S`fundmi | Protesta

Protestuesit kërkojnë që t’i ipet fund dhunës në familje

Nga - 18.10.2016

Të mllefosur pas publikimit të videosë ku shihet një burrë duke goditur mbesën e tij.

Protestuesit u mblodhën në qendër të Prishtinës dje (e hënë, 17 tetor) pasi rrahjes së një vajze 16 vjeçare nga tri burra pranë një shkollës së mesme në Rahovec. Kjo ngjarje u inçizua me kamerë telefoni prej brenda shkollës 12 Maji, dhe u shpërnda shumë nëpër rrjete sociale të premtën, duke nxitur zemërim, e duke u raportuar më pas edhe në media kombëtare. Në inçizim shihet vajza e shtrirë në tokë dhe axha i saj duke e goditur më shkelm, e më pas ai me dy burra tjerë e kapin dhe e fusin në një veturë.

Protesta në Sheshin Zahir Pajaziti u organizua nga grupi në Facebook, Feminizmi shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe Grupi i Anëtareve Gra të Kuvendit nga Komuna e Gjakovës. Nën banderolën Nuk Ka Arsyetim, u bë thirrje për reagime më të forta nga policia dhe institucionet e arsimit ndaj dhunës; këto të fundit janë kritikuar për mungesë serioziteti ndaj incidentit, duke e trajtuar si çështje familjare dhe private.

majlinda-hoxha-protesta-kundraj-dhunes-nuk-ka-arsyetim-17-10-2016-13

Drejtori i shkollës, Hasan Krasniqi, e përshkroi incidentin si “problem i brendshëm familjar në mes të axhës dhe mbesës”, dhe shtoi se ajo kishte munguar në shkollë 41 herë gjatë muajit shtator. Në një kumtesë për media, RrGGK cituan policët e Rahovecit, që e minimizuan seriozitetin e incidentit duke thënë se “disa shuplaka për një vajzë që ka munguar në shkollë 41 herë nuk duhet të ekzagjerohen”.

Në një intervistë me Klan Kosova, nëna e vajzës e justifikoi sulmin, duke thënë se vet i kishte thënë axhës së vajzës që vajza po mungonte në shkollë e po shkonte në lokale, “sikur krejt të rinjt”, dhe “ai ka shku me atë nërvozë, edhe i ka ra, edhe kurgjo s’është”. Ajo gjithashtu tha “na e kemi qu n’shkollë, jo me shku n’lokale e me bo mungesa… e kemi qu me autobus n’shkollë, ja kemi pagu librat e krejt ato shpenzime, edhe s’ka mujt me msu, pse me shku…”.

Protestuesit i inkurajuan njerëzit që të raportojnë dhunën, dhe që incidentet të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin. Duke folur për mediat në protestë, aktivistja e RrGGK, Adelina Berisha, tha se të gjithë kemi obligim që ta dënojmë dhe luftojmë dhunën gjinore. “Familjet, shkollat, institucionet që janë përgjegjëse me ligj që ta luftojnë atë – fatkeqësisht, shpeshherë ose dështojnë ta bëjnë këtë, ose vlerat e tyre personale vihen në pah kur merren me raste të dhunës në familje”, tha ajo.

majlinda-hoxha-protesta-kundraj-dhunes-nuk-ka-arsyetim-17-10-2016-4

Një raport i vitit 2015 nga RrGGK, “Nuk Ka Arsyetime”, duke përdorur një mostër përfaqësuese me 1315 persona prej rreth Kosovës, gjeti se më shumë se 70 përqind e burrave dhe grave të reja në Kosovë, moshat 18-25, kanë përjetuar dhunë gjinore. Prej 184 rasteve të përmendura prej të anketuarve në sondazh, 44.4 përqind përfunduan me arrest dhe 32.2 përqind shkuan në gjykatë. Në 48.9 përqind, të anketuarit thanë se autorët e krimit nuk u dënuan.

Duke folur me K2.0 pas protestës së djeshme, menaxherja e programit dhe hulumtuesja kryesore e RrGGK, Nicole Farnsworth, aludoi se incidenti në Rahovec thekson se disa persona brenda policisë dhe institucioneve të arsimit nuk e njohin ligjin: “Është ndjekje penale ex oficio: Kur kryhet një krim, duhet të ndiqet penalisht menjëherë; nuk mund të thuash, “ishte vetëm shuplakë”, kur në inçizim shihet dikush duke u rrahur në rrugë – ky është krim automatikisht dhe duhet të ndiqet penalisht”.

