Në thelb | Migrimi

Punëtorë të rinj, probleme të vjetra

Nga - 20.11.2023

Punëtorët e rinj, që vijnë nga shtetet tjera po e gjejnë Kosovën me problemet e vjetra.

Ditë e shtunë. Nën zhurmën e ndërtimeve të shumta në hapësirën afër tregut, jo shumë larg objektit të komunës së Mitrovicës, qytetarët po bënin pazarin e ditës. Ngrisnin zërin për t’iu dëgjuar porosia e për të negociuar çmimin. 

Pak metra larg tregut, Donaldo kishte ulur kokën teksa po numëronte armaturat e hekurta disa-metërshe, me të cilat po i furnizonte kolegët e tij, që sa kishin filluar t’i vinin themelet një ndërtese. 25-vjeçari ka ardhur në Kosovë nga Nigeria tash e tri vjet. Me pyetjet se çfarë pune bënte ishte mësuar tashmë. 

“Po përpiqem t’ju kuptoj, por nuk po arrij”, i përgjigjet ai pyetjes nëse preferon të komunikojë në anglisht apo shqip. Punës nuk i ndahet, flet me armatura në duar, me fytyrën që ia kishte mbuluar djersa nga puna dhe rrezet e diellit në atë mesditë të fillimtetorit. 

Kur pa Donaldon tek përpiqej të komunikonte me ne, një burrë, që më vonë u prezantua si pronar i kompanisë, doli nga zyra përballë ndërtesës që po ngritej dhe nisi të afrohej. 

“Është në orar të punës”, tha ai prerazi. 

Donaldo menjëherë u largua nga hapësira e qasshme dhe iu bashkua afro 10 punëtorëve të tjerë, shumica kosovarë, në një thellësi nëntokësore dhjetëra-metërshe, që e kishin çelur për t’i vënë themelin ndërtesës. Ajo hapësirë ishte e pasigurt dhe e paqasshme, prandaj biseda mbaroi aty. 

E pasigurt ajo hapësirë ishte edhe për Donaldon dhe kolegët e tij, të cilët iu përvolën punës pa rroba pune, helmeta, këpuca speciale, doreza, apo rrip sigurimi — mjete themelore mbrojtëse për punëtorët e ndërtimtarisë.  

“Ky nuk u ardhë me punu për neve. Futbollist është. Luan për Vushtrrinë. Ndërkohë vjen punon te na”, thotë burri nga zyra. “I ka letrat, se klubi ia ka ba letrat. Po ka kohë të lirë të mjaftueshëm me ardh te na. Ne nuk kemi asgjë me fsheh”. 

Ishte pika e mesditës, ora rreth 12:30. Loja midis klubit futbollistik të Vushtrrisë dhe 2 Korrikut do të luhej shpejt në Prishtinë. Gjasat që Donaldo të largohej nga punishtja për të luajtur ishin joreale, siç edhe e konfirmoi më pas Agim Maloku, president i KF Vushtrria, i cili tha se nuk kanë ndonjë lojtar të quajtur Donaldo.

Pavarësisht përpjekjeve dhe qëndrimit për një kohë të gjatë në vendpunishte, Donaldo nuk arriti asnjëherë të tregojë për përvojën e të qëndruarit në Kosovë, kushtet dhe trajtimin në punë, apo të tjera. 

“Ka qenë me një shok. Po ai e ka lanë punën. Është kthye në Nigeri”, thotë kalimthi midis punës një koleg i tij. 

Ndërkohë, po në Mitrovicë, 53-vjeçari, Mehmet Ture, tash e pesë vjet ka ardhur nga Turqia për të punuar si përgjegjës i makinave profesionale të printit industrial në kompaninë “Viprint”.

Ture, që flet pak shqip e pak turqisht, tregon se në Kosovë paguhet më pak për përvojën 35-vjeçare që thotë se e ka mbi supe, por prapëseprapë nuk ankohet. “Këtu më rehat. Në Turqi sigurimi [shëndetësor] është i shtrenjtë – ka shumë shpenzime. Në Kosovë rroga më e vogël, ama senet tjera janë më mirë”, thotë Ture.

Mehmet Ture ka ardhur nga Turqia në Kosovë qe pesë vjet për të shërbyer si përgjegjës i makinave profesionale të printit.

Derisa ecë nëpër kompani, punëtorët i mbledhen përreth. “A vjen me këqyr. Po më duket ju ka nxe ngjyra shumë maqinës”, pyet njëri, e “A guxojmë me lëshu print kështu?”, tjetri. I papërtuar, Ture, të cilin kolegët e vlerësojnë si katalizator të punës, i afrohet makinës dhe kontrollon ngjyrën. 

