Pikëpamje | Drejtësi

Qasja aktuale e Kosovës ndaj krimeve të luftës të Serbisë është ligjërisht e padobishme

Nga - 16.05.2019

Ja se si duhet të veprohet.

Institucionet e Kosovës së fundmi kanë nisur disa aktivitete në lidhje me akuzat për krime të luftës – dhe veçanërisht akuzat për gjenocid – të kryera nga Serbia në Kosovë. Mes tjerash, ka ide për themelimin e një gjykate ndërkombëtare e cila do të merrej me akuza për gjenocid në Kosovë, për një rezolutë të Kuvendit të Kosovës që dënon gjenocidin, dhe për t’i shpallur persona non-grata zyrtarët serbë që i mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Këto aktivitete mund të jenë të dobishme nga një perspektivë populiste, për ta krijuar përshtypjen se institucionet e Kosovës, 20 vjet pas luftës, janë duke bërë diçka për t’i adresuar akuzat e tilla për gjenocid.

Nga pikëpamja ligjore, ato janë plotësisht të pakuptimta.

Ideja që Kosova ta themelojë një gjykatë ndërkombëtare, e cila, përveç gjykimit të krimeve do të gjente se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, është e pakuptimtë. Kush duhet ta themelojë këtë gjykatë? Kosova nuk mund ta bëjë sepse nuk ka autoritet ligjor për ta themeluar një gjykatë ndërkombëtare. Kosova mund t’i ndjekë penalisht individët që kanë kryer krime të luftës përmes legjislacionit të saj, por jo një shtet tjetër.

Kush atëherë? Organizata e Kombeve të Bashkuara? Themelimi i një tribunali ndërkombëtar do të ishte i mundshëm nën Nenin 41 të Kartës së OKB-së, por kjo kërkon një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit. Pasi që Rusia dhe Kina e kundërshtojnë Kosovën në Këshillin e Sigurimit, nuk ka mundësi që kjo rezolutë do të kalonte.

A do ta themelonte BE-ja? Edhe po ta kishte BE-ja këtë pushtet, që është e dyshimtë, me pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, edhe kjo ide është gjithashtu e kotë.

Kosova duhet ta padisë Serbinë në GjND.

Ligjërisht e pavlefshme është edhe rezoluta e Kuvendit që pritet të miratohet automatikisht pa vlerësim të mirëfilltë të enjten (16 maj). Rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk krijojnë obligime ligjore, as në Kosovë, e lëre më në arenën ndërkombëtare. Thuajse e kanë gajle zyrtarët e lartë të Beogradit, si Ivica Dačić, po të shpallen persona non-grata në Kosovë.

Pra, a ka diçka që mund të bëjë realisht Kosova për të dëshmuar që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë?

Po – Kosova duhet ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND).

Më saktësisht, Kosova duhet ta padisë Serbinë në GjND për shkelje të Konventës së vitit 1948 për Parandalim dhe Dënim të Krimit të Gjenocidit, e njohur gjithashtu si Konventa e Gjenocidit.

Shumë analistë thonë që Kosova nuk mund ta bëjë këtë. E kanë gabim.

Mbase e njëjta shprehje e dorëheqjes, mungesa e guximit dhe vendosmërisë, i kanë shtyrë shumë njerëz të besojnë që Kosova nuk mund të thirret në traktate multilaterale, si Konventa Apostille dhe Konventa e Hagës – megjithatë Kosova pati sukses.

Kosova të bëhet palë e Konventës së Gjenocidit

Ndërmarrja e veprimeve ligjore kundër Serbisë kërkon përgatitje me kujdes dhe vendosmëri, dhe janë disa hapa ligjorë të caktuar që Kosova duhet t’i ndërmarrë për të pasur mundësi ta padisë Serbinë për gjenocid.

Së pari, Kosova duhet të bëhet palë e Konventës së Gjenocidit me trashëgimi. Trashëgimia në këtë rast do të thotë që Kosova do t’i vazhdonte obligimet ligjore ndërkombëtare të shtetit prej të cilit Kosova u nda kur e shpalli pavarësinë.

