S`fundmi | Art

Revolucioni i vogël i Runikut

Nga - 05.07.2018

Të shtunën Shtëpia e Kulturës e Runikut do ta mbajë shfaqjen e parë pas gati 30 vjetësh

Petrit Halilaj del nga shtëpia e tij herët në mëngjes dhe i përshëndetë fqinjët e tij gjatë rrugës për në qendër të qytezës, rreth 200 metra larg shtëpisë së familjes së tij në Runik. Djemtë e autolarjes te fundi i rrugës janë të parët që e përshëndesin prej matanë rrugës, e pas tyre disa vajza të reja rrugës për në shkollë.

Në shkurt, Halilaj u kthye në Kosovë nga shtëpia e tij në Berlin, duke bërë pauzë nga jeta e tij si artist bashkëkohor i vlerësuar ndërkombëtarisht, për ta ringjallur një hapësirë që dikur ishte ndër më të gjallat: Shtëpinë e Kulturës në Runik.

Deri para tri javëve, në Shtëpinë e Kulturës kishte vetëm bërllok, 16 kamiona me bërllok, për ta thënë saktësisht. Kjo ndërtesë, e cila aktualisht është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ishte pothuajse e shkatërruar. Mungonte pjesa më e madhe e kulmit, disa mure të saj ishin të shkatërruara dhe në dysheme kishte vetëm baltë. Një dru është rritur aty ku dikur ishte një teatër dhe disa radhë me ulëse të drurit.

Por tani, kjo hapësirë kulturore po e përjeton një përpjekje për ringjallje nga banorët e kësaj qyteze. Të shtunën (7 korrik) në ora 21:00 do të mbahet shfaqja e parë pas më shumë se dy dekadave, “Shkrepëtima”, një performancë e bazuar në teatër, e krijuar nga Halilaj dhe me regji të tij. Kjo performancë është produkt i hulumtimeve pesë muajshe për historinë kulturore të kësaj ndërtese dhe domethënien e saj për banorët e Runikut dhe fshatërat rreth tij. Hulumtimet u kryen nga një ekip të cilin e udhëheqi artisti.

Petrit Halilaj u kthye në Runik në shkurt për ta krijuar “Shkrepëtima”, një performancë që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës, ndërtesë që deri vonë ishte e braktisur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Projekti “Shkrepëtima” u lind si ide për ta gjallëruar një komunitet, më shumë se një ndërtesë. E ndërtuar në vitet e 1950-a, Shtëpia e Kulturës në Runik e ruan strukturën e thjeshtë të epokës komuniste. Ndërtesa e ka vetëm një kat dhe atë në formën e shkronjës T. Dikur shërbente si teatër dhe kinema, bibliotekë me mbi 12,000 libra dhe kooperativë.

Veçanërisht gjatë të 70-ve dhe 80-ve, në këtë vend u mbajtën disa shfaqje dhe koncerte. Megjithatë, ajo u braktis në vitet e 90-a kur censurimi dhe shtypja u bënë veçori e jetës në këtë qytezë, siç ndodhi në gjithë Kosovën. Hapësira u braktis dhe në fund u shkatërrua, dhe ashtu mbeti.

Për ngjarjen e së shtunës, Halilaj ka shkruar një performancë krejtësisht të re me fragmente të shfaqjeve klasike të cilat ishin shfaqur në Shtëpinë e Kulturës në të kaluarën, përfshirë këtu “Toka Jonë”, “Cuca e Maleve”, “Nita” dhe “Hakmarrja”. Më shumë se 30 njerëz, përfshirë këtu aktorë profesionalë, por gjithashtu ish-mësues, fëmijë dhe banorë të Runikut, do të luajnë në këtë shfaqje, e cila gjithashtu përfshinë elemente muzikore.

Aspekti muzikor i performancës do ta përfshijë një kontribut nga ANDRRA dhe do ta inkorporojë gjithashtu përdorimin e okarinave, për shkak se instrumenti më i vjetër muzikor i Ballkanit okarina u zbulua në Epokën e Gurit në Runik. “Është mundësi për ta shkruar një histori të re që rritet nga kujtimet dhe historia”, shpjegon Halilaj, i cili ka bërë përpjekje për ta hulumtuar dhe krijuar lidhjen ndërmjet dy botërave të Runikut, ajo mbi tokë, dhe historinë e nëntokës të saj.

