Kur Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt, 2008, vëmendja u kthye kah parlamentet dhe kuvendet e huaja nëpër botë, për të parë se kush do ta njihte shtetin më të ri në Evropë. Deri në fund të vitit 2008, Kosova u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç pesë- përjashtimet ishin Spanja, Rumunia, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
Tetë vite e gjysmë më vonë, ndonëse 112 shtete nga mbarë bota e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ajo ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe pesë shtete anëtare të BE ende nuk e kanë njohur. Kjo gjendje e njohjes së pjesshme e ka lënë Kosovën në pritje të vuajtshme, shpeshherë duke i ndërlikuar proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe duke e privuar nga përfitimet e zakonshme që ofron shtetësia.
Drejtë pavarësisë (1)
24 MARS, 1999:
NATO nis fushatën ajrore të bombardimit kundër regjimit të Milosevic në Republikën Federale të Jugosllavisë. Ndërhyrja ushtarake ndodhi si përpjekje për t'i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë dhe përfundon me ndërhyrje tokësore në qershor të po atij viti, që rezultoi me largimin e aparatit shtetëror të Milosevic prej Kosovën.
10 QERSHOR, 1999:
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 1244. Kjo rezolutë e vendosë Kosovën nën administrim të përkohshëm të OKB; këto detyra performohen nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). UNMIK-ut gjithashtu i ipet detyra e themelimit të institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes lokale dhe lehtësimit të procesit politik për të vendosur statusin e ardhshëm të Kosovës.
Kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës avokohet më së shumti nga Serbia (me mbështetje të fuqishme nga Rusia), që insiston se shpallja unilaterale e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin territorial të Serbisë. Edhe pse në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND dha opinion këshillues ku konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, faktorë të përbashkët që lidhen me qëndrimet e pesë shteteve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën janë çështjet e brendshme.
Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende atë janë zhvilluar në bazë individuale prej vitit 2008, me arritura të ndryshme. Në këtë seri me pesë pjesë, K2.0 analizon faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikuar në lidhjet diplomatike në mes të këtyre pesë shteteve dhe Kosovës.
Kosova dhe Rumunia
Lajmi për shpalljen e pavarësisë në Kosovë u festua në Rumuni, ekskluzivisht në një zonë të vogël të Transilvanisë, rajon i minoritetit etnik hungarez, që përbënë rreth 7% të popullsisë së përgjithshme rreth 20 milonëshe të Rumanisë. Liderët e Këshillit Kombëtar Szeklers, organizatë e hungarezëve etnik, mbajtën tubim për të festuar shpalljen e Kosovës shtet, duke hapur banderola në të cilat shkruante “Bravo Kosova!”, “Të Drejta për Minoritete”, dhe “Rroftë Autonomia Kombëtare” në qytetin e Klluzhë, të Transilvanisë.
Parlamenti rumun ishte shumë më pak i ngazëllyer. Një deklaratë u përpilua pak më pas me të cilën u lajmërua që Rumunia nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë gjeti mbështetje të shumtë nga politikanët rumun. Në të theksohej se “vendimi në Prishtinë dhe njohja e mundshme nga shtetet tjera e pavarësisë së shpallur në mënyrë unilaterale nuk mund të interpretohet si precedent për zona tjera”.
Për Rumuninë, njohja e pavarësisë së Kosovës mund të nxisë veprim unilateral nga minoriteti hungarez, që ka kërkuar autonomi për rajonin e Transilvanisë për një kohë të gjatë. Kjo ishte, dhe ende mbetet, një prej shkaqeve kryesore të qëndrimit të Rumunisë kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Marian Chiriac, gazetar që punon për BIRN në Rumuni, tha për K2.0 nëpërmjet postës elektronike që ky qëndrim është edhe i politizuar. “Për mendimin tim, rasti i Kosovës është përdorur nga zyrtarët rumun si argument politik, me qëllim që të fuqizohet pozita e tyre në mesin e elektoratit nacionalist. Politika e vijës extreme ka frikë se një lëvizje e tillë mund të vendosë precedent ligjor dhe të inkurajojë lëvizje separatiste brenda vendit”, deklaroi ai.
