Gjerë e gjatë | Edukim

Rektori që nuk hoqi dorë nga e ardhmja

Nga - 19.10.2020

Në përkujtim të Ejup Statovcit — juristit, profesorit dhe vizionarit.

Në një ditë prilli të vitit 1940, një familje e thjeshtë bujqish në Prugovc solli në jetë fëmijën e gjashtë. Atëherë nuk e dinin, por foshnja e tyre do të bëhej personaliteti më i dëgjuar që do të dilte nga ky fshat i vogël në këndin verilindor të Kosovës, e cila atëherë ishte krahinë e Mbretërisë Jugosllave.

Ai do të rritej me etje për dije, të cilën do ta përthithte me vrull të madh përgjatë viteve. Kur e mbërriti moshën e mesme, zuri ta ndante urtësinë e tij me një popull të tërë.

Ejup Statovci ishte fëmijë fjalëpak. I tillë do të mbetej gjatë gjithë jetës, meqë parapëlqente të përhumbej ndër libra dhe përqafonte kredon se puna do të fliste në emër të tij. Dhe vërtet, puna u bë goja e tij.

Prej kohës kur punonte si profesor i juridikut, te hartimi i kundërshtimeve ligjore ndaj ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë që do ta përmbysnin autonominë e Kosovës të fituar me vështirësi brenda Jugosllavisë socialiste, deri te kulmi i punës së tij jetësore: roli i pazëvendësueshëm në sigurimin e arsimimit në gjuhën shqipe si rektor i Universitetit të nëndheshëm të Prishtinës që veproi në dhjetëvjeçarin e zymtë dhe të pasigurt që i parapriu luftës së vitit 1999.

Shumë nga njerëzit që janë tepër të rinj për t’i kujtuar këto kohë mbase mund ta shëmbëllejnë Statovcin nga një fotografi e famshme e shkrepur në lagjen Velania të Prishtinës më 1 tetor 1997. Me duart e strukura në xhepat e pardesysë së tij të gjatë dhe të hirtë, ai shihet mes katër studentëve të rinj në krye të mijëra protestuesve në demonstratën që do ta shënonte fundin e viteve të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit të Slobodan Milošević-it.

Të tjerët mbase kujtojnë emrin e tij nga përmendjet kalimtare gjatë studimeve ose prej lajmeve për ish-studentët e tij — shumë prej të cilëve tash janë politikanë — duke bërë homazhe në përvjetorët e protestës së vitit 1997, ose të vdekjes së tij.

Por për dikë që ka lënë një trashëgimi e cila mund të frymëzojë shumë brezni të ardhme, dy dekada pas shuarjes së tij gjeneratat po rriten me pak dituri për rektorin e universitetit që ishte mu në zemër të një kohe tejet të rëndësishme në historinë e vonë të Kosovës.

Nëpër kampusin qendror të Universitetit të Prishtinës sot nuk mund të gjendet madje as përjetësimi më modest i figurës së tij: asnjë stol përkujtimor ku studentët që i admironte aq shumë mund të ulen për të pushuar, asnjë dru i mbjellë për nder të tij që t’u bëjë pakëz hije.

Në anën tjetër të rrugës gjendet banesa e pashënuar e familjes së tij, prej së cilës Statovci vijoi detyrat profesionale pasi u dëbua nga Fakulteti Juridik prej regjimit serb në fillim të viteve të 90-ta dhe ku ende jeton bashkëshortja e tij e ve.

Për të mësuar më shumë për udhëheqësin e lëvizjes paqësore për ta rimarrë universitetin shqipfolës në fund të viteve të 90-ta, K2.0 bisedoi me shumë nga njerëzit e tij më të afërt dhe iu kthye intervistave e veprave të tij. 

Melodi e çlirët

Më i riu nga gjashtë fëmijët, Statovci u rrit nga nëna krahas tri motrave dhe dy vëllezërve më të vjetër. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur ai ishte vetëm 5 vjeç, i ati, i cili punonte si mësues mejtepi dhe ua mësonte nxënësve të tij gjuhën shqipe fshehurazi, vdiq*.

Fëmijëria e tij rastisi në epokën e errët të Aleksandar Ranković-it në Kosovë. Pas luftës dhe deri në mesin e viteve të 60-ta, zëvendëskryeministri i Jugosllavisë përkrahu kontrollin e minoritetit serb në krahinë përmes politikave represive ndaj popullatës shqiptare, të zbatuara nga forcat e policisë sekrete.

Statovci ndoqi shkollën fillore në fshatin fqinj Besi para se ta linte shtëpinë si adoleshent për ta vijuar Shkollën Normale pedagogjike në Prishtinë.

“I vetmi është shkëputë, më i vogli, në një situatë ku familja nuk është që kanë pasë kushedi çfarë pasurie dhe mirëqenie — është dashtë me punu, me u kujdesë për tokat…”, shpjegon vajza e tij e parë, Anila. “Në atë kohë si fuqi punëtore është largu, mirëpo as nuk i ka ngarku dhe nuk kanë pasë ndonjë brengë të madhe për të meqenëse është shkollu nëpërmjet bursave”.

Një karrierë muzikore mbase do t’i kishte ofruar Statovcit më shumë shkëlqim dhe prestigj, por ai nuk pyeste fare për to.

Pasi kreu Normalen në vitin 1960, ai punoi shkurtimisht si mësues në Besi para se të regjistrohej si student në Zagreb të Kroacisë. Ishte një çast që, si 20 vjeçar, do t’i jepte trajtë tërë jetës së tij.

“Ka luajtur violinë dhe ka pasur dëshirë të shkojë në studime të muzikës”, kujton Anila, duke hedhur fjalën te lidhja e thellë që kishte me muzikën, e cila do të mbetej motiv i vazhdueshëm për të gjatë gjithë jetës.

Në Zagreb, ai pati mundësinë ta shihte operën për herë të parë dhe e shijoi aq shumë sa filloi ta frekuentonte me rregull, thotë vajza e dytë, Brikena. “Ka qenë adhurues i operave; edhe në Prishtinë ato pak shfaqje teatrale, çfarëdo që ka pasë, koncerte, ai vazhdimisht ka qenë vizitor”, kujton ajo.

