Kur Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt, 2008, vëmendja u kthye kah parlamentet dhe kuvendet e huaja nëpër botë, për të parë se kush do ta njihte shtetin më të ri në Evropë. Deri në fund të vitit 2008, Kosova u njoh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç pesë- përjashtimet ishin Spanja, Rumunia, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.
Tetë vite e gjysmë më vonë, ndonëse 112 shtete nga mbarë bota e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ajo ende nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe pesë shtete anëtare të BE ende nuk e kanë njohur. Kjo gjendje e njohjes së pjesshme e ka lënë Kosovën në pritje të vuajtshme, shpeshherë duke i ndërlikuar proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe duke e privuar nga përfitimet e zakonshme që ofron shtetësia.
Drejtë pavarësisë (1)
24 MARS, 1999:
NATO nis fushatën ajrore të bombardimit kundër regjimit të Milosevic në Republikën Federale të Jugosllavisë. Ndërhyrja ushtarake ndodhi si përpjekje për t'i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë dhe përfundon me ndërhyrje tokësore në qershor të po atij viti, që rezultoi me largimin e aparatit shtetëror të Milosevic prej Kosovën.
10 QERSHOR, 1999:
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miraton rezolutën 1244. Kjo rezolutë e vendosë Kosovën nën administrim të përkohshëm të OKB; këto detyra performohen nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). UNMIK-ut gjithashtu i ipet detyra e themelimit të institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes lokale dhe lehtësimit të procesit politik për të vendosur statusin e ardhshëm të Kosovës.
Kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës avokohet më së shumti nga Serbia (me mbështetje të fuqishme nga Rusia), që insiston se shpallja unilaterale e Kosovës shkel të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin territorial të Serbisë. Edhe pse në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë GJND dha opinion këshillues ku konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare, faktorë të përbashkët që lidhen me qëndrimet e pesë shteteve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën janë çështjet e brendshme.
Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende atë janë zhvilluar në bazë individuale prej vitit 2008, me arritura të ndryshme. Në këtë seri me pesë pjesë, K2.0 analizon faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikuar në lidhjet diplomatike në mes të këtyre pesë shteteve dhe Kosovës.
Kosova dhe Sllovakia
Shkollat sllovake të mendimit në lidhje me Kosovën si duket dallojnë shumë njëra me tjetrën; edhe në mesin e klasës politike, edhe në atë të publik. Është ndarje që ka krijuar marrëdhënie të mbushura me veprime që janë me sa duket kontradiktore.
Mohimi nga Sllovakia i ‘realitetit të ri’ të pavarësisë kosovare shpeshherë i atribuohet konflikteve të brendshme që mund t’i prodhojë njohja e Kosovës. Për disa njerëz ekziston frika që një lëvizje e tillë mund të vendosë një precedent për minoritetin hungarez në Sllovakinë jugore.
Më shumë se 500,000 hungarez etnik jetojnë në Sllovakinë jugore, nga gjithsej 5.4 milion banorë sa ka Sllovakia. Tensionet etnike në mes të këtij minoriteti të madh dhe shtetit sllovak dalin në pah kohë pas kohe. Një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë, nisi një luftë politike e fjalëve në lidhje me përdorimin e gjuhës hungareze në shkolla sllovake. Bratislava ka frikë që njohja e pavarësisë së Kosovës mund ta nxitë minoritetin hungarez që të kërkojë autonomi të zgjeruar.
“Mendoj që shkëputja e njëanshme e grupeve etnike nga shtetet përkatëse nuk është në interesin e Evropës, siç nuk është as adresimi i konflikteve territoriale”, tha në vitin 2010 ministri i jashtëm i atëhershëm i Sllovakisë, Mikulas Dzurinda, duke qartësuar qëndrimin e tij të kundër ndaj Kosovës.
Drejtë pavarësisë (2)
DHJETOR 2003 - TETOR 2005:
OKB vendosë disa standarde që duhet t'i arrijnë Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes në Kosovë para se të diskutohet statusi përfundimtar i Kosovës. 22 muaj më vonë, një raport i autorizuar nga OKB deklaron që nuk mund të ketë më progres sa i përket standarteve deri sa Kosova të qartësojë statusin përfundimtar politik të saj.
SHKURT 2006:
Statusi i ardhshëm i Kosovës diskutohet në një takim në Vjenë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Këto negociata ndërmjetësohen nga i Dërguari i Posaçëm i OKB, Martti Ahtisaari. Megjithatë, pas disa takimeve, nuk arrihet ndonjë marrëveshje, dhe kjo bënë që vet Ahtisaari ta formulojë një plan që ka për synim zgjidhjen e ngërçit.
Dzurinda ishte kryeministër i Sllovakisë në kohën e fushatës së bombardimeve ajrorore të NATO-s në vitin 1999, kohë kur qeveria sllovake morri vendimin që t’i lejonte trupat tokësore të NATO që ta përdorin territorin sllovak për ta sulmuar Serbinë. “Thelbi i problemit në Jugosllavi ishte gjenocidi që po bëhej kundër popullsisë etnike shqiptare në Kosovë”, tha Dzurinda në 1999. Në atë kohë, Sllovakia po synonte që t’i bashkohej NATO-s, dhe kjo u bë e mundur në vitin 2004, siç u bë edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e kjo mbase mund t’i shpjegojë këto qasje të ndryshme të Dzurindas.
