Që nga rënia e komunizmit në vitin 1991, autoritetet shtetërore në Shqipëri janë gjendur përballë sfidës se si ta trajtojnë trashëgiminë e abuzimit të të drejtave të njeriut prej epokës komuniste. Viteve të fundit, zyrtarët/et kanë prezantuar mekanizma të drejtësisë tranzicionale, të tilla si ofrimi i qasjes së qytetarëve/eve dhe studiuesve/eve në arkivat e ish-policisë sekrete. Por pavarësisht reformave të tilla dhe kërkimeve në rritje lidhur me historinë e komunizmit në Shqipëri, përvojat dhe zëri i komunitetit LGBTQ+ të asaj kohe vazhdojnë të shpërfillen.
Hulumtimi për zërat LGBTQ+ mbetet sfidues për shkak të stigmatizimit të vazhdueshëm dhe homofobisë së përhapur. Homoseksualiteti konsiderohej i jashtëligjshëm gjatë gjithë epokës komuniste dhe ndikimi i ndalimit të atëhershëm ishte i rëndë — efektet e tij ndihen edhe sot.
Vitin e kaluar, bëra kërkime etnografike për rrëfimet e burrave gej, të cilët, pavarësisht brutalitetit të regjimit komunist në shumë fusha të jetës, shkonin në takime seksuale me burra të tjerë. Njëri prej tyre ishte Sotiraqi, shqiptar që identifikohet si gej dhe ka jetuar gjatë regjimit komunist.
“Duhet të kuptosh thelbin e atij sistemi, atëherë [në vitin 1991] nuk kishim emra apo termin gej siç është sot”, më tha Sotiraqi. Emri i tij është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin. “Nuk ishim komunitet pasi ishte frika nga ligji që na pengonte ta jetonim jetën siç donim”. Ai kujton po ashtu frikën dhe izolimin që përjetoi dhe se si u detyrua ta mbante fshehur veten e tij të vërtetë, për ta shmangur përndjekjen.
Xheni Karaj, aktiviste lezbike dhe drejtore e Aleanca Kundër Diskriminimit të LGBT, organizatë joqeveritare që ofron mbështetje për komunitetin LGBTQ+, më tha se “Burrat gej të asaj periudhe nuk artikulojnë dot me zë të lartë se janë homoseksualë”. Ajo shtoi se “Me sa shoh nga ai brez, edhe kur flasin, e kanë ndjesinë e paranojës shumë të zhvilluar. Kur flet me ta, e ndien homofobinë e interiorizuar, fakti që nuk janë të pajisur me një gjuhë që të identifikojnë emocionet e veta”.
Kriminalizimi i homoseksualitetit të meshkujve
Shqipëria komuniste rregullonte dhe kërkonte t’i shtypte dëshirat seksuale midis njerëzve të të njëjtit seks. Teksa ligji që kriminalizonte homoseksualitetin e meshkujve i parapriu komunizmit, burrat që kryenin aktivitete seksuale midis të të njëjtit seks i nënshtroheshin ndalimit edhe më të ashpër ligjor gjatët sundimit komunist. Homoseksualiteti u shpall i jashtëligjshëm në vitin 1925, nën udhëheqjen e Ahmet Zogut, i cili shërbeu si kryeministër, pastaj si president dhe në fund si mbret i Shqipërisë mes viteve 1922 dhe 1939. Gjatë komunizmit, neni 137 i Kodit Penal të vitit 1952, i amandamentuar në vitin 1958, mbajti kriminalizimin e marrëdhënieve seksuale mes burrave.
Ligji përcaktonte marrëdhëniet seksuale midis meshkujve duke përdorur terma përçmues si “pederasti”. Ky legjislacion kriminalizonte “pederastinë” — term që përdoret në mënyrë pezhorative në shqip dhe në disa gjuhë të tjera, për t’iu referuar “marrëdhënieve seksuale mes meshkujve” — me dënim deri në 10 vjet burgim për veprën penale. Ligji shtonte se po që se bëhej dhunshëm ose ndaj një të mituri, dikujt nën 14 vjeç, dënimi me burg do të varionte nga pesë deri në 15 vjet. Ligji e forcoi edhe më tej si psikologjikisht jonormal homoseksualitetin dhe përjetësoi besimin se ishte çrregullim mendor, duke kontribuuar në margjinalizimin e gjerë të personave LGBTQ+ dhe duke krijuar mjedis armiqësor.
Kur Kodi Penal u rishikua në vitin 1977, “pederastia” u klasifikua si krim kundër rendit administrativ në Shqipëri. Kjo e bëri Shqipërinë njërin nga shtetet me dënimin më të rëndë kundër homoseksualizmit në Bllokun Lindor. Burrat që akuzoheshin për “pederasti”, përballeshin me 10 vite burgim nëse shpalleshin fajtorë. Ngjashëm si legjislacioni sovjetik, që nuk rregullonte dëshirat homo-erotike mes grave, autoritetet në Shqipërinë komuniste nuk i ndaluan marrëdhëniet seksuale lezbike. U kriminalizuan vetëm marrëdhëniet mes të njëjtit seks tek burrat.