Drejtë pavarësisë (2)
DHJETOR 2003 - TETOR 2005:
OKB vendosë disa standarde që duhet t'i arrijnë Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes në Kosovë para se të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. 22 muaj më vonë, një raport i autorizuar nga OKB deklaron që nuk mund të ketë më progres sa i përket standarteve deri sa Kosova të qartësojë statusin përfundimtar politik të saj.
SHKURT 2006:
Statusi i ardhshëm i Kosovës diskutohet në një takim në Vjenë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata ndërmjetësohen nga i Dërguari i Posaçëm i OKB, Martti Ahtisaari. Megjithatë, pas disa takimeve, nuk arrihet ndonjë marrëveshje, dhe kjo bënë që vet Ahtisaari ta formulojë një plan që ka për synim zgjidhjen e ngërçit.
Rumunia ka shprehur gjithashtu shqetësime ligjore në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë seancës shqyrtuese të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Rumunia argumentoi në favor të Serbisë, duke thënë se “shpallja unilaterale e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetë-qeverisjes në Kosovë nuk është në përputhje me parimet themelore të ligjit ndërkombëtar”.
Vendimi këshillues i GJND-së e kundërshtoi këtë pretendim, duke nënvizuar se kategorikisht shpallja e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, por gjetjet e tyre nuk kanë patur shumë ndikim në qëndrimin e Rumunisë ndaj Kosovës prej atëherë.
Njohja e shtetësisë së Kosovës nuk është vetëm çështje e brendshme ose ligjore për Rumuninë. Arsye tjetër pse ky shtet i Ballkanit ngurron që ta njeh Kosovën janë interesat e kahmotshme ekonomike me fqinjin e saj perendimor, pra Serbinë.
Gjatë vitit 2015, volumi i tregtisë në mes të dy vendeve arriti vlerën 1 miliardë euro; Rumunia eksportoi mbi 627 milion euro mallra në Serbi ndërsa importoi rreth 384 milion euro në vlerë të të mirave, përfitim tregtar për Rumuninë në vlerë më të madhe se 240 milion euro. Në anën tjetër, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në po atë vit Rumunia eksportoi vetëm rreth 30 milion euro në vlerë të të mirave në Kosovë.
Sidoqoftë, pavarësisht këtyre lidhjeve të fuqishme ekonomike, marrëdhëniet rumuno-serbe nuk është se kanë qenë gjithmonë më të mirat. Në 2015 Rumunia kërcënoi bllokimin e hapjes së Kapitullit 23 të negociatave të BE me Serbinë për anëtarësim nëse nuk garantohen të drejta për minoritetin rumun (të njohur si vllehët, që janë rreth 30,000) në Serbinë lindore.
Chiriac beson që mosnjohja e Kosovës po përdoret edhe si avantazh nga qeveria rumune kur diskutohet çështja e vllehëve me Serbinë. “Bukureshti po mundohet që të përdorë Kosovën si argument për të kërkuar më shumë të drejta për minoritetin rumun (vllehët) në Serbi”, tha ai për K2.0.
"Qeveritë një pas një e kanë kundërshtuar pavarësinë, por vazhdojnë të përfshihen në misionin e BE [EULEX] atje."
Marian Chiriac
Pavarësisht qasjes së rezervuar për njohjen e shtetësisë së Kosovës, marrëdhëniet diplomatike të Rumunisë me Kosovën nuk kanë qenë krejtësisht të mbyllura. Në 2013 qeveria rumune morri vendimin që për t’i njohur pasaportat e Kosovës. Më parë, qytetarët e Kosovës duhej që të aplikonin edhe për vizë rumune, madje edhe nëse ishin pajisur me vizë Shengen. Në anën tjetër zyra ndërlidhëse Rumune funksionon në Prishtinë që prej vitit 2004.
Në votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Rumunia pati qëndrim më neutral se shumica e pesë shteteve tjera që nuk na njohin, duke abstenuar nga votimi; dhe kështu duke mos përcjellur shembullin e Qipros, Spanjës e Sllovakisë, të cilat të gjitha votuan kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Duke diskutuar marrëdhëniet kosovaro-rumune, Chiriac beson që Rumunia ka mbajtur qëndrim “skizofrenik” drejt Kosovës. “Qeveritë një pas një e kanë kundërshtuar pavarësinë, por vazhdojnë të përfshihen në misionin e BE [EULEX] atje, duke dërguar edhe policë e xhandarë”, tha ai.
