Në thelb | Drejtësi

Rritja