Bashkë me ekpin, Petrit Halilaj ndërmorri një projekt hulumtues që zgjati pesë muaj dhe përfshiu intervista me ish-mësues dhe banorë të Runikut, dhe ekzaminim të dokumenteve arkivore për ta krijuar një ‘portret kulturor’ të qytezës. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Halilaj shpreson se portreti kulturor dhe thellësisht i hulumtuar i qytezës do të shërbejë si thirrje zgjimi. “Kjo mund ta ndryshojë opinionin që nuk ja vlenë të bësh diçka këtu, ose që njerëzit nuk do të kthehen. Mund ta ndryshojë përgjithmonë dhe të fillojë ta transformojë si ndërtesë”, thotë ai.

Për këtë ai ka krijuar një performancë e cila “lidhet shumë me ëndrra, me një person që don diçka më shumë dhe shkon kundër traditës e ballafaqohet me sfida të ndryshme për ta realizuar qëllimin”. Fragmentet e shfaqjeve të zgjedhura lidhet me qëllimin për t’u bërë diçka që nuk e ke të shkruar të jesh; për të tejkaluar. Janë histori të dashurisë së ndaluar, gjakmarrjes, luftimit të ideve të themeluara dhe paragjykimit.

Duke ndërmarrë këtë projekt, Halilaj tha “desha ta kuptoja se çfarë është hapësira publike në vendin e prejardhjes sime dhe si e trajtojmë ne atë, çfarë domethënie ka për neve”. Si burrë gej, një pjesë e motivimit i erdhi si rrjedhojë e pjesëmarrjes në paradën e parë të Krenarisë LGBT në Kosovë e cila u mbajt tetorin e vitit të kaluar, sepse ajo përfaqësoi një mënyrë të re të përjetimit të hapësirës publike në vendin e tij.

Marrëdhëniet ndërmjet hapësirës publike dhe private janë edhe më relevante për shkak se ato janë hapësira të shprehjes të kushtëzuara dhe formësuara prej disa shtresave, përfshirë këtu presionet e shoqërisë dhe familjeve. “Rruga, dhe hapësira publike, dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre, dhe kjo përplasje ndërmjet institucionit që është familja dhe sistemit të ri dhe jeta e krijuar pas luftës… ende ka shumë tension. Mendon se është i padukshëm sepse harron, por të godet”, thotë ai.

Zëri i qytezës

Për të zgjedhur fragmente dhe krijuar performancën, zërat e njerëzve në Runik, të theksuar nëpërmjet intervistave të gjata, kishin rol qendror. Një prej këtyre zërave ishte Sala Ahmetaj, një grua nga fshati Radishevë, jo shumë larg Shtëpisë së Kulturës. Ahmetaj (e lindur në vitin 1950) ishte gruaja e parë që dha mësim në këtë fshat, në moshën 19 vjeçare. Më vonë ajo u bë gruaja e parë nga rajoni i Drenicës që u bë profesoreshë.

Edhe emri i projektit vjen nga Ahmetaj, për shkak se ‘Shkrepëtima’ është emri i revistës kulturore të cilën ajo e bashkëthemeloi me mësues dhe studentë të shkollës në Runik. Revista u prodhua me një makinë shkrimi gjatë viteve të 70-a dhe 80-a, dhe inkorporoi lloje të ndryshme të eseve, poezive dhe artikujve. Ishte gjithashtu shumë e lidhur me aktivitetet e Shtëpisë së Kulturës.

Sala Ahmetaj e publikoi revistën Shkrepëtima gjatë të 70-ve dhe 80-ve, duke përfshirë mësues dhe studentë të Runikut. Foto: Cristina Mari / K2.0.

“Kur e shoh në mënyrë retrospektive, gjenerata ime në atë kohë kishte një mision”, thotë Ahmetaj. “Unë nuk isha vetëm mësuese, shumë prej neve ishim misionarë. Në vitet e 60-a Kosova ishte në errësi absolute, sa i përket edukimit, kulturës dhe fushave të tjera. Në vitet e 70-a, ne filluam t’i shtyenim para gjërat, për shkak se Kosova po jetonte një renesancë kombëtare. Unë isha me fat që isha pjesë e asaj vale që punoi me përkushtim të pashembullt. Ne bënim gjëra që realisht nuk ishin detyrat tona”.