Një karrierë muzikore mbase do t’i kishte ofruar Statovcit më shumë shkëlqim dhe prestigj, por ai nuk pyeste fare për to.

“Më tutje [gjatë procesit të aplikimit për studime] bursa që iu ofrua ishte për studime juridike, dhe kaloi andej”, shpjegon Anila.

Dhe kështu filloi karriera e tij e përjetshme në studimet juridike.

Një periudhë vendimtare

Dikur në këtë kohë një varg zhvillimesh nisën ta formësojnë të ardhmen e studentit të ri edhe në rrafshin profesional, edhe në atë vetjak.

Pas përfundimit të studimeve themelore në Fakultetin Juridik të Zagrebit më 1966, Statovci u kthye në Prishtinë ku punoi si kontabilist për një kohë të shkurtër, para se të gjente punë në Sekretariatin Krahinor Financar si zyrtar ligjor për çështje pronësore. Me atë vendim u shtrua themeli i profilizimit të tij profesional dhe akademik në të drejtën civile, një lëmë për të cilin ishte i apasionuar dhe që e lëvroi përmes një vepre të gjerë teorike të botuar në Prishtinë, në Zagreb, në Beograd dhe më tej.

Pas dy vjetësh nisi të punonte si profesor asistent në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik në Prishtinë — i cili atëbotë nuk ishte ende universitet më vete — dhe njëkohësisht u regjistrua për studimet postdiplomike juridike në Zagreb.

Zanafilla e karrierës së tij akademike përkoi me valën e protestave studentore të vitit 1968 në Kosovë dhe në botë. Në atë kohë u shënua protesta e parë studentore nga shqiptarët e Kosovës, të cilët kërkonin, ndër të tjera, një universitet dhe kushtetutë të tyren brenda ish-Jugosllavisë.

Kjo po ashtu ishte një kohë tejet e rëndësishme për Statovcin në rrafshin personal.

Në vitin 1969, në po të njëjtin vit që u miratua ligji për formimin e Universitetit të Prishtinës, 29-vjeçari Ejup Statovci takoi bashkëshorten e ardhme, Drita Halimin. Ajo punonte si përkthyese e gjuhës shqipe dhe asaj serbe në Këshillin Krahinor dhe po ashtu përgatitej t’i niste studimet postdiplomike për Elementet e Regjionalizmit.

“Na njoftoi një koleg dhe shumë shpejt jemi taku, jemi feju dhe jemi martu pastaj. S’ka pasë far afati të gjatë qysh bëjnë rinia sot”, kujton Drita Halimi-Statovci. “Unë e kam pasë fatin t’atillë, mirëpo rrethanat kanë qenë të tilla, momenti po ashtu; brenda muajit jemi feju dhe jemi martu, mandej kemi vazhdu punën”.

Ejup Statovci përfundoi studimet universitare dhe postdiplomike juridike në Zagreb të Kroacisë gjatë viteve të 60-ta, një kohë e protestave të studentëve në të gjithë botën. Foto nga arkivi privat i familjes Statovci.

Kur pyetet se çfarë e tërhoqi te ai në ato ditët e para, ajo përpiqet ta ndërrojë temën dhe përgjigjet mendueshëm vetëm pas disa shtytjeve lozonjare nga Anila dhe Brikena të ulura ndanë saj.

“Sigurisht serioziteti. Karakterin e kemi lexu te njëri-tjetri dhe perspektivat e mendimeve tona”, kujton ajo. “Pedantëria, karakteri i fortë, saktësia — e caktojshim me dalë, 2-3 minuta [vonesë], më shumë s’ka”.

Ata ndërtuan një partneritet mbresëlënës — Drita jo vetëm që e ndiqte karrierën e vet akademike, por edhe e mbështeste Statovcin si “krahu i djathtë” që e ndihmonte në çdo sferë të jetës. Ata do t’i rrisnin tre fëmijë së bashku, të trijat vajza.

Fëmija i tyre i parë, Anila, u lind në vitin 1970, kur ai nisi t’i jepte tri lëndë civile dhe pronësore në Universitetin e sapoformuar të Prishtinës.

Gjatë dekadës së parë të martesës, ata vërtet i përveshën mëngët. Të dy i kryen doktoratat, ai për jurisprudencë në Lubjanë të Sllovenisë, kurse ajo për shkenca shoqërore në Zagreb. E bënë edhe një fëmijë, Brikenën, dhe me ndihmën e prindërve ia dolën t’i manovrojnë jetën e re familjare dhe karrierat akademike.

“S’ka pasë shumë pengesa, ose edhe ka pasë shumë mundësi për ta ndihmuar njëri-tjetrin”, kujton Drita. “Kur i kisha dy vajzat e para t’vogla, e lutsha që këtë, këtë, këtë të ma fotokopjonte [në bibliotekë]”.

Ajo reflekton për atë se si interesat e tyre përputheshin, meqë fokusi i tij i veçantë për të drejtën pronësore si jurist ndërthurej me interesat etnologjike të saj si antropologe. “Kështu na ka shku mirë ai muhabet, se mundeshim me folë edhe për terren, për hulumtime t’ndryshme”, thotë ajo.

Në vitet e 70-ta, pasi Kosovës iu dha statusi i autonomisë brenda Federatës Jugosllave, Statovci kreu doktoraturën dhe nisi të ligjëronte për të drejtën civile si profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës. Në ndërkohë bëri një varg udhëtimesh disamujore në universitete të njohura sikur Cambridge dhe Oxford në Mbretërinë e Bashkuar. Drita ndonjëherë e shoqëronte dhe herë pas here e merrnin njërën vajzë ose të dyja.

Drita kujton udhëtimet me nostalgji, ku bashkëshorti ndiqte studimet ndërsa ajo kalonte kohë në bibliotekë — e cila ishte shumë më e pasur sesa në shtëpi — duke hulumtuar literaturë për qëllimet e veta akademike.

Në Fakultetin Juridik të Prishtinës, Statovci nisi të bënte emër te studentët si profesor i përpiktë dhe i qetë, me zell të fuqishëm për arsimin.

Erdogan Haxhibeqiri, një nga studentët e Statovcit prej fundit të viteve të 70-ta, i cili tash është gjykatës në Gjykatën Supreme të Kosovës, e kujton me dashamirësi.

