Pikëpamje | Të Drejtat e Minoriteteve

Debati për votat e partive joshumicë kërkon reflektim të brendshëm

Për një kohë të gjatë, votat ‘e lehta’ janë manipuluar nga ‘burrat e fortë’ të politikës.

Përdorimi i votave të romëve për synime vetjake nga partitë politike të shumicës nëpër Evropë është histori e gjatë dhe pikëlluese.

Para zgjedhjeve, politikanët venë në mëhallat rome me ushqim ose me të holla dhe me premtime për një parajsë paszgjedhore vetëm me qëllim të sigurimit të votave. Sikur kjo të mos ishte e tepërt, disa kërcënojnë romët e margjinalizuar që t’ia hedhin votën njeriut ose partisë politike “të duhur”; romët e margjinalizuar janë të vetëdijshëm që mosplotësimi i kërkesave nga “burrat e fortë” mund të ketë pasoja negative.

Njëkohësisht shohim përfaqësues romë që zgjedhin të radhiten me parti politike të rrjedhës qendrore për t’i promovuar interesat e tyre personale ose ato të komunitetit të tyre. Po ashtu shohim strukturat e shumicës duke sabotuar subjektet politike rome pa pëlqimin e tyre për qëllime të veta — thjesht sepse munden.

Në të kaluarën e Kosovës kemi parë se si votat e zgjedhësve dhe përfaqësuesve politikë të komuniteteve të margjinalizuara rome, ashkalie dhe egjiptiane janë keqpërdorur për t’i mbështetur subjektet politike të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.

Në vend se të analizoheshin arsyet për këtë rezultat, u hodhën akuza në drejtim të romëve.

Tash, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kemi qenë dëshmitarë të shpeshtimit të deklaratave degraduese dhe diskriminuese kundrejt romëve dhe një nga subjektet e tyre pasi partia Romani Iniciyativa (RI) mori 3,827 vota — sipas numërimit preliminar të votave.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, RI doli si partia më e fortë ndër komunitetet rome, ashkalie dhe egjiptiane, duke i fituar dy ulëset e rezervuara për tri komunitetet në Kuvendin e Kosovës.

Më pas u shfaqën dyshimet se RI-ja është themeluar nga Lista Serbe ose qeveria e Serbisë. Siç thuhet, serbëve u është thënë të votojnë për RI-në për t’i siguruar këto dy ulëse, gjë që do t’ua mundësonte Listës Serbe dhe qeverisë së Serbisë ta zgjeronin kontrollin në Kuvendin e Kosovës përtej 10 ulëseve që ruhen për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Në vend se të analizoheshin arsyet për këtë rezultat dhe të mendohej për mënyra se si të përfshihen më mirë këto komunitete në politikëbërje, u hodhën akuza në drejtim të romëve.

Konkurrentët nga spektri politik rom dhe një përfaqësues i një subjekti politik egjiptian që ka humbur ulësen e vet në Kuvendin e Kosovës u janë bashkuar akuzimeve. Ata kanë kërkuar një rishikim të rezultateve të zgjedhjeve dhe madje kanë propozuar që dy ulëset të mos i ndahen RI-së.

Së pari, le të shohim se çfarë ka ndodhur për së afërmi.

Një traditë denbabaden

Një shqyrtim i numrave tregon se nuk është e mundshme që thuajse të gjitha 4,000 votat për RI-në janë dhënë nga romët.

Në komunat me shumicë serbe të Leposaviqit, Kllokotit dhe Parteshit, RI-ja ka marrë gjegjësisht 244, 147 dhe 88 cota. Sidoqoftë, sipas të dhënave zyrtare, në këto komuna jetojnë pak romë ose hiç fare; regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 numëron vetëm 9 banorë romë në Kllokot dhe asnjë në Partesh, ndërsa të dhënat e OSBE-së nga viti 2018 tregojnë se në Leposaviq jetojnë diku mes 12 dhe 64 sish.

Mospërputhje të tilla vërehen edhe në komuna të tjera.

Në Skënderaj, subjektet politike rome, ashkalie dhe egjiptiane kanë marrë 104 vota në zgjedhjet e fundit, ndërsa të dhënat e OSBE-së tregojnë se vetëm 11 individë deklarohen se janë pjesë e këtyre komuniteteve.

Por ideja se marrja e mbështetjes në vende “të papritura” është dukuri e re për partitë joshumicë është çorientuese.

Në Malishevë, 31 qytetarë kanë thënë se i përkasin njërit nga këto tri komunitete në regjistrimin e fundit të popullsisë, por në zgjedhje, subjektet e tyre politike kanë marrë 177 vota — 129 kanë shkuar për PDAK-në, e cila përfaqëson komunitetin ashkali. Kjo duket se do të jetë e rëndësishme për ndarjen e ulëseve, meqë numërimi preliminar i votave tregon se PDAK-ja ka vetëm 134 më shumë vota sesa konkurrenti PAI dhe pritet ta fitojë një ulëse për komunitetin ashkali në Kuvendin e Kosovës.

