Në thelb | #podumeditë

Të kthehesh për të investuar

Nga - 23.02.2017

Diaspora investon miliona euro në Kosovë, por potenciali nuk shfrytëzohet sa duhet.

Enver Haliti na thotë të kemi kujdes që të mos na rrëshqasë këmba derisa po ngjiteshim në shkallët e çelikta të fabrikës së tij në Ferizaj. Përfundi, në katin modern të fabrikës, asnjëri prej të punësuarve as që e çon kokën t’i shikojë mysafirët teksa hynë, të koncentruar plotësisht në precizitetin e punës së tyre.

Haliti vendosi të kthehej në qytetin e tij të lindjes nga Zvicra në vitin 2010 për të hapur fabrikën Mecatyp KS, të specializuar në prodhimin e pjesëve mekanike të teknologjisë së lartë për robotikë, pjesë të vogla të aeroplanëve dhe teknologji tjetër. Në fillim fabrika kishte katër punëtorë dhe dy makina, ndërsa përgjatë viteve biznesi u zgjerua dhe tani ka 18 punëtorë dhe pesë makineri të fjalës së fundit.

Me model biznesi të përqendruar ekskluzivisht në eksport — për tregun zvicran ashtu edhe, së fundmi, në atë gjerman — Mecatyp KS është diçka e rrallë në Kosovë, ku ekonomia kryesisht bazohet në import. Kosova ka shkallë të lartë të deficitit tregtar ku eksporti në 2015 arriti vlerën jo më të madhe se 322.5 milionë euro, kryesisht me eksport të metaleve sipas “Country Program Snapshot të Bankës Botërore” derisa vlera e importit arriti 2 miliardë euro.

Njerëzit si Halili janë disi në vetvete diçka e rrallë; vendimi i tij për t’u kthyer dhe për ta hapur biznesin në vendlindje nuk merret nga shumë pjesëtarë të diasporës kosovare, siç do të shpresonin politikanët dhe ekonomistët. “Nuk ka diskutim se në Zvicër mundësitë i kam pasë shumë më të mëdha për me u zhvillu vet, por besoj se dëshira e secilit është që të krijojë diçka në vendin e lindjes edhe mua ajo dëshirë më ka tërhequr”, thotë Halili. “Nuk them se jam pishman mirëpo, nëse e balansojmë, mundësitë atje i kam pasur më të mëdha dhe do të isha larg më i suksesshëm sesa jam sot”.

Enver Haliti has faced many barriers since returning from Switzerland to open a business in Kosovo, but he does not regret his decision. Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Enver është ballafaquar me shumë pengesa që kur është kthyer nga Zvicra, por ai nuk pendohet për këtë vendim. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përkundër pak investimeve të diasporës kosovare në biznese, potenciali ekonomik i këtij grupi është shumë i madh. Llogaritet se diaspora kosovare e cila jeton jashtë Kosovës numëron rreth një milion persona — sidomos në Gjermani dhe Zvicër — shumë prej të cilëve kanë emigruar gjatë viteve të 90-ta. Ata dërgojnë qindra miliona euro në Kosovë, ndërsa Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se 752 milion euro remitenca janë dërguar vetëm në vitin 2015;  shifra faktike duhet të jetë shumë më e madhe për shkak të mbizotërimit të transfertave me para të gatshme të cilat nuk kalojnë përmes bankave.

Pjesa e madhe e këtyre të hollave, megjithatë, shkon për mbajtje të anëtarëve të familjes, dhe një studim i UNDP-së i vitit 2012  tregon se 25 përqind e familjeve mbështeteshin në remitenca, “ndërsa kjo shifër është edhe më e lartë te familjet në zonat rurale dhe tek ato ku gratë janë kryefamiljare”.

Ministria në shënjestër

Duke e pasur parasysh potencialin ekonomik të diasporës së Kosovës, në vitin 2011 qeveria e kaluar themeloi Ministrinë e Diasporës. Qëllimi ishte që diaspora të ndihmohet në aspektin kulturor dhe arsimor, por gjithashtu të inkurajoheshin ndërmarrësit kosovarë për të investuar në vendlindje. Në dritë të kësaj, kjo ministri e re krijoi unione të ndërmarrësve kosovarë në mbarë Europën, në Turqi, SHBA, dhe në Australi për të krijuar ndërveprime të ndërsjella dhe për të parë mundësitë e investimeve në vendlindje.

Ndikimi i këtij hapi nuk mund të matet lehtë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2015 Investimet e Huaja Direkte arritën në 324 milionë euro; nga kjo shumë, më shumë se gjysma (58 përqind) u përqendrua në patundshmëri, pastaj në shërbime financiare (20 përqind) dhe ndërtimtari (14 përqind). Kjo shumë është e krahasueshme me 366 millionët e vitit 2010 [një vit para se kjo ministri të formohej], e 229 millionët e vitit 2012.