“Kurrë nuk ka ndodhë me e pritë profesorin. Ka ndodhë ai me i pritë studentët por jo e kundërta”, thotë ai. “Gjatë studimeve kam pasë një prirje për lëminë penale, e profesori ma ka dhënë një vullnet të orientohem më tepër në lëminë civile, veçmas në të drejtat pronësore. E kam tërë literaturën e tij dhe [e konsultoj] çdo herë kur kam nevojë të orientohem për ndonjë problem kur është nevoja e doktrinës juridike”.

Me një sfond akademik në lulëzim e sipër, profesori fitoi bursën Fulbright në ShBA dhe ndoqi Universitetin Harvard për vitin akademik 1979/80 si studiues-vizitor.

Qetësi mes territ që po shtrohej

Ndërsa karriera akademike e Statovcit lulëzonte, në vendlindje, krizat e vazhdueshme politike dhe ekonomike tanimë kishin nisur të lajmëronin për zhbërjen e ngadaltë dhe të dhunshme të federatës socialiste jugosllave që do të vijonte gjatë dy dekadave të radhës.

Në vitin 1981, Prishtina u bë sërish vatër e shpërthimeve popullore ndërsa protestat studentore u përhapën anekënd Kosovës, provincës së varfër dhe kulturalisht të izoluar të Jugosllavisë me proporcionin më të lartë edhe të studentëve, edhe të analfabetëve në Federatë në atë kohë.

Çfarë nisi si protestë e vogël për cilësi më të mirë të ushqimit dhe të kushteve të banimit në konviktet e Prishtinës u shpërnda dhunshëm nga policia. Por në muajt në vazhdim, trazirat përfshinë tërë vendin dhe shprehën kërkesën e qytetarëve për vetëvendosje në një Republikë të Kosovës, ndërsa disa të tjerë kërkonin bashkim me Shqipërinë.

Kolegu i ngushtë i Statovcit Abdulla Aliu, të cilin e kishte marrë si asistent në mesin e viteve të 70-ta, kujton se këto kohë më të trazuara lajmëronin për fillimin e asaj që do të vinte për profesorin, si dhe për shumicën e shqiptarëve të Kosovës.

“Pas vitit ’81, pas demonstratave të para, filloi një vështirësi për profesor Statovcin por edhe për të tjerët”, thotë Aliu, i cili edhe vetë do të bëhej profesor i respektuar i juridikut. “Ai ka qenë gjithmonë pjesë e diferencimit politik në kohë të caktuar, edhe pse nuk ka qenë i përplasur shumë me politikën por gjithmonë e ka pasë kokën e vet; është marrë zakonisht me aspektin shkencor”.

Statovci kishte tri vajza, Anila (poshtë), Brikena (djathtas) dhe Ardita (majtas). Si profesor, dhe më vonë si rektor, ai shpesh fliste për rëndësinë që vajzat të kenë të njëjtat mundësi shkollimi si djemtë. Foto: Tringë Sokoli / K2.0.

Në mesin e një errësire të dendur, në vitin 1982 Statovci u bë prind për herën e tretë pas lindjes së vajzës më të re, Arditës.

Ajo do të bëhej pianiste klasike me përgatitje në Austri, ku u shpërngul në fund të viteve të 90-ta. Anila kujton që përzgjedhja e karrierës së motrës së vogël ishte “plotësim ëndrre” për t’atin, duke marrë parasysh entuziazmin për muzikën që ua kishte selitur të trija vajzave, koncertet e të cilave përpiqej të mos i humbiste kurrë.

“Çdo ditë ai ka luajtur në piano, në mënyrë autodidakte — ka qenë në njëfarë mënyre meditimi i tij. Ato melodi s’kanë qenë të shkruara askund, thjesht i kanë buru prej brenda”, kujton ajo me nostalgji. “Ka luajtur me orë — gjysmë ore gjithsesi, deri në një orë, derisa i ka elaboru krejt ato mendime që i ka pasë. Ashtu e kemi interpretu, ajo ka qenë qetësia e tij”.

Krahas muzikës, aktiviteti i parapëlqyer që bënte me fëmijët ishte vizitimi i librarisë në qendrën e qytetit. “Ka qenë aktivitet shumë me rëndësi për secilin prej nesh me këqyrë a ka dalë një libër i ri që nuk e kemi lexu ende edhe me e ble”, kujton Anila.

Këto vajtje ndodhnin rregullisht, kurse ndonjëherë i sillte vetë fati.

“Kur jepte nota t’mira, gëzohej — ai vetë gëzohej, si fëmija gëzohej. Kur hynte në shtëpi këto [vajzat] e njihshin, e dijshin në fytyrë: ‘Babi, paske dhënë nota t’mira!’, ia qëllonin, edhe dilnin me shëtitë”, kujton Drita.

“Në Elida shkonin, atëherë një Elidë e kemi pasë. Shkonin atje, shkonin librarive, vinin me 3-4 libra n’shtëpi secili”, thotë ajo, ndërsa shtëpia e tyre edhe sot është e stërmbushur me libra. “Edhe disa kohë mandej thonte ‘Sa mirë ka ditë, sa mirë ka ditë’ një vajzë ose një djalë”.

Punë në prapaskenë 

Teksa afrohej dhjetëvjeçari i fundit i shekullit të njëzetë dhe bashkë me të fundi mizor i Jugosllavisë, fati i Kosovës ishte në zgrip.

Politikanët nacionalistë serbë, atëbotë të drejtuar nga udhëheqësi i Lidhjes Komuniste Serbe Slobodan Milošević, nisën ta paralajmëronin represionin, gjakderdhjen dhe spastrimin etnik që do të pllakoste në vazhdim. Në fillim të vitit 1989, Milošević shpalli synimin për t’ia hequr Kosovës autonominë si krahinë përmes ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë.

Në Kosovë plasën protestat. Në shkurt të atij viti, një muaj para votimit të propozimeve të Milošević-it në Kuvendin e Kosovës, më se 1,200 minatorë të kompleksit të Trepçës mbajtën grevë urie për tetë ditë.

