Blogbox | SHPRESË

Reflektime të nxitura nga Karnavali Medial i Kosovo 2.0

Nga - 07.09.2020

Letër e hapur për redaksinë.

Nuk do të isha e drejtë ndaj Karnavalit Medial të Kosovo 2.0 “Çka nëse shpresojmë?” nëse do të thosha se nuk ngjalli shpresë tek unë, apo të paktën motivim për të filluar të shpresoj. Ndoshta për shkak se çdo që rreth kësaj ngjarjeje — organizimi, temat, qasjet, dhe folësit ishin freskuese, të guximshme dhe inspiruese (të paktën pjesët që i përjetova vetë, e që ishin të shumta).

Është e jashtëzakonshme se sa i baraspeshuar është universi, me gjithë rrëmujën e vet. Njerëzit janë të vetmit në botë që janë të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për veten, që krijojnë dhe zotërojnë vegla dhe burime të cilat u shërbejnë nevojave të tyre, duke përparuar (në të gjitha sferat e jetës) dhe duke u adaptuar (në të gjitha mënyrat) në vazhdimësi. 

Si rezultat i këtij zhvillimi, ne po jetojmë në kohë interesante (ndoshta duke mos e marrë parasysh këtë pandemi, apo duke e parë përmes të vërtetave që na i ka përplasur në fytyrë, mësimeve të nxjerra dhe mundësive të krijuara). Jetojmë në një kohë gjatë së cilës jemi dëshmitarë dhe e përjetojmë edhe “të vjetrën” edhe “të renë” — në atë se si perceptojmë,si mendojmë, si veprojmë, si dimë, e të tilla; jemi në kulmin e përparimeve teknologjike, zotërojmë burime unike dhe njohuri të gjera se si të krijojmë edhe më shumë. 

Më pëlqyen folësit, tregimet e tyre të suksesit dhe më e rëndësishmja kuraja dhe motivimi i tyre.

Megjithatë, ironikisht, në këtë moment kur i kemi të disponueshme të gjitha që u përmendën më lart dhe kur shumë shtete kanë përqafuar demokracinë, jemi bërë të pakujdesshëm ndaj mjedisit, shoqërisë, burimeve dhe vetes sonë. 

Vazhdojmë të kemi pabarazi të mëdha, mungesë të shkathtësive dhe dijes, dhe sisteme të dështuara. Mos ta përmendim dhunën, trazirat, terrorin, dhe luftën (që pasardhësit tonë me siguri nuk do ta kuptojnë duke marrë parasysh kontrastet e thella që ekzistojnë në shoqërinë e sotme — botëkuptimet edhe përparimtare edhe të prapambetura, duke bërë atë që përmenda më parë).

Kështu pra, pyes veten, a po na dështojnë të gjitha ekosistemet që përbëjnë jetën tonë? Apo mos ne po i bëjmë të dështojnë, ose në disa raste nuk po jemi në gjendje t’i mbajmë dhe t’i bëjmë të veprojnë në dobinë tonë?

Koha e duhur, momenti i duhur 

Disa nga ngjarjet në të cilat mora pjesë virtualisht gjatë Karnavalit Medial ishin vërtetë frymëzuese, pa përmendur se erdhën në momentin e duhur, duke qenë kështu ndryshim i këndshëm nga periudha e gjatë e vetizolimit. 

Megjithatë, përtej kësaj, folësit dhe rrëfimet e tyre ndërlidhën përvojën time gjatë pandemisë — të gjitha reflektimet, ndjenjat (përfshirë zemërimin e dëshpërimin herë pas here), mësimet e nxjerra, mundësitë e vërejtura (të qenit të gatshëm të adaptohemi shpejt dhe të vazhdojmë obligimet e përditshme, edhe pse duke mos qenë në gjendje ta nxjerrim më të mirën) — me shpresën e cila duhet të përkthehet në veprime për ndryshim.

Ndryshimi në tërësi, i bazuar në dëshmi dhe që mundëson përfshirje është mënyra e vetme për fuqizimin e sistemeve që gradualisht në një formë apo tjetër janë dobësuar, apo të cilat në kontekste të caktuara nuk kanë qenë kurrë të fuqishme.

Më pëlqyen folësit, tregimet e tyre të suksesit dhe më e rëndësishmja, kuraja dhe motivimi i tyre. Të gjitha këto përvoja më lanë mbresa dhe më bënë të mendoj, reflektoj, dhe skicoj shpresa, ide dhe vizione. 

