Pikëpamje | BiH

Reagimi i Bosnjës dhe Hercegovinës ndaj COVID-19 rrezikon të drejtat e brishta të njeriut

Nga - 02.04.2020

Një sërë masash kufizuese i kanë lënë plot njerëz të frikësuar.

Nga 5 marsi, kur u konfirmua rasti i parë i infektimit të një personi me COVID-19 në Bosnjë dhe Hercegovinë, kanë vdekur 15 njerëz, ndërsa më shumë se 500 tjerë janë konfirmuar si të infektuar.

Në mesin e të vdekurve është një grua 52 vjeçe nga Sarajeva e cila u testua tek pasi kishte ndërruar jetë, 12 ditë pasi u raportuan simptomat e para të saj. Familja e së ndjerës i kanë theksuar mangësitë e sistemit, për shkak të së cilave, sipas tyre, nëna e tyre nuk mori kujdesin e duhur mjekësor. 

Ata pretendojnë se sapo filluan t’i vërejnë simptomat e para lypën ndihmë në një qendër mjekësore, ku kërkuan që ajo të testohej. Aty u thanë se nuk kishin teste të mjaftueshme dhe se nuk po pranonin pacientë brenda spitalit. U raportua se kompania për të cilën punonte ajo kishte dorëzuar një kërkesë për testim, por as kjo nuk solli rezultate.

Familja thonë se kanë bërë çfarë kanë mundur për t’i ndihmuar gruas së sëmurë. Ajo ishte e shtrirë në shtëpi, por gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej në mënyrë drastike me kalimin e ditëve. Pas 12 ditëve duke luftuar sëmundjën, ajo ndërroi jetë dhe u bë viktima e parë e COVID-19 në Sarajevë.

Diskutimi kryesor në jetën publike është drejtuar prej njerëzve të institucioneve të sigurisë dhe politikanëve.

Tani ka kaluar një muaj prej rastit të parë të regjistruar, dhe deri tani kanë vdekur 15 njerëz nga virusi. Publiku i BiH ka pasur shumë pak mundësi për t’i dëgjuar apo parë ekspertët që mund të japin më shumë informata për virusin, mënyrat se si transmetohet dhe atë se si qytetarët mund ta mbrojnë veten, si dhe për testet dhe kapacitetet reale të sistemit shëndetësor për të reaguar ndaj kësaj pandemie.

Në vend se prej ekspertëve, diskutimi kryesor në jetën publike është drejtuar prej njerëzve të institucioneve të sigurisë dhe politikanëve, në një situatë ku mediat po u japin atyre hapësirë të pakufizuar.

Njëkohësisht, nën pretekstin e mbrojtjes së publikut nga përhapja e virusit, autoritetet po zbatojnë kufizime të shumta, duke i shkatërruar ato pak liri që qytetarët i kishin në dispozicion. 

S’ka pyetje, s’ka koordinim, s’ka logjikë

Sistemi publik i shëndetësisë në BiH ka qenë në gjendje të rëndë për një kohë të gjatë. Ai është i fragmentuar në një mënyrë që pasqyron strukturën komplekse shtetërore, nën mbikëqyrjen e rreptë të partive politike. Nepotizmi dhe korrupsioni shpeshherë lidhen me këtë sistem, ndërsa spitalet publike dhe qendrat e shëndetësisë janë aq të zbrazëta saqë kanë mungesë të pajisjeve dhe medikamenteve bazike — madje në disa objekte nuk kanë as sapun dhe letër higjienike.

Sindikata e Mjekëve të Federatës ka paralajmëruar për probleme të tilla në një njoftim për shtyp, nëpërmjet të cilit thanë se mjekët nuk kanë “pajisje adekuate për mbrojtje, ose të paktën shumica prej neve nuk kemi”. 

“Jemi në vijën e parë duke luftuar kundër këtij infeksioni pa mjete bazike të mbrojtjes, ndërsa shteti është tepër i ngadalshëm dhe po reagon vetëm pjesërisht”, deklaruan ata. “Ne jemi të detyruar të vetorganizohemi si sindikatë dhe ta furnizojmë veten nëpërmjet kanaleve tona për t’i marrë pajisjet e domosdoshme mbrojtëse”.

Ata shtuan se e kanë dorëzuar një kërkesë që në “ekipet e krizës” në institucione të ndryshme të ketë staf të ekspertëve mjekësorë, por deri sot me sa duket nuk ka pasur ndonjë reagim. As institucionet e shëndetësisë dhe OJQ-të nuk e kanë kritikuar qeverinë për mënyrën se si është trajtuar situata deri sot.

