Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës formalisht ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve qendrore të 14 shkurtit, të shtunën më 13 mars, duke shtruar kështu rrugën për formimin e qeverisë së re.
Vetëvendosja (VV) do të ketë një rekord të 58 ulëseve në legjislaturën e re, tri më pak se një shumicë e plotë në Kuvendin me 120 ulëse.
Rezultatet e certifikuara konfirmojnë që lista e përbashkët mes VV-së dhe Presidentes në detyrë Vjosa Osmani ka thyer disa rekorde zgjedhore, duke përfshirë më së shumti vota për një entitet politik — 438,335 — dhe përqindjen më të lartë të votave ndonjëherë (50.3%).
Mbi 870,000 votues kanë hedhur votën në zgjedhje, më shumë se në cilatdo zgjedhje qendrore në historinë e Kosovës.
Partia e dytë më e madhe në Kuvend do të jetë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19 ulëse, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 — për të dy partitë kjo përfaqëson rezultatet më të ulëta në historitë e tyre.
Srpska Lista (Lista serbe) e mbështetur nga Beogradi do të ketë 10 deputetë, pasi edhe njëherë ka siguruar të gjitha ulëset e rezervuara për komunitetin serb, përderisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të ketë tetë ulëse.
Dhjetë ulëset e mbetura do të mbahen nga deputetë që përfaqësojnë minoritetet jo-serbe të Kosovës. Dy nga këto kanë ndryshuar nga rezultatet preliminare të shpallura më 4 mars, pasi Gjykata Supreme ka vendosur të mos përmbysë vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të anuluar plot nga votat për parti të caktuara joserbe në disa zona me shumicë serbe.
Nisma, e cila ka marrë vetëm 2.5% të votës, nuk do të përfaqësohet në Kuvend pasi nuk ka arritur të kalojë pragun prej 5%.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja në detyrë Vjosa Osmani tash ka 30 ditë të bëjë thirrjen e seancës së Kuvendit të ri, në të cilën duhet të votohet qeveria e re.
Udhëheqësi i VV-së Albin Kurti veçse ka thënë që është i sigurt se partia e tij do të arrijë të formojë një qeveri të shumicës bashkë me përfaqësues nga komunitetet minoritare të Kosovës.
Zgjedhjet presidenciale po afrohen
Përpos përballjes me pandeminë COVID-19 — e cila përsëri është duke eskaluar me raportime të rritjes së numrave të rasteve pozitive, rasteve të shtruara në spital dhe vdekjeve — një ndër detyrat e para të Kuvendit të ri do të jetë të votojnë Presidentin e ri të Kosovës.
Si kryetare e Kuvendit, Osmani ka marrë rolin e Presidentes në detyrë të Kosovës më 5 nëntor, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Ajo është e preferuara për tu votuar pasi ka bërë fushatë eksplicite në zgjedhjet e shkurtit për të zgjeruar rolin e saj në një mandat pesëvjeçar. Si kandidatja e parë në listë të bashkuar me VV-në, Osmani ka siguruar 300,756 vota — 115,000 më shumë se cilido politikan në historinë e Kosovës.
Megjithatë, Ramush Haradinaj i AAK-së i cili ka marrë 41,371 vota në zgjedhjet e shkurtit gjithashtu e ka riafirmuar fushatën e tij me dëshirën që të bëhet presidenti i ardhshëm.
VV-ja i ka ftuar partitë e tjera shqiptare në një takim javën e ardhshme për të diskutuar formimin e institucioneve.
Disa ekspertë të Kushtetutës kanë paralajmëruar që nëse nuk votohet presidenti i ri para përfundimit të mandatit gjashtëmujor të presidentes në detyrë në fillim të majit, automatikisht do të shpallen zgjedhje të reja qendrore.
Sipas Kushtetutës, zgjedhjet e reja qendrore do të shpallen automatikisht nëse Kuvendi nuk arrin të votojë presidentin e ri të Kosovës pas tri rundesh votimi. Një kandidati i duhet një shumicë prej dy të tretave në dy rundet e para por kjo bie në një shumicë të thjeshtë nëse vota shkon në rundin e tretë.
Rezultatet e apeleve
Ndryshimi më domethënës mes rezultateve preliminare të zgjedhjeve të cilat janë shpallur javën e kaluar dhe rezultateve të certifikuara të konfirmuara të shtunën ishte alokimi i ulëseve për partitë e komuniteteve pakicë.
Pas ankesave për modele të votimeve jo të zakonshme në zonat me shumicë serbe, PZAP ka vendosur javën e kaluar t’i anulojë pothuajse 5,000 vota për partitë boshnjake dhe më shumë se 800 vota për partitë rome në disa zona me shumicë serbe. Këto vendime janë reflektuar në rezultatet e certifikuara pasi Gjykata Supreme të premten i ka rrefuzuar apelet kundër tyre.
Humbësit më të mëdhenj nga vendimet e PZAP-it janë Iniciativa Rome (IR) dhe Adrijana Hodžić, një kandidate boshnjake, pasi asnjëra nuk ka arritur të sigurojë ulëset të cilat u janë akoluar nga rezultatet preliminare.
IR, një entitet i ri që qëndron në zgjedhje për herë të parë, do të ketë një ulëse në Kuvend por ulësja e dytë rome do t’i shkojë Erxhan Galushit nga Lëvizja Progresive e Romëve Kosovarë (LPRK).
Ulësja e cila fillimisht u alokua për Hodžić-in, e cila gjithashtu ka marrë pjesë në zgjedhje si kandidate për herë të parë si udhëheqëse e një iniciative të re të quajtur Komuniteti i Bashkuar, Adrijana Hodžić, do t’i shkojë Duda Balijes nga Bashkimi Social Demokrat (SDU).
IR dhe Hodžić janë akuzuar nga kundërshtarët politikë që punojnë bashkë me Listën Serbe pasi kanë siguruar shumë nga votat e tyre në zonat me shumicë serbe që kanë pak apo asnjë qytetar të regjistruar të etnive të tyre. Megjithatë të dy fuqishëm kanë mohuar çfarëdo lidhje me partinë e mbështetur nga Beogradi dhe disa aktivistë kanë cekur që votuesit që mbështesin kandidatët apo partitë nga komunitetet e tjera nuk është fenomen i ri në këto zgjedhje.
Hodžić, e cila ka thënë që ka fituar vota në zonat me shumicë serbe për shkak të punës së saj ndëretnike, ka shkruar në një postim në Facebook pas vendimit të Gjykatës Supreme që ajo do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por që ajo nuk kishte besim që do të ketë një seancë të drejtë. “Kjo është rreth respektit bazik për rregullat dhe kjo është provë që shoqëria e Kosovës nuk është e gatshme të jetë me të vërtetë multietnike”, ka shkruar ajo.
Ndaras, ish-ministrja e punëve të jashtme Meliza Haradinaj Stublla nuk do të ketë ulëse në Kuvendin e ri pas një rinumërmi të disa fletëvotimeve të AAK-së. Haradinaj Stubllës iu alokua një ulëse në rezultatet preliminare, por PZAP ka urdhëruar një rinumërim të votave me kusht dhe atyre përmes postës për AAK-në pas ankesave për vjedhje të votave brenda listës së AAK-së.
Haradinaj Stublla, e cila mohon çfarëdo keqbërje, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj qeveritare dhe nga AAK-ja të martën (9 mars).K
Imazhi i ballinës: K2.0.