Abdulla Aliu kujton se Profesori Statovci, si institucionalist i përbetuar, u përpoq ta bënte të vetën për t’i ndaluar ndryshimet kushtetuese, të cilat i konsideronte si “heqje të autonomisë” dhe “shkurtim të drejtësisë”.

“E pati bërë një shkresë drejtuar Kuvendit që mos të pranojë ndryshimet kushtetuese — jo në emër të tij por në emër të Fakultetit Juridik”, kujton Aliu. “Edhe kështu që sa di unë, një numër i madh [i profesorëve] e kanë nënshkru, e dikush ndoshta edhe nuk e ka nënshkru”.

Por më 23 mars 1989**, kur policët e armatosur dhe tanket kishin rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, shumica e deputetëve në fund votuan për miratimin e ndryshimeve. Kjo shkaktoi protesta të hidhura të mëtutjeshme që ende rrojnë në kujtesën kolektive të Kosovës.

Më pas Milošević do të zgjidhej president i Serbisë dhe në qershor të atij viti do të jepte fjalimin famëkeq në Gazimestan, ku përforcoi diskursin armiqësor nacionalist dhe çimentoi strategjinë e regjimit për përçarje dhe sundim, edhe ndër shqiptarë, edhe mes shqiptarëve dhe serbëve. Ishte akti paraprijës për represionin pasardhës që do të keqësohej në muajt e vitet pasuese dhe në fund do ta sinjalizonte fillimin e mbarimit të Jugosllavisë.

Ndërsa perspektivat e shqiptarëve në Kosovë dukeshin dita-ditës më të zymta, disa njerëz, përfshirë Profesorin Statovci, nuk kishin hequr dorë nga pavarësia e plotë politike dhe territoriale nga Serbia.

Më 2 korrik 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan një Deklaratë Kushtetuese, veprim që është parë përgjithësisht si përfaqësim i vullnetit të popullit për të pasur një republikë dhe që u hapi udhë veprimeve të tjera. Drita kujton se bashkëshorti i saj ishte pjesë e grupit që hartoi deklaratën. “Kur është shpallë, Ejup Statovci ka qenë aty por në katin lart, me kolegë që e kanë punu deklaratën”, thotë ajo.

Imazhe të revistës shkencore Përparimi nga kopja personale e Statovcit.
Statovci rifreskonte me përpikmëri hulumtimet e tij të botuara.
Statovci rifreskonte me përpikmëri hulumtimet e tij të botuara.
Statovci rifreskonte me përpikmëri hulumtimet e tij të botuara.

Disa muaj më vonë më 7 shtator, deputetët u mblodhën fshehurazi në skajin jugor të Kosovës — ndërkohë që Kuvendi i Serbisë kishte shpërndarë atë të Kosovës në korrik — dhe shpallën Kushtetutën e Kaçanikut, që u bë themeli formal në bazë të së cilës u organizuan shumë aspekte të jetës në Kosovë nën aparthajt.

Sërish, Statovci ishte ai që ndihmoi hartimin e saj në prapaskenë.

“Për Kushtetutën e Kaçanikut e di që kanë punu deri vonë natën”, kujton Drita. “Edhe një natë më ka ardhë në orën 2 në shtëpi, e i kam thanë, ‘Aman Ejup Statovci, zakonisht natën nuk endesh — rrini aty ku jeni. Të kapë Policia edhe…’, edhe ai veç filloi me qeshë edhe u kry puna”.

Procesi i hartimit të Kushtetutës ishte plot rreziqe — jo vetëm për njerëzit që ishin të përfshirë drejtpërdrejt, por edhe për ata rreth tyre.

“Ka pasë pjesë që i kam çu me dorë të shtypura”, kujton Drita. “Dilsha në korzë kishe po shëtis e çantën këndej, me naj shoqe mos me u hetu se ka qenë tmerr, s’mund ta paramendosh. E ngadalë, nën sqetull e nën mëngë duke i dhënë ato letra me i shti në Kushtetutë”.

Drejt sheshit të luftës

Së shpejti, regjimi i Milošević-it në Kosovë do t’i ndalonte transmetimet në gjuhën shqipe, do ta dëbonte një numër të madh shërbyesish civilë dhe do ta përshkallëzonte shtypjen e të drejtave të popullsisë shqiptare drejt një shteti të dhunshëm policor. Studentët dhe profesorët shqiptarë u përjashtuan nga ndërtesat arsimore ndërsa regjimi i Beogradit solli kukullat e veta për t’i udhëhequr institucionet, përfshirë universitetin. 

Ndërkaq, shqiptarët organizoheshin rreth të sapoformuarës Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK) të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, i cili përqafoi politikën e rezistencës paqësore. Pas një referendumi të vetorganizuar ku mori pjesë shumica e shqiptarëve të Kosovës, rreth 90% votuan për një Kosovë të pavarur — Rugova u bë presidenti de facto i vendit dhe u formua qeveria në ekzil.

Në mesin e këtyre zhvillimeve, Profesori Statovci u identifikua nga autoritetet serbe si ngatërrestar i mundshëm për regjimin. Dhe nuk e kishin gabim.

“Ësht një ndër të parët që e kanë largu nga fakulteti si ‘i papërshtatshëm’, pastaj ka fillu procesi me largimin e të tjerëve”, thotë kolegu i tij Abdulla Aliu. “Shpejt edhe tjerët kanë dalë jashtë dhe në zhvillimin e mësimit jashtë objekteve publike”.

“Nuk ka qenë si sot, por ka qenë me pranu rrezikun e kohës për interesin e studentëve dhe të kombit në atë kohë.”

Abdulla Aliu, ish-koleg i Statovcit

Rreziku ishte i madh dhe kishte shumë punë para se të funksionalizohej sistemi i nëndheshëm i arsimit. Pavarësisht nga rreziku personal, mijëra njerëz u bënë bashkë për këtë qëllim, duke i lëshuar garazhet, bodrumet dhe dhomat e ndejës në shtëpi private ndërsa gjenin zgjidhje të improvizuara për ta vazhduar arsimimin e të rinjve.

Statovci ishte në ballë të këtyre përpjekjeve.

Brikena kujton se ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme në 1991-1992 kur mësimi i rregullt u ndërpre. “Disa muaj nuk është mbajtë mësim e mandej filluam nëpër shtëpi; klasa ime e filluan te ne në banesë”, thotë ajo.