Mungesa e një profesionisti për mirëmbajtjen e makinave të printit, bëri që pronari i “Viprint”, Visar Idrizi, të angazhojë punëtorë nga vendet tjera. Ture nuk është i vetmi. Në kompaninë e tij, Idrizi ka angazhuar tre punëtorë nga vendet tjera, derisa gjashtë të tjerë janë në proces të marrjes së vizave të punës. 

“Veç po planifikojmë me i pasë diku rreth 10 punëtorë të jashtit. Këta janë nga Turqia, Bullgaria, India, Gjermania”, thotë Idrizi. “Industria jonë është në zhvillim e sipër, e qysh po rritet nevoja për makineri dhe produkte të reja, po rritet nevoja edhe për njerëz me përvojë e shkollim specifik të fushës. Në Kosovë nuk po ka të tillë”.

Ndërkohë, burri që u prezantua si pronar i kompanisë ku punon Donaldo, gjërat i sheh ndryshe. “Në Kosovë ka punëtorë, por nuk janë të interesuar me punu. S’është e vërtetë që s’po paguhen. Te na rrogë nën 600 euro nuk ka, as për punëtorë të thjeshtë”, thotë ai, dhe shton se vetë punëtorët po shpërndajnë “dezinformata” rreth mungesës së punëtorëve.  

Teksa disa ia faturojnë migrimit mungesën e punëtorëve, disa thonë se mungojnë punëtorët e kualifikuar, e për disa të tjerë, punëtorë ka, por s’ka interesim. Sidoqoftë, punëtorë nga vendet tjera po zgjedhin Kosovën si destinacion për të kërkuar punë e gjetur jetë më të mirë. 

Në kërkimin e tyre, po ndihmohen nga agjenci të ndryshme rekrutimi, por jo domosdo nga Qeveria e Kosovës, qoftë kur është fjala për t’ua lehtësuar procedurat, qoftë kur është fjala për të ngritur cilësinë e tregut të punës dhe për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. 

Shkuarje e ardhje punëtorësh

Entitete të ndryshme, që prezantohen si agjenci rekrutimi për punë po shërbejnë si urë lidhëse midis punëmarrësve nga Kosova dhe punëkërkuesve nga vende të ndryshme të botës, kryesisht vendet e Azisë Jugore. 

Kjo tashmë është bërë praktikë e njohur për pronarët e punëtorët në ndërtimtari. “Para tri-katër dite erdh një agjencion më ka pyet a do me të pru punëtorë. Prej Pakistanit a s’di ku”, thotë pronari i kompanisë ku punon Donaldo. Ndërkohë, me t’u çelur biseda për punëtorët që vijnë nga shtetet tjera për të punuar në Kosovë, një i ri që po punonte në një tjetër vendpunishte tjetër në Mitrovicë, menjëherë thotë: “Agjensitë po i sjellin në Kosovë”.

Në Mitrovicë, po edhe në komuna tjera, Donaldo e Ture kanë dhjetëra kolegë që në Kosovë i ka sjellë një synim të përbashkët — puna. Një kompani tjetër e ndërtimit, e shtrirë kryesisht në komunat Mitrovicë e Vushtrri, ka rreth gjashtë punëtorë nga Bangladeshi. Mirëpo, përkundër përpjekjeve për të biseduar me ta, pronarët e kompanisë nuk lejonin askënd të afrohej e as nuk flisnin, me arsyetimin se nuk kanë çfarë thonë për këtë temë. 

Agjenci të ndryshme të punës, të cilat janë kryesisht të pranishme nëpër rrjete sociale po kërkojnë punëtorë për Kosovë. Vetëm së fundmi, një faqe me emrin “M/S. Tangail Overseas R.L-860”, ka ftuar qytetarët e Bangladeshit që të lajmërohen për punë urgjente në Kosovë, në sektore si ndërtimtaria, agrikultura e hoteleria. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 1,857 kërkesa për lejeqëndrim në Kosovë nga shtetas të huaj. Prej tyre, 1,814 kanë fituar lejeqëndrim të përkohshëm për qëllime pune. Në tri vitet e fundit, vërehet një rritje në kërkesa për lejeqëndrim. Në vitin 2022, kanë qenë 3,221 kërkesa apo 23.5% më shumë sesa në 2021, kur ishin 2,607. Në vitin 2021 ishin 2,607 kërkesa, pra 21.3% më shumë sesa në vitin 2020, kur ishin 2,148 sosh. I bie se nga viti 2020 deri në 2022, numri është rritur për 49.9%. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), kërkesat për viza hyrëse në Kosovë janë më së shumti nga Bangladeshi, India, Filipinet, Kina dhe Bosnjë dhe Hercegovina. 

