Gratë dhe burrat të cilët u përdhunuan apo vuajtën nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë ende po presin për drejtësi, dëmshpërblime të stërvonuara dhe njohje të vuajtjeve të tyre, sipas një raporti të ri të Amnesty International (AI).
Raporti me titull: “Plagë që të djegin shpirtin” u publikua sot (e mërkurë, 13 dhjetor) në një konferencë në Hotel Sirius në Prishtinë.
“Gati dy dekada pas përdhunimit sistematik të mijëra grave dhe vajzave gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998-99, të mbijetuarit do të marrin kompensimin dhe njohjen e shumëpritur për përdhunimin dhe torturën e përjetuar. Por vetëm disa autorë të këtyre krimeve janë dënuar, dhe të mbijetuarit ende po luftojnë për drejtësi”, thotë raporti.
Hulumtuesja e AI për Ballkan dhe autorja e raportit, Sian Jones, foli në konferencë dhe theksoi tri fusha kyçe të cilat nënvizohen në raport: mohimi i qasjes në drejtësi, boshllëqet në dispozita të dëmshpërblimeve dhe pasojat e stigmatizimit të të mbijetuarve.
Mungesë e drejtësisë
Në mars të vitit 2014, e drejta e të mbijetuarve për dëmshpërblim, kryesisht në formë të kompensimit mujor, u bë pjesë e ndryshimeve të ligjit ekzistues që mbulon statusin e viktimave të luftës.
Por tek në vitin 2017 u themelua komisioni i verifikimit, i cili do të jetë përgjegjës për shqyrtimin e aplikacioneve të njerëzve të cilët kërkojnë statusin e viktimës. Në muajin e kaluar, Qeveria e cila tani udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, caktoi buxhetin për të ndihmuar që të paguhet kompensimi për viktima. Prej janarit të vitit 2018, të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës do të kenë mundësi të aplikojnë për statusin e viktimës, dhe ata të cilët arrijnë ta marrin këtë status do të kompensohen me nga 230 euro në muaj nga buxheti shtetëror.
Ndonëse AI e mirëpret këtë alokim të buxhetit, kjo organizatë e kritikoi në masë të madhe mohimin e vazhdueshëm të qasjes në drejtësi për të mbijetuarit.
Jones theksoi mungesën e dënimeve për dhunën seksuale të kohës së luftës në Kosovë. Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi i ndoqi penalisht tre prej zyrtarëve më të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë të Serbisë, për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe “sulmet seksuale” si formë e përndjekjes. Por deri më sot, as gjykatat në Kosovë as ato në Serbi nuk e kanë dënuar askënd për dhunën seksuale të kryer gjatë kohës së luftës.
Jones kritikoi veçanërisht misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK-un, duke thënë: “Raporti shtjellon se si në shumë raporte të cilat u bënë për dhunën seksuale të kohës së konfliktit me të mbijetuarit në vitet e pasluftës, UNMIK-u nuk i regjistroi dhe as nuk i hetoi me shpejtësi rastet; e edhe në rastet të cilat u hetuan, ata nuk i kontaktuan të mbijetuarit për t’u treguar se deri ku kishin arritur rastet e tyre”.
Raporti thekson gjithashtu se si policia dhe prokurorët e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dështuan të trajtonin me qindra raste të pahetuara të krimeve të luftës, të cilat i trasheguan nga UNMIK-u. Sipas Jones-it, meqë krimet e luftës tani po barten te Departamenti për Krime të Luftës – i themeluar së fundmi brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës – përballja me këtë trashëgimi do të jetë barrë e madhe për prokurorët e ri. Ajo bëri thirrje për shtim të burimeve – siç është stafi i trajnuar – për ekipin prokurorial.
Ajo tha se edhe kur rastet janë të gatshme për zbatim – kur një apo disa autorë të krimit janë identifikuar – nuk mund të zhvillohet rasti pa u arrestuar këta njerëz, qoftë duke përdorur urdhërarreste ndërkombëtare apo duke i arrestuar në Kosovë.
“Në rekomandimet tona i inkurajojmë politikanët në Kosovë dhe në Serbi të punojnë në këtë drejtim, qoftë në kontekstin e dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, qoftë në nivel më bilateral. Sigurisht se do të jetë tepër e vështirë qasja e grave në drejtësi nëse kjo pengesë nuk largohet. Jemi shumë të shqetësuar për këto 18 vite pa drejtësi. Është kohë shumë e gjatë”, tha Jones. “Ne duhet t’i shtyjmë autoritetet që të arrijnë ndonjë marrëveshje e cila mundëson bashkëpunim dhe ndjekje penale”.
Dëmshpërblime të mangëta
Sa i përket fushës së dytë, dëmshpërblimeve, AI në veçanti shpeh shqetësimet e veta për mënyrën se si legjislacioni aktual – i cili e përdor datën e përfundimit të luftës (20 qershor, 1999) si datë të fundit për pranueshmërinë e viktimave potenciale – i përjashton të gjitha gratë të cilat përjetuan dhunë seksuale pas luftës, kur teknikisht lufta ishte shuar; në këtë mënyrë legjislacioni i diskriminon veçanërisht serbët dhe romët e Kosovës, si dhe disa gra shqiptare.
Jones tha se UNMIK-u mblodhi 135 raporte të dhunës seksuale në gjysmën e dytë të vitit 1999, pra në periudhën pas datës përfundimtare e cila përdoret në legjislacionin aktual. “Po sugjerojmë që afatin kohor që përdoret në Ligjin për Persona të Humbur, që përfundon në dhjetor 2000, ta përdorim edhe për këtë grup”.
Jones tregoi që në raport thuhet se dispozitat aktuale janë të mangëta nëse krahasohen me standarde ndërkombëtare që lidhen me viktimat e dhunës seksuale të kohës së luftës. Mangësi tjetër është mungesa e qasjes së të mbijetuarve në shërbime shëndetësore pa pagesë apo me kosto të përballueshme.