Komunizmi në Shqipëri
Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore nën regjimin komunist që shkaktoi valë përndjekjeje, duke e kthyer Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë në njërin nga regjimet më shtypëse të Bllokut Lindor.
Përballë pushtimit të kohës së luftës, fillimisht nga Italia dhe më pas nga Gjermania, grupet partizane nën udhëheqjen e komunistëve, veçanërisht Lëvizjes Nacionalçlirimtare, apo Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), luftuan kundër pushtuesve. LANÇ u themelua në shtator të vitit 1942, në një konferencë të mbajtur në Pezë, fshat afër Tiranës dhe u udhëhoq nga Enver Hoxha.
Në maj të vitit 1944, në Përmet, u mbajt kongresi i Frontit Nacionalçlirimtar, gjatë të cilit si qeveri e përkohshme e Shqipërisë u zgjodh Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Hoxha u bë kryetar i komitetit ekzekutiv të këshillit dhe komandant suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Më 29 nëntor 1944, LANÇ e çliroi plotësisht vendin nga kontrolli gjerman.
Pas luftës, komunistët nën udhëheqjen e Hoxhës, punuan në eliminim e grupeve politike rivale dhe në konsolidimin e pushtetit të tyre. Ata përdorën taktika të tilla si spastrime, arrestime dhe propagandë për ta shtypur opozitën dhe për të krijuar shtetin një-partiak. Komunistët mbajtën zgjedhjet në dhjetor të vitit 1945, me një listë të vetme të kandidatëve dhe në janar të vitit 1946 shpallën Shqipërinë republikë, me kryeministër Hoxhën.
Sistemi komunist e bëri Shqipërinë shtet një-partiak, duke emëruar partinë komuniste si forca e vetme legjitime politike në Shqipëri dhe duke i konsideruar si të jashtëligjshme të gjitha partitë e tjera politike. Hoxha e izoloi Shqipërinë nga bota dhe krijoi Sigurimin, policinë sekrete që i vepronte ngjashëm si KGB sovjetike. Sigurimi u bë rrjet i mirë-organizuar agjentësh dhe spiunësh të fshehtë, misioni i të cilëve ishte shtypja e çdo forme mosbindjeje ndaj shtetit dhe ideologjisë së tij.
Ndarja kineze-shqiptare, e cila kulmoi në vitin 1978, i dha fund lidhjeve diplomatike të Shqipërisë me Kinën komuniste, për shkak të riorganizimit më të gjerë gjeopolitik të Pekinit dhe normalizimit të marrëdhënieve me ShBA. Kjo e ndikoi dukshëm Shqipërinë, pasi e çoi vendin drejt izolimit të mëtejshëm. Ndërprerja e ndihmave ekonomike nga Kina dhe zhvillimet gjeopolitike që erdhën si pasojë, rritën frikën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha nga kërcënimet dhe sulmet e mundshme nga vendet fqinje.
Këto rrethana mund ta kenë nxitur udhëheqjen politike të shqetësohet për rënien e nivelit të lindjeve, pavarësisht politikave pro-nataliste të përqafuara që nga vendosja e komunizmit. Peizazhi gjeopolitik që ndryshonte, veçanërisht ndarja kineze-shqiptare, mund të ketë luajtur rol në formësimin e kriminalizimit shtypës të homoseksualitetit në Shqipëri.
Paranoja e regjimit është e dukshme në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1976, e cila shpalli marksizëm-leninizmin si ideologji zyrtare të vendit. Parimi themelor i kushtetutës ishte militarizimi deri në dhëmb dhe amësia konsiderohej detyrë socialiste. Neni 33 i kushtetutës përcaktonte se arsimi bazohej në ideologjinë marksiste-leniniste dhe kombinonte arsimin formal me stërvitjet ushtarake.
Gjithashtu, sipas nenit 63, shërbimi ushtarak dhe trajnimi i rregullt për mbrojtjen e atdheut socialist ishin të detyrueshëm për të gjithë qytetarët. Prandaj, rënia e lindshmërisë, së bashku me nevojën kombëtare për vetëmjaftueshmëri ushtarake mund ta ketë rritur interesin e shtetit për ta shtypur aktivitetin seksual jo-riprodhues. Shteti e shihte homoseksualitetin si kërcënim për politikat e veta pro-nataliste dhe interesin kombëtar e shihte në mirëmbajtjen e forcës ushtarake të fuqishme dhe të vetëmjaftueshme. Shqipëria mbajti legjislacionin kundër homoseksualitetit deri në vitin 1995.
Të shtyrë drejt nëntokës dhe takimeve në errësirë
Siç rrëfejnë pjesëmarrësit në hulumtimin tim, ka pasur burra gej që zgjodhën t’i përmbysnin diskurset kriminalizuese dhe të mos fshehin identitetet e tyre seksuale, pavarësisht frikës nga burgimi. “I kam çmendur ata burra. ‘Nuk ka si Tore’, më thoshin”, më tha Tore, i cili jetoi haptazi si burrë gej në Tiranë gjatë komunizmit.