Nga fundi i vitit 1991, ndërsa sistemi paralel i arsimit kishte nisur të merrte trajtë, universiteti mbajti zgjedhje dhe Statovci vendosi të kandidonte për rolin e rektorit. Ai fitoi, por ishte ngritje që vinte përplot me rreziqe.

Aliu kujton se pas zgjedhjeve, Statovci i kishte thënë se ishte i zhgënjyer për një koleg tjetër të ngushtë që po ashtu kishte kandiduar për pozitën e rektorit.

“I kam thënë: ‘Kjo nuk është diçka që t’bën shërbim, t’mirë; vetëm ka me të pru probleme, hidhërim. Është nder por do të kesh shumë peripeci, kështu që ai do të jetë më i lumtur se ti’”, kujton Aliu. “Nuk ka qenë si sot, por ka qenë me e pranu rrezikun e kohës për interesin e studentëve dhe të kombit në atë kohë”.

Njëra anë e pranimit të atij rreziku ishte nevoja për t’ia dalë për ca kohë pa paga për profesorët. Një tjetër ishte të ndihmonte në ndërtimin e një sistemi për t’i dërguar studentët e mjekësisë në Shqipëri për të bërë përvojë praktike, që ishte e vështirë të merrej në laboratoret e thjeshta dhe të improvizuara në shtëpi private.

“Tani për tani detyrë e parë e ngutshme është vënia e Universitetit në këmbët e veta.”

Ejup Statovci, citat nga gazeta Bujku, 1991

Ndërkohë, Statovci u përpoq njëkohësisht ta themelonte një universitet autonom dhe paralel në rrethana pothuajse të pamundura. Një ndërmarrje e tillë kërkonte ndihmën e liderëve politikë në institucionet paralele që gëzonin mbështetje popullore dhe merrnin vendimet kokë më vete. Por Statovci ishte i vendosur që universiteti duhet të ishte i pavarur dhe të mos u nënshtrohej ndërhyrjeve të pavenda politike.

“Universiteti sipas natyrës nuk duron ambrellë e nuk dëshiron të jetë dorë e zgjatur e askujt dhe për askë. Shkuan më ato kohë, apo jo?”, kishte thënë ai në një intervistë të botuar në gazetën shqiptare Bujku në Natën e Vitit të Ri më 1991, vetëm një muaj pas zgjedhjes rektor. “Pasi u zgjodhën organet legale të Universitetit, vetëm ato mund të paraqiten dhe të flasin në emër të tij”.

Në intervistën e njëjtë, i pyetur se çfarë mendon për reformat universitare në Evropë dhe në botë që vënë autonominë akademike para çdo gjëje, ai kishte dhënë një lloj përgjigje parashikuese që me kalimin e kohës njerëzit u mësuan ta prisnin nga ai. 

“Tani për tani detyrë e parë e ngutshme është vënia e Universitetit në këmbët e veta. Nuk do të jetë punë e lehtë kjo, e kemi të qartë”, kishte thënë. “Por ama çdo ndërtim në këtë plan, për bazë ndërtimi duhet ta ketë autonominë e Universitetit. Në qoftë se ndërtohet mbi baza të tjera, nuk do t’i përballonte për gjatë as kohës, as jetës pluraliste e demokratike”.

Vetëm disa ditë më vonë më 8 janar 1992, ai i dërgoi një letër “Organit të Imponuar të Kryesisë së Universitetit të Prishtinës” me dy kërkesa: t’i lënë ndërtesat e universitetit dhe t’i kthejnë në gjendjen që ishin para se të dëboheshin me dhunë studentët, mësimdhënësit dhe administratorët shqiptarë.

Çfarë i solli ajo letër ishte arrestimi.

Profesori nën trysni

Arrestimi i tij i parë gjatë një bastisjeje në shtëpi është gdhendur në kujtesën e bashkëshortes dhe vajzave. Aq më tepër që ndërsa po ia bastisnin shtëpinë, Statovci e njohu njërin nga policët serbë si ish-student të vetin. 

“Kanë ardhë herët në mëngjes një të shtunë dhe na kanë zgju me rropllima t’hatashme; kanë qenë rreth 11 policë”, thotë Brikena, e cila ishte adoleshente në atë kohë. “Jemi çu prej shtratit n’pizhama, nuk na kanë lënë me lëvizë disa orë”.

Nëna Dritë kujton një çast të veçantë të asaj dite.

“Ardita as 11 vjet s’i ka pasë atëherë, edhe [njëri prej policëve] ia çoi pushkën n’fyt. Ajo n’dhomë aty bërtitke e qajke, se e vogël”, kujton ajo. “E kam largu çikën, i kam thanë atij: ‘S’ke ku këtu’.  M’tha ‘Se tako radi, kjo kështu bëhet’. E i foli shefi pastaj, i tha ‘Leje’.”

Ata e morën Statovcin, si dhe disa libra e dorëshkrime.

Pas secilit qëndrim në burg bëhej edhe më i vendosur t’ua shpërfaqte gjendjen e vështirë të universitetit kolegëve të tij nëpër botë.

Ai u dënua me 60 ditë burgim por fillimisht u lëshua pas njëmbëdhjetë ditësh “për shkak të presionit diplomatik”, siç e shpjegoi vetë në një faks të dërguar rektorit të një universiteti në Gjermani. Një vit më vonë u riburgos për një muaj të tërë; gjithsej u mbajt për 42 ditë nga dënimi fillestar prej 60 ditësh.

Por, kjo nuk do të ishte hera e fundit që do të përfundonte në burg. Në vitin 1994, rektori u arrestua sërish dhe u mor në pyetje për dy ditë, dhe me kalimin e kohës bastisjet, mbajtjet dhe konfiskimet e pasaportës u bënë ndodhi të rëndomta për të.

Pas secilit qëndrim në burg bëhej edhe më i vendosur t’ua shpërfaqte gjendjen e vështirë të universitetit kolegëve të tij nëpër botë — diplomatëve, gazetarëve dhe kujtdo tjetër që ia vinte veshin.

