Në thelb | Festivalet

Problemet me hapësirën kulturore

Nga - 02.06.2019

A është duke e lënë të uritur festivalizimi kulturën e pavarur?

Fustane glamuroze, njerëz të njohur dhe blica të kamerave. Politikanë, yje filmash, njerëz me ndikim dhe biznesmenë duke ecur në tepihun e kuq. Skenë e njohur për shumicën e rajonit të Ballkanit, ku shumë lloje të ndryshme të festivaleve të përvjetshme, prej atyre të fokusuara në filma e deri te festivalet muzikore, janë bërë ngjarje të rregullta në kalendarin kulturor.

Por përderisa mediat lokale përdorin tituj bombastik dhe e fokusojnë vëmendjen e audiencës te sponzorët që shpeshherë portretizohen si patronë të artit te njerëzit e njohur, thashethemet dhe ndejat shumë të rëndësishme, ekziston tendenca për ta harruar dhe anashkaluar disi artin.

Ndoshta shembulli më i mirë është Festivali i Filmit në Sarajevë, festivali më i rëndësishëm i filmit në rajon që sivjet u bë festival i kualifikuar për çmimin Oscar. Çdo vit, përzgjedhësit i sjellin disa prej filmbërësve më të rëndësishëm në kryeqytetin e Bosnjes dhe Hercegovinës, por puna e tyre shpeshherë fiton më pak vëmendje nga mediat sesa pozat e tyre në tepihun e kuq.

Kritikët argumentojnë se festivalet e konsumojnë një proporcion të madh të buxheteve shtetërore dhe lokale për kulturë, shpeshherë në dëm të mbështetjes së prodhimeve të vazhdueshme të aktorëve dhe artistëve të pavarur.

Matanë rajonit, gjeneratat e reja, të cilat rriten duke i shikuar mbrëmjet e hapjes dhe ëndërrojnë që një ditë të jenë pjesë e tyre, kanë pak apo aspak mundësi të lexojnë kritika të artit apo të gjejnë hapësirë për ta diskutuar punën e prodhuar, dhe perspektivat e tyre për të një ardhme të qëndrueshme si artistë të pavarur, duken të parealizueshme.

Përderisa shumë festivale japin mundësi për të prezantuar një gamë të gjërë të përmbajtjes, për t’i bashkuar idetë brenda dhe jashtë rajonit, dhe i japin hapësirë artistëve për t’u takuar, kritikët argumentojnë se ato e konsumojnë një proporcion të madh të buxheteve shtetërore dhe lokale për kulturë, shpeshherë në dëm të mbështetjes së prodhimeve të vazhdueshme të aktorëve dhe artistëve të pavarur.

Koncepti i “festivalizimit të kulturës” është diskutuar shumë në mesin e punëtorëve të kulturës në rajon, term ky që përshkruan një fenomen që shkon bashkë me komercializimin dhe industrializimin, dhe sipas disa kritikëve çon deri te një mungesë e politikave më serioze, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme kulturore.

Krijimi i hapësirës për art

Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor i organizatës artistike në Prishtinë, Qendra Multimedia, thotë se në Kosovë “festivalizimi i jetës kulturore” e përshkruan saktë qasjen e qeverisë ndaj kulturës.

Neziraj pretendon se secili qytet e ka një, dy apo edhe tre festivale kryesisht festivale të filmit, por edhe të artit të rrugës dhe festivale të muzikës. Ai i kritikon shumë festivalet ekzistuese, për shumicën e të cilave pretendon se janë “të organizuara dobët dhe palidhje, dhe janë të shkëputura nga audienca lokale”.

“Pjesa më e madhe e jetës kulturore të Kosovës është reduktuar në festivale dhe punëtori, ndërsa prodhimet kulturore janë reduktuar deri në minimum”, thotë Neziraj, duke marrë për shembull fushën e tij, teatrin. “Si mund të flasim për kualitetin e teatrit në Kosovë kur brenda vitit janë prodhuar vetëm 20 shfaqje teatrale?”