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ), pjesë e së cilës ishte Kosova, e ratifikoi Konventën e Gjenocidit më 1950. Pas shpërbërjes së RSFJ-së, Republika Federative e Jugosllavisë, tani Serbia – pjesë e së cilës ishte Kosova – deklaroi më 1992 që do të vazhdonte të jetë palë e Konventës së Gjenocidit. Kjo tregon se Kosova ishte, nga viti 1950 dhe deri kur shpalli pavarësinë, e mbuluar nga Konventa e Gjenocidit.

GjND konfirmoi në rastin Bosnja dhe Hercegovina vs Jugosllavia më 1996 që është e mundshme të bëhesh palë e Konventës së Gjenocidit nëpërmjet trashëgimisë. Kur Bosnja dhe Hercegovina (BiH) shpalli pavarësinë, dërgoi një njoftim për trashëgimi tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, mbajtësi i Konventës së Gjenocidit.

Ky njoftim e konfirmoi BiH-në si palë të Konventës së Gjenocidit. BiH i mori përsipër obligimet e saj nën Konventën e Gjenocidit nga data në të cilën “mori përgjegjësi për marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, siç u deklarua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Fatkeqësisht, qeveria e Kosovës deri tani ka dështuar ta zbatojë këtë përkushtim, të dërgojë njoftime të trashëgimisë së traktateve të tilla ndërkombëtare, dhe kështu ta përparojë qëndrimin ligjor ndërkombëtar të Kosovës si shtet i pavarur.

Për t’u kthyer te rasi i Kosovës, në Deklaratën e saj të Pavarësisë të vitit 2008, Kosova veçse është përkushtuar si vijon:

Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim përsipër obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive (…)”.

Kjo është deklaratë e qartë e trashëgimisë në traktate ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, qeveria e Kosovës deri tani ka dështuar ta zbatojë këtë përkushtim, të dërgojë njoftime të trashëgimisë së traktateve të tilla ndërkombëtare, dhe kështu ta përparojë pozicionin ligjor ndërkombëtar të Kosovës si shtet i pavarur.

Ndalimi me ligj i gjenocidit është një nga normat themelore të ligjit ndërkombëtar, të njohura gjithashtu si ius cogens, dhe Konventa e Gjenocidit e kodifikon këtë normë në interesin e njerëzimit dhe jo të shteteve individuale.

Sipas GjND, Konventa e Gjenocidit është e projektuar për ta mundësuar pjesëmarrjen e sa më shumë shteteve, dhe “përjashtimin e krejtësishëm nga Konventa e një apo më shumë shteteve që jo vetëm do ta kufizonin fushën e zbatimit të saj, por edhe do ta zhvleftësonin autoritetin e parimeve morale dhe humanitare të cilat janë bazë e saj”.

Anëtarësimi në OKB nuk është parakusht për t’u bërë palë e Konventës së Gjenocidit.

Pra ekziston një anësi që shkon në favor të përfshirjes së Kosovës në Konventën e Gjenocidit.

Kritikët mund të thonë që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së nuk do ta shqyrtojë njoftimin e Kosovës për trashëgimi. Kjo nuk qëndron. Anëtarësimi në OKB nuk është parakusht për t’u bërë palë e Konventës së Gjenocidit.

Gjithashtu, roli i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së si depozitues shtë vetëm teknik dhe administrativ, dhe në asnjë mënyrë politik. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së do ta dërgonte një njoftim tek shtetet palë të Konventës së Gjenocidit për t’i informuar ato për njoftimin e Kosovës për trashëgimi- kjo do të ishte e tëra.

Për më tepër, OKB vazhdimisht ka mbajtur qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, gjegjësisht as nuk e ka konfirmuar e as mohuar që Kosova është shtet.

Në fund, dhe shumë me rëndësi, në vitin 2010 GjND-ja e konfirmoi në mendimin e saj këshillues që deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar, përfshirë këtu Rezolutën 1244 (1999), dhe që institucionet e Kosovës, të cilat e shpallën pavarësinë, do të vepronin jashtë kufijve të Rezolutës 1244.

