Që nga shtatori i vitit 2021, Shqipëria ka qeveri të re. Fjala “e re” mund të tingëllojë konfuze për shumë njerëz; Partia Socialiste siguroi në prill mandatin e tretë radhazi pasi ishte në pushtet për 8 vite.
Qeveria e re e vjetër udhëheqë në një vend ku ndryshimi është vetëm vulë burokratike, me opozitë të thelluar në krizë dhe të fragmentuar, që i ngjan një kufome politike më shumë se gjithçka tjetër. Në këtë situatë, një alternativë e duhur mungon.
Vitet e kaluara janë shënuar me akuza për korrupsion, keq-menaxhim si të krizës shëndetësore ashtu edhe ekonomike, ushtrim të drejtpërdrejtë të dhunës dhe disa skandale. Tani, e njëjta parti që i mbikëqyri këto ngjarje po përpiqet dëshpërimisht ta “zbusë” imazhin e saj, duke u paraqitur si përparimtare dhe, për argëtim të të gjithëve, feministe.
Pas sesionit të pakëndshëm parlamentar që zgjati 20 orë, deputetët votuan një kabinet të dominuar nga gratë më 15 shtator të vitit 2021, i pari në 30 vitet e sistemit shumë-partiak. Nga 17 ministra, 12 janë gra. Edi Rama, kryeministri i ri i vjetër, u mburr se qeveria e re “do të hyjë në histori si qeveria e parë me numrin më të madh të grave”. Gjithashtu bëri një pretendim për kryesim global kur bëhet fjalë për përqindjen e grave në pushtet.
Kjo është mjaft ambicioze për qeverinë e një vendi prej 2.8 milionë banorësh që regjistron 16 raste të femicidit vetëm këtë vit; pasojë e dhunës patriarkale dhe dështimit të institucioneve shtetërore për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e grave.
Mizogjinia si mjet
Në fjalimin e tij të tretë të inagurimit, Rama tha se “ndihet krenar” që mazhoranca e tij ka shtyrë përpara “si kurrë më parë” luftën shoqërore për t’i dhënë vajzave dhe grave shqiptare vendin e merituar në komunitet.
Po ashtu, vajtoi se “rastet dramatike, jo të rralla, të vajzave të cilave u është ndaluar arsimimi” janë të zakonshme. Sipas fjalëve të tij, “ka ende shumë forca diskriminuese dhe energji negative që punojnë kundër vajzave dhe grave në shoqërinë tonë”. Gjatë fjalimit, foli edhe për dhunën ekstreme me të cilën gratë përballen në Shqipëri.
Para se fushata elektorale të shpallej e hapur këtë vit, Rama tërhoqi vëmendjen për përdorimin e mizogjinisë si një instrument për t’i luftuar kundërshtarët e tij politikë.
Në shikim të parë, komente të tilla hyrëse gati se do të dukeshin mbresëlënëse, nëse nuk do të vinin nga Rama. Në fund të fundit, asnjëherë nuk është spikatur si dikush që flet shumë për gratë.
Para se fushata elektorale të shpallej e hapur këtë vit, Rama tërhoqi vëmendjen për përdorimin e mizogjinisë si një instrument për t’i luftuar kundërshtarët e tij politikë. Nuk ishte hera e parë; ka ndodhur më herët.
Për më tepër, në vitin 2013, si kryeministër i sapozgjedhur, emëroi dy gra relativisht të reja dhe të papërvojë për ta drejtuar Drejtorinë e Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kur u pyet, shpjegoi se i zgjodhi për këto dy pozita dy “zonjusha”, fjala shqipe e përdorur për t’u referuar vajzave adoleshente apo, në mënyrë nënçmuese, grave të pamartuara.
Tha se donte gra të tilla në këto pozita të punës, sepse “një [grua e re e pamartuar] është më e favorshmja [për postin] sepse nuk kanë fëmijë për t’u kujdesur ose burra për t’u gatuar. Dhe se nuk kanë përgjegjësi të tjera përveçse të avancojnë karrierën e tyre”.
Për më tepër, Rama është i njohur për shtyrjen e disa deputeteve në shqetësim të madh, ndonjëherë deri në atë pikë sa të shpërthejnë në lot. Ky ka qenë rasti me Mirela Kumbaro, Lindita Nikolla dhe Milena Harito, tri ish-ministre, dy prej të cilave janë ende të pranishme në qeverinë e tij “Rama 3”.
Nuk janë kursyer as gazetaret. Shumë e mbajnë mend Edi Ramën, kryetar i atëhershëm i Tiranës, apo edhe më vonë, si ministër i kulturës, duke i quajtur gazetaret “kurva” teksa i kapte mikrofonat e tyre dhe i hidhte në dysheme sa herë që nuk i pëlqenin komentet apo pyetjet. Edhe sot, nuk ngurron t’i ngacmojë dhe poshtërojë gazetaret.
Kërkesa të padëgjuara
Për t’iu rikthyer fjalimit të tij të fundit inaugurues, dikush mund të dëshirojë ta dijë se për kë e ka fjalën Rama kur flet për shtypjen e vajzave dhe grave shqiptare? Unë nuk kam pse të mos pajtohem me të kur thotë se nuk ka nevojë të shkosh në ndonjë fshat të largët e të harruar për të gjetur prova të dhunës ndaj grave.
Shpesh, thjesht mund ta ndez televizorin dhe ta dëgjojë fjalimin qesharak të kryeministrit, apo të shikojë çdo vendim që qeveria e tij ka marrë, madje edhe në emër të vajzave dhe grave.
Shqipëria është një nga vendet me tarifat më të larta të shkollimit në universitetet publike në Evropë, një situatë që prek veçanërisht vajzat dhe gratë nga shtresat më të varfra shoqërore.
Për shembull, Rama flet për vajzat që nuk mund ta ndjekin arsimin ndërsa qeveria nën kryeministrinë e tij ka nxitur reformën më neoliberale në arsimin e lartë që ky vend ka parë ndonjëherë. Reformat e tij e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me tarifat më të larta të shkollimit në universitetet publike në Evropë, situatë kjo që prek veçanërisht vajzat dhe gratë nga shtresat më të varfra shoqërore.
Reforma u kundërshtua fuqishëm nga komuniteti i gjerë akademik, duke kulmuar me protesta masive studentore kombëtare në dhjetor të vitit 2018, të cilat e detyruan Ramën t’i shkarkonte gjysmën e ministrave të tij, përfshirë ministren e arsimit të asaj kohe, Lindita Nikollën, të cilën tani e ka ricikluar në kryetare të parlamentit.
Jo vetëm që Rama kurrë nuk i dëgjoi studentët gjatë më shumë se pesë vitesh protesta, por edhe i nënvlerësoi aktivistet studente (të cilat kanë qenë më të zëshmet në lëvizjen studentore), duke i quajtur ato “pula që kakarisin” drejtpërdrejtë në TV kombëtar në vitin 2015.
Tarifat tashmë të larta të shkollimit janë pengesë për gratë e reja në Shqipëri, posaçërisht për ato nga shtresat më të varfra shoqërore, dhe aq më tepër nëse janë LGBTQ+ apo i përkasin pakicave rome dhe egjiptiane. Për shumë gra të reja, të ndjekësh arsimin e lartë do të thotë gjithashtu të ikësh nga zinxhirët e familjes patriarkale, e cila shpesh është aq kontrolluese sa edhe e dhunshme.
Për këto gra, ardhja në kryeqytet për arsimim do të thotë fuqizim, të punosh dhe ta mbash veten në mënyrë të pavarur. Kështu, studimet bëhen hapi i parë që i ndan ato nga ekonomia familjare e dominuar nga meshkujt.
Një udhëheqës që pretendon të jetë socialist dhe feminist do ta prioritizonte, para së gjithash, garantimin e arsimit publik të denjë dhe falas, një realitet në 17 vende të BE-së, ku Rama premton ta drejtojë vendin.
Kjo do ta kishte bërë më të lehtë qasjen në arsim për vajzat dhe gratë. Ato të cilat kthehen në qytetet dhe fshatrat e tyre shpesh përballen me dilemën; të punojnë në industrinë e veshjeve për më pak se 200 euro në muaj apo të martohen, ndoshta me një burrë të moshuar, i cili do të “kujdesej” për to. Me shpresë se marrëveshja përfshin edhe kursimin e jetës nëse binden plotësisht dhe vetëm të binden.
Patericat e patriarkatit
Sidoqoftë, Rama nuk është as socialist e as feminist. Është udhëheqës patriarkal, neoliberal dhe gjysmë-autoritar që përdor gratë sa herë që i përshtatet agjendës së tij. Ajo çfarë shohim tani është thjesht vazhdimësi e praktikave të tij të njëjta të vjetra.
Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit, me të drejtë thekson se Rama “e ka zakon të luajë me kartën gjinore gjatë kohës së zgjedhjeve”. Teksa kujton disa raste (veçanërisht në vitet 2013 dhe 2017) kur vendosi kandidatet femra në krye të listave vetëm për t’i larguar pas një kohe, në disa raste brutalisht dhe publikisht.
Gjoni beson se vendosja e grave kandidate në krye “është vetëm një mënyrë që Rama ta vendosë kontrollin e tij politik, superioritetin dhe autoritetin absolut në sferën e PR-it”. Rama ka zgjedhur të rrethohet me gra jo sepse është feminist, por sepse është patriark.
Është e qartë se gratë rreth tij heshtin kur bëhet fjalë për keqbërjet e tij, politikat e pavlefshme ose instrumentalizimin e mizogjinisë. Asnjëherë nuk e sfidojnë Ramën apo ndonjë burrë tjetër në parti apo parlament. Përkundrazi, e lavdërojnë atë.
Shembull i qartë është ai i Elisa Spiropali, ministre e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin. Ajo e ka krahasuar vazhdimisht Ramën me Gjergj Kastrioti Skënderbeun, figurën historike dhe mitike kombëtare të Shqipërisë.
Këto gra janë paterica të patriarkatit.
Për më tepër, në zgjedhjet e fundit, fjalimet elektorale të këtyre politikaneve gra silleshin rreth Ramës apo mirënjohjes së tyre ndaj tij. Në këmbim, i përshkroi ato si “nëna”, “shtylla të familjes” apo “sakrifikueset”. Kjo narrativë u pranua me kënaqësi nga këto gra si kompliment.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ato zakonisht përqafojnë plotësisht retorikën dhe idetë e tij apo përpiqen t’i shtyjnë përpara, për të treguar besnikërinë dhe bindjen e tyre absolute.
Këto gra janë paterica të patriarkalizmit, sepse ndihmojnë për ta mbrojtur këtë sistem patriarkal dhe socio-ekonomik të shtypjes dhe dhunës. Të sulmuarit e tyre si gra në vend që t’i kritikojë si ministre dhe politikane, vetëm sa thellon më shumë vorbullën e dhunës dhe patriarkalizmit.
Në vitin 2020, Mimi Kodheli, anëtare e parlamentit me Partinë Socialiste, fajësoi mësueset e shkollave për përdhunimin e një vajze 15 vjeçare nga një roje e shkollës në Babrru. Ajo tha se kjo ndodhi sepse ato e kalojnë kohën duke u shqetësuar për buzëkuqin dhe minifundet në vend që të kujdesen për nxënësit.
Rama pothuajse i hoqi burrat nga fytyra publike e qeverisë së tij, por në asnjë mënyrë nga rrethi i tij vendimmarrës ekskluzivisht përbërë i gjithi nga burrat. Duke i mbështjellur këto veprime të llogaritura mirë në një retorikë progresive, po përpiqet ta tregojë më tej dominimin e tij, t’i frikësojë ata që e kundërshtojnë (edhe brenda partisë) dhe gjithashtu t’u bëjë përshtypje zyrtarëve në Bruksel të cilët duket se kujdesen për substancën po aq sa ai.
Ai shpërndan një mesazh frike, jo emancipimi dhe demokracie. Liderët si Rama nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa nxitur vazhdimisht frikë tek ata që e rrethojnë, si dhe te një komb të tërë.
Ai e instrumentalizon feminizmin për ta zvogëluar atë dhe e bën këtë nga një pozicion plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i fuqishëm. Kjo është ajo që e bën edhe më të rrezikshëm se ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ishte i njohur gjerësisht për konservatorizmin, dhunën, homofobinë dhe butësinë e tij për traditën e vjetër patriarkale shqiptare.
Feministet e vërteta
Përkundrazi, Rama e portretizon veten — veçanërisht jashtë vendit — si një socialist, një udhëheqës me mendje të hapur, pro LGBTQ+ dhe një aleat i grave. Makina e tij propagandistike punon për ta promovuar atë si djalosh me atlete Adidas, karizmatik, i lehtë, një rebel dhe artist. Është ushtrim i pastër i PR-it, mbushur plotë me fjalë të ekzagjeruara, por me zero vepra.
Preferon ta shohë veten si shpëtimtar të shqiptarëve, një figurë atërore “e detyruar” t’i udhëheqë në mënyrë agresive “fëmijët e tij të pabindur” për hir të vetë Shqipërisë, siç thotë Barbara Halla, feministe, përkthyese dhe publiciste.
Në mars të vitit 2020, në fazat e hershme të pandemisë Covid, Rama nxori automjete ushtarake dhe ushtarë të armatosur në rrugë kur u regjistruan rreth dhjetra raste. Aso kohe, spitalet nuk ishin të përgatitur dhe të pajisur për t’u marrë me krizën e pritur shëndetësore.
Shqipëria nuk ka mjaftueshëm mjekë, infermierë, ilaçe, maska, teste, shtretër spitalorë ose qendra mjekësore; nuk ka një sistem të fortë të kujdesit shëndetësor. Në atë kohë, nuk kishte as ushqim të mjaftueshëm për qytetarët.
Sidoqoftë, vendi kishte armë dhe një shfaqje të dobët të paradës ushtarake, me kryeministrin rrugëve të Tiranës duke ndaluar qytetarët dhe duke u bërtitur që të ktheheshin në shtëpi.
Në Shqipërinë e tij, gratë mbajnë barrën për ta bërë shoqërinë të funksionojë, duke u kujdesur për të gjithë familjen, derisa përpiqen të mbijetojnë; kujdesen për fëmijët, të moshuarit, enët e pista dhe të brendshmet e të gjithëve që presin të lahen.
Teksa ishin duke i bërë gjithë këtë punë, disa u vranë nga burrat, të dashurit ose partnerët e tyre, të cilët, në parajsën ekonomike të Ramës, fitojnë aq sa të ndihen të fuqishëm dhe dominues vetëm para grave dhe fëmijëve të tyre, të cilat lehtë mund t’i vrasin apo lëndojnë në vend që t’i mbështesin njësoj.
Ndryshimi që të gjithë po e kërkojmë do të vijë vetëm nga poshtë-lart, jo nga një lider si Edi Rama.
Këta burra nuk kanë lindur vrasës. Janë bërë vrasës në një shtet dhe shoqëri patriarkale që kurrë nuk arriti t’i edukojë siç duhet. Në një shoqëri ku, në vitin 2021, shumica e grave ose janë të papuna ose punojnë për më pak se pagën minimale, me të ardhura të kufizuara.
Kur kjo shoqëri nuk u jep as para të mjaftueshme për të siguruar tampona dhe peceta mujore për vete apo për kontrolla të rregullta gjinekologjike, rritja e fëmijëve apo paraqitja e kërkesës për divorc kundër një burri të dhunshëm është e paimagjinueshme.
Edi Rama nuk është feminist. Qeveria që ai përfaqëson nuk është feministe. As shteti shqiptar e as shoqëria, por ka feministe në Shqipëri. Jo individë të ndarë, por një kolektiv i tërë që po rritet në një lëvizje masive dhe do të vazhdojë të luftojë për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, pavarësisht gjithçkaje.
Dhe kur kushtet të jenë të favorshme, së shpejti, të parët që hiqen nga “fuqitë diskriminuese dhe energjia negative që punojnë kundër vajzave dhe grave në shoqërinë tonë”, siç pretendon Rama, do të jenë vetë Rama dhe klubi i tij i përbërë i gjithi prej burrave.
Protestat masive të fundit feministe në Shqipëri dhe gratë e guximshme që vazhdojnë të flasin e mbajnë atë premtim. Në fund të ditës, ndryshimi që të gjithë po e kërkojmë do të vijë vetëm nga poshtë lart, jo nga një lider si Edi Rama.
Ilustrimi i ballinës: Arkivi i Kolektivit feminist në Shqipëri.
Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.