Ndonëse zyrtarët sllovak dhanë dritën e gjelbërt NATO-s për të bombarduar Serbinë, si duket opinioni publik brenda në Sllovaki me vështirësi e pranoi këtë atë që pasoi. Sipas Milan Nic, Drejtorit Hulumtues të GLOBSEC Policy Institute (Instituti i Politikës GLOBSEC), ekziston një “trashëgimi emocionale” në opinionin publik sllovak që buron nga kundërshtimi i kahmotshëm i kësaj fushate.
“Populli dhe mediat [në Sllovaki] u çmendën më shumë për faktin se NATO-ja po sulmonte qytete në Serbi, dhe kjo ishte më e rëndësishme se spastrimi etnik që po ndodhte në Kosovë”, tha Nic për K2.0.
Në anën tjetër Nic beson se Kosova duhet të bëjë më shumë për të prezantuar një fytyrë të re në sytë e opinionit publik sllovak. “Kur flas me miqtë e mi nga Tirana apo Prishtina, gjithmonë argumentoj se [Shqipëria dhe Kosova] duhet të rrisin profilin [e tyre në Sllovaki] nëpërmjet ngjarjeve kulturore”, shpjegoi ai. “Hapësira politike është shumë e kufizuar, meqë diskutimet politike toksike nuk kanë shumë lidhje me realitetin”.
Por shkëmbimi kulturor mes Kosovës dhe Sllovakisë nuk ka munguar krejtësisht gjithmonë, dhe diskutimet politike nuk kanë qenë gjithmonë toksike. Në shtator 2016, Zëvendës Ministri i atëhershëm për Integrim Evropian, Ramadan Ilazi, e vizitoi Bratisllavën. Ky udhëtim u organizua nga një OJQ e Prishtinës, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Ilazi u shoqërua nga një grup i anëtarëve të shoqërisë civile të Kosovës. Në takim, Ilazi falenderoi shtetin sllovak për mbështetjen e tyre të perspektivës evropiane të Kosovës, dhe kërkoi që të themelohej një zyrë ndërlidhëse në Sllovaki për kosovarët, në mënyrë që të mundësohet bashkëpunimi me zyrën që aktualisht operon në Prishtinë.
Drejtë pavarësisë (3)
3 prill, 2007:
Pas më shumë takimeve e negociatave me të dy palët, Ahtisaari prezanton planin e tij për statusin e ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKGB. Plani i Ahtisaarit miratohet shpejtë nga autoritetet në Prishtinë dhe ipen deklarata mbështetëse për gjetjet e këtij plani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Parlamentin Evropian. Megjithatë, refuzimi nga qeveria e Serbisë dhe kundërshtimi i fuqishëm rus e parandalon miratimin e planit.
17 shkurt, 2008:
Të përballur me stagnim në negociata, Kuvendi i Kosovës e shpall vetën unilateralisht Kosovën të pavarur, por serbët e Kosovës e bojkotojnë seancën në Kuvend. Kuvendi e obligon vetën që t'i ndjekë dispozitat e Planit të Ahtisaarit; rekomandimet e këtij plani formuan bazën kushtetuese të Kosovës. Institucionet kosovare gjithashtu pajtohen që t'i pranojnë mbi 2,000 trupa të misionit të BE për Sundim të Ligjit (EULEX), për të monitoruar dhe ndihmuar sistemin e drejtësisë. Misioni është ende operativ, deri në vitin 2018.
Kjo nuk ishte hera e parë që u prit një delegacion atje. KFOS vazhdimisht ka punuar për zhvillimin e marrëdhënieve në mes të Sllovakisë dhe Kosovës, madje në vitin 2014 organizuan edhe një vizitë në Sllovaki për artistë të ri bashkëkohor kosovar që merren me art, produksion të teatrit dhe filmit.
Edhe delegacionet parlamentare nga Sllovakia janë pritur në Prishtinë. Në vitin 2013, parlamenti i Kosovës raportoi se gjatë një vizite zyrtare, kreu i delegacionit parlamentar sllovak, Ivan Stefanec, tha se misioni i tij ishte përmirësimi i marrëdhënieve në mes të dy parlamenteve, gjegjësisht dy shteteve.
Pavarësisht filleve të zhvillimit të marrëdhënieve të mira në mes të Sllovakisë dhe Kosovës, kjo e para ka histori shumë më të gjatë “të marrëdhënieve tradicionale miqësore” me Serbinë. Gjithashtu ka lidhje shumë më të fuqishme ekonomike me fqinjin verior të Kosovës. Në 2014, Sllovakia eksportoi të mira në vlerë më shumë se 290 milion dollarë në Serbi, ndërsa në Kosovë në këtë vit eksportoi vetëm rreth 8.5 milion dollarë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Por këto lidhje të afërta nuk e kanë parandaluar Sllovakinë që të bëjë hapa konstruktiv në raport me Kosovën. Në 2012, shteti sllovak morri vendimin që t’i njeh plotësisht pasaportat e Kosovës, duke lejuar kështu qytetarët kosovar që të hynë në territorin sllovak nëse posedojnë vizë Shengen. Sllovakia ishte e para që bëri këtë hap nga pesë anëtarët e BE që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo u duk si shenjë që Sllovakia po zhvillonte një qasje më të hapur drejtë Kosovës, ndonëse nuk është që u pasua me ndryshim në lidhje me statusin politik të vendit.