Foto: Velija Hasanbegović.

Por kur i përcjell ngjarjet e përditshme në BiH, e ke përshtypjen që ata të cilët e kanë për detyrë të vendosin se si duhet të mbrohet popullsia shpeshherë po marrin vendime që janë vështirë të kuptueshme dhe që kanë fare pak lidhje me masat për mbrojtje nga çfarëdo virusi. 

Një strukturë komplekse shtetërore, mes tjerash, është pengesë për koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet niveleve të ndryshme të autoritetit, madje edhe në një epokë pa pandemi.

Si qëndron aktualisht situata, popullsia në gjithë territorin e shtetit duhet ta respektojë një orar të vetizolimit — në entitetet e Republika Srpska (RS) dhe në Federatë nga ora 8 në mbrëmje deri në orën 5 në mëngjes, dhe në Distriktin e Brçkos nga ora 9 në mbrëmje deri në 5 në mëngjes. Aktualisht, ky orar është në fuqi për një kohë të pacaktuar në të gjitha pjesët e vendit.

Personave më të vjetër se 65 vjeç u ndalohet të dalin, ndërsa në disa pjesë të vendit kjo masë vlen edhe për njerëzit nën 18 vjeç, pa përjashtime, që do të thotë se as fëmijët e sëmurë apo ata që kanë nevojë për kujdes special nuk mund të dalin nga shtëpia.

Megjithatë, për ta komplikuar më shumë situatën, drejtori i Administratës Federale për Mbrojtje Civile, Fahrudin Solak, është duke i interpretuar masat e imponuara ashtu siç i sheh ai. Solak ka thënë se fëmijëve me aftësi të kufizuara, me kufizime të caktuara, u lejohet të dalin në oborr dhe se ata mund të kalojnë kohë afër shtëpive të tyre, por se prindërit duhet të mendojnë se a është e sigurt kjo “pasi që virusi është çdokund rreth nesh dhe askush nuk mund të garantojë për sigurinë e fëmijës”.

Ka aq shumë ekipe të krizës saqë është vështirë t’i numërosh, dhe të gjitha po publikojnë masa të reja çdo ditë, duke eftuar popullsinë që t’i raportojnë ata që nuk i respektojnë masat. Policia po e monitoron zbatimin e këtyre masave. Në RS, këtë po e bëjnë me armë zjarri me tyta të gjata.

As Dodik e as liderët tjerë nuk e kanë qartësuar se si policia e armatosur mund ta mbrojë dikë në epokën e pandemisë.

Dragan Lukač, ministri i brendshëm i RS, shpjegoi se policia nuk do të shkrepin me armë. “Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, por policia është e gatshme të reagojë nëse dikush mundohet ta shfrytëzojë situatën”, tha Lukač, i cili në rrugët e RS i ka vendosur jo vetëm policinë por edhe njësitet kundër terrorizmit.

Autoritetet e RS kanë paralajmëruar masa edhe më të rrepta.

“Do të bëjmë gjithçka. Askush nuk duhet të ketë dyshime që jemi të vendosur për t’i dhënë fund kësaj”, lajmëroi Milorad Dodik, anëtari i RS në Presidencën e BiH. “Këtë do ta rishikojmë më 1 maj. Kjo do të thotë se masat do të jenë edhe më të rrepta në muajt e ardhshëm”.

As Dodik e as liderët tjerë nuk e kanë qartësuar se si policia e armatosur mund ta mbrojë dikë në epokën e pandemisë, e as atë se cili është roli i njësiteve kundër terrorizmit. Ata nuk e kanë shpjeguar as koston e këtij angazhimi policor, që në fund do të paguhet nga paratë e taksapaguesve. Megjithatë, sipas fjalëve të Lukač, këto masa janë të domosdoshme në luftën kundër “armikut të padukshëm”. 

Në një pjesë tjetër të vendit, në Sarajevë, ministri i brendshëm i Kantonit, Ismir Jusko, foli për rreziqet dhe tha se policia do ta ketë autoritetin të veprojë ashtu siç e sheh të domosdoshme, veçanërisht kundër atyre që i shkelin masat e vetizolimit.

“Këta njerëz e meritojnë”, tha së fundmi Jusko për N1. “Mbase do ta pëlqejnë më shumë vetizolimin në disa prej qendrave të ndalimit”. 

Justko, Lukač dhe politikanët tjerë të gjithë përdorin gjuhë të ngjashme, duke iu referuar luftës në vend se pandemisë. Në paraqitje publike, disa zyrtarë po veshin uniforma të Njësisë së Mbrojtjes Civile, duke theksuar mesazhe shumë militante. 