Dramaturgu i bazuar në Prishtinë, Jeton Neziraj, e sheh skenën e pavarur të kulturës në Prishtinë si diçka të re dhe me potencial për të ndikuar, pavarësisht faktit që vuan nga mungesa e mbështetjes. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përderisa ka para në dispozicion për festivale, Neziraj pretendon duke theksuar shembullin e organizatës së tij se arti më kundërshtues, apo grupet që tërhiqen nga rrjedha qendrore, anashkalohen dhe e kanë vështirë të mbijetojnë.

Situatë të ngjashme kemi matanë kufirit në Serbi.

Luka Knežević-Strika, artist vizual dhe fotograf i pavarur nga Beogradi, është një nga anëtaret e Asociacionit të Skenës së Pavarur Kulturore të Serbisë, që avokon për “prodhime inovative, kritike dhe eksperimentale artistike dhe kulturore”, dhe kërkon mënyra për t’i “forcuar kapacitetet e akterëve të skenës së pavarur kulturore”.

Duke folur për atë se a ka hapësirë për kreativitet të pavarur kulturor në Serbi dhe rajon, Knežević-Strika thotë se politikat kulturore të ekonomive neoliberale lënë pak hapësirë për veprime të pavarura. Ai argumenton se dëshira kapitaliste për ta parë artin duke e marrë vendin e tij në treg e redukton hapësirën dhe mundësinë për veprime të pavarura, ndërsa nevojat ekonomike për efikasitet dhe parashikueshmëri janë thelbësisht kundër parimeve kreative.

“Këto kërkesa janë diktuar nga tregu i projekteve [të mbështetura nga donatorët] dhe logjika e projekteve të parashikueshme një vjeçare, ku rezultatet duhet të lajmërohen paraprakisht”, thotë ai, duke shtuar se është e domosdoshme ta ruajmë mundësinë për të vepruar “jashtë kësaj strukture”.

Artisti vizual i bazuar në Beograd, Luka Knežević-Strika, beson se politikat kulturore neoliberale kanë çuar deri te prioritizimi i efikasitetit dhe parashikueshmërisë para parimeve të pavarura kreative. Foto: Nemanja Knežević.

Megjithatë, ai beson se si parakusht për zbatimin e projekteve kreative të pavarura, është e domosdoshme të zhvillohen hapësira fizike ku artistët e pavarur mund të punojnë dhe t’i demonstrojnë idetë e tyre.

Një hapësirë e tillë është Magacin Cultural Center në Beograd. Qendra bashkëdrejtohet nga një grup i artistëve dhe punëtorëve kulturor të fushave të ndryshme të cilët e ndajnë hapësirën dhe e zhvillojnë punën e saj nëpërmjet modelit të kalendarit të hapur, “një platformë programatike online që ofron mundësi të barabarta sa i përket hapësirës për përdoruesit potencial”.

Intervalet kohore ndahen sipas një marrëveshje komunale të arritur ndërmjet të gjitha palëve të interesuara. Kjo marrëveshje i vendosë disa kushte të caktuara të cilat projektet potenciale duhet t’i përmbushin për t’u vendosur në qendër.

Hapësira ofrohet për përdorim nëpërmjet kalendarit të hapur rreth 500 herë në muaj, për palë të ndryshme, shpjegon Knežević-Strika.

“Modeli i kalendarit të hapur është në dispozicion për qindra përdorues për ekspozita dhe performanca, por më me rëndësi është që ofron hapësirë për përgatitje, prodhim, ushtrime, përpjekje dhe përmirësim të gabimeve”, thotë ai.

Magacin është një qendër kulturore në Beograd ku shumë artistë të pavarur po gjejnë hapësirë për ta treguar punën e tyre. Foto: Luka Knežević-Strika.

Megjithatë, ai thotë se qendrës i mungon mbështetja dhe njohja, dhe se Komuna e Beogradit kurrë nuk ka treguar interesim për ta adresuar si duhet statusin ligjor të tyre apo për ta mbështetur financiarisht qendrën, pavarësisht faktit se është një nga hapësirat më aktive kulturore në kryeqytetin serb.