Se sa prej këtyre investimeve kanë ardhur nga diaspora — dhe sa prej vendeve tjera — nuk dihet, meqë kjo ministri nuk bën dallime ndërmjet investimeve nga diaspora dhe atyre nga Investimet e Huaja Direkte. Prandaj, shifrat shumë lehtë mund të ndryshojnë nëse marrim parasysh sepse projektet e mëdha të Kosovës, siç është autostrada Kosovë-Shqipëri, janë përfshirë si investime të huaja.

“Fatkeqësia më e madhe është që nuk kemi të dhëna të sakta asnjëherë për shkak se gjitha Investimet e Huaja Direkte llogariten si një tërësi, por aty pjesa më e madhe e tyre llogaritet diaspora”, thotë Kushtrim Sheremeti, këshilltar i lartë në Ministrinë e Diasporës.

Kritikët konsiderojnë se përkundër themelimit të një ministrie të dedikuar, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka dështuar të tërheqë investitorë nga diaspora. Për Diellza Gashin, hulumtuese pranë Institutit RIINVEST, Ministria e Diasporës përveç krijimit të rrjetit të ndërmarrësve kosovarë, ka bërë pak për të prodhuar rezultate të prekshme.

“Nga aspekti ekonomik, përveç krijimit të këtyre rrjeteve, Ministria e Diasporës ka krijuar një përzierje të përgjegjësive, sepse kur nuk arrihen qëllimet pastaj është lehtë me ia gjujtë fajin Ministrisë së Tregtisë apo Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik”, thotë Gashi.

Diellza Gashi from RIINVEST says that the Ministry of Diaspora has produced few tangible results since its establishment in 2011. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Diellza Gashi nga Instituti RIINVEST thotë se Ministria e Diasporës ka prodhuar pak rezultate të prekshme që nga themelimi i saj më 2011. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara (GAP), shkon më tutje duke e vënë në pyetje vetë ekzistencën e Ministrisë së Diasporës. Duke e përçuar pozicionin e GAP-it nga qershori i vitit 2014, Demi beson se ministria duhet të mbyllet ndërsa përgjegjësitë e saj t’u shpërndahen institucioneve tjera. “Për me i mbajtë lidhjet me diasporën është përgjegjësi e ministrisë së jashtme, derisa ne kemi kërkuar që për t’i ndihmuar diasporës me planprograme shqip, duhet ta bëjë ministria e arsimit”, thotë ai.

Zbatimi i ligjit

Koordinimi i dobët ndërmjet ministrive dhe paqartësia në lidhje me përgjegjësitë nuk janë pengesat e vetme për investimet e diasporës në Kosovë. Ambienti i zhvillimit të biznesit në Kosovë është sfidues dhe i bën investitorët e huaj të shqetësuar, duke përfshirë edhe ata nga diaspora.

Korrupsioni, klima e paqartë e investimeve dhe dobësitë sa i përket sundimit të ligjit — me një sistem gjyqësor të stërngarkuar me raste të cilat marrin kohë për t’u shqyrtuar — vazhdimisht kanë qenë në qendër të shqetësimeve, madje edhe të miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Në një vlerësim të vitit 2012 të titulluar “Klima Investive në Kosovë”, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve gjeti se investitorët dekurajohen për shkak të “korrupsionit të praktikuar dhe të perceptuar, dhe për shkak të mungesës së zbatimit të kontratave”.

Demi pajtohet se korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit shihen si çështjet të cilat i zmbrapsin investitorët potencialë dhe diasporën. “Ka pasë goxha kritika se për shkak të korrupsionit, reketit dhe mossundimit të ligjit diaspora jonë nuk ka investuar në Kosovë”,  shpjegon ai.

“E përmenda mungesën e ligjit, qoftë përmes shantazheve të ndryshme apo reketit pas luftës dhe uzurpimeve të pronave shoqërore edhe të pronave që kanë investuar pjestarë të diasporës, qoftë patundshmëri apo fabrika, dhe që kanë pas probleme me i largu uzurpatorët”, tha Demi.

Uzurpimi i pronave në pronësi të diasporës është një prej fushave të cilën Ministria e Diasporës e ka marrë parasysh dhe është përpjekur ta adresojë. Këshilltari Sheremeti tregon për veprimet e shumëanshme të ndërmarra në vitin 2016 nga qeveria, duke përfshirë edhe ministrinë e lartpërmendur, ku me dhjetëra prona u janë kthyer pronarëve legjitimë ndërsa uzurpuesit janë larguar. “Ne kemi qenë jashtëzakonisht aktivë me institucionet e tjera me kriju sukses storie të tilla dhe duke promovuar këso storie suksesi ka filluar me kriju një frymë më të mire”, tha ai.

Kushtrim Sheremeti points to affirmative action taken by the Ministry of Diaspora including its role in removing dozens of property usurpers last year. Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Kushtrim Sheremeti nënvizon veprimit pozitiv të ndërmarrë nga Ministria e Diasporës, duke përfshirë edhe rolin e saj në largimin e dhjetëra uzurpuesve nga pronat e okupuara vitin e kaluar. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Sheremeti gjithashtu thekson se vitin a kaluar u themelua një mekanizëm special gjyqësor me qëllim të prioritetizimit të ankesave të bëra nga investitorët e huaj, duke përfshirë edhe pjesëtarë të diasporës. “Divizioni i veçantë në Gjykatën Themelore ka me iu ndihmu rastet edhe ankesat të diasporës sonë me i trajtu nga sistemi gjyqësor dhe ne kemi pasur pesë a gjashtë raste që janë trajtuar me prioritet nga gjykata”, thotë ai.