“Ne kemi punu në shtëpi bashkë me të, kemi shtypë për të, kemi përkthy për të, kemi dërgu telefaks e kemi pritë gazetarë e njerëz që na kanë ardhë në shtëpi në atë kohë”, thotë Anila. “E kemi dërgu një telefaks që ka qenë 7-8 faqe, ku e kemi shpjegu gjendjen e universitetit, si ka ardhë dhe ku jemi tash e çka do të bëjmë më tutje”.

Në atë kohë të çakërdisur, ai po ashtu shfrytëzoi thirrjen e tij kryesore si profesor i së drejtës civile me specializim në të drejtën pronësore. Në janar të vitit 1993, ai paditi Kishën Ortodokse Serbe pasi nisi të ndërtonte një kishë — që mbetet ende e papërfunduar — në kampusin qendror të Universitetit të Prishtinës.

Një copë e një gazete shqiptare të kohës — që gjendet në një përmbledhje të veprës së Statovcit të botuar nga bashkëshortja — thekson se si veprimet e këtilla kishin mundësi të vogël suksesi përtej vlerës simbolike. Artikulli citon një gazetë serbe e cila kishte raportuar se procesi gjyqësor nuk ishte mbajtur sepse Statovci nuk ishte paraqitur në gjykatë, dhe se gjykata ia kishte dërguar ftesën në adresë të Universitetit të Prishtinës, por ai nuk kishte qenë aty për ta pranuar.

Statovci këmbënguli në krijimin e themeleve të një universiteti të arrirë, megjithë pengesat e shumta. I fotografuar në vitin 1996 me qaforen ceremoniale të rektorit në lansimin e logos së universitetit që mbetet deri më sot. Foto nga arkivi privat i familjes Statovci.

Statovci ndiente trysnitë e baraspeshimit të aq shumë detyrave në një mjedis të shkëputur që shpeshherë e shtynte të merrte përsipër barra shtesë. Në një intervistë për revistën Zik, ai do të pranonte se “puna e rektorit shpesh ngel pas punëve të tjera, që s’kanë të bëjnë shumë me ato të rektorit”.

“Në këto rrethana rektori s’është veçse si thuhet një theror, i cili duhet vetëm të përgjigjet për çdo gjë që ndodh në Universitet dhe lidhur me Universitet brenda dhe jashtë, dhe nuk gëzon asnjë lloj sigurie”, kishte thënë ai.

Pavarësisht nga rrethanat e jashtëzakonshme, Statovci ishte i vendosur ta themelonte një “universitet të së ardhmes” të pavarur, bazuar në përvojat e universiteteve të dëgjuara të botës. Me prapavijën e tij profesionale, mbase nuk ishte befasi që ai shihte themelet e saj si bazë të fortë ligjore.

“Ajo që profesori ka kërku gjithmonë është që çdo gjë të jetë në përpikëri me aktet normative”, thotë Aliu. “Për këtë qëllim ai menjëherë ka kërku që të bëhet edhe ligji për arsimin e lartë, të cilin ligj edhe unë kam qenë një ndër anëtarët që e kemi përpilu; bazën e ka prej Kroacisë”.

Rezultati ishte Dekretligji për Arsimin e Lartë i vitit 1994, i cili u nxor në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut.

“Në bazë të atij ligji ka organizu edhe universitetin, do të thotë rektor, senat, dekanate e kështu me radhë”, thotë Aliu. “U organizua edhe sistemi i financimit, dhe mandej u desh me u nxjerrë edhe Statuti i Universitetit, edhe çdo veprim në universitet ka pasë mbështetje ligjore”.

Fuqizimi i mbështetjes

Në verën e vitit 1994 u mbajtën zgjedhjet e reja në UP dhe Profesori Statovci u zgjodh për një mandat të dytë si rektor. “Hyra në zgjedhjet e korrikut, edhe pse dëshiroja që edhe të tjerët ta provojnë këtë post ‘atraktiv’ në kushte okupimi dhe në mungesë të pushtetit tënd”, kishte thënë ai në një intervistë për gazetën Bujku.

Mandati i ri do të thoshte më shumë punë dhe natyrisht që duhej ndihmë për mirëmbajtjen e përditshme të punëve të universitetit. Për fatin e tij dhe të universitetit, ai gjeti njeriun e duhur mu para fillimit të vitit të ri mësimor.

Ahmet Geci, i cili në atë kohë ishte profesor i makinerisë dhe dekan i Fakultetit Teknik, kujton se Statovci e kishte thirrur në telefon atë verë për ta ftuar në banesën e tij.

Kur mbërriti aty, ai hyri në një mjedis familjar ku Ardita luante në piano dhe Drita kryente punët e veta profesionale. Por ata gjetën një qoshe për të biseduar. “Tha, ‘T’kom planifiku për prorektor”, kujton Geci. “I thashë që s’jom i bisedave e me mbajtë fjalime e kështu. Tha, ‘Unë për qato po t’marr — për punë, jo për fjalime”.

Kolegialiteti i tyre nisi me disa pengesa, siç mbase mund të pritej në një kohë kur besimi nuk fitohej aq lehtë. Geci kujton si Statovci dukej se ngurronte t’ia delegonte detyrat e rëndësishme, edhe pse ai vetë kishte pak kohë të merrej me çështjet praktike që kishin të bënin me drejtimin e universitetit të shpërndarë nëpër Prishtinë. 

Kjo përfshinte vajtje-ardhjen në punë, e cila në atë kohë ishte një zyrë e improvizuar në një depo kripe.

Ndërsa avitej fillimi i vitit akademik dhe Statovci ishte i preokupuar me ruajtjen e marrëdhënies së nevojshme të punës me Rugovën dhe LDK-në, gjërat u nxehën në një zënkë mes rektorit dhe zëvendësit të vet, i cili përpiqej t’i ngriste disa çështje ditore sikur oraret dhe burimet e mësimdhënies.

“Një ditë i thashë, ‘Rektor, dekanët presin — kanë kërkesa, dojnë përkrahje”, kujton Geci. “Tha, ‘Pse, a s’po kontribuojmë kështu a?’ Thashë, ‘Po ndryshe është, [duhet më shumë]. Me hidhërim m’tha, ‘Çka po mendon ti? Merre ti përgatite pra mësimin e unë merrem me pjesën tjetër’”.

