Qytetarët e Kosovës tё cilët jetojnë jashtë vendit kanë tё drejtë tё zgjedhen dhe tё zgjedhin, të përfaqësojnë dhe të përfaqësohen, njësoj sikur qytetarët tё cilёt jetojnё nё Kosovё. Pёr njё vend si Kosova qё ka diasporё masive, njё parim i tillё ёshtё shumё i rёndёsishёm sepse forcon lidhjet e ndёrsjella dhe ndihmon në vazhdimësinë e kalitjes identitare tё bashkatdhetarëve tanë, proces i rëndësishëm për një varg çështjesh jetike për vetë shtetin.
Megjithatë, mё 11 janar, pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve tё jashtёzakonshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori njё vendim i cili nuk duket se ka pёr qёllim t’ua mundёsojё votuesve jashtё Kosovёs ushtrimin e kёsaj tё drejte. Nё vendim thuhet se verifikimi i aplikuesve pёr votim nga jashtё vendit do tё bёhet pёrmes telefonit, dhe “nёse aplikuesi nuk lajmёrohet nё telefon, atёherё aplikimi i tij do tё refuzohet”.
Pas kundërshtimeve të shumta qё pasuan bёrjen publike tё kёtij vendimi, më 12 janar KQZ-ja nxori njё vendim tё ri, ku ndёr tjera thuhet se aplikuesit do të thirren disa herë në telefon në kohë të ndryshme tё ditёs për të verifikuar procesin e regjistrimit për votim.
Ky hap i KQZ-së është kritikuar fuqishёm nga shumё organizata tё shoqёrisё civile nё Kosovё, fondacione dhe organizata shqiptare qё janё aktive nё diasporё, si dhe aktivistё tё tё drejtave tё njeriut. Ai cenon rёndё tё drejtat e njeriut qё janё tё garantuara nё Kushtetutёn e Kosovёs, ku theksohet se “çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor”.
KQZ-ja duhet të kontribuojë në lehtёsim të procesit të votimit për qytetarët që banojnë jashtë vendit, e jo të pengojë apo komplikojë tutje procesin e votimit për ta.
Kushtetuta po ashtu i obligon institucionet shtetёrore tё krijojnё kushte tё barabarta pёr pjesёmarrje nё zgjedhje — duke përfshirë zgjedhjet lokale e parlamentare, tё rregullta apo tё jashtëzakonshme — pёr tё gjithё qytetarёt e Kosovёs.
Tё njёjtёn e rregullojnё edhe normat ndërkombëtare si Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokollet e saj dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe protokollet e saj, tё cilave u subordinohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Vendimi i KQZ-sё qё verifikimi i votuesve tё bёhet pёrmes telefonatёs mund tё shkaktojё probleme tё mёdha dhe tё ulё numrin e votuesve qё jetojnё jashtё Kosovёs. Ndёrsa KQZ-ja me vendimet e saja duhet tё kontribuojё nё lehtёsim tё procesit tё votimit pёr qytetarёt jobanorё tё vendit qё kanё tё drejtё vote nё Kosovё, e jo, me ose pa qёllim, tё pengojё apo komplikojё tutje procesin e votimit pёr ta.
Fuqia e votave nga diaspora
Janё mbi 300,000 qytetarё tё Kosovёs qё jetojnё jashtё vendit dhe qё i plotёsojnё kriteret pёr tё votuar nё Kosovё. Ky numёr kaq i madh i votuesve potencialё nga jashtё ka peshё tё madhe dhe mund ta bёjё ndryshimin nё pёrcaktimin e fituesit tё zgjedhjeve nё Kosovё. Ështё e qartё qё njё fuqi kaq e madhe e votёs — e cila nuk varet nga klientelizmi apo regjionalizimi i cili i ka karakterizuar proceset zgjedhore qё njё kohё nё Kosovё — i shqetёson partitё politike, sidomos ato qё kanё qeverisur deri mё tani.
