Pikëpamje | Të drejtat e punëtorëve

Rrëfime nga nëntoka e Bulqizës

Nga - 01.02.2020

Elton Debreshi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB),  bashkëbisedon me aktivisten e Organizatës Politike, Gresa Hasa.

Më 17 nëntor 2019, Bulqiza përjetoi një ngjarje ngazëllyese teksa në sheshin qendror të qytetit, minatorët e kompanisë AlbChrome shpallën publikisht çeljen e sindikatës së re, çka vinte si një reagim i vullnetshëm i trupës punëtore kundër disfunksionalitetit të sindikatës së vjetër dhe akuzave për korrupsion që ende rëndojnë mbi këtë të fundit.

Një realitet ku të vajturit në punë çdo ditë nënkupton ngadhënjimin mbi vdekjen ose humbjen përballë saj, bëri që këta minatorë të gjykonin se nëpërkëmbja e tyre, pagat qesharake dhe norma skllavëruese e punës, nuk do të toleroheshin më. Kësisoj, ata e kërkuan zgjidhjen për të fituar të drejtat e mohuara tek organizimi i strukturuar në një sindikatë aktive dhe demokratike.

Në këtë nismë, ne, aktivistët  e Organizatës Politike, ofruam të gjithë ndihmën tonë ndaj minatorëve, për sa i përket aspektit organizativ dhe ligjor tyrit në vendin e punës.

Megjithatë, vetëm pesë ditë pas shpalljes së sindikatës së re, Elton Debreshi, i zgjedhur në një mandat 3-vjeçar si kryetar i SMBB-së, u pushua pa paralajmërim nga puna. Nga ana tjetër, kjo e fundit e tregoi fuqinë e saj menjëherë, kur nëpërmjet solidaritetit dhe punës së frytshme organizative, ia doli të nxiste një protestë të respektueshme me pjesën më madhore të minatorëve të AlbChrome, duke sjellë si pasojë bojkotin e punës dhe ngrirjen e prodhimit për mëse një javë. 

Kërkesat që iu parashtruan kompanisë ishin të qarta dhe të panegociueshme. Ato përfshinin rritjen e pagave, rishikimin e normës, përftimin e pagës për ditët e bojkotit dhe të grevës, dhe kthimin e Eltonit në punë.

Mediat kryesore në vend e censuruan protestën, edhe pasi minatorë e aktivistë të cilët po  protestonin krah tyre në solidaritet, u arrestuan dhe përballën me forma të ndryshme kanosjeje. Gjithsesi, protesta vazhdoi për më shumë se një javë duke qenë se fill pas Eltonit, kolegu i tij, Beqir Duriçi, kryetar i Këshillit Sindikal të SMBB-së dhe përgjegjës për financat e saj, pësoi të njëjtin ndëshkim. Pas Beqirit, radhën do ta kishte Behar Gjimi dhe së fundmi, Ali Gjeta. 

Minatorët e Bulqizës, e veçanërisht minatorët e SMBB-së, rrallëherë kanë marrë vëmendjen mediatike të merituar.

Kjo luftë e ashpër e kompanisë kundër punëtorëve të saj nisi vetëm pse këta të fundit zgjodhën të ushtronin një të drejtë kushtetuese duke u organizuar sindikalisht. 

Afërmendsh, ne aktivistët sikurse vetë minatorët, ishim të interesuar të mësonim se pse AlbChrome zgjodhi t’i përgjigjej pikërisht kësisoj sindikatës së re, ndër të tjera, përfaqësuese e pjesës dërrmuese të punëtorëve në galeri; pse AlbChrome refuzon ende të lidhë kontratën e re kolektive me SMBB-në? Por mbi të gjitha, do të donim të dinim se çfarë i druhet Samir Mane, pronar jo vetëm i AlbChrome por i një zinxhiri biznesesh oligopol në Shqipëri dhe jashtë saj.

Minatorët e Bulqizës, e veçanërisht minatorët e SMBB-së, rrallëherë kanë marrë vëmendjen mediatike të merituar, andaj nëpërmjet këtij bashkëbisedimi dhe rrëfimit thellësisht personal të Eltonit ramë dakord t’i japim jehonë më tej Bulqizës.

Gresa Hasa: Si lindi ideja për krijimin e një sindikate të re? 

