Pikëpamje | Pajtimi

Ringjallja e retorikës së kohës së kaluar

Nga - 19.01.2017

Gjuha që ka ardhur nga Beogradi këtë javë i ka ngjallur kujtimet e ditëve të errëta në Kosovë.

Në prill të vitit 1987 në qytezën e vogël të Fushë Kosovës, Sllobodan Millosheviqi e njoftoi turmën e hidhëruar serbe se “Askush nuk guxon t’ju rrahë”. Ky aparat propagandistik i ishte dërguar krahinës së atëhershme serbe për t’i siguruar serbët që jetonin në Kosovë, e të cilët ndiheshin “të kërcënuar” nga shumica shqiptare pasi që shumë “incidente ndëretnike” ishin raportuar nga mediat serbe.

Reagimi në dukje spontan i Millosheviqit ishtë në të vërtetë krejt i orkestruar, me një turmë të organizuar që me qëllim e provokoi policinë lokale duke i gjuajtur me gurë. Fjalimi i tij ndërsyes ishte përplot retorikë nacionaliste, dhe në sytë e shumë serbëve ai shumë shpejt u bë “hero” dhe ndihmës i interesave të serbëve në Kosovë, dhe përfundimisht atij i hapi rrugë drejt pozitave më të larta në ish-Jugosllavi. Megjithatë, tensionet etnike nuk ishin as për së afërmi ashtu siç i portretizonte Millosheviqi dhe mediat, dhe ato u shfrytëzuan si mjet për të krijuar frikë dhe mosbesim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që pastaj prodhoi dekadë të shtypjes dhe në fund të viteve 1990 edhe luftë.

Paralelet ndërmjet fundit të mileniumit të kaluar dhe zhvillimeve në fundjavë në lidhje me trenin serb janë më se të qëndrueshme; u komentua gjerë e gjatë se po kjo retorikë dhe taktikë e frikësimit, po këto kërcënime pothuajse të pakamufluara dhe manipulime përsëri po shfrytëzohen nga udhëheqësia e sotme serbe, shumë prej të cilëve ishin figura kryesore politike në të kaluarën. Ajo që përnjëmend është brengosëse është taktika e patronizimit të serbëve të Kosovës duke krijuar imazhin i cili lë të kuptohet se jetët e tyre në Kosovë po rrezikohen nga shqiptarët.

Është e vërtetë se krimet ndëretnike ndodhin kohë pas kohe në Kosovë, dhe 16 incidente të raportuara nga Policia e Kosovës në vitin 2015 kishin karakter ndëretnik; hulumtimet e shoqërisë civile tregojnë se për shumë arsye incidentet e tilla mund edhe të mos raportohen gjithmonë. Gjithashtu kemi të bëjmë edhe me çështjen kundërthënëse të kthimit dhe të të drejtave pronësore, dhe disa serbëve të Kosovës u është ndaluar kthimi në pronat e tyre sepse ato tani janë të banuara me shqiptarë, derisa në përgjithësi Qeveria e Kosovës nuk ka pasur vullnet apo nuk ka qenë në gjendje — për shkak të refuzimit të udhëheqësve serbë — t’i integrojnë serbët e Kosovës në shoqërinë kosovare. Megjithatë, ideja se jetët e serbëve në Kosovë po rrezikohen duket se ka pak bazë në realitet.

Një gjuhë e tillë duhet të ketë qenë zhgënjyese për shumë prej atyre të cilët e shihnin Vuçiqin si politikan tashmë të transformuar e të moderuar, i cili thotë të ketë bërë një rrugëtim të gjatë nga e kaluara e tij kundërthënëse.

Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të cilën e thirri Aleksandar Vuçiqi të shtunën mbrëma, Kryeministri i Serbisë u thirr në “vrasje të serbëve nga shqiptarët” dhe “sulme të serbëve nga shqiptarët” pavarësisht se nuk ofroi kurrfarë dëshmie apo raporti në lidhje me incidentet ndëretnike. Duke u bazuar në një videoxhirim të paverifikuar i cili shumë shpejt u shpërnda në internet, Vuçiqi i akuzoi shqiptarët e Kosovës se e kishin minuar një pjesë të hekurudhës — pretendim i cili u hodh poshtë kategorikisht nga Prishtina, derisa Policia e Kosovës deklaroi se kishte kontrolluar në detaje gjithë hekurudhën dhe se nuk kishte gjetur asgjë. Vuçiqi u bënte thirrje serbëve “të ruanin qetësinë”, dhe i ftoi shqiptarët e Kosovës “të mos i sulmonin serbët me armë sepse Serbia nuk do ta lejonte këtë gjë”.