Teksa punëtorë nga jashtë po vijnë në Kosovë, kosovarët vazhdojnë të kërkojnë punë tjetërkund.

Sipas raportit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për vitin 2022 rreth migrimit për punë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e dyta për nga shkalla e emigrimit. Në raport, po ashtu theksohet se migrimi për arsye punësimi është rritur ndër vite. Për shembull, për shtetin e Zvicrës, numri i lejeve të lëshuara për punë për qytetarët e Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi në 2019 ishte 10 herë më i madh sesa në vitin 2011. 

Në Gjermani, i cili është vendi ku përqendrohen më së shumti emigrantë nga Kosova ndër vendet e OECD apo 60% e të gjithë emigrantëve nga Kosova, rritja më e lartë vërehet nga viti 2021 deri në vitin 2022, me 44,000 (15%) persona më shumë. Në vitin 2022, Gjermania u përball me mungesën më të madhe të punëtorëve, me 1.47 milion pozita pune të paplotësuara. Në vitin 2023, përmes një sërë reformash në legjislacionin për migrim, siç janë, ndër tjera, reduktimi i procedurave burokratike për marrje të vizave, krijimi i mundësive për njerëzit që kanë përvojë pune e jo domosdo diplomë universitare, Gjermania lehtësoi shkuarjen e punëtorëve të huaj atje. 

Derisa migrimi për arsye punësimi nga Kosova në shtetet e Evropës Perëndimore nuk është lajm i ri, dinamikat e punëtorëve mund të ndërrojnë pas liberalizimit të vizave, gjë që disa mendojnë se kosovarët do ta shfrytëzojnë edhe për të udhëtuar për të kërkuar punë.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, organizatë që prej vitit 2016 synon të përfaqësojë interesin e bizneseve në Kosovë përmes rrjetëzimit, këshillimit, ofrimin e shërbimeve dhe avokimin, në Kosovë ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar.

Derisa nga Dhoma e Tregtisë e shohin si shqetësuese atë që e pret Kosovën pas liberalizimit të vizave, Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit mendon që brenga se mund të largohen punëtorët nuk qëndron. “Evropa nuk është më ajo Evropa që ka dhënë pare. Edhe të rinjtë kanë fillu me kuptu këtë. Pak me qenë punëtor i mirë, më shumë fiton në Kosovë”, thotë ai.

Për Hysen Sogojevën nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit liberalizimi i vizave nuk është brengosës kur
është fjala për strukturën e punëtorëve.

Ndërsa Visar Idrizi, nga “Viprint”, i cili veç ka punësuar disa punëtorë nga jashtë, konsideron se në procesin e rekrutimit të punëtorëve të huaj, nuk ka humbës, por vetëm fitues. “Këta njerëz po ndikojnë në hapjen e vendeve të punës duke i trajnuar të rinjtë. Përfitues jemi të gjithë”, thotë ai. 

Megjithatë, paqëndrueshmëria e tregut të punës në Kosovë vazhdon ta brengos një nga punëtorët e rinj që po punonte për ta ngritur në këmbë një tjetër ndërtesë në Mitrovicë. “Këtu ton jetën po punon, mezi një shpi po e bën”, thotë ai i mllefosur teksa po e mbushte një shishe me ujë afër një qezmë të qasshme për punëtorët afër një objekti rreth gjashtë katesh që po ndërtohej aty. “Po dërrmohesh t’u punu për rroga të ulëta. Tani po thonë të rinjtë s’po dojnë me punu”. 

Punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë e tash edhe Donaldo me shokët e tij që punojnë gjejnë një vendpune që ua rrezikon jetën përditë. 

Në gusht 2023, Sindikata e Sektorit të Pavarur ka thënë se 17 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës si pasojë e pasigurisë. Ky numër është më i lartë se ai që ka regjistruar Inspektorati i Punës (IP) për periudhën e njëjtë. Sipas IP 14 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës në periudhën janar-gusht 2023. 

Në një raport të publikuar në vitin 2022 nga BIRN, vihet në pah se procesi i trajtimit të ankesave të punëtorëve për shkeljen e të drejtave të punës, sigurinë në punë dhe çështjet që lidhen me punësimin është përballur me sfida të mëdha që pengojnë në krijimin e një ambienti të favorshëm për të mbrojtur punëtorët. Të dhënat e këtij raporti tregojnë se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të ndërtojnë një sistem komunikimi, i cili do të mundësonte identifikimin e shkeljeve të ligjit të punës dhe lëndimeve në punë dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë sabotues dhe neglizhues në trajtimin penal e civil të rasteve të të drejtave të punëtorëve. 