Elton Debreshi: Ideja për një sindikatë të re ka vite që qarkullon midis minatorëve. Megjithatë, vetëm në maj të vitit që lamë pas arritëm të mblidhnim një numër të konsiderueshëm firmash e të nisnim procesin e zyrtarizimit edhe ligjërisht të SMBB-së, të cilën Gjykata e Tiranës e njohu më 15 tetor 2019.

Kushtet në të cilat ne punojmë janë jo thjesht sfiduese, por të rrezikshme, duke qenë se për çdo ditë që zbresim nën tokë, përballemi drejtpërdrejt me vdekjen e në i shpëtofshim vdekjes, nuk u shpëtojmë dot sëmundjeve që vijnë si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj lagështirës së galerisë, gazrave dhe në tërësi mungesës së sigurisë. Në Bulqizë shpeshherë tregohemi autoironikë kur themi se në këtë qytet nuk ekzistojnë pleqtë, çka është deri diku e vërtetë pasi kushdo që ka punuar në galeri, zor se e arrin moshën e pensionit.

Galeria ka probleme të shumta… Unë kam qenë minator kërkimesh tek AlbChrome deri përpara se të pushohesha nga puna. Roli i minatorit të kërkimit është që të çajë frontet e shkëmbit përpara tij me plasje, derisa të mbërrijë në zemër të kromit. Ne e copëtojmë gurin dhe në brendësi të tij kërkojmë krom. Nuk dihet asnjëherë se ç’shkarje mund të ndodhin gjatë këtij procesi. Gjithashtu, galeria ka një presion të jashtëzakonshëm dhe ekziston rreziku që gazi hidrogjen mund të shpërthejë papritur, si të jetë fati i minatorit që punon aty… 

Ndër të tjera, në galerinë ku kam punuar unë, temperaturat janë tejmase të larta dhe sa më thellë të zbresësh, aq më nxehtë është. Ka raste kur vapa bëhet mbytëse, pa llogaritur këtu frontet nga ku hyn lagështira, çka përbën një situatë të përgjithshme asfiksimi. Vazhdimisht materialet e shpinës qëllon që bien gjatë punës duke e bërë këtë të fundit një thikë me dy presa.

Ç’është më e rëndësishmja: ne jemi fillikatë! Nuk kemi askënd tjetër aty poshtë veç vetes, shokëve dhe ndihmës së Zotit. AlbChrome nuk na ka siguruar ndihmë të shpejtë. Një grup ekspertësh — që zakonisht i shohim duke ngrënë e pirë si pashallarë mundësisht me drejtorin dhe ata që drejtori i mban pas vetes — ekziston; por ky grup mbërrin në vendngjarje vetëm pasi një minatori të aksidentuar i është dhënë ndihma e parë nga shokët e tij.

Është kjo gjendja në të cilën shumë minatorë kanë humbur gishtat e duarve dhe të këmbës, kanë dëmtuar shpatullat, kokën, etj. Tre herë më është dashur të shqyej me duar nofullat e minatorëve që u kish rënë të fikët për shkak të ventilimit nga helmet e shumta që qarkullojnë në galeri. Unë kam qenë gjithashtu dëshmitar kur shokun tim Eduart Xheka e shtypën vagonat apo kur një tjetër shok, Elton Hoxha, pësoi aksident dhe m’u desh të reagoja urgjentisht për ta ndihmuar si të mundesha. 

Ne nuk na intereson asgjë veç të drejtës sonë, një e drejtë bazike jo thjesht për mbrojtjen e jetës por për mbrojtjen e një jete dinjitoze.

Elton Debreshi, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

364 minatorë kanë humbur jetën në galeritë e Bulqizës që kur është hapur galeria e parë dhe me mijëra të tjerë janë aksidentuar. Shteti nuk do t’ia dijë! Mediat s’duan t’ia dijnë! Pronarët janë të gatshëm t’i trajtojnë minatorët si skllevër se jeta e tyre nuk është asgjë më shumë se numër për ta, por për ne dhe familjet tona, jeta jonë është gjithçka kemi dhe ne nuk mendojmë se e meritojmë të vdesim në këto kushte.