Qytetarёt e Kosovёs tё cilёt jetojnё jashtё shpesh janё shprehur tё zhgёnjyer nga mungesa e sundimit tё ligjit, krimi e korrupsioni si dhe qeverisja e keqe nё vend, dhe duke u bazuar nё zgjedhjet e fundit tё pёrgjithshme nё Kosovё, shumё votues nga diaspora ka gjasa tё rreshtohen pёr ndryshim tё qeverisjes aktuale.
Udhëheqës politikë të Kosovës synuan ta dekurajojnë dhe ta cenojnë një të drejtë të patjetërsueshme të qytetarëve që banojnë jashtë vendit.
Nё zgjedhjet e fundit nё vend, tё mbajtura nё tetor tё vitit 2019, vota e rreth 20,200 bashkatdhetarëve ishte përcaktuese e fituesit; njёsoj ndodhi edhe nё zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Prishtinë dhe Prizren, dy qytetet më të mëdha të vendit.
Pakënaqësia e njё pjese tё establishmentit politik me kёtё realitet u reflektua mё sё miri nё reagimin e kryetarit tё LDK-së, Isa Mustafa, i cili pas zgjedhjeve tё fundit kishte deklaruar se nuk është e drejtë që fituesin e zgjedhjeve ta caktojnё votat e diasporës, por qytetarët të cilët jetojnë në Kosovë. Ky konstatim është tejet zhgënjyes në rrethanat tona, jo vetёm pёr faktin që kemi diasporë aktive e dinamike që mban lidhje të ngushta me vendin, por se udhëheqës politikë tё Kosovës synuan ta dekurajojnë dhe ta cenojnё njё tё drejtё tashmё tё patjetërsueshme tё qytetarёve që banojnë jashtë vendit.
Ёshtё e qartё qё sistemi ynё zgjedhor nё tёrёsi ka nevojё pёr reformё, por kjo reformё duhet tё jetё e pёrgjithshme, e vёnё nё funksion tё pёrmirёsimit dhe lehtёsimit tё pjesёmarrjes sё qytetarёve nё zgjedhje, si formё e ushtrimit tё sё drejtёs sё tyre demokratike.
Megjithatё, derisa është raportuar se ndёr vite Kosova ka pasur përmirësim të procesit zgjedhor, kjo nuk ёshtё reflektuar edhe nё pjesёn e procesit qё prek votuesit nga diaspora. Nё shumё palё zgjedhje, KQZ-ja ёshtё pёrballur me shumё probleme me votat qё vijnё nga jashtë, duke filluar nga procesi i regjistrimit, verifikimit apo edhe i pranimit tё votave. Pёrkundёr vёshtirёsive tё vazhdueshme me kёtё proces, asnjё masё nuk ёshtё ndёrmarrё pёr adresimin e kёtyre sfidave.
Si tё krijohen kushtet pёr votim nga jashtё?
Procesi i votimit nga jashtё ёshtё pёrcjellur me probleme tё mёdha nё çdo cikёl tё zgjedhjeve nё Kosovё. KQZ-ja dhe institucionet e vendit asnjёherё nuk kanё arritur tё organizojnё njё proces tё suksesshёm dhe profesional zgjedhor pёr qytetarёt jobanorë tё vendit. Kjo ka ndodhur mbase pёr faktin se zgjedhjet parlamentare nё vend kryesisht kanё qenё tё jashtёzakonshme, e jo tё rregullta, qё mbase do t’i jepnin kohёn e mjaftueshme KQZ-sё pёr tё organizuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor edhe pёr votuesit e diasproёs.
Mirёpo, kjo nuk ёshtё arsyeja kryesore pse institucionet e vendit, KQZ-ja dhe partitё politike nuk kanё krijuar kushtet optimale pёr votim pёr diasporёn.
Një nga pengesat me tё cilat pёrballet diaspora gjatё procesit zgjedhor ёshtë mungesa e dokumenteve tё identifikimit tё Kosovёs — kjo pёr shkak tё procedurave tё shumta me tё cilat pёrballen qytetarёt jobanorë tё vendit pёr rregullimin e dokumenteve tё identifikimit nёpёr konsullatat dhe ambasadat e Kosovёs. Komunikimi i institucioneve tё vendit qoftё direkt me diasporёn, qoftё nёpёrmjet ambasadave apo konsullatave tё vendit ёshtё shumё i kufizuar, fakt ky qё ndikon nё uljen e interesimit për votim tё pjesëtarëve të diasporёs nё Kosovё.