Vlen të ceket se Palestina, shtetësia e së cilës kontestohet po aq shumë sa ajo e Kosovës, u bë palë e Konventës së Gjenocidit më 2014. Institucionet e qeverisë së Kosovës, të cilat janë aq të zëshme për krimet e luftës të Serbisë, deri më sot nuk kanë bërë përpjekje për t’u bërë palë e Konventës së Gjenocidit.

Paditja e Serbisë para GjND-së

Pasi të bëhet palë e Konventës së Gjenocidit, Kosova mund ta zbatojë Nenin IX të Konventës së Gjenocidit – që e themeloi jurisdiksionin e GjND për konflikte nën Konventë – për të nisur procedurë ligjore kundër Serbisë në GjND.

Kritikët mund të thonë se kjo nuk është e mundshme për shkak se gjenocidi ndodhi para se të bëhej Kosova palë e Konventës së Gjenocidit. Por, për këtë rast veçse ka një precedent.

Më 1996, GjND mori vendim në rastin Bosnja dhe Hercegovina kundër Jugosllavisë që nuk ka afat kohor në Konventën e Gjenocidit për t’u ballafaquar në mënyrë retrospektive me gjenocidin “nga fillimi i konfliktit”. Kjo do të thotë që GjND do të kishte jurisdiksion edhe pse konflikti ka ndodhur para se ta trashëgonte zyrtarisht Kosova Konventën e Gjenocidit.

Kritikët mund të thonë gjithashtu se paditja e Serbisë është e pamundur për shkak se Serbia ka paraqitur rezerva në lidhje me Nenin IX të Konventës së Gjenocidit më 2001.

Prap se prap, ka precedent këtu në favor të Kosovës.

Rezerva është instrument në ligjin ndërkombëtar që i lejon shtetet t’i përjashtojnë apo modifikojnë dispozitat e caktuara të një traktati ndërkombëtar. Kur Serbia paraqiti një rezervë të tillë, deklaroi se nuk do ta zbatonte Nenin IX të Konventës së Gjenocidit, që i jep GjND-së jurisdiksion për raste të gjenocidit, dhe se çfarëdo konflikti para GjND-së në lidhje me Konventën e Gjenocidit do të kërkonte miratim nga ana e Serbisë.

Sërish ka precedent këtu në favor të Kosovës: Në rastin Kroacia vs Serbia më 2008, GjND mori vendim se për periudhën deri në vitin 2001, Serbia do të jetë e kapshme nga Konventa e Gjenocidit pa kufizime.

Kosova mund t’i shmanget kufizimeve të vendosura nga Serbia duke i kundërshtuar ato në njoftimin e saj për trashëgimi të Konventës së Gjenocidit, siç bënë edhe Kroacia dhe BiH. Ato argumentuan se kufizimet e Serbisë që përjashtojnë mbështetjen në GjND për raste të gjenocidit nuk do të kishin qenë në përputhje me qëllimin e Konventës së Gjenocidit dhe prandaj nuk do të ishin të vlefshme nën ligjin ndërkombëtar. Kosova mund ta paraqesë të njëjtin argument.

Përveç kësaj, Kosova duhet ta depozitojë një deklaratë në GjND nëpërmjet të cilës do ta pranonte jurisdiksionin e GjND-së nën Nenin 35 (2) të Statutit të GjND-së. Ky është një mekanizëm për shtetet që nuk janë anëtare të OKB-së dhe nuk janë palë e Statutit të GjND-së, si Kosova, që i mundëson ato ta themelojnë jurisdiksionin e GjND-së për konflikte me shtete tjera.

Nëpërmjet një rezolute së miratuar më 15 tetor 1946, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e autorizoi GjND-në të marrë vendime për deklarata të tilla. Palestina e dorëzoi një deklaratë të tillë në GjND më 4 korrik, 2018.