Prandaj për të gjitha këto arsye, përfshirë këtu veçanërisht abuzimet e sindikatës së vjetër dhe faktin që ajo funksionon si një sindikatë fantazmë, vendosëm që nëntokës t’i japim zë e ta marrim përgjegjësinë në duart tona. 

SMBB nuk do t’ia dijë për partitë politike, ndryshe nga sindikata e vjetër që pranon të gostitet prej tyre. Ne i fajësojmë të trija partitë kryesore për përdhosjen që u kanë bërë minatorëve, po aq sa sindikalistët e korruptuar si Kol Nikollaj e Taf Koleci. Ne nuk na intereson asgjë veç të drejtës sonë, një e drejtë bazike jo thjesht për mbrojtjen e jetës por për mbrojtjen e një jete dinjitoze.

Media e ka censuruar përpjekjen tonë për kushte pune të njerëzishme; grevën, shkeljet dhe kërcënimet e AlbChrome. Padyshim, ne ishim të vetëdijshëm qysh në krye të herës se diçka e tillë do të ndodhte, marrë parasysh pushtetin që gëzon Samir Mane, një pushtet që e ka shtrirë deri te televizionet më të mëdha në vend të cilat funksionojnë si marioneta të tij. 

Megjithatë, ne nuk do të sprapsemi dhe do ta nxjerrim në dritë të vërtetën e Bulqizës. Ne do t’i bindim qytetarët e Shqipërisë për gjithë ç’po ndodh në këtë qytet. Bulqiza ka frymë! Një nismë e drejtë ka nisur e ajo do t’u shërbejë punëtorëve të çdo sektori të punësimit në Shqipëri, jo vetëm minatorëve. 

Si e gjykoni qëndrimin e AlbChrome ndaj SMBB-së?

Pushimi i shokëve të mi dhe imi nga puna, ishte një vendim i padrejtë, i paligjshëm dhe hakmarrës i AlbChrome, jo vetëm ndaj nesh por ndaj të gjithë minatorëve të tjerë dhe sindikatës sonë. Samir Mane dhe përfaqësuesi i tij në AlbChrome, Luan Saliaj, dëshpërimisht po mundohen të intimidojnë minatorët dhe ta shtypin SMBB-në

Ajo që këta zotërinj nuk kuptojnë është se thellësitë e galerisë të mësojnë vlerën e solidaritetit, besimin te shoku dhe bashkëpunimin e sinqertë me të sepse jeta jote varet në dorë të tij dhe e tija në dorën tënde. Sindikata jonë ka lindur prej këtij solidariteti. Ne i kemi refuzuar allishveritë nëpërmjet të cilave është mësuar ta hedhë çapin lehtë Mane.

Hallet e minatorëve të Bulqizës janë hallet e një shoqërie të tërë.

Elton Debreshi

Krahasuar me mënyrën e funksionimit të sindikatës së vjetër, SMBB përbën një risi. Në dokumentin tonë themelor, Statutin, kemi vendosur që Sindikata nuk do të drejtohet nga një njeri i vetëm, por nga parimet e demokracisë dhe pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve. Një njeri i vetëm, sado i vendosur që të jetë, mund të korruptohet ose shantazhohet, ndërsa të gjithë punëtorët kurrsesi. 

Vendimet më të rëndësishme për interesat e punëtorëve merren nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të Sindikatës. Organi tjetër, Këshilli Sindikal, është shumë i zgjeruar, me 20 anëtarë, dhe zbaton vendimet e Asamblesë. Ndërsa kryetari është përfaqësues i Sindikatës dhe i vendimeve të marra nga shumica e anëtarëve. Mandati i parë i kryetarit të Sindikatës dhe anëtarëve të Këshillit Sindikal është 1-vjeçar. Pas përfundimit të këtij mandati, përmes votës së lirë dhe demokratike të shumicës së anëtarëve, zgjidhen përfaqësuesit me mandat 3-vjeçar.

Kjo organigramë nënkupton jo thjesht lehtësinë organizative, transparencën, demokracinë në vendimmarrje dhe mirëfunksionimin e sindikatës, por vetë thelbin ideologjik të saj. Minatorët e Bulqizës janë braktisur nga shteti, nga media dhe të tjera struktura të rëndësishme të institucionalizuara, por ata nuk janë braktisur nga shokët e tyre, i gjithë qyteti i Bulqizës dhe Shqipëria, sepse hallet e minatorëve të Bulqizës janë hallet e një shoqërie të tërë. 