Ndryshim pozicioni karshi Kosovës apo rivalitet i brendshëm?
2013 u duk si vit i rëndësishëm për marrëdhëniet e Kosovës me disa shtete. Në prill të atij viti, Kosova dhe Serbia iu përkushtuan dialogut dhe nënshkruan marrëveshjen e parë në mes të dy vendeve. Atë verë, Parlamenti Evropian kërkoi nga pesë shtetet e BE që nuk e njohin ende Kosovën që t’i ndryshojnë vendimet e tyre përkatëse.
Drejtë pavarësisë (3)
3 prill, 2007:
Pas më shumë takimeve e negociatave me të dy palët, Ahtisaari prezanton planin e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKGB. Plani i Ahtisaarit miratohet shpejtë nga autoritetet në Prishtinë dhe ipen deklarata mbështetëse për gjetjet e këtij plani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Parlamentin Evropian. Megjithatë, refuzimi nga qeveria e Serbisë dhe kundërshtimi i fuqishëm rus e parandalon miratimin e planit.
17 shkurt, 2008:
Të përballur me stagnim në negociata, Kuvendi i Kosovës e shpall vetën unilateralisht Kosovën të pavarur, por serbët e Kosovës e bojkotojnë seancën në Kuvend. Kuvendi e obligon vetën që t'i ndjekë dispozitat e Planit të Ahtisaarit; rekomandimet e këtij plani formuan bazën kushtetuese të Kosovës. Institucionet kosovare gjithashtu pajtohen që t'i pranojnë mbi 2,000 trupa të misionit të BE për Sundim të Ligjit (EULEX), për të monitoruar dhe ndihmuar sistemin e drejtësisë. Misioni është ende operativ, deri në vitin 2018.
Deri kah qershori i vitit 2013, kryeministri i atëhershëm i Rumunisë, Victor Ponta, filloi që të aludonte një qëndrim tjetër drejt pavarësisë së Kosovës. “Jam në favor të procesit të shpejtë të njohjes, [por] Presidenti është më i matur se unë në këtë aspekt, ndërsa ish-ministrat e jashtëm i kanë gjithashtu pikëpamjet e tyre”, tha Ponta për agjencinë rumune të lajmeve, Mediafax.
Në po atë vit, gjatë një vizite të zëvendës presidentit të SHBA, Joe Biden, Ponta tha për televizionet rumune që viti 2015 mund të jetë viti kur Rumunia e njeh Kosovën – nëse ka bashkërendim me partnerët tjerë evropian [katër shtetet tjera anëtare të BE-së që nuk e njohën Kosovën]. Ai shtoi se Rumunia duhet “t’i bashkohet familjes evropiane” sa i përket kësaj çështjeje.
Chiriac përshkruan mbështetjen e Pontas si të rrënjosur në një dëshirë për ta pozicionuar vetën në kundërshtim të ish-Presidentit Traian Basescu, dhe e akuzon atë që nuk ka realisht dëshirë për të miratuar ndryshime reale. “As Ponta e as qeveria e tij nuk janë munduar kurrë që të kenë nismë të qartë dhe reale për ta njohur Kosovën”, tha ai.
Ndonëse viti 2015 u etiketua si viti i mundshëm për njohjen e shtetësisë së Kosovës, në fund politika në Rumuni atë vit u karakterizua me skandale dhe trazira të pafundme.
Së pari u lansua një hetim në korrik kundër kryeministrit Ponta, për akuza të “shpërlarjes së parave, falsifikim dhe evazion fiskal”, që e tronditi seriozisht sfondin politik të Rumunisë. Disa muaj më vonë, Ponta vendosi që të jep dorëheqje pasi shpërthyen protesta popullore në Bukuresht si pasojë e një zjarri famëkeq në një klub të natës që morri jetën shumë të rinjve.
Prej atëherë, Rumunia është qeverisur nga një qeveri teknokratike me mandat një vjeçar, në krye me Daniel Ciolos, që nuk ka dhënë ndonjë shenjë të ndryshimit të qëndrimit të tij drejt Kosovës.