Ajo shtoi se arsimuesit gjithashtu kanë “përgjegjësi ligjore që t’i raportojnë krimet kur ndodhin, veçanërisht kundër fëmijëve dhe të miturve. Pra ligji është shumë i qartë, kemi problem me institucionet që në shumë raste nuk e njohin ligjin dhe nuk dinë se si ta zbatojnë atë”.

Farnsworth tha se edhe para se të ndodhte incidenti, RrGGK veç se kishte planifikuar që t’i vizitonte disa institucione me rekomandime që rezultuan nga hulumtimet, si pjesë e një fushate të vazhdueshme për ta luftuar dhunën. Një raport i vitit 2008 për dhunë gjinore u bë bazë për Programin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje dhe Plani i Veprimit 2011-2014.

Duke përmbledhur raportin e vitit 2015, që vlerësoi progresin e bërë, Farnsworth shpjegoi se, edhe pse kishte patur përmirësime, “ende ka shumë punë, edhe nga populli, sa i përket ndryshimit të qëndrimit dhe diturisë, e edhe nga institucionet, sa i përket njohurisë së ligjit”. Protesta, shpreson ajo, do të rris nivelin e ndërgjegjësimit dhe do ta informojë debatin publik.

majlinda-hoxha-protesta-kundraj-dhunes-nuk-ka-arsyetim-17-10-2016-8

Në njërën prej banderolave dje shkruante “Dhuna nuk është formë edukimi”. Njëri prej protestuesve, Lulzim Bucolli, arsimtar nga Prishtina, tha për K2.0 se “dhuna ndodh në Kosovë sepse njerëzit besojnë që ajo lidhet me diciplinë”. Ai shtoi se “kjo metodë e arsimimit ka ndodhur gjithmonë” edhe në Kosovë – në qytete më të vogla kryesisht – e edhe në vende tjera, por “sot njerëzit po bëhen bashkë dhe po thonë ‘jo'”.

Lulzimi aludoi se, edhe pse dhuna është përdorur në arsim edhe kundër meshkujve e edhe kundër femrave, prap se prap është çështje gjinore, sepse po të kishte qenë djalë fëmiu, nuk do të kishte provokuar një reagim të njejtë nga familja. “Nuk do të ishte aq e rëndë sa ishte për një vajzë”, tha ai.

Raporti i RrGGK për vitin 2015 gjeti se 62 përqind të të anketuarve kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës (68 përqind gratë, 56 përqind burrat). Prej vitit 2014, 30.5 përqind kishin përjetuar dhunë në familje; gratë dyfish më të mëdha i kishin mundësitë për incidente të tilla në krahasim me burrat. U gjet gjithashtu se 54.7 përqind besojnë se “vajzat kanë nevojë për më shumë diciplinë në krahasim me djemtë në mënyrë që të kenë morale të drejta”.

Farnsworth konkludoi duke thënë se është shumë dëshpruese që duhet të ndodhin incidente si ky në Rahovec në mënyrë që njerëzit të dalin në rrugë. “Por në këto raste njerëzit duan që të ngriten në këmbë, dhe unë mendoj që të gjithë duhet të ngritemi kundër dhunës, si sot”.

majlinda-hoxha-protesta-kundraj-dhunes-nuk-ka-arsyetim-17-10-2016-3

Berisha gjithashtu shprehi frustrim për atë se protestat janë të nevojshme, por theksoi nevojën për t’i prioritizuar çështjet me bazë gjinore dhe dhunën në familje. “Shpresojmë që ndërgjegjësimi do të rritet te qytetarët, sa i përket dhunës dhe të drejtat e qytetarëve, dhe shpresojmë gjithashtu që institucionet do të kryejnë punën e tyre si duhet”, tha ajo. “E di që nuk mund të presim që t’i arrijmë këto me një protestë, por ky është hapi ynë i parë, dhe pastaj do të shohim se si do të vazhdojmë”.

Të hënën në mbrëmje, pasi u mbajt protesta, axha në incidentin e Rahovecit – që ishte arrestuar e ishte mbajtur për marrje në pyetje për 48 orë – u shpall fajtor për dhunë në familje. Ai u dënua një vit me kusht që t’i shmanget “dhunës fizike, turpërimit psikologjik dhe kërcënimeve fizike” kundër mbesës së tij.K

*Përmirësim: në versionin e këti artikulli që u publikua fillimisht u tha se 68 përqind të kosovarëve kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës. Kjo është e pasaktë, pasi që 68 përqind ishte përqindja e grave që kanë përjetuar dhunë në familje. Paragrafi është rregulluar sipas shifrave të sakta.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.