Unë jam tashmë i papunë dhe të jesh i papunë në Bulqizë përbën dënim me vdekje po aq sa puna në minierë, sepse Bulqiza nuk ka asnjë mundësi tjetër mbijetese veç minierës. Unë jam kryefamiljar dhe baba i tre fëmijëve. Bashkëshortja nuk punon. Në Bulqizë nuk ka fasoneri* apo call center. Fëmijët e mi presin prej babait se ç’do t’u sjellë për të ngrënë. Si mund t’ia justifikoj unë vogëlushit tim pakësimin e racionit? 

Këtu ka dy zgjedhje: ose unë e shokët e mi do të nënshtrohemi e do të vazhdojmë të punojmë në kushte skandaloze që Samir Mane të pasurohet me gjakun tonë, ose bashkërisht do ta luftojmë këtë të keqe e padrejtësi, jo vetëm për veten tonë për për të gjithë brezat e minatorëve që do të vijnë — se jeta dhe dinjiteti ynë as nuk mund të blihen dhe as nuk mund të përdhosen. 

Pikërisht kësaj i druhet Samir Mane, faktit që SMBB-ja do të shërbejë si shembull për organizimin sindikal në sektorë të tjerë të punësimit. Një njeri që pasurinë e ka vënë duke abuzuar dhe kësisoj ka shtuar zinxhirin e qendrave tregtare, supermarketeve, biznesit të elektroshtëpiakeve, hoteleri-turizmit e të tjera, jo vetëm në Ballkan por edhe përtej rajonit, tronditet nga ideja që punëtorët do të organizohen e do t’ia presin hovin kriminal duke e vënë përpara përgjegjësisë. 

Si është dita e një minatori në Bulqizë? 

Unë jetoj rreth 7-8 km larg nga qyteti; për pasojë, ngrihem në orën 5:20 të mëngjesit për t’u bërë gati për punë e cila fillon në 7:00. Falem dhe i lutem Zotit që asnjë minator të mos vdesë atë ditë. Ndonjëherë ha mëngjes. Ndonjëherë stresi i ditës që do të kem përpara ma pret krejtësisht oreksin. 

Ka nga ata minatorë që nuk e kanë luksin e zgjedhjes dhe këtë vakt e kapërcejnë sepse nuk kanë realisht ç’të hanë në shtëpi. Kush ka bukë, ushqehet. Kush s’ka, sajohet rrugës.

Përpara se të nxitoj të marr furgonin e zonës që do të më shpjerë në Bulqizë, përqafoj fort gruan dhe fëmijët duke shpresuar se pasdite do të bashkohem prapë me ta. Dita e gjitha më kalon në galeri deri kur, nëse fati ka qenë në anën time atë ditë, kthehem sërish në shtëpi diku rreth orës 5:00 pasdite. 

Gjithsesi, kush ka mundësi, ka raste që pas pune ulet të pijë një kafe ose blen ndonjë ushqim për fëmijën. Megjithëse familja e fëmijët nuk e kanë mendjen te trasta kur babi vjen në shtëpi, edhe nëse kjo qëllon të jetë bosh. Me rëndësi, thonë, babi erdhi gjallë e shëndoshë. Kjo është dita jonë e Bulqizës… Kjo ishte dita ime deri përpara se AlbChrome të më pushonte nga puna. 

Çfarë do të thotë të punosh në minierë? 

Miniera ka disa profesione. Rreth pesëdhjetë e ca pozicione u takojnë minatorëve si puna ime, detyra e të cilëve është të çajnë frontin e shkëmbit përpara tyre dhe të gjejnë krom duke filluar nga niveli i pestë i galerisë që është 480 metra nën dhè, deri në njëmijë e ca metra thellësi. 

Më pas, janë punëtorët që pastrojnë frontin, vagonistët, manovruesit, sinjalistët e deri te transportuesit që e nxjerrin kromin përjashtë dhe ua dorëzojnë atë grave të cilat kanë për detyrë ta përzgjedhin e pastrojnë. Ato punojnë me tri turne edhe gjatë dimrit, njëlloj si burrat, duke i mbajtur gjatë gjithë ditës duart në ujë për një pagë që varion ndërmjet 280-320 mijë lekë të vjetra (rreth 230-260 euro) në muaj. 