Prej atëherë e tutje, ata punuan si makinë e vajuar dhe Geci u bë njeriu që e shoqëronte rektorin thuajse kudo që shkonte. Kjo përfshinte vajtje-ardhjen në punë, e cila në atë kohë ishte një zyrë e improvizuar në një depo kripe afër parkut të Taukbahçes, një nga mëhallat e shumta në Prishtinë ku tashmë gjendeshin fakultete, zyra dhe salla të improvizuara.

“Ai gjithmonë thojke, ‘S’kom qejf me dalë vetëm, se nuk du me ma lonë që u vra vetë, a u vra nga shqiptari”, kujton Profesori Geci. “E tha, ‘Kom qejf që kur t’mundemi me punu zyrtarisht bashkë, me qenë ngat teje’. Thashë, ‘Bashkë, bashkë — bohet çka t’bohet’”.

Finalja e madhe

Ndërsa dekada e gjatë e të 90-tave ngadalë po arrinte një kreshendo, durimi i studentëve që po hynin në vitin e gjashtë të shkollimit të nëndheshëm po sosej. Ndonëse sistemi paralel i lejonte ta vazhdonin disi mësimin, perspektivat ishin të zbehta për të gjetur vende pune duke mos mundur t’i shfrytëzojnë diplomat e lëshuara nga “Republika e Kosovës” ku institucionet publike ishin të mbyllura për ta.

Milot Cakaj, asokohe student në Fakultetin Elektroteknik që njëherësh ishte pjesë e kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve, kujton sentimentin mbizotërues të studentëve të atëhershëm.

“Ka qenë njëfarë argumenti që neve na është përsëritë prej shkollës së mesme, që ‘Jeni t’ri, detyra juaj është me mësu, s’keni nevojë kurrgjë; tjetër kush merret me këtë punë’”, thotë ai. “Vitet e fundit të studimeve u bë e qartë që nuk është më veç ajo e mjaftueshme, se veç po ia nisim me mendu, “Çka kur të diplomoj?’”

Kështu, Unioni i Pavarur i Studentëve që atëbotë drejtohej nga studenti i historisë Bujar Dugolli vendosi të kërkonte kthimin e hapësirave të arsimit publik përmes protestave.

“Kanë fillu takimet me rektorin edhe iu kanë parashtru kërkesat, e ai ka pranu, nejse i ka pasë edhe ai disa kërkesa për neve”, kujton Cakaj. “Njëra prej kërkesave tona ka qenë që mos me e fillu vitin akademik, me e ndërpre mësimin — edhe ajo me qenë një formë e protestës. Ai ka qenë kundër, ka thonë, ‘Protestojmë sa t’doni, po mësimin mos e ndalni’”.

Pasi u bë ai kompromis, çështja e radhës ishte grishja e profesorëve.

“Ka qenë shumë i vendosur për një gjë që prej takimit të parë, që nuk guxon me ndodhë ndarja mes profesorëve dhe studentëve”, thotë Cakaj.

“Rinia është e ftuar të udhëheqë të ardhmen e njerëzimit. Ne të rriturit e tjerë — duhet të mendohemi thellë për veten dhe veprimet tona."

Ejup Statovci, citat nga Zëri, tetor 1997

Ish-studenti aktivist kujton që universiteti ishte ballafaquar me traumën e protestave të vitit 1981 kur u ngritën studentët, por shumica e profesorëve nuk u bashkuan nga frika e humbjes së vendeve të punës.

“Ka qenë qajo premisa kryesore e diskursit të tij që nuk guxon me u përsëritë ajo histori, jo këtë herë; nuk guxon që studentët me qenë në ballë edhe me u rrehë e me u persekutu, përderisa profesorët prej largësisë këqyrin çka po ndodhë”, thotë Cakaj.

Ky qëndrim ishte tipik për Statovcin, i cili edhe pse tani më rrallë kishte mundësinë të jepte mësim, kurrë nuk ndaloi së çmuari studentët, interesat e të cilëve i mbronte. Ai përpiqej posaçërisht t’i mbante ata në krye të mendjes për çdo vendim që mund ta ndikonte çështjen e Kosovës.

“Sikundër fare lehtë e sakrifikojmë rininë; sikundër fare lehtë ia lëmë tërë barrën asaj, sikundër dëshirojmë të nxehemi në flakën e saj”, kishte thënë Statovci për një gazetë lokale pak para protestës studentore të datës 1 tetor 1997 që do të bëhej pjesë e historisë. “Rinia është e ftuar të udhëheqë të ardhmen e njerëzimit. Ne të rriturit e tjerë — përfaqësues, politikanë e prindër, duhet të mendohemi thellë për veten dhe veprimet tona”.

Ndërsa afrohej protesta e planifikuar, Rektori Statovci u përfshi së afërmi në përgatitjen e saj. Anëtarët studentë të Këshillit Organizativ të protestës kujtojnë që të gjithë sloganët e përdorur ishin miratuar fillimisht nga rektori.

“Për secilën prej parullave është menduar nja 300 herë — asnjërën nuk e ka lëshuar pa i bërë komente, pa e analizuar dhe diskutuar se si do të interpretohej në anglisht”, thotë ish-studentja e pedagogjisë dhe ish-anëtarja e Unionit të Pavarur të Studentëve Mihane Salihu-Bala, e cila shpjegon rëndësinë e përkthimit të drejtë në anglishte, meqë ato do të shiheshin nga vëzhguesit, gazetarët dhe diplomatët ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve i kishte njoftuar ai vetë.

Në ditën e protestës, Rektori Statovci dhe Prorektori Geci morën udhën së bashku, siç bënin rëndom. Ata u nisën drejt rektoratit të improvizuar të universitetit, që tanimë gjendej në një shtëpi private të lagjes Velania — i cili ishte vendtakimi për demonstratën. Plani ishte që të marshohej simbolikisht deri në kampusin qendror të universitetit, ku kërkonin të ktheheshin.

“Kah qendra i ramë me kerr, i pamë ushtrinë, policinë, tenkat”, kujton Geci. “U ftohëm pak, a din”. 