Një analizë e rezultateve në komuna të tjera dëshmon për një situatë të ngjashme.

Por ideja se marrja e mbështetjes në vende “të papritura” është dukuri e re për partitë joshumicë është çorientuese.

Për shembull në vitin 2019, partitë rome, ashkalie dhe egjiptiane kanë marrë 80 vota në Kaçanik, paçka se regjistrimi i fundit i popullsisë tregon se janë vetëm gjashtë njerëz prej këtyre komuniteteve; në Gllogovc, ku janë të regjistruar vetëm dy pjesëtarë të komuniteteve, këto parti kanë marrë 160 vota.

Është e qartë se nuk është e pazakontë që subjektet politike të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve të marrin më shumë vota sesa qytetarët e regjistruar të këtyre etnive në komuna të caktuara.

Në anën tjetër, kjo ndodh pjesërisht për shkak se vetëm disa pjesëtarë të këtyre tri komuniteteve zbulojnë etninë në regjistrime të popullsisë. Megjithëkëtë mund të jetë po ashtu sepse pjesëtarët e komuniteteve të tjera i votojnë për arsye të tjera.

Një nga këto arsye për partitë politike të shqiptarëve të Kosovës mund të jetë sepse duhen shumë më pak vota për një ulëse të rezervuar në Kuvendin e Kosovës sesa për një “ulëse normale” — pra, ta “promovosh” disi një kandidat të një partie të komuniteteve joshumicë, i cili më vonë do të votojë me ty në Kuvend, është mënyrë më e lehtë për të fituar ndikim sesa të marrësh vota përmes fushatës së rregullt.

Në rastin e partive politike të serbëve të Kosovës, një arsye mund të jetë se duan të sigurojnë më shumë se 10 ulëset e rezervuara.

Dispozitat kalimtare në Kushtetutën e Kosovës nënkuptuan që deri në vitin 2010, partitë minoritare mund të siguronin më lehtë ulëse shtesë në Kuvend duke e tejkaluar pragun minimal për “ulëse të përgjithshme”; në vitin 2010, subjektet politike serbe fituan tri “ulëse të përgjithshme”, duke marrë kështu 12 ulëse në Kuvend gjithsej, ndërsa një subjekt turk dhe një i tillë boshnjak fituan nga një. Por meqenëse këto dispozita u shfuqizuan në fund të zgjedhjeve të vitit 2014, synimi për të kontrolluar ulëset e rezervuara për komunitetet e tjera është bërë mënyrë alternative për ta rritur ndikimin në Kuvend.

Në anën tjetër, fakti se pjesëtarët e komuniteteve rome, ashkalie, egjiptiane, boshnjake, gorane, turke, malazeze, kroate ose çerkeze (po, ata ekzistojnë në Kosovë) votojnë për parti politike të shqiptarëve a serbëve të Kosovës, ose për parti të komuniteteve të tjera, nuk është dikuri e pazakontë.

Gjithkush ka të drejtën të votojë për partitë e grupeve të tjera etnike dhe deri më tash askush nuk e ka kundërshtuar këtë punë. Përse duhet që një pjesëtar i një komuniteti më të vogël — ose në të vërtetë kushdo tjetër — të votojë për një parti politike të komunitetit të tyre?

Ndikimi i përjashtimit

Përveç atyre që votojnë parti të etnive të tjera, shumë njerëz nga komunitetet joshumicë thjesht vendosin të mos votojnë fare.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, 2,899 individë janë të regjistruar si romë në Prizren — në të vërtetë ka shumë më shumë. Por në zgjedhjet e këtij muaji, ku dalja ishte më e madhja që nga viti 2004, katër subjektet politike rome së bashku kanë marrë vetëm 922 vota në qytetin e dytë të Kosovës; më pak se subjekti i vetëm politik rom që ka konkurruar në zgjedhjet e para në Kosovë në vitin 2001.

Një situatë e ngjashme është edhe në Pejë. Sipas Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, në këtë komunë jetojnë 3,000 egjiptianë, 1,300 romë dhe 200 ashkalinj, por në zgjedhjet e shkurtit, partia egjiptiane mori 975 vota, partitë rome 176 sosh dhe partitë ashkalie 35 sosh.

Ky rezultat nuk është fare i befasishëm kur kihet parasysh se gjatë 20 vjetëve të fundit kemi parë se të gjitha qeveritë pak a shumë i kanë shpërfillur situatat specifike të komuniteteve rome, ashkalie, egjiptiane, gorane dhe boshnjake.