Një burrë që duket i prirur për të miratuar ndryshime të tilla është presidenti aktual i Sllovakisë, Andrej Kiska, i cili garoi si kandidat i pavarur dhe i cili ka folur haptas në favor të njohjes së Kosovës. “Besoj që krijimi i një Kosove të pavarur është hap drejt promovimit të stabilitetit në këtë pjesë të rajonit”, tha ai gjatë fushatës presidenciale të tij në 2014.
Megjithatë, sipas kushtetutës sllovake, qeveria është ajo që ka prerogativë për të njohur shtete, ndërsa presidenti sllovak nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në këtë proces.
Përpjekjet për njohje
GUSHT 2008 - KORRIK 2010:
Serbia reagon ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës duke kërkuar opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjegjësisht duke e pyetur këtë të fundit se a ka shkelur Kosova të drejtën ndërkombëtare. Dy vite më vonë konkludimi ishte i qartë, por nuk ishte vendim detyrues: shpallja nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare.
PRILL 2013:
Dy vite pas fillimit të dialogut teknik,Kosova dhe Serbia kaluan në dialog politik, dhe nënshkruan një marrëveshje, që prej shumë njerzve u konsiderua si "marrëveshje shumë e rëndësishme" për të ndihmuar me normalizimin e marrëdhënieve. Pika 14 e kësaj marrëveshjeje thotë që "u pajtuan që të mos e bllokojnë, e as t'i inkurajojnë tjerët që të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugët përkatëse drejt BE".
DHJETOR 2014 - MAJ 2016:
Kosova pranohet si anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor 2014, dhe si anëtare e plotë e FIFA-s e UEFA-s në maj të vitit 2016. Megjithatë, në nëntor 2015, Kosova dështon për tri vota që të pranohet në UNESCO, pasi Serbia lansoi një fushatë të ashpër shtetërore kundër anëtarësimit të Kosovës.
22 KORRIK, 2016:
Suriname bëhet shteti i 112 që njeh Kosovën si shtet të pavarur në korrik 2016. Megjithatë, Rusia, Kina, India, Brazili dhe më shumë se 80 shtete tjera, ende nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.
Anëtarët e qeverisë së tanishme nuk po duket se po e pranojnë këtë ide sikurse Kiska. Kryeministri social-demokrat i Sllovakisë, Robert Fico, është kundërshtar i fortë i pavarësisë së Kosovës. Vetëm disa ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë, ai e përshkroi këtë lëvizje si “gabim të madh”.
Për disa muaj në vjeshtë të vitit 2015 u shfaqën dukshëm ndarjet dhe jokonsistencë të politikës së jashtme sllovake ndaj Kosovës. Në shtator, Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Sllovak mbajti seancë shqyrtimi për marrëdhëniet në mes të Sllovakisë dhe Kosovës. Në fund shumica e deputetëve zgjodhën që t’i qëndrojnë besnik qëndrimit të Sllovakisë për mosnjohjen e Kosovës, por të mbështesin integrimit të saj në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, vetëm dy muaj më pas, delegacioni i Sllovakisë në UNESCO votoi kundër anëtarësimit të Kosovës.
Duke reaguar ndaj kritikave të shumta, Ministri i Jashtëm Sllovak, Miroslav Lajcak, tha për agjencinë e lajmeve Beta që pozicionimi i tillë “është në përputhje me qëndrimin e Sllovakisë për të mos e njohur Kosovën, por [Sllovakia] nuk është armiqësore [ndaj Kosovës]”. Ministri shtoi më tutje huti kur tha “Sllovakia e ka mbështetur, ose të paktën nuk ka penguar, integrimet”.
Disa muaj më vonë, në prill 2016, Sllovakia mbështeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) në mes të Be dhe Kosovës, që shënoi marrëdhënien e parë kontraktuale mes të tyre. Lajcak e duartrokiti këtë marrëveshje, duke ia uruar Kosovës në Twitter. Megjithatë, rruga e Kosovës drejt BE mbetet e paqartë, pjesërisht për shkak të qëndrimit sllovak ndaj shtetësisë së Kosovës.
Ndonëse Sllovakia kohë pas kohe ka luajtur rol konstruktiv – duke lejuar kosovarët që të lëvizin lirshëm brenda territorit të saj me vizën Shengen në pasaportën kosovare – dhe po fillon të nxisë më shumë shkëmbime kulturore e diplomatike, është e qartë që opinioni publik dhe politika sllovake është ende e ndarë sa i përket njohjes së sovranitetit të Kosovës.K
Imazhi: Majlinda Hoxha / K2.0.