Në një tekst të publikuar në platformën Open Democracy, Sandro Mezzandra dhe Maurice Stierl theksojnë retorikën e luftës që po e përdorin plot liderë nëpër botë në këto ditë.

“Liderët shtetërorë e ngjasojnë luftën kundër virusit me një luftë reale — ndonëse është e qartë që kjo paralele është çorientuese dhe se të përfshirët në ‘luftë’ nuk janë ushtarë, por thjesht qytetarë”, shkruajnë ata në këtë ese.

Akuza dhe kërcënime

Megjithatë, qëndron një paralele me kushtet e luftës — liria e lëvizjes dhe e fjalës janë në rrezik. Në mesin e atyre që e kanë përjetuar personalisht këtë është një person nga Gradiška në RS, i cili u ballafaqua me një urdhër për kundërvajtje dhe një gjobë në vlerë 500 euro për “postim të dezinformatave” në Instagram. 

Sipas komunikatës për shtyp të Stacionit të Policisë në Gradiška, në postimin në rrjete sociale shkruajti: “Ju na vrani me depresionin dhe mediat e juaja, jo me corona, mos folni më për të! Jepini lajmet tri herë në ditë, mjafton me kaq!”

Policia u mundua ta klasifikojë këtë kundërvajtje si vepër penale por prokurori i qarkut vendosi që kjo përbënte shkelje të vendimit të Qeverisë së RS për ta ndaluar nxitjen e panikut dhe trazirave publike në rrethana të jashtëzakonshme, që u miratua më 16 mars.

Sipas këtij vendimi, ndalohet “deklarimi dhe transmetimi i lajmeve të rreme, pretendimet që mund të nxisin panik apo trazim të paqes dhe rendit, që e pengojnë shumë zbatimin e vendimeve dhe masave të organizatave apo autoriteteve shtetërore nëpërmjet mediave, rrjeteve sociale apo mjeteve të ngjashme”, ndërsa gjoba e parashkruar mund të shkojë deri në 4,500 euro.

Mediat në Federatën e BiH duket se janë pajtuar kryesisht me një lloj tjetër të censurimit. Gjegjësisht, gazetarët nuk po bëjnë pyetje pas adresimeve të zyrtarëve gjatë konferencave të përditshme për shtyp. Gazetarët janë të obliguar t’i dërgojnë pyetjet e tyre para konferencës. Pyetjet pastaj filtrohen dhe personit i kërkohet ta shtrojë pyetjen duke e lexuar me zë.

Disa gazetarë individualë janë ankuar, dhe njëra prej shoqatave të shumta të gazetarëve në vend ka kërkuar me vonesë që masat të rishikohen, por me sa duket këto raste janë shumë të rralla.

Kjo masë erdhi pasi kryeministri i entitetit, Fadil Novalić, i sulmoi haptas mediat, dhe posaçërisht transmetuesin publik të kantonit në Sarajevë, pasi ata e publikuan një video ku ai u pa duke e vendosur me vështirësi një maskë mbrojtëse gjatë një konference për shtyp.

Pesë njerëz janë marrë në pyetje dhe akuzat për nxitje të panikut përmes rrjeteve sociale janë dërguar në zyrën përkatëse të prokurorisë.

Zyra e kabinetit të tij e adresoi në mënyrë të drejtpërdrejtë drejtoreshën e TV SA nëpërmjet një njoftimi për shtyp: “Znj. Jurišić, ju duhet ta përmbushni të paktën minimumin e standardeve profesionale në këtë kohë. Kam frikë që nuk jeni e vetëdijshme për seriozitetin e situatës me të cilën po ballafaqohen qytetarët e këtij shteti”.

Ndërkohë, policia dhe shërbimi i inteligjencës po e monitorojnë popullsinë në Federatë. Publikut i është thënë nga policia e Federatës se në këtë pjesë të BiH është një ekip që po i monitoron “të gjitha veprimtaritë kriminale dhe keqpërdorimet e posteve publike, si dhe përhapjen e panikut”, dhe se ata po punojnë për t’i bllokuar rrjetet sociale me ndihmën e agjencisë së inteligjencës të entitetit.

Deri në fund të marsit, pesë njerëz janë marrë në pyetje dhe akuzat për nxitje të panikut përmes postimeve në rrjete sociale janë dërguar në zyrën përkatëse të prokurorisë.