Këto gra janë hijet e Bulqizës, askush nuk i përmend ato. Zakonisht nëpër greva thërritet me zë të lartë “Minatori, minatori, minatori!” dhe ndodh që gratë të lihen pas dore e për këtë gjej rast të kritikoj veten e shokët e mi, ndaj dua të theksoj se gratë janë arteria e Bulqizës.

Ka patur raste kur fëmijët janë kthyer në shtëpi pas shkolle apo loje dhe nuk kanë gjetur as nënën e as babain.

Elton Debreshi

Në Bulqizë nuk ka asnjë mundësi punësimi për to dhe zakonisht, kur burri vritet në minierë, gruaja merr përsipër përgjegjësinë e familjes dhe detyrohet të dalë e të mbledhë krom në stogjet e kromit për të mbajtur frymën gjallë. Në dimër qëllon që rruga të bllokohet plotësisht prej dëborës dhe jo rrallëherë këto gra nisen në këmbë nga fshatrat rreth e përqark drejt turnit të tretë.

Ka po ashtu me dhjetëra gra që në galeritë e Bulqizës kanë pësuar të njëjtin fat si bashkëshortët, vëllezërit, baballarët apo djemtë e tyre… Përpos 10 apo 15 mijë lekëve të vjetra në ditë (rreth 8-12 euro), ato s’kanë përftuar kurrfarë shpërblimi tjetër në rast aksidenti e jo rrallëherë, “shpërblimi”, ka qenë në fakt vetë jeta e tyre që e kanë lënë për bukën e gojës në galeritë e Samir Manëve të cilët s’kanë të ngopur nga gjaku që del prej Bulqizës. 

Ka patur raste kur fëmijët janë kthyer në shtëpi pas shkolle apo loje dhe nuk kanë gjetur as nënën e as babain. Kjo është diçka më shumë se keqardhëse… është revoltuese!

Sa janë paga dhe kontributet e një minatori?

Ekziston diçka që quhet “trajtim i veçantë” dhe është ruajtur prej sistemit të shkuar. Bëhet fjalë për ushqimin që kompania ua jep minatorëve përpara se ata të futen në minierë. Me ardhjen e demokracisë dhe krijimin e sindikatave, ky trajtim u përkthye në vlerë monetare. Pra, rrogës iu bashkangjit ushqimi në formë monetare, por kjo shumë s’ka lëvizur qysh atëherë. 

Me këtë shtojcë, rroga jonë varion nga 450 mijë deri në 550 mijë lekë të vjetra në muaj (rreth 370-450 euro). Po ta heqim “trajtimin e veçantë”, rrogat tona që janë dhe rrogat aktuale, variojnë nga 320 mijë deri në 420 mijë lekë të vjetra (rreth 260-345 euro) në muaj. 

Në kontratën e punës ne kemi një rrogë shtesë në fund të vitit që quhet “rroga e trembëdhjetë”. Megjithatë, ajo nuk është rrogë bruto pasi tatohet nga shteti. Rroga ime e trembëdhjetë mund të shkojë deri në 350 mijë lekë të vjetra (rreth 285 euro) e nëse Samir Mane realizon ndonjë fitim të madh kromi, do të na japë gjithsecilit 200 mijë lekë të vjetra (rreth 165 euro) shtesë. Kjo ndodh vetëm nëse ai arrin kuotën e dëshiruar në fitim; nëse jo, nuk e jep këtë shumë.

Elton Debreshi thotë se ka pasur raste kur familjet e minatorëve që kanë humbur jetën në minierë nuk e kanë marrë dëmshpërblimin që u takon. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Po në rast se një minator plagoset, cili është dëmshpërblimi që ai merr?

Në rast se plagosemi, kemi presion nga kompania që të mos e përhapim si lajm e të mos e flasim me njeri. Veçanërisht, na bëhet e ditur që ky informacion nuk duhet t’i shkojë medias kurrsesi. Madje, përpara se ne të transportohemi në spital, drejtori i kompanisë, kryeinxhinieri dhe shefi i prodhimit do të kenë mbërritur atje paraprakisht. Janë ata që flasin me mjekun në emër të minatorit dhe lidhin marrëveshjen që iu leverdis më shumë. 