Në Serbi dhe Kosovë, si dhe në pjesë tjera të rajonit, jeta e përditshme kulturore dhe posaçërisht kultura e pavarur mbahet e gjallë nëpërmjet ndihmës financaire nga ambasadat, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Pa një skenë të pavarur kulturore, Neziraj thotë se jeta kulturore në Kosovë do të kishte qenë një “shkretirë e vërtetë”.

“Me përjashtim të disa institucioneve jetike publike kulturore në Kosovë Teatri Kombëtar i Kosovës, Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës etj., pjesa më e madhe e jetës kulturore në Kosovë në fakt përbëhet nga skena e pavarur kulturore”, thotë ai.

Megjithatë ai shton se skena e pavarur kultutore, pa marrë parasysh madhësinë e vogël dhe dobësinë relative të saj, është ende e freskët, e paepur dhe ka aftësinë për të çuar deri te ndikimi pozitiv mbi jetën kulturore dhe sociale.

Të pavarur, por pa kujdes shëndetësor

Vështirë është të gjesh optimizëm të tillë për gjendjen e skenës së pavarur kulturore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Çdo vit, një numër i madh i festivaleve kulturore mbahen edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Në mesin e festivaleve më të njohura është Festivali i Filmit në Sarajevë, ndërsa Festivali Ndërkombëtar MESS është më i njohur sa i përket performancave teatrale në sytë e audiencës kulturore vendore, rajonale dhe globale.

Por larg festivaleve më të mëdha, prodhimi kulturor në Bosnje ka stagnuar në vitet e fundit. Siç ndodh me pothuajse çdo aspekt të jetës në këtë shtet, edhe ky aspekt është shumë i politizuar, dhe si në shtetet fqinje, disa nga pozitat më të rëndësishme brenda institucioneve të kulturës i ipen anëtarëve të partive që kanë pushtet. Ekziston tendenca që fondet shpeshherë modeste që përcaktohen për kulturë të planifikohen në përputhje me interesat e partive politike.

Në rrethana të tilla, artistët e pavarur shpeshherë detyrohen të kërkojnë fonde jashtë vendit për ta mbështetur punën e tyre, e cila rregullisht bëhet më e pranishme në shtete tjera se në shtetin e tyre.

Adela Jušić është një artiste vizuale bashkëkohore dhe anëtare e Asociacionit për Kulturë dhe Art (CRVENA, që do të thotë Kuq) në Sarajevë. Arti i saj është shumë politik dhe shpesh përdorë simbole dhe ide të së kaluarës së afërt, qoftë nga Jugosllavia apo lufta në Bosnje.

Artistja vizuale bashkëkohore Adela Jušić thotë se është vështirë ta fitosh bukën e gojës si artiste e pavarur në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe se festivalet prioritizohen para mbështetjes më të gjërë të skenës kulturore. Foto: Almir Zrno.

Jashtë Bosnjes, Jušić është artiste e mirënjohur puna e së cilës ka fituar mjaft vëmendje rreth botës, me ekspozita në Nju Jork, Londër, Bonn dhe Sao Paolo. Por në vendlindjen e saj, ajo ka pak mundësi për t’i ekspozuar apo shitur punimet e saj, dhe të hyrat i fiton kryesisht si punëtore e pavarur.

“Nëse e analizojmë kulturën, apo specifikisht fushën time, atë të artit vizual, si një lloj biznesi, atëherë do të thotë që duhet të na sjell të hyra”, thotë ajo.

Megjithatë, pavarësisht fondeve që i ipen festivaleve të mëdha, me sa duket pak po bëhet për ta krijuar një infrastrukturë të qëndrueshme për prodhime sfiduese dhe të pavarura. Jušić ngul këmbë që si artiste e pavarur është vështirë të flasësh për të fituar para nga arti në Bosnje dhe Hercegovinë, e le më të punosh për krijim dhe aksione të pavarura.