K2.0 ka pyetur IP lidhur me trajtimin e punëtorëve që vijnë nga vendet tjera, rastet potenciale të abuzimit a diskriminimit, kushtet e punës dhe shkeljet më të identifikuara në terren, por përkundër përpjekjve të shumta, nuk ka marrë përgjigje. 

Pos pasigurisë së lartë, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, tregu i punës në Kosovë përgjithësisht është i pasigurt, i karakterizuar nga informaliteti i lartë, paqëndrueshmëria, pagat e ulëta e neglizhenca institucionale. 

Punëtorët e huaj përballë ligjit në Kosovë 

Teksa institucionet kanë mbetur prapa në sigurimin e një punësimi të dinjitetshëm e të qëndrueshëm për qytetarët e Kosovës, sipas Dhomës së Tregtisë, nuk po bën mjaftueshëm as të sigurohet që t’ua lehtësojë punëtorëve që po vijnë ardhjen e inkuadrimin në këtë treg. 

Sipas tyre, Kosova po stagnon në zbatimin e procedurave për dhënien e lejes të punës për të huajt. “Vonesat e vazhdueshme, moskthimi i përgjigjeve dhe mungesa e stafit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ambasada paraqesin vetëm disa nga barrierat me të cilat ballafaqohen të interesuarit që dëshirojnë të jenë pjesë e tregut të punës në Kosovë,” thonë nga Dhoma e Tregtisë. K2.0 ka kontaktuar MPJD për koment, por nuk ka marrë përgjigje.

Kriteret për pajisje me leje qëndrim në Kosovë me qëllim të punës janë të parapara sipas Ligjit për të huajt. Përveç dokumenteve valide të udhëtimit, ndër tjerash, kërkohen edhe sigurim shëndetësor, dëshmi të aftësimit profesional, kontratë pune, dëshmi për adresë banimi, si dhe mjete të mjaftueshme jetese në Kosovë. Mbledhja dhe procedimi i këtyre lejeve shpeshherë merr kohë me muaj të tërë, derisa leja e qëndrimit të përkohshëm për qëllime pune lëshohet për gjashtë muaj deri në një vit.

Edhe Idrizi nga “Viprint”, që synon të marrë edhe 10 punëtorë nga vendet tjera në kompaninë e tij, procedurat po janë të ngadalta. “Procesi i marrjes së vizave është i ngadaltë, si proces është dashur të zhvillohet më shpejt, meqë ndërmarrësit janë ata që e zhvillojnë vendin”, thotë ai.

Visar Idrizi nga “Viprint” beson se ardhja e punëtorëve nga vendet tjera zhvillon tregun e Kosovës.

Qeveria kritikohet nga Dhoma e Tregtisë edhe për moszhvillimin e politikave adekuate për integrimin më të shpejtë të punëtorëve të huaj në tregun e punës. Qeveria e Kosovës deri tash nuk ka dalë me ndonjë strategji konkrete për punëtorët e huaj dhe nuk është përgjigjur në pyetjet e K2.0 nëse ka në plan diçka të tillë.

Një brengë mbetet edhe Ligji i kontestuar për Pagën minimale në Kosovë, meqë shton mundësinë e abuzimit me punëtorë, përfshirë ata që vijnë nga vendet tjera. Ky ligj është miratuar në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës me 13 korrik të këtij viti. Ligji ende nuk është nënshkruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Me t’u miratuar në Kuvend, ky ligj u përball me kundërshtime të forta dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për rishikim pasi u cilësua si i padinjitetshëm dhe jo gjithëpërfshirës. Gjykata ende nuk ka dhënë verdiktin e saj. 

Miratimi në Kuvend i këtij ligji u kritikua nga Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili i bëri thirrje presidentes Osmani që mos ta dekretojë Ligjin e pagës minimale, në të cilin, sipas tyre, nuk u përfill kërkesa që paga minimale për vitin 2023 të jetë 450 euro e për vitin 2024 të rritet për 100 euro. 

Midis gjithë këtyre sfidave, Idrizi i “Viprint”, që punësimin e punëtorëve të kualifikuar nga jashtë e sheh si mundësi për rritje të vendeve të punës për punëtorët vendas, shpreson se qeveria do t’u ndihmojë ndërmarrësve duke u lehtësuar procedurat për marrjen e punëtorëve. 

“Ndërmarrësit janë ata që e zhvillojnë vendin, që gjejnë metoda me i çu senet përpara dhe e bëjnë të pamundurën të mundur. Flas për ndërmarrësit që unë i njoh. Janë njerëz me energji të madhe, njerëz që e dojnë vendin e tyre, popullin e tyre, që kontribuojnë në kulturë”, thotë ai.

Imazhi i ballinës: Artina Muçiqi