Tejkalimi i pengesave

Biznesmeni Haliti thotë se “Ferizaji njihet si qytet i qetë” dhe se ai personalisht nuk ka përjetuar ndonjë problem të sigurisë për të cilin është kërkuar veprim gjyqësor, ai megjithatë është ballafaquar me sfida tjera me t’u kthyer për të investuar në Kosovë.

Këto çështje në masë të madhe kanë të bëjnë me infrastrukturën elementare e cila nevojitet për të bërë biznes në mënyrë efektive, megjithëse ai konsideron se viteve të fundit këto çështje janë përmirësuar dhe më nuk po i shkaktojnë “kokëdhembje”. “Në vitin 2010, shpërndarja e energjisë ishte shumë më e keqe dhe procedurat e doganës morën shumë kohë”, thotë ai.

Sot, pengesa kryesore me të cilën ballafaqohet Halili është të gjejë punëtorë me shkathtësitë e nevojshme për të punuar në fabrikën e tij të teknologjisë së lartë. Ai thotë se harxhon shumë kohë dhe para për të përgatitur punëtorë të rinj sepse ata nuk vijnë nga një sistem arsimor me shkathtësitë e nevojshme për atë vend pune. “Ne kemi një rini pa përvojë pune dhe të papërgatitur profesionalisht”, thotë ai. “Në vend se rinia jonë të konsiderohet si një aset, ata janë shndërruar në barrë për zhvillimin e Kosovës”.

Enver Haliti says the biggest barrier he faces today is recruiting skilled workers as young people are not leaving Kosovo’s education system with adequate skills. Photo: Majlinda Hoxha / K2.0.

Enver Haliti thotë se pengesa më e madhe me të cilën ballafaqohet sot është rekrutimi i punëtorëve me shkathtësi profesionale, pasi që të rinjtë nuk po dalin nga sistemi arsimor i Kosovës me shkathtësitë e duhura. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Këtë brengë nuk e ka vetëm Haliti. Agron Demi gjithashtu identifikon mungesën e shkollave profesionale si problem shumë i madh për zhvillimin ekonomik të vendit – diçka që vazhdimisht përsëritet në strategjitë shtetërore, por pak hapa konkret janë ndërmarrë për ta adresuar këtë çështje. Edhe kur janë ndërmarrë hapat për zhvillimin e shkollave profesionale, ai thekson se komunat nuk i janë përmbajtur obligimit që e kishin marrë përsipër.

“Shkollat e vetme profesionale që janë hapur janë investim i norvegjezëve në Skënderaj dhe Malishevë dhe ata janë ndarë të pakënaqur me atë investim” thotë Demi. “Kanë investuar [miliona euro] në dy shkolla profesionale dhe krejt çka kanë pasë me ba dy komunat është me e lidhë me kanalizim dhe ujësjellës, dhe pas një viti komunat nuk i kanë kryer punët e tyre”.

Haliti e ka po këtë brengë. Institucionet komunale vetëm se e shtojnë pasigurinë e të bërit biznes në Kosovë, me vendimmarrje “ad hoc” dhe me klimë të pasigurtë politike. “Nuk është lehtë të bëhet strategji afatgjate e biznesit, duke marrë parasysh se me ndërrimin e partive politike në pushtet edhe gjërat mund të ndryshojnë”, thotë ai. “Në zonën ku keni investuar krejt paratë, mundesh me mbetë pa infrastrukturë dhe perspektivë”.

Gjërat tjera, sipas Halitit, kontrollohen edhe më vështirë: Ai nxjerr në pah kohën dhe paratë shtesë që duhen harxhuar për të aplikuar për viza, si dhe për transportimin te mallrave nëpër Serbi, ku thotë se rojet kufitare kërkojnë shumë dokumentacion — këto çështje, thotë ai, e bëjnë edhe më të vështirë të jesh konkurrent me bizneset tjera jashtë vendit.

Megjithatë, përkundër të gjitha pengesave me të cilat është ballafaquar kur ka investuar në Kosovë, Halili ka refuzuar të zmbrapset. Ai së fundmi e ka hapur edhe një biznes të vogël në vendlindje ku prodhon kënde metalike për industrinë e ndërtimit dhe shpreson ta zgjerojë biznesin e tij në të ardhmen. Jeta në vendin e lindjes së tij mund të mos jetë e lehtë, por është e qartë se njëherë për njëherë ai nuk ka plane t’ia kthejë shpinën.K

Ky artikull u shkrua si përgjigje ndaj pyetjeve të lexuesve se çka po bëhet për diasporën e Kosovës, në kuadër të fushatës sonë #Podumeditë.

Fushata # PoDuMeDitë është mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.