“Nuk ka treg të artit”, thotë Jušić, dhe shton se kreativiteti i pavarur kulturor nuk është në listën e prioriteteve të fondeve të vogla të përvjetshme. “Ata që janë bërë të pasur gjatë luftës apo ata që kanë fituar kapital dhe para, së fundmi nuk janë të interesuar për art e as për kulturë”.

Regjisori i teatrit dhe filmit Dino Mustafić shkon një hap më tej. Regjisori i lindur në Sarajevë i ka fituar disa çmime ndërkombëtare për punimet me të cilat ka trajtuar tema politike dhe për një kohë të gjatë ka qenë kritik i zëshëm i politikave ekzistuese kulturore në rajon.

Dino Mustafić thotë se në Ballkan, si në vende tjera, kultura vuan për shkak se shihet si hobi e krahut të majtë. Foto: Imrana Kapetanović / K2.0.

Gjatë punës së tij nëpër gjithë rajonin, ai thotë se ka qenë dëshmitar i shkatërrimit sistematik të kulturës, dhe e përshkruan qëndrimin e klasës politike të Bosnjes ndaj kulturës si “armiqësor dhe negativ”.

Por ai beson se në këtë kuptim, Ballkani është pjesë e botës perëndimore, duke aluduar se në Holandë kultura ngjashëm përqeshet si “hobi e krahut të majtë”, të cilën ngurrojnë ta financojnë autoritetet.

Jušić thekson se një skenë e pavarur kulturore ende ekziston deri diku në Bosnje, dhe se si në shtetet fqinje, ka tendencë të përbëhet nga programet e ndryshme rezidenciale dhe të huaja posaçërisht evropiane dhe fondet që ofrojnë mundësi të mira për artistët.

"Një festival mbahet një herë në vit, pa marrë parasysh kualitetin e lartë apo të ulët të tij".

Adela Jušić, artiste vizuale bashkëkohore

Për ata që kanë fatin të marrin fonde që ipen nga fondacionet dhe organizatat e huaja, të hyrat më të mëdha në shtetet që i ofrojnë këto fonde si Zvicra apo Mbretëria e Bashkuar i mundësojnë atyre të jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë pa gjetur punë tjetër në vendlindjen e tyre. Megjithatë, pa mundësi të tilla, Jušić thotë se artistët “mund të harrojnë çfarë është arritur deri më tani në arenën ndërkombëtare” dhe duhet të mundohen të mbijetojnë me të hyrat e kufizuara që janë në dispozicion falë ekspozitave lokale.

Megjithatë, shumica e artistëve në Bosnje detyrohen të punojnë me kontrata të ndryshme me gjysëm orari vetëm për ta fituar bukën e gojës, dhe Jušić vlerëson se shumica nuk kanë asnjë ditë të punësimit zyrtar, dhe shpeshherë as kujdes shëndetësor.

Ajo argumenton se në vend se të alokohet për t’i mbështetur artistët e pavarur, buxheti publik në Bosnje dhe Hercegovinë shpeshherë i ndahet projekteve që kanë parashtesë etnike, apo festivaleve të mëdha rëndësia e caktuar kulturore e të cilave është e njohur.

Mustafić beson se përderisa natyra e shumë festivaleve ka kontribuar në rënien e kulturës në Bosnje dhe rajon, ato mund të jenë pjesë e zgjidhjes.

“Një festival mbahet një herë në vit, pa marrë parasysh kualitetin e lartë apo të ulët të tij; por festivalet nuk mund ta mbajnë prodhimin e skenës kulturore”, thotë ajo, dhe shton se fenomeni i festivalizimit ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së vullnetit apo përpjekjeve për të bërë më shumë, për shkak se është më lehtë t’i mbash të gjallë festivalet se tërë skenën kulturore.

Jušić thekson se ajo nuk është kundër festivaleve dhe mendon se është mirë kur gjallërohet Sarajeva gjatë Festivalit të Filmit në Sarajevë.