Për lehtësimin e procesit të votimit për diasporën, ndihmesë e madhe do të ishte organizimi i votimit nëpër ambasadat e konsullatat e vendit nëpër botë.
Nё mungesё tё njohurive pёr tё drejtat e tyre kushtetuese e ligjore pёr tё zgjedhur e pёr t’u zgjedhur, si dhe nё mungesё tё njohurive pёr procedurat e votimit, ka qytetarё tё Kosovёs nga diaspora qё janё pak tё prirur tё votojnё dhe nuk marrin pjesё nё zgjedhje. Partitё politike dhe institucionet e shtetit nuk janё nё komunikim të mirëfilltë dhe të vazhdueshëm me diasporёn pёr t’i informuar ata pёr tё drejtat e tyre kushtetuese pёr tё marrё pjesё nё zgjedhje.
Njё pengesё tjetёr qё ndikon nё uljen e pjesёmarrjes sё tyre nё procesin e votimit ёshtё edhe pёr shkakun se procedurat aktuale tё regjistrimit dhe votimit janё tejmase burokratike. Koha e shkurtёr pёr regjistrim e votim si dhe procedurat e komplikuara pёr votim i vёshtirёsojnё rrethanat mё tej.
Pёr lehtёsimin e procesit tё votimit pёr diasporёn, ndihmesë e madhe do tё ishte organizimi i votimit nёpёr ambasadat e konsullatat e vendit nёpёr botё. Kjo do tё lehtёsonte shumё procese, dhe nuk do tё ishte situatё e paprecedent marrё parasysh faktin se ekzistojnё shtete tё cilat e praktikojnё votimin nёpёr ambasada.
Njё lloj tjetёr i ndihmesёs do tё ishte komunikimi mё i mirё institucional me diasporёn pёr zgjedhjet nё Kosovё, informimi i tyre pёr tё drejtat kushtetuese dhe ligjore pёr tё marrё pjesё nё zgjedhjet nё Kosovё si dhe për rёndёsinё e kёtij procesi. Duke marrё parasysh kontributin e diasporёs pёr ta rimёkёmbur Kosovёn, ёshtё interes vital dhe strategjik i institucioneve tё Kosovёs qё diaspora e saj tё ndihet e lidhur ngusht me proceset politike nё vend.
Pёr shumё vite diaspora e Kosovёs ёshtё angazhuar nё mbёshtetjen dhe zhvillimin e Kosovёs. Fillimisht duke lobuar e duke u angazhuar direkt nё çlirimin e vendit, e pastaj nёpёrmjet remitancave duke mbёshtetur familjet e veta nё Kosovё, si dhe duke qenё ndёr burimet kryesore tё buxhetit tё shtetit.
Diaspora ka mbajtur lidhjet e forta me Kosovёn, mirёpo pёr shkak tё kushteve tё rёnda nё pothuajse tё gjithё sektorёt e jetёs nё vend, shumё pjesёtarё tё saj vazhdojnё tё jenё tё rёnduar me barrёn e sigurimit tё mbijetesёs pёr familjet e tyre nё Kosovё dhe ata janё tё zhgёnjyer me partitё politikё qё kanё qeverisur tash e sa vjet.
Pikёrisht ky zhgёnjim me gjendjen politike nё Kosovё dhe pёrçimi i i zёshёm i kritikave lidhur me këtë ka bёrё qё institucionet e Kosovёs tё mos e shohin si prioritet lehtёsimin e procesit tё votimit pёr votuesit e diasporёs, tё bindur se numri i madh i votave nga jashtё do tё mund tё bёnte ndryshimin nё relievin politik tё vendit.
Imazhi i ballinёs: Atdhe Mulla / K2.0.