Një gjuhë e tillë duhet të ketë qenë zhgënjyese për shumë prej atyre të cilët e shihnin Vuçiqin si politikan tashmë të transformuar e të moderuar, i cili thotë të ketë bërë një rrugëtim të gjatë nga e kaluara e tij kundërthënëse; si politikan i ri në Partinë Radikale të Vojisllav Sheshelit gjatë luftës së Bosnjes, në vitin 1995 ai deklaroi në Parlamentin Serb se “për çdo serb të vrarë do të vrasim 100 muslimanë”, dhe më vonë shërbeu si Ministër i Informimit i Sllobodan Millosheviqit.

Pasi kaloi disa vite duke u paraqitur si personi në qendër të orientimit të Ballkanit drejt një të ardhmeje paqësore, europiane, zhvillimet e fundit bënë që Vuçiqi t’i kthehej retorikës së viteve 1990. Më 15 janar, vetëm një ditë pas historisë së trenit, drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike, Jellena Milliq, lëshoi debatin e drejpërdrejtë ku ishte bashkë me Vuçiqin në TV Pink, pasi që Kryeministri e akuzoi aktivisten e shoqërisë civile se ishte “kundër interesave serbe” për shkak se foli kundër trenit kundërthënës.

Por, Vuçiqi nuk ishte lideri i vetëm nga Serbia i cili përdor retorikën e cila kujton një epokë që shumë njerëz konsiderojnë se i përket së kaluarës. Presidenti i Serbisë dhe ish-radikali serb, Tomisllav Nikolliq, shkoi edhe më larg se Kryeministri me komentet e tij në lidhje me incidentin me tren.  “Nëse ata [shqiptarët e Kosovës] vrasin serbë, të gjithë do të shkojmë atje [në Kosovë], jo vetëm ushtria. Unë do të shkoj i pari, nuk do të jetë kjo hera e parë që shkoj”, tha Nikolliqi.

Derisa pritej që ai ta zbuste gjuhën e “shkuarjes në luftë” pas kritikave të disa prej aktivistëve të shoqërisë civile, mediave e disa zërave liberalë të politikës serbe, Nikolliqi në të vërtetë i vuri vulë gjuhës së tij luftënxitëse të martën kur tha, “së bashku me dy djemtë e mi do të merrja pjesë në luftë”. Ai më tutje deklaroi se dërgimi i ushtrisë në Kosovë nëse sulmohen serbët nuk ishte vetëm ide e tij, por gjithashtu qëndrim i Këshillit Nacional të Sigurisë të Serbisë.

Gjuha nacionaliste e Vuçiqit dhe Nikolliqit në masë të madhe ndërlidhet me zgjedhjet e ardhshme në Serbi, dhe të dytë përpiqen të fitojnë poenë politikë duke lënë përshtypjen se ata “po e mbrojnë sovranitetin” e Serbisë.  Ende është e paqartë nëse Nikolliqi do të jetë përsëri kandidat për President nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), derisa ka edhe zëra që qarkullojnë se Vuçiqi mbase po përgatitet që të kandidojë vetë për këtë post.

Lëvizjet gjeopolitike

Tensionet e rritura gjithashtu po ndodhin në kohën kur ka ndryshime të dukshme marrëdhëniesh ndërmjet fuqive në mbarë botën. Ndërsa BE-ja po tronditet me krizën e refugjatëve, me Brexit-in dhe me shfaqjen e politikave nacionaliste dhe kundër BE-së, e në anën tjetër SHBA-të po hynë në një territor të panjohur me inaugurimin e Donald Trampit, në muajt e fundit po krijohet një përshtypje e pasigurisë gjeopolitike në gjithë botën.