“Megjithatë, do të kishte qenë mirë po të kishte qenë 20 përqind e kësaj oferte në dispozicion gjatë gjithë vitit, që të mos më vijë turp kur më vizitojnë artistët dhe punëtorët kulturorë nga Viena, Berlini dhe Parisi, dhe s’kam ku t’i çojë, sepse galeritë dhe sallat e koncerteve janë të zbrazëta”.

Avokimi për ndryshim

Nuk është vetëm përhapja e festivaleve dhe se si ato  po ndikojnë në kulturën e përditshme të pavarur, por ka edhe shqetësime në lidhje me atë se çfarë përfaqësojnë këto festivale.

Mustafić beson se problemi me të ashtuquajturin festivalizimin është mungesa e kulturës kritike të festivaleve. Kjo, sipas tij, rrjedhon në humbjen e frymës kozmopolite, zhdukjen e një identiteti më kompleks dhe mposhtjen e mendimit progresiv dhe liberal.

“Hapja e ambientit kontribuon në higjienën mendore të një kombi”, thotë ai. “Secila mbyllje e rrugëve kulturore është fillim i kalbjes, aromës së pakëndshme të nacionalizmit që e kemi nuhatur prej 90-ve. Festivalet duhet ta kenë një mision, të na zgjojnë, të na nxisin të observojmë në mënyrë kritike realitetin dhe të dyshojmë në të”.

Ai thekson se duke u parë dhe prezantuar gjithnjë më shumë si zbavitje e jo si vende për diskutim, debat dhe zhvillim të ideve, festivalet po i humbin disa mundësi të mëdha për avokim. Ai thotë se qëllimi i festivaleve duhet të jetë i angazhuar në themelimin en jë recepsioni kritik vendor, por gjithmonë duke luftuar kundër frymës së provincializmit dhe boshllëkut shpirtëror.

Si shembull pozitiv, ai thekson një nga festivalet më të vjetra të teatrit në rajonin post-jugosllav, MESS (Skena e Vogël Eksperimentale në Sarajevë), të cilin e ka drejtuar për më shumë se një dekadë. Ky festival u lind në 1960 si tubim i përvjetshëm i kompanive profesionale të teatrit në Jugosllavi të cilat prezantonin shfaqje eksperimentale teatrale, dhe së shpejti i hapi dyert për trupa ndërkombëtare, duke sjellur në Sarajevë legjenda si Living Theater nga Nju Jorku dhe regjisorë të mirënjohur, përfshirë këtu Peter Brook, Peter Schumann dhe Frank Castrof.

Festivali i kahmotshëm i Sarajevës, MESS, ka për qëllim edukimin e audiencës duke u angazhuar për tema shpeshherë të ndjeshme, dhe duke i problematizuar ato. Foto nga MESS.

Mustafić beson se ky festival kontribuon në “një fenomen epokal, të pakategorizueshëm dhe anti-tradicional në manifestimet kulturore të Bosnjes dhe Hercegovinës”. Ai shpjegon se tradita e MESS hap dhe problematizon disa nga çështjet më të ndjeshme në arenën publike që prodhohen.

Kur bëhen si duhet, festivalet mund të përdoren për ta ndryshuar situatën aktuale, argumenton Mustafić, duke përdorur rëndësinë e tyre për të avokuar për krijimin e një dokumentit kyç strategjik në fushën e politikave kulturore, për të nisur debate rreth çështjeve kulturore dhe për t’i bërë presion politikanëve që ata t’i njohin kërkesat e punëtorëve kulturor.

“Ne gjithmonë duhet të avokojmë për hapësira të reja dhe të hapura kulturore”, thekson Mustafić, i cili shton se artistët dhe shoqëritë duhet të avokojnë për “themelimin e kontakteve të jashtëzakonshme, inkurajimin e zhvillimit të skenës vendore dhe kontributin për afirmimin total të saj në kontekstin më të gjërë”.K

Foto kryesore: K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia