar” t’u japë jetë të re të dy platformave, të cilat nuk janë të mirëmbajtura dhe nuk shfrytëzohen mjaftueshëm. Sipas Ratti-t, ura kërkon nuk kërkon shumë investime për t’u ndërtuar. Nëse ka sukses, ura mund të bëhet pjesë e trashëgimisë urbane afatgjatë të qytetit.

Projektuesi i vizionit urban të Manifesta 14, profesori i MIT, Carlo Ratti, së fundmi vizitoi Fabrikën e Tullave ku po ndihmon në realizimin e eksperimenteve në “arkitekturën me burime të hapura” me studentët e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Foto: © Manifesta 14 Prishtinë | Atdhe Mulla.

Një tjetër ndërhyrje e propozuar për ta rikthyer hapësirën publike është “Shtegu i Këmbësorëve”, duke ripërdorur shinat jofunksionale hekurudhore që formojnë një kufi mes lagjes Arbëria dhe qendrës së qytetit. Plani është që shinat të transformohen në një korsi të gjelbër për ecje që do ta lidhte njërën anë të qytetit me tjetrën.

Një propozim i ngjashëm ishte bërë në vitin 2014 nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF), organizatë vendore partnere e Manifesta 14. Drejtori i KAF-it, Bekim Ramku thotë se plani fillestar ishte transformimi i hekurudhës në një hapësirë ​​të ngjashme me “High Line” (shq. Linja e lartë) të New York-ut — hekurudha e papërdorur e ngritur në Manhattan që u shndërrua në park të famshëm urban.

Megjithatë, për shkak të çështjeve të pronësisë së tokës dhe planeve për riaktivizimin e hekurudhës, propozimi i KAF-it nuk u miratua nga komuna. Më pas, në vitin 2019, Plani i Moblitetit të Qëndrueshëm Urban të Prishtinës propozoi vendosjen e një linje tranziti të tramvajit të shpejtë përgjatë shinave ekzistuese hekurudhore, e cila do të mund ta lidhte Fushë Kosovën, Prishtinën e Podujevën dhe eventualisht, aeroportin.

Duke marrë parasysh këto plane, Ramku shprehet skeptik se “Shtegu i Këmbësorëve” mund të bëhet i përhershëm. “Shumë qytete në mbarë botën po i kthejnë shinat e vjetra hekurudhore në shtigje biçikletash apo ecjeje. Mirëpo, në Prishtinë mendoj se kjo ndërhyrje mund të funksionojë vetëm përkohësisht pasi që tashmë ka plane për vënien në funksion të shinave”, tha ai, duke shtuar se mendon se banorët e lagjes “Arbëria” duhet të fuqizohen në marrjen e vendimit përfundimtar.

Tregimi si praktikë e ndryshimit

Në qendër të konceptit artistik kuratorial të Manifesta 14 është ideja e punës me kujtime, rrëfime dhe histori që përjashtohen prej sferës publike. Për Catherine Nichols, kuratoren e bienales, tregimi është mjet qenësor për t’u angazhuar në veprime politike dhe për të imagjinuar mundësi të reja për të ardhmen. “Nëse vazhdojmë të tregojmë të njëjtën histori, gjithmonë ka fund të keq — është gjithmonë maskuliniste, kapitaliste, antropocentrike dhe nuk po na ecën mirë me atë histori. Pra, ideja ishte të mendonim për subjektivitete të reja dhe të punonim me praktikat e mahnitshme që veç gjenden këtu [në Kosovë]”, tha Nichols.

Në tetor, kuratorja e Manifesta 14, Catherine Nichols prezantoi konceptin artistik në Prishtinë. Foto: © Manifesta 14 Prishtinë | Atdhe Mulla.

Duke u mbështetur në punën e studiueses feministe Donna Haraway, Nichols arriti tek titulli i bienales, “ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si t’i tregojmë historitë ndryshe”, si një ftesë për njerëzit që të mundohen pak dhe ta mendojnë se çka do të thotë të angazhohemi të gjithë në mënyrë aktive, nëpërmjet praktikave të ndryshme kolektive, në bërjen e botës ku jetojmë. “Doja të insistoja në agjencinë që kemi, sepse kjo është fuqia jonë për t’i ndryshuar gjërat. Ishte një këmbëngulje për poezinë, për aktivitetet, për imagjinatën dhe për faktin se është diçka që i përfshin të gjithë”, tha ajo.