Ministri shtetëror i sigurisë, Fahrudin Radončić, ka deklaruar se do të prezantojë më shumë masa ndëshkuese dhe kufizime të lirisë.

Ai personalisht ka shpallur luftë jo vetëm ndaj virusit por edhe ndaj mijëra migrantëve dhe refugjatëve që kanë ngecur në BiH. Rreth 4,000 prej tyre janë të vendosur në qendra të përkohshme që drejtohen nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM), dhe tjerët në objekte private, ndërsa rreth 2,000 kanë mbetur jashtë, sipas vlerësimeve të përafërta. Ata jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa mundësi për të mirëmbajtur higjienën apo për të blerë ushqim.

Në një prej paraqitjeve të tij, Radončić tha se migrantët janë “bartësit më të mëdhenj të coronavirusit në BiH”, si dhe urdhëroi karantinimin e qendrave dhe parandalimin e tërësishëm të lëvizjes së migrantëve dhe refugjatëve. Gjithashtu tha se nëse njerëzit i shkelin këto masa, “policia duhet t’i detyrojë fizikisht të qëndrojnë aty, duke ua ndaluar lëvizjen”. 

Deri tani, asnjë person në mesin e refugjatëve dhe migrantëve në BiH nuk është konfirmuar si i infektuar.

Koalicioni Kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe Krimeve të Urrejtjes e ka dënuar në mënyrë eksplicite prezantimin e masave të tilla, duke iu referuar Ligjit ekzistues Kundër Diskriminimit. Megjithatë, paralajmërimi i tyre vështirë se ka tërhequr vëmendje, madje as nga mediat.

"Masat e tilla do të shërbejnë për t’i stigmatizuar njerëzit e ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore, duke i dekurajuar tjerët t’i raportojnë simptomat e tyre."

Civil Rights Defenders (25 mars)

Ministri Radončić ka paralajmëruar masa kufizuese kundër të gjithë atyre që “nuk po e zbatojnë izolimin” dhe që “po përhapin dezinformata”, me mundësi të akuzave penale.

Masat shtypëse të prezantuara në disa pjesë të Bosnjës përfshijnë publikimin e emrave të personave që janë urdhëruar të izolohen nga autoritetet për shkak të infektimit potencial apo të konfirmuar, ose për shkak të kontaktit të afërt me ata që janë infektuar. Autoritetet e Kantonit Hercegovina-Neretva ishin të parët që e bënë këtë, duke i publikuar emrat e njerëzve të izoluar në internet, ku shtuan edhe një qartësim se në këtë mënyrë po ia “lehtësonin barrën forcës policore lokale”.

Agjencia për Mbrojtje të të Dhënave Personale reagoi menjëherë me një paralajmërim se askush nuk mund t’i stigmatizojë njerëzit në këtë mënyrë. Por edhe pas publikimit të komunikatës së tyre për shtyp, kjo praktikë ka vazhduar në pjesë tjera të vendit.

Mbrojtësit e të Drejtave Civile (Civil Rights Defenders) gjithashtu kanë dhënë mendimin e tyre për këtë çështje duke u bërë thirrje autoriteteve të BiH (dhe gjithashtu atyre në Mal të Zi, ku po zbatohet një praktikë identike) ta respektojnë të drejtën për privatësi.

“Zbatimi i masave mbrojtëse në një kohë pandemie është sfidë”, thanë ata në adresimin e tyre. “Por ne besojmë se masat e tilla nuk do t’i kontribojnë të mirës publike, por do të shërbejnë për t’i stigmatizuar njerëzit e ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore, duke i dekurajuar të tjerët t’i raportojnë simptomat e tyre tek institucionet kompetente të shëndetësisë”. 

Bujë rreth testimit “të panevojshëm’ 

Përderisa popullsia po mundohet të ballafaqohet me këto masa dhe me ritraumatizimin që po vjen si rrjedhojë e tyre — pasi që shumëkujt ia kujton luftën — asnjë institucion nuk po mundohet të japë mesazhe inkurajuese ose hapësirë për ekspertët, ndonëse këto veprime mund të kenë efekte qetësuese.

Për këtë arsye, askush në BiH nuk mund të thotë me siguri se sa teste të COVID-19 i kemi aktualisht, e as kush mund të testohet dhe kur. Përgjigja më e shpeshtë prej zyrtarëve për pyetjen lidhur me numrin e testeve që janë në dispozicion është “mjaftueshëm”. Ata thonë se mund të testohen vetëm njerëzit që kanë simptome të dukshme, që vijnë prej vendeve të rrezikuara apo që kanë qenë në kontakt me njerëz të infektuar. 