Për shembull, mjeku mund të firmosë një raport të thjeshtë për një leje dy-javorëshe dhe çështja do të mbyllet këtu. Ne nuk marrim kurrfarë dëmshpërblimi nga kompania nëse plagosemi. Ka pasur raste kur minatorët kanë humbur jetën në galeri dhe familja e tyre nuk e ka marrë vlerën prej 60 milionë lekësh të vjetra (rreth 49 mijë euro) që u takon. Ka nga ato familje që punësojnë një avokat të cilit ia falin gjysmën e kësaj shume vetëm e vetëm që të përftojnë gjysmën tjetër për veten e tyre.

Cila është vlera e pensionit të minatorit? 

Janë me fat ata ndërmjet nesh që ia dalin të arrijnë moshën e pleqërisë, pasi minatorët përgjithësisht vdesin të rinj. Këtu s’e kam fjalën vetëm për thellësitë e nëntokës që i gllabërojnë minatorët njëri pas tjetrit, pasi edhe kur këta i shpëtojnë vdekjes në minierë, dalin prej saj të sëmurë. Shumë syresh kanë probleme shëndetësore nga më të ndryshmet: dikush vuan nga mushkëritë për shkak të lagështirës, dikush vuan nga shikimi; dikush ka vështirësi me kujtesën e dikush tjetër për shkak të ndonjë aksidenti, ka mbetur përgjithmonë me pasoja të pariparueshme.

Pensioni për një minator që ka punuar tridhjetë vjet në galeri, varion ndërmjet 240 e 280 mijë lekëve të vjetra (rreth 196-230 Euro) në muaj. Kjo është fyerje! Ndër të tjera, nuk merret parasysh fakti që ky person është ende kryefamiljar e nuk ka përgjegjësi vetëm veten e tij por edhe anëtarët e tjerë të familjes. 

Çfarë mund të bëjë më parë një ish minator me këtë pension? Të paguajë ilaçet dhe vizitat mjekësore? Të paguajë detyrimin për ujë dhe drita? Të sigurojë bukë për tryezën familjare apo të plotësojë të tjera nevoja bazike të shtëpisë? Ç’të bëjë ky person në Bulqizë, në Bulqizën e ftohtë e me dëborë që nuk të ofron as mundësinë për t’u marrë me bujqësi për shembull? Bulqiza është sinonim vetëm i një fjale: minierës. 

Tri vjet më parë, emisioni investigativ italian “Le Iene” zbardhi dëshmitë e fëmijëve bulqizakë që nuk shkojnë në shkollë sepse u duhet të mbledhin krom për të siguruar të ardhura për familjen. A ka shumë fëmijë që punojnë sot në Bulqizë? 

E kam parë atë emision dhe e mbaj mend mirë sepse u transmetua edhe në disa media në Shqipëri. Televizionet tona zgjedhin të flasin për Bulqizën për aq kohë sa në kronikat e tyre të kuruara përcillet veç mëshira, jo qëndrimi kritik dhe kërkesa e llogarisë ndaj të gjithë përgjegjësve që e kanë vjedhur dhe shkatërruar Bulqizën.

Më kujtohet që asokohe, Rama e pati quajtur emisionin italian “kazan”, çka ishte e turpshme për disa arsye. Së pari, sepse fyeu punën e drejtë, objektive dhe të saktë të një stafi të tërë që pati marrë mundimin të vinte në Shqipëri dhe të investigonte atë që shteti shqiptar dhe mediat e këtushme nuk e bëjnë. Së dyti, sepse emisioni nxori në shesh disa të vërteta që e sikletosën kryeministrin dhe ia prishën imazhin e rrejshëm nëpërmjet së cilit e prezanton Shqipërinë jashtë shtetit. Së treti, sepse është në pozitë të atillë pushteti, ku nuk i ka hije të përdorë gjuhë të atillë ndaj gazetarëve dhe medias. 

Ka plot raste kur fëmijët i ka zënë stoku i kromit dhe i kanë nxjerrë prej aty me fadromë ose jemi mbledhur ne të tjerët për t’i nxjerrë gjallë me duar e thonj.