Gjashtë propozime janë pjesë e konceptit kuratorial. Një prej tyre është Qendra për Praktikë Narrative, e planifikuar për ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani”. Qendra do të shërbejë si institucion i qasshëm studimi, mësimi eksperimental dhe krijimi që do të përfshijë bibliotekën, dhomat e leximit, hapësirat e ekspozimit, studion e prodhimit medial dhe një radio-stacion, përpos tjerash.

Ndërtesa dy-katëshe me fasadë rozë, me kopsht piktoresk dhe me vitin 1930 të gdhendur në murin e saj të përparmë është përplot rrëfime nga periudha të ndryshme historike. Thuhet se fillimisht i përkiste një tregtari hebre nga Prishtina, ndërsa nga viti 1944 deri në vitin 1948 — kur u shndërrua në bibliotekë — ndërtesa shërbeu si seli e Komitetit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë. Mbeti bibliotekë për gati 70 vite, deri në vitin 2016 kur biblioteka u zhvendos në një ndërtesë të re, më të madhe. Që atëherë, ndërtesa ka mbetur e papërdorur dhe e mbyllur për komunitetin.

“Është e rëndësishme të dokumentohet rrëfimi i nuancuar dhe përvojat e grupeve të ndryshme të njerëzve që kanë lidhje me ndërtesën, me qëllim që të ruhet e kaluara e saj”.

Ajete Kërqeli, Shtatëmbëdhjetë

Për ta dokumentuar dhe ruajtur trashëgiminë e këtyre historive, Shtatëmbëdhjetë, organizatë që përdor artin dhe kulturën për ta diskutuar rolin e hapësirës publike dhe ndërtesave të braktisura, ka udhëhequr hulumtimin e hartëzimit të kujtesës për ndërtesën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, me ftesë të Departamentit Edukativ të Manifesta 14. Një ekip prej shtatë studiuesish mblodhi materiale arkivore, intervistoi banorët, ish-lexuesit dhe stafin e bibliotekës për të krijuar një portret të asaj se çfarë kuptimi ka ndërtesa për komunitetin [klauzolë, autorja e artikullit mori pjesë në këtë hulumtim].

Ajete Kërqeli, menaxhere për zhvillim në Shtatëmbëdhjetë, thotë se hulumtimi synon ta informojë programin edukativ të Qendrës së ardhshme duke parë histori të ndryshme, iniciativa, aktivitete dhe grupe letrare që lidhen me punën e bibliotekës. “Është e rëndësishme të dokumentohet rrëfimi i nuancuar dhe përvojat e grupeve të ndryshme të njerëzve që kanë lidhje me ndërtesën, me qëllim që të ruhet e kaluara e saj dhe të kuptohet se në cilat forma i ka shërbyer komunitetit”, tha Kërqeli.

Ndërhyrje të tjera urbane përfshijnë një qendër mësimore eko-urbane në Fabrikën e Tullave, një qendër kërkimore multidisiplinare tek hoteli “Grand”, stacion online të Radio “Manifesta” ose në çatinë e ndërtesës së ish-Radios “Prishtina” ose në bulevardin “Nënë Tereza” dhe një sërë shëtitjesh përgjatë hapësirave të Prishtinës së vjetër. Gjithashtu, do të ketë 20 instalacione të artit publik të shpërndara në Bibliotekën Kombëtare, Kinon “Rinia”, Institutin Albanologjik, ndërtesën e Rilindjes, pishinën e Gërmisë dhe nëpër vende tjera.

Nichols është veçanërisht kurreshtare për ndërhyrjen në hotelin “Grand”. “Vendi është vërtetë magjepsës”, tha ajo, duke shtuar se për të, ky vend përfaqëson një premtim të dështuar për përparim. “Hoteli, si një lloj hapësire në gjendje të papërcaktuar ku njerëzit shkojnë e vijnë — flet për udhëtimin dhe në të njëjtën kohë, për ngecjen. Dikur premtoi shkëmbim ndërkombëtar, madhështi dhe lulëzim e tash e përfaqëson të kundërtën”.K

Imazhi i ballinës: © Manifesta 14 Prishtina | Atdhe Mulla

Korrigjim (3 nëntor 2021): Në versionin origjinal të këtij artikulli ishtë dhënë informata e pasaktë se Vizioni Urban ishte dizajnuar nga Carlo Ratti. Ky informacion është korrigjuar me qëllim që të qartësohet që Vizioni Urban është krijuar nga zyra e dizajnit CRA – Carlo Ratti Associati, që udhëhiqet nga profesori i MIT, Carlo Ratti.

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.