Tore, tani 81 vjeç, në shumë prej rrëfimeve të të intervistuarve të mi, doli si njëri nga të paktët burra gej që jetoi hapur në Tiranën komuniste. Me ndihmën e organizatave dhe aktivistëve/eve vendas/e arrita ta takoj Toren në një lokal në Tiranë; ai ndau përvojat e tij për kërkimin e takimeve e fshehta seksuale, pa tërhequr vëmendje të padëshiruar, kujtimet nga festat e seksit në vende të fshehta dhe pikëpamje të tjera se si ishte për të të jestonte si njëri nga të paktët burra gej që kishin dalë haptazi gjatë komunizmit.
Tore u arrestua në moshën 20-vjeçare për veprimet e tij “të pamoralshme”. Ai u dënua për “pederasti” dhe mbajti tri vite burgim. Gjatë njërit nga takimet tona, shpalosi hollësi të arrestimit të tij, që nisin në radhën për bileta, në një kinema të Tiranës.
“Mbaj mend që ai që shiste bileta ishte fuks (spiun). Ai dëgjoi dy djem që flisnin për mua”, më tha Tore. Spiuni shkoi te zyra dhe denoncoi Toren. “Më pas”, shtoi Tore, “më arrestuan në shtëpi, duke më thënë që të shkoja në prokurori pasi kisha letër-thirrje”. Hollësitë e këtyre ngjarjeve i mësoi shumë vite pasi u lirua.
Për të kuptuar më shumë rreth vëzhgimit të burrave gej, mora dosjet penale të burrave të arrestuar dhe dënuar për akte homoseksuale gjatë epokës komuniste. Pas shumë pengesave për të pasur qasje në dosje, për shkak të natyrës së ndjeshme të dokumenteve, burimet që gjeta në Arkivin Kombëtar në Tiranë, më drejtuan vetëm te 10 dënime nën akuzën e “pederastisë”. Ka gjasa që numri i saktë të jetë më i lartë për shkak të arkivimit dhe indeksimit të mangët të dokumenteve. Këto dosje kriminale variojnë nga aktiviteti mes personave të të njëjtit seks me pëlqim në publik, deri te përdhunimet e të burgosurve në hapësirat e burgjeve dhe rastet e “tentativave të pederastisë”.
Dokumentet e marra ofrojnë informacione për rastet penale të regjistruara mes viteve 1944 dhe 1980. Dosjet gjyqësore përfshinin një përshkrim të përgjithshëm të sfondit socio-ekonomik të të dënuarve dhe dëshmitë e dëshmitarëve. Bazuar në rastet ligjore të analizuara, shteti vendoste dënime më të ashpra për burrat që konsideroheshin të ishin në rolin aktiv, gjatë akteve të “pederastisë”, krahasuar me ata në rolin pasiv, siç vendoste gjyqtari, i cili bënte dallimin mes dy roleve të perceptuara që bartnin burrat gjatë aktit seksual.
Vetëm katër nga rastet iu referohen akteve seksuale me pëlqim; pjesa tjetër i referohen dhunës seksuale si “pederasti e kryer pa pajtueshmëri apo tentativë pederastie” dhe akte pedofilie. Pavarësisht dënimit të ashpër ligjor që shteti vendoste për aktet seksuale mes burrave të të njëjtit seks, shteti amnistoi disa nga këto raste ligjore. Këto dosje arkivore japin informacione të pakta për politikat shtypëse seksuale dhe për përgjimin e jetëve të individëve LGBTQ+ gjatë epokës komuniste, si dhe shprehin nevojën për hulumtime edhe më të hollësishme.
Karol Radziszewski, artist polak dhe themelues i Queer Archives Institute, organizatë e përkushtuar në hulumtimin dhe mbledhjen e materialeve arkivore queer në Evropën Qendrore dhe Lindore, argumenton se integrimi i rrëfimeve gojore queer brenda historisë, shpalos mënyra të reja për ta kuptuar historinë dhe kujtesën në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Në një mjedis të tillë, zhvillimi i një projekti arkivor që vë në qendër zërat queer, është i nevojshëm për t’i ruajtur rrëfimet, që në të kundërtën mund mbesin pa u treguar dhe është i domosdoshëm për ta sfiduar heteronormativitetin e kërkimeve historike. Për më shumë në kontekstin e tanishëm të dhunës në rritje ndaj personave LGBTQ+ në Evropë, hulumtimi dhe gjetja e rrëfimeve të burrave gej të persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri, është qenësor. Dokumentimi i rrëfimeve të grupeve të nënpërfaqësuara është qenësor për adresimin e padrejtësive historike.
Përfshirja e seksualitetit si kategori analizuese, mund të hapë shtigje të reja për hulumtime që kanë në qendër historitë e jetës së qytetarëve të zakonshëm për të analizuar se si, pavarësisht përpjekjes së shtetit për të kontrolluar pothuajse çdo aspekt të jetës, njerëzit përsëri gjenin forma për të rezistuar dhe për të përqafuar lirinë individuale.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.