Tranzicioni i pushtetit në SHBA në duart e një presidenti i cili duket se ka marrëdhënie më të ngushta me Rusinë sesa paraardhësit e tij është parë nga shumë analistë se Beogradit i ka dhënë shtytje që ta testojë Prishtinën. Kjo vlen sidomos për faktin se Trampi vazhdimisht ka shprehur skepticizmin sa i përket së ardhmes së NATO-s, e cila është garantuese e sigurisë territoriale të Kosovës, dhe të cilën këtë javë ai e ka përshkruar si “të vjetruar“.

Politikanët e Kosovës, duke përfshirë edhe Presidentin Hashim Thaçi, e kanë akuzuar Beogradin se qëllimisht po provon të shkaktojë përshkallëzim të tensioneve etnike, për ta shfrytëzuar frikën për sigurinë si casus belli, siç ishte edhe rasti në vitin 2014 kur Rusia e aneksoi Krimenë, Rusia intervenoi me pretekstin se po e “mbronte” popullsinë pakicë në Ukraniën Lindore nga qeveria post-revolucionare ukrainase.

Fjalët e Lavrovit janë posaçërisht me peshë në kohën kur Prishtina po përpëlitet se si t'i qaset problemit të murit bizar i cili u ndërtua në veri të Mitrovicës muajin e kaluar.

Moska është gjithashtu drejtpërdrejt e përfshirë në zhvillimet në lidhje me trenin, i cili është prodhim rus, dhe si Vuçiqi ashtu edhe ministri i punëve të jashtme Ivica Daçiqi iu kthyen aleatit tradicional ndërsa ngjarjet po merrnin hov të shtunën. Ministri i punëve të jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, konfirmoi mbështetjen e Rusisë për Beogradin, duke deklaruar: Forcat e shqiptarëve të Kosovës nuk duhet të jenë të pranishme në veri të Kosovës dhe Metohisë, e cila banohet nga serbët”.

Fjalët e Lavrovit janë posaçërisht me peshë në kohën kur Prishtina po përpëlitet se si t’i qaset problemit të murit bizar i cili u ndërtua në veri të Mitrovicës muajin e kaluar, për të cilin serbët thonë se është pjesë e planit të bisedimeve në Bruksel për të hapur komunikimin ndërmjet jugut me shumicë shqiptare dhe veriut me shumicë serbe. Prishtina është zotuar se do ta rrëzojë murin dymetërsh buzë urës e cila për një kohë të gjatë e ndan Mitrovicën në dy gjysma, duke deklaruar se ndërtimi i tij është ilegal.

Pavarësisht nëse gjuha e përdorur ditëve të fundit është shenjë se udhëheqësia e Serbisë po i tregon muskujt për nevoja të brendshme të vendit, apo nëse është një testim më dinak i lëvizjeve të gjithëmbarshme gjeopolitike, kjo retorikë është frikshmërisht e ngjashme me atë të kohës së kaluar.K

Guximi i Beogradit

Guximi i rritur i Beogradit i treguar në fillim të vitit 2017 nuk ka qenë i drejtuar vetëm kundër Kosovës. Më 9 janar, vetëm disa ditë pas mosmarrëveshjes në lidhje me trenin, Presidenti Nikolliq vendosi të merrte pjesë në festimet për shënimin e 'Ditës së Shtetësisë' së Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa ngjarja qendrore e kësaj ceremonie ishte një paradë ushtarake e stilit rus.

Vendimi për ta shënuar shpalljen e Republikës Srpska të vitit 1992 është posaçërisht përçarës në Bosnje e Hercegovinë sepse shihet si një prej ngjarjeve e cila çoi në luftën e përgjakshme katërvjeçare. Gjykata Kushtetuese e Bosnjes gjithashtu vendosi se pushimi zyrtar ishte jokushtetues meqë konsiderohet diskriminues ndaj popullsisë joserbe në këtë republikë për shkak të simbolizmit fetar me këtë datë - sipas të krishterëve ortodoksë, 9 janari është dita e Sh. Stefanit, shenjtit mbrojtës të Republikës Srpska.

Këtë javë, SHBA-ja i vendosi sanksione presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për shkak të shkeljes së Kushtetutës dhe qëndrimit të tij pengues ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.