Ahmetaj kujton kohën kur i angazhonte studentët në punime teatrale, por edhe luante vet në shfaqje si “Toka Jonë” dhe “Hakmarrja”. “Përzgjedhja e shfaqjeve që e kemi bërë ne ishte pjesërisht për ta kultivuar një ndërgjegje kritike, apo në rastin e “Cuca e Maleve”, për të kultivuar njohuri të përgjithshme, veçanërisht për arsimimin e vajzave”, thotë ajo.

Ahmetaj, e cila aktualisht punon si profesoreshë e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, gjithashtu kujton vlerën e kësaj qendre dhe veçanërisht bibliotekës së saj, prej së cilës ajo morri plot libra që e frymëzuan për ta ndjekur ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese.

E ardhmja

Një veçori tjetër e performancës do të jetë bibliotekarja e Runikut, Zenije Selmani, e cila i ruajti shumë prej librave të bibliotekës së Shtëpisë së Kulturës dhe ndihmon me vazhdimin e trashëgimisë për gjeneratën e ardhshme në bibliotekën aktuale publike të qytezës. Një prej anëtarëve të kësaj gjenerate të re është 23 vjeçarja Blerta Haziraj, e cila u përfshi në hulumtimet për “Shkrepëtima”.

“Kur isha më e re ne shkonim në xhami. Ishte hapësirë ku ne socializoheshim”, shpjegon Haziraj, duke folur për Runikun me dashuri të veçantë. “Shtëpia e Kulturës ishte ngjitur me të, dhe dikur kurioziteti na shtyu të hynim brenda. I gjetëm disa kostume të vjetra, dhe kjo ishte arsyeja që vazhdova të punoja me një grup të teatrit”.

Për 23 vjeçaren Blerta Haziraj, projekti i ri e ka ringjallur qytezën dhe e ka kthyer përsëri frymën dhe përgjegjësinë e atyre që janë përfshirë në Shtëpinë e Kulturës në të kaluarën. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për Hazirajn, tradita e teatrit vazhdoi edhe në shkollë, dhe si Ahmetaj, edhe ajo luajti në shfaqje klasike si “Toka Jonë”. Megjithatë, nuk ka më teatër në këtë qytezë. “Atëherë kishim teatër, por nuk kishim fonde për ta vazhduar punën. Tani i kemi fondet, por nuk e kemi teatrin”, thotë ajo. Në ditë të sotit, Haziraj dhe motrat e saj, shumica të reja, nuk jetojnë në Runik. “Këtu nuk ka asgjë për rini. Ata po largohen”, thotë ajo.

Megjithatë, prej shkurtit, Haziraj ka parë atë që e përshkruan si një energji të veçantë në këtë qytezë. Njerëzit po shfaqin një ngazëllim kolektiv për ta kthyer frymën, nëse jo ndërtesën, e Shtëpisë së Kulturës. “Njerëzit që ishin pjesë e këtyre aktiviteteve në atë kohë e panë vetën si misionarë, të cilët ishin aty për ta ngritur një identitet shoqëror, kulturor apo personal. Na jep një përgjegjësi”, thotë ajo.

49 vjeçari Shefki Beqiri, i cili i kaloi 10 vjet në Gjermani dhe tani është pronar i një prej dy restoraneve në rrugën kryesore të qytezës, mendon se njerëzve u humbi shpresa në Runik. “Tani gjithçka është private”, ankohet ai. Në rrugën kryesore të Runikut ka vetëm biznese private dhe disa kiosqe të cilat e bllokojnë pamjen e Shtëpisë së Kulturës, rreth së cilës fqinjët mblidhen e diskutojnë për fatin e saj.

Shefki Beqiri beson se nuk ka hapësira publike të mjaftueshme në Runik. Një pjesë tepër e madhe e qendrës së qytezës është privatizuar. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Ky është një vend ku mund ta kemi një shtëpi të kulturës apo një park ku njerëzit mund të ecin dhe ta shijojnë ditën, por ka vetëm vetura dhe s’ke vend për të bërë diçka”, thotë Beqiri. “Komuniteti duhet të bëjë diçka, por të gjithë luftojnë për interesa personale, dhe Komuna [e Skenderajit] nuk është e interesuar. Vetëm Petriti që arriti të nxjerrë diçka prej rrënojave”.

Pavarësisht që beson se njerëzve u ka humbur shpresa, posterët e “Shkrepëtimës” janë të vetmit që i kanë dekoruar dyert dhe banakun në restorantin e Beqirit. Ai thotë se definitivisht do të merr pjesë në performancën e së shtunës.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.