Megjithatë, mbështetja për njohjen e pavarësisë kosovare nuk po mungon krejtësisht së fundmi në politikën rumune. Ky konkludim del pas një hulumtimi të përpiluar në maj dhe qershor 2016 nga një OJQ në Rumuni, Qendra Rumune për Studime Evropiane, me mbështetje nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur. Hulumtimi u titullua: “BE-ja dhe Ballkani Perendimor, Lidhja e BE-së me Kosovën” dhe përfshiu një sondazh të deputetëve rumun që, mes tjerash, u pyetën për qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës.
Përpjekjet për njohje
GUSHT 2008 - KORRIK 2010:
Serbia reagon ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke kërkuar opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjegjësisht duke e pyetur këtë të fundit se a ka shkelur Kosova të drejtën ndërkombëtare. Dy vite më vonë konkludimi ishte i qartë, por nuk ishte vendim detyrues: shpallja nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
PRILL 2013:
Dy vite pas fillimit të dialogut teknik,Kosova dhe Serbia kaluan në dialog politik, dhe nënshkruan një marrëveshje, që prej shumë njerzve u konsiderua si "marrëveshje shumë e rëndësishme" për të ndihmuar me normalizimin e marrëdhënieve. Pika 14 e kësaj marrëveshjeje thotë që "u pajtuan që të mos e bllokojnë, e as t'i inkurajojnë tjerët që të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugët përkatëse drejt BE".
DHJETOR 2014 - MAJ 2016:
Kosova pranohet si anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor 2014, dhe si anëtare e plotë e FIFA-s e UEFA-s në maj të vitit 2016. Megjithatë, në nëntor 2015, Kosova dështon për tri vota që të pranohet në UNESCO, pasi Serbia lansoi një fushatë të ashpër shtetërore kundër anëtarësimit të Kosovës.
22 KORRIK, 2016:
Suriname bëhet shteti i 112 që njeh Kosovën si shtet të pavarur në korrik 2016. Megjithatë, Rusia, Kina, India, Brazili dhe më shumë se 80 shtete tjera, ende nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.
Prej gjithsej 506 deputetëve, 202 iu përgjigjën sondazhit. Kur u pyetën për njohjen e Kosovës nga Rumunia: 39% e të anketuarve deklaruan se besojnë që Rumunia duhet ta njeh Kosovën, ndërsa 35% ishin kundër njohjes. 26% nuk iu përgjigjën fare pyetjes.
Në dhjetor Rumunia do të ketë zgjedhje të reja parlamentare dhe ka shumë të panjohura sa i përket rezultateve. Gazetari nga Bukureshti, Kit Gillet, shpjegoi për K2.0 situatën e ngatërruar të politikës rumune. “Partia Social Demokrate [partia e dikurshme e Victor Ponta] ka më së shumti gjasa që të fitojë më së shumti ulëse, por aleancat partiake mund të shkaktojnë me gjasë sfida për formimin e një qeverie me koalicion”, tha ai. “Ndërkohë aktualisht nuk ka kandidatë të fuqishëm për kryeministër”.
E gjithë kjo po e lë çështjen e Kosovës të shpërfillur, dhe po e bënë të vështirë që të përfytyrohet e ardhmja e saj. Siç theksoi Gillet, “është shumë vështirë të parashikojmë drejtimin e politikës së jashtme dhe të brendshme kur nuk ke ide se kush do ta udhëheq vendin pas disa muajve”.
Njohja nuk po duket se është afër pasi që ende ka çështje të vjetra të pazgjidhura dhe politikanit të vetëm rumun që foli haptas për njohjen e Kosovës, Victor Ponta, tashmë i është dëmtuar reputacioni. Megjithatë, një kapitull i ri i politikës rumune do të nis në fund të këtij viti, një në të cilin Kosova mund të përpiqet përsëri që ta shtyjë përpara çështjen e njohjes.K
Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.
1 serbia 2 Roumanie 3 Russie 4 Inde 5 Iran 6 Chine 7 core du Nord 8 caboqe 9 Venezuela 10 Argentine 11 Cuba 12 Palestine 13 Bosnie 14 Arménie 15 kakistone 16 Grèce 17 Slovaquie 18 gipre 19 mexico 20 France