Elton Debreshi

Megjithatë, edhe ky kryeministër mund të vjellë vrer sa të dojë, por as ai dhe askush tjetër nuk e zhbën dot faktin se Bulqiza është fytyra e vërtetë e Shqipërisë. Bulqiza është skamja, shtypja dhe revolta e të gjithë shoqërisë sonë, që politikanë të paskrupuj si Rama në bashkëpunim me oligarkë gjakpirës si Samir Mane e kanë katandisur si mos më keq. 

Gjithçka që ai emision ka shfaqur, është e vërtetë. Madje, gazetarja sërish nuk ia kishte dalë të tregonte se sa më e rëndë është situata në të vërtetë. Në Bulqizë ka me qindra fëmijë që kanë lënë shkollën për të mbledhur krom në mënyrë që t’i vijnë në ndihmë familjes se dikush e ka të atin invalid, dikush ka nënën me probleme shëndetësore, dikujt i mungon njëri prind dhe fëmija 10 vjeç merr përsipër të ngarkojë krom mbi shpinën e tij të dobët. 

Ka plot raste kur fëmijët i ka zënë stoku i kromit dhe i kanë nxjerrë prej aty me fadromë ose jemi mbledhur ne të tjerët për t’i nxjerrë gjallë me duar e thonj. Unë jam prind vetë. Sapo më erdhi në jetë fëmija i tretë. As që mund ta imagjinoj një realitet ku unë nuk jetoj dhe fëmijët e gruaja ime dalin të mbledhin kromin e Samir Manes për aq lekë sa për të ngrënë bukë thatë. 

Më kujtohet rasti i një djali 13-vjeçar në Bulqizë të cilin e zuri stoku teksa ishte duke mbledhur krom. Nëna e tij kishte ditëlindjen atë ditë dhe i biri donte t’i bënte një dhuratë. Paçka se i ati e kishte këshilluar të mos shkonte për të mbledhur krom, duke i premtuar se do t’ia jepte ai të hollat për dhuratë, djali gjithsesi pati vendosur të mos e dëgjonte sepse e dinte që i ati nuk kishte realisht të holla dhe se ai ishte thjesht një premtim bosh për ta ndaluar atë nga puna. Intuita e prindit s’para gabon… Djali u plagos rëndë atë ditë! Pavarësisht se i shpëtoi vdekjes, ende sot është me probleme të rënda shëndetësore. 

Eltoni tregon se ka punuar për ca kohë në Greqi, por pasi e kthyen nuk pati mundësi tjetër punësimi përveç minierës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Gjithashtu, si të mos mjaftojë kjo, jo rrallëherë, ata që dalin të mbledhin krom kësisoj i shajnë duke i quajtur “hajdutë”. “Hajdutët e kromit të pronarit”, por kromi s’është i asnjë pronari. Kromi na përket të gjithëve. Kromi është i të gjithë shqiptarëve por kromin e kanë zaptuar Mane dhe bashkëpunëtorët e tij njëlloj siç kanë zaptuar bregdetin në jug e çdo pasuri tjetër minerare dhe natyrore. 

Nëse do mund të zgjidhnit, ç’profesion do të donit të kishit? 

Në Bulqizë s’mund të bësh asgjë tjetër… Atje nuk ke ku të punosh përveçse në minierë. Unë kam provuar edhe rrugën e kurbetit. Përpara ca vitesh vendosa të emigroj dhe shkova në Greqi ku kam punuar në ndërtim, si usta etj., ç’të ishte punë e ndershme; por më kthyen bashkë me disa shqiptarë të tjerë e atëherë, sidomos pasi u bëra me familje, ula kokën dhe hyra në minierë. Nuk kisha asnjë mundësi tjetër.

Kam dashur të vazhdoja shkollën e lartë por familja s’kishte mundësi të më çonte në universitet. Nuk kishte para. Asnjëherë nuk ka pasur para. Unë jam brezi i tretë i një familjeje minatorësh. Im atë ka qenë minator. Gjyshi im, i ati i tij, gjithashtu. Punën në minierë e kam filluar në moshën 20-vjeçare e sot jam 30 vjeç. 

Gjithsesi, nuk e fsheh se pasioni im i përhershëm ka qenë piktura. Kam menduar se Zoti më pat falur talentin e të pikturuarit por tani as që e ushtroj atë më. Ç’të pikturoj tani? Figurat e minatorëve? 

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

*Fasoneri – Industria e tekstileve dhe këpucëve.