Asnjë qeveri e vetme, përfshirë UNMIK-un, nuk i ka trajtuar si qytetarë të barabartë.

Pas 20 vjetësh pranie ndërkombëtare dhe 13 vjetësh pavarësie, komunitetet rome, ashkalie dhe egjiptiane në veçanti akome shihen si qytetarë të klasit të dytë dhe ballafaqohen me racizëm. Të dhënat për punësimin, arsimimin dhe strehimin mbështesin këtë fakt.

Institucionet publike të Kosovës kanë obligim kushtetues të punësojnë pjesëtarë të këtyre komuniteteve, por të gjitha qeveritë e mëhershme — qoftë në rrafshin ndërkombëtar ose atë lokal — kanë shpërfillur këto detyra ligjore.

Kosova po ashtu ka një Ministri për Komunitete dhe Kthim, por në të vërtetë ajo ka shërbyer si Ministri për Mbështetjen e Serbëve të Kosovës dhe të Komunave me Shumicë Serbe.

Pjesëtarët e komuniteteve të tjera janë të vetëdijshëm se asnjë qeveri e vetme, përfshirë UNMIK-un, nuk i ka trajtuar si qytetarë të barabartë.

Për vite me radhë, të njëjtët njerëzit e kanë pranuar kur manipulimi dhe keqpërdorimi kanë ardhë nga “peshqit e mëdhenj” të vet.

Ata janë të vetëdijshëm se mund të ushtrojnë ndikim politik vetëm atëherë kur votat e tyre u nevojiten partive politike të shqiptarëve ose serbëve të Kosovës. Tash, politikanët ose qeveria saora premtojnë mbështetje për përfaqësuesit e tyre që t’i marrin votat për një vendim të rëndësishëm ose për të nxjerrë dikë nga burgu në mënyrë që të marrin pjesë në votime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës ose të ushtrojnë trysni në mënyra të tjera për të siguruar vota për “peshqit e mëdhenj”. Përndryshe shpërfillen ose përqeshen.

Ndonëse është e qartë se s’mund të argumentohet që RI-ja ka fituar dy ulëse vetëm nga votat e komunitetit rom, është e frikshme të shihet sa shpejt shoqëria dhe politikanët hidhen t’i akuzojnë romët dhe përfaqësuesit e tyre për manipulim dhe mashtrim kur keqpërdoren nga “peshqit e mëdhenj” të të tjerëve — për vite me radhë, të njëjtët njerëz e kanë pranuar kur manipulimi dhe keqpërdorimi kanë ardhë nga “peshqit e mëdhenj” të tyre.

Është ende më e frikshme kur konsiderohet ndikimi i raportimit të papërgjegjshëm të mediave dhe një deklaratë e papërgjegjshme e një zyrtari publik për romët. Nuk duhet të harrojnë se në vitin 2019, një grua rome ishte sulmuar publikisht dy herë në rrugët e Lipjanit dhe të Ferizajt pas pretendimeve të gabuara në mediat sociale.

Pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pyetjet që kanë përcjellë çështjen e mbështetjes për RI-në, shumica dërrmuese e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve e shohin Kosovën si atdheun e tyre, pa marrë parasysh se a jetojnë në Prizren, Gjakovë, Ferizaj ose Graçanicë.

Ngjarjet e tanishme duhet të shërbejnë si kthjellim për politikën dhe shoqërinë në mënyrë që të punohet më shumë për përfshirjen e mirëfilltë të komuniteteve të margjinalizuara në mënyrë që të dinë se janë pjesë e Kosovës dhe se trajtohen barabar. I takon qeverisë së ardhshme që më në fund të fillojë me përfshirjen e vërtetë të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve dhe të zhvillojë një program afatgjatë për luftimin e racizmit dhe promovimin e përfshirjes shoqërore.

Qeveria e re duhet të përfshijë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në mënyrë domethënëse në politikëbërje e jo vetëm në letër, gjë që do të dëftonte se Kosova është e gatshme t’i pranojë ata si qytetarë të barabartë. Një rezultat i tillë do të ishte situatë e favorshme për të gjithë dhe do të shërbente si test litmusi për të parë se kë në të vërtetë e përfaqëson RI-ja. 

Këto zgjedhje duhet të jenë kthjellim për të rishqyrtuar se si mund të sigurohet pjesëmarrja e efektshme dhe e vërtetë e komuniteteve etnike. Kjo nuk do të thotë se ulëset e rezervuara duhet të hiqen qafe, por se pjesëmarrja domethënëse e të gjitha komuniteteve duhet të arrihet edhe në rrafshin shtetëror, edhe në atë lokal.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.