Ndonëse kishin rezerva, ata vazhduan dhe mbërritën në rektoratin e përkohshëm të Velanisë rreth orës 9 të mëngjesit. Gjatë orës në vazhdim, studentët filluan të mblidheshin.

Në ndërkohë erdhi policia dhe i paralajmëroi profesorët se ishte shansi i fundit për ta ndërprerë protestën. “Rektori iu tha që edhe me dashtë, tash s’mujmë me e ndalë”, kujton Geci. “’E kemi vendosë — ju e keni detyrën e juaj, na tonën’”.

Rreth orës 10:30, Geci doli jashtë për të parë si dukej situata dhe vërejti se rruga ishte përplot me studentë. “Më pyeti qysh janë punët, e i thashë ‘Mirë janë punët’”, thotë ai.

Pjesa tjetër është histori e turbulluar lotsjellëse dhe pastaj si mos më keq.

Statovci këmbëngulte që profesorët dhe studentët të qëndronin përkrah njëri-tjetrit në protesta, të cilat shënuan një pikë kthese në rezistencën ndaj viteve të shtypjes. Foto nga arkivi i Kohës Ditore.

Protesta e 1 tetorit 1997 u shtyp dhunshëm dhe u bë shkas për fillimin e mbarimit të një kaptine të dhimbshme të historisë së vonë të Kosovës.

Siç ishte shprehur shpesh profesori përgjatë viteve, ishin studentët ata që i bënë njerëzit të mendojnë. Në muajt dhe vitin në vazhdim pati protesta të tjera ndërsa shtypja e regjimit të Milošević-it u shndërrua në masa të dhunshme që goditën fshatra dhe rajone të tëra, në masakra ndaj civilëve dhe përfundimisht në luftë.

Ndërsa situata rëndohej prej ditës në ditë, studentët nuk shoqëroheshin më vetëm nga profesorët, por edhe nga qytetarët e tjerë të prapavijave të ndryshme.

“U kriju përshtypja që mundet diçka me u bo”, kujton Cakaj. “Prej një situate ku pritej që këtu s’ki çka lypë, s’guxon, s’mundesh, këta janë tepër t’fuqishëm, këta na vrajnë — në atë që megjithatë ka shpresë. Liria fillon me guximin”.

Themelet për të ardhmen

Pas gati dy vjetësh, më 24 mars 1999, NATO-ja nisi bombardimet që përfundimisht do t’i jepnin fund fushatës së spastrimit etnik nga regjimi i Milošević-it.

Ejup dhe Drita Statovci asokohe ishin në Gjermani, ku kishin shkuar për një kontroll të tij mjekësor, që doli të jetë i fundit. Përveç betejave të shumta publike, ai gjithashtu prej vitesh po përballej me kancer dhe gjërat nuk dukeshin mirë.

“Me këmbëngulje dëshironte më 24 mars me u kthy, bile i kishim biletat; por u pezullu në Prishtinë çdo gjë atë ditë që kanë ndodhë bombardimet”, kujton Drita. “Mezi e kemi marrë asistenten e tij në telefon, e ajo i tha, ‘Profesor krejt po këqyrin me ikë, s’ka këtu as aeroport as asgjë, s’ke qysh vjen’”.

Ata qëndruan në Gjermani deri në përfundimin e luftës në qershor, me ç’rast u kthyen menjëherë në shtëpi. “Si ka qenë mundësia e parë që u liru aeroporti këtu kemi ardhë”, kujton Drita. “Se dojke me u kthy, ashtu, n’flakë”.

“Në protestën e 1 tetorit, rektori ka qenë në rendin e parë me ne.”

Mihane Salihu-Bala, ish-anëtare e Unionit të Pavarur të Studentëve

Tashmë shëndeti i Statovcit mëkeqej nga dita në ditë, por atij i ra t’i kalonte katër muajt e fundit të jetës në Kosovën e lirë para se të ndërronte jetë më 19 tetor 1999, në moshën 59 vjeçe.

“I vinte mirë që ndodhi çlirimi, dhe që një ditë do të ndodhë më e mira: pavarësia”, thotë Drita. “Dhe kishte një ndjenjë admirimi ndaj të rinjve: ‘Të rinjtë’, thonte, ‘këtë e kanë arritë'”.

Të rinjtë që e njihnin e kujtojnë me admirim. Kur sjellin ndër mend kujtime të kohëve të kaluara me profesorin, ata theksojnë aspekte të personalitetit të tij që është vështirë të gjenden te udhëheqësit e sotëm.

“Në protestën e 1 tetorit, rektori ka qenë në rendin e parë me ne”, kujton Salihu-Bala. “Mirëpo nuk e ka vu një qafore [ceremoniale] që të gjithë rektorët e universiteteve e mbajnë — jo se nuk ka dashtë, por [brengosej] se ‘Kjo është pasuri e universitetit; çka nëse humbet ose dëmtohet, ose çka nëse e konfiskon policia dhe më nuk e shohim?'”

Përgjatë rrugëtimit të tij kundër rrymës, ai përqafoi fort nocionin se gjërat e çmuara, e posaçërisht idealet, duhet të mbrohen me çdo kusht. Mbase që të gëzohen nga të tjerët pasi ai ta ketë kryer luftën, në mënyrën e vet dhe përkundër të gjitha gjasave, për ta ndryshuar kahjen e historisë — dhe për ta farkëtuar një të ardhme më të mirë.K

Imazhi i ballinës nga arkivi privat i familjes Statovci.

*Shënim i redaktorit: Në versionin e botuar fillimisht të këtij artikulli thuhej se babai i Ejup Statovcit “u vra”, por kjo ishte e pasaktë. Informata është korrigjuar më 21.10.20.

**Shënim i redaktorit: Në versionin e botuar fillimisht të këtij artikulli thuhej se deputetët e Kuvendit të Kosovës i votuan ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë “më 23 mars 1990”, por kjo ishte e pasaktë. U korrigjua në “23 Mars 1989” më 23.10.20.

  • 17 Jan 2021 - 16:48 | Teuta:

    Me shume kenaqesi e lexova kete shkrim, ngjarje shume interesante.Suksese te pafund gazetares, qe nuk duhet t'i harrojme kete njerz me vlera te larta njerzore e shkencore!

KOMENTO