Në bazë të kësaj deklarate, në shtator 2018, Palestina nisi procedura ligjore para GjND-së kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendimin e këtyre të fundit për ta zhvendosur Ambasadën e SHBA-së në Jerusalem, dhe tani GjND është duke u marrë me këtë rast. Nëse Palestina – shtetësia e së cilës është po aq e kontestuar sa ajo e Kosovës – mund ta bëjë këtë, pse mos ta bëjë Kosova një deklaratë të ngjashme në GjND?

Dëshmimi i gjenocidit

Ndërmarrja e këtyre hapave i përmbushë vetëm kërkesat formale për ta paditur Serbinë para GjND-së. Kosova sërish duhet të dëshmojë që Serbia me të vërtetë ka kryer gjenocid në Kosovë.

Përderisa institucionet e qeverisë së Kosovës e marrin si të mirëqenë që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, Kroacia dhe BiH e kishin të vështirë ta dëshmonin që Serbia kishte kryer realisht gjenocid. Kroacia dhe BiH nisën procedura ligjore kundër Serbisë para GjND-së, por vetëm BiH arriti ta dëshmojë me sukses që Serbia e kishte shkelur obligimin për ta parandaluar gjenocidin në ngjarjet në Srebrenicë në korrik 1995, ndërsa Kroacia dështoi krejtësisht.

Vështirësia kryesore sa i përket gjenocidit është të dëshmohet që shteti kishte për qëllim kryerjen e gjenocidit, e për këtë GjND ka një prag shumë të lartë. Kosova do të ballafaqohet me të njëjtat sfida, por mund të mësojë nga përvojat e Kroacisë dhe BiH, dhe ta projektojë një strategji më efektive gjyqësore.

Por edhe nëse Kosova nuk mund ta dëshmojë gjenocidin, vet fakti që Kosova do ta padiste Serbinë para GjND dhe GjND do të merrte vendime për rastin, do ta konfirmonte shtetësinë e Kosovës, për shkak se vetëm shtetet kanë pozitë ligjore para GjND-së.

Mbase kjo është po aq e rëndësishme sa fitorja në këtë rast. Kjo do t’i jipte Kosovës pozitë shumë më të fuqishme ligjore në negociatat me Serbinë, pasi që çështja e shtetësisë së Kosovës do të përcaktohej në mënyrë pohuese nga GjND-ja.

Procedurat ligjore kundër Serbisë para GjND-së do ta kthenin fokusin e vëmendjes ndërkombëtare në një pjesë të konfliktit të Kosovës që ende nuk ka marrë vëmendjen e domosdoshme ligjore dhe politike.

Ka shumë pak gjasa që GjND do të përcaktonte që Kosova nuk është shtet për qëllime të Konventës së Gjenocidit për shkak të (i) mendimit të saj këshillues për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, (ii) faktit që Kosova është shtet anëtar i dy “Agjencive të Specializuara” të OKB-së, gjegjësisht Bankës Botërore dhe FMN-së, dhe (iii) faktit që Kosova është palë e disa marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale ndërkombëtare me shtete dhe organizata ndërkombëtare.

Vet fakti që Kosova do ta padiste Serbinë mund të përdorej si kërcënim dhe përparësi në negociatat me Serbinë. Mbase më e rëndësishme është që, në një kohë kur Kosova është duke u mbrojtur ligjërisht për shkak të Dhomave të Specializuara të Kosovës, procedurat ligjore kundër Serbisë para GjND-së do ta kthenin fokusin e vëmendjes ndërkombëtare në një pjesë të konfliktit të Kosovës që ende nuk ka marrë vëmendjen e domosdoshme ligjore dhe politike, madje as nga qeveria e Kosovës.

Veprimi ligjor para GjND-së do të kërkonte përgatitje tërësore profesionale dhe një shkallë të lartë të përkushtimit politik që shkon përtej kalkulimeve populiste politike afatshkurtra, që me sa duket po i karakterizojnë nismat aktuale të qeverisë së Kosovës.

Por, ndjekja e procedurave ligjore kundër Serbisë për gjenocid para GjND-së do të ishte alternativë shumë më e mirë se këto ndërmarrje të pakuptimta.

Foto kryesore: Foto origjinale nga Arianit Dobroshi, e modifikuar nga K2.0.