Në veçanti, jam intriguar dhe inspiruar nga puna e tyre sfiduese por e suksesshme. Rrëfimet e treguara ma dhanë një perspektivë të re (sidomos narrativat mbi edukimin, gjininë, pabarazitë, punëtoret e seksit dhe prostitucionin  —  pasojat, vendimet e marra në mënyrë sporadike dhe ato të nevojshme).

Shpresa ime është të kem dëshirë të jetoj në vendin tim — një vend që vazhdimisht vë në jetë potencialin e vet të plotë për zhvillim.

Më me rëndësi, tregimet shpërfaqën nevojën e madhe ekzistuese në vendin tonë për adresimin e paragjykimeve, seksizmit, cilësisë së shkollimit, ndoshta nga një perspektivë më e gjerë dhe shumëdimensionale.

Kontrastet e theksuara në shoqërinë tonë — duke qenë e hapur në sipërfaqe por ende konservative dhe shpesh jomirëkuptuese në një nivel më të thellë — duhet të adresohen urgjentisht dhe në mënyrë efektive. Në një vend me shumicën e popullatës të re e me potencial të jashtëzakonshëm nuk ka hapësirë për analfabetizëm, korrupsion, nepotizëm, aborte selektive në bazë të gjinisë, dhunë, sistem të ndikuar gjyqësor, sisteme shëndetësore dhe edukative joefektive, ekonomi të dobët, apo qeveri dhe përfaqësues të papërgjegjshëm, ndër të tjera.

Hapat e ardhshëm 

Katastrofat e mëdha, fatkeqësitë, si dhe zhgënjimet e grumbulluara shpesh mund të çojnë drejt ndryshimeve në një epokë. Drejtimi i ardhshëm që zgjedhim varet nga ne. COVID-19 ka ndikim në të gjithë ne në mënyra të shumëfishta, edhe pse shumë të ndryshme. Si e shoh unë, mund të vazhdojmë të jetojmë jetët tona sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mbase edhe të injorojmë gjithë çfarë ka ndodhur dhe eventualisht të harrojmë (tashmë jemi mësuar me të) e të vazhdojmë me obligimet e përditshme duke qenë të pakujdesshëm ndaj ambientit dhe duke injoruar pasojat e veprimeve tona.

Apo mund të zgjedhim të reflektojmë për mënyrat se si gjithçka ka ndryshuar gjatë muajve të fundit dhe të përfitojmë nga mundësitë e reja të krijuara nga kjo katastrofë (duke na bërë më të qëndrueshëm në një formë apo tjetër, duke reflektuar mbi atë se si po përballemi me këtë sfidë dhe duke menduar seriozisht se si të përgatitemi më mirë për të parandaluar pasojat e rënda të panevojshme).   

Shpresa ime është të kem dëshirë të jetoj në vendin tim — një vend që vazhdimisht vë në jetë potencialin e vet të plotë për zhvillim.

Vizioni im është të ndikoj në shoqërinë tonë duke ndryshuar konceptet, konstruktet, narrativat dhe veprimet të cilat na pengojnë, gjymtojnë dhe dëmtojnë personalisht ndërkohë që na mundësojnë ta lëndojmë njëri-tjetrin; ashtu që t’i shndërrojmë në koncepte, konstrukte, narrativa dhe masa që në vazhdimësi na lejojnë të zhvillohemi në mënyrë të barabartë. 

Çfarë të bëjmë: të fillojmë dhe të vazhdojmë me edukimin e të rinjve duke mbështetur edukatorët, mësuesit (para dhe gjatë shërbimit) që të bëhen agjentë të ndryshimit dhe të ndikojnë në të gjithë ekosistemin, përmes një qasjeje holistike që mundëson pjesëmarrjen. 

Rruga e mundshme përpara: qasjet e provuara dhe të suksesshme tregojnë se nuk është e mjaftueshme që një çështje të adresohet sipërfaqësisht përmes një këndvështrimi të vetëm. Por në vend të kësaj duhet të përdoret një qasje kaleidoskopike për të dekonstruktuar të gjitha elementet që janë pjesë e një problemi   

Kemi nevojë për veprime të bazuara në dëshmi dhe të cilat mundësojnë pjesëmarrje përmes një qasjeje holistike shumëdimensionale. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

  • 14 Sep 2020 - 13:50 | Nebahate:

    Ju lumte per artikullin,ju duhet te punoni sa me shume se te gjithe i kemi syte nga rinija,e cila duhet te jete me mendime e ndikime te shendosha te arsimuar dhe te ngritur profesionalisht per paraqitjen e projekteve dhe shkrimeve ne vijim.

KOMENTO