Fahrudin Solak, anëtar i stafit të krizës në Federatë, nuk mendon se ka kuptim të bëjmë testim masiv, pavarësisht se po rekomandohet vazhdimisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).

Vetëpromovim politik ka me bollëk.

“Kemi parë një bujë të panevojshme rreth kësaj”, tha ai. “A jeni testuar? Nuk jeni testuar? A do të testoheni? A nuk do të testoheni a?… Nëse jeni testuar dhe del pozitiv, a ka medikamente? Jo. A ka vaksina? Jo. A ka terapi? Jo.”

Problemi me mungesën e stafit mjekësor e ka rënduar gjithë rajonin, si pasojë e largimit masiv të punëtorëve kompetentë dhe të aftë të shëndetësisë. Në këtë pikë, BiH-së i mungojnë epidemiologët dhe infektologët. Publiku nuk ka informata për atë se a ka pajisje mjekësore të mjaftueshme dhe se a janë operative. 

Megjithatë, vetëpromovim politik ka me bollëk.

Kështu e ka vendosur vetën në qendër të krizës doktoresha Sebija Izetbegović. Ajo është politikane aktive dhe drejtoreshë në qendrën më të madhe klinike universitare në vend, e bazuar në Sarajevë, dhe është bashkëshortja e Bakir Izetbegović, i cili ka qenë në pozita të pushtetit në BiH për më shumë se 20 vite.

Në profilin zyrtar të saj në Facebook janë plot intervista dhe deklarata, si dhe një video ku me maskë në fytyrë, në një klasë të transformuar në qendër për izolim të pacientëve, ajo shkruan një mesazh në një tabelë të zezë, “Ne po punojmë për qytetarët tanë”, e më pas e vizaton një zemër afër mesazhit, dhe largohet duke qeshur me zë.

Ajo e ka mbushur qytetin me pankarta të mëdha me mesazhe për të qëndruar në shtëpi, dhe me nënshkrimin e saj.

Foto: Faqja e Sebija Izetbegović në Facebook.

Vëllai i madh po vjen në BiH

Përveç gjithë kësaj, po flitet që së shpejti autoritetet e BiH mund t’i përcjellin qytetarët nëpërmjet telefonave mobilë, gjë që veçse po praktikohet në disa shtete.

Së fundmi Ministri Radončić diskutoi për këtë me përfaqësuesit e Çekisë në BiH. Ministria deklaroi se Çekia ka ofruar ta prodhojë një aplikacion në bashkëpunim me ekspertët e tyre të teknologjisë informative për t’i përcjellur njerëzit që janë urdhëruar të izolohen, dhe se ata do të ndihmojnë që përdorimi i këtyre pajisjeve të jetë në përputhje me standardet e BE-së.

një tekst të publikuar nga Financial Times, autori Yuval Noah Harari paralajmëron se gjobat dhe monitorimi nuk janë të vetmet mënyra për ta shtyer popullsinë që t’i respektojë masat prej të cilave mund të përfitojnë të gjithë.

Liderët tanë po i shpërfillin krejtësisht rekomandimet dhe përvojat e shteteve tjera.

“Kur iu japim njerëzve fakte shkencore, dhe kur njerëzit u besojnë autoriteteve publike që ua tregojnë këto fakte, qytetarët mund të veprojnë në mënyrën e duhur edhe pa e pasur një Vëlla të Madh që i mbikëqyr”, shkruan Harari.

Teksa po i shuajnë të drejtat e njeriut që veçse janë të brishta në BiH, liderët tanë po i shpërfillin krejtësisht rekomandimet dhe përvojat e shteteve tjera, duke harxhuar kohën e vlefshme që duhet të përdoret për prokurimin e testeve, për testim masiv dhe për trajtim të personave të sëmurë.

Ndërkohë, popullsia po solidarizohet, dhe për masat mbrojtëse po mëson kryesisht nga mediat e huaja. Humori cinik po bëhet një mënyrë për të rezistuar, por edhe për t’u shfryer.

Por përderisa ata po qeshin me kryeministrin që nuk po di të vendosë një maskë, përderisa po mundohen t’i numërojnë ekipet e krizës apo t’i bien në fije se a kemi teste të mjaftueshme si për qytetarë të thjeshtë ashtu edhe për politikanë, populli në BiH kanë frikë nga ajo se çfarë mund të sjellë kjo pandemi dhe se çfarë do të mbetet kur të kryhet gjithçka.

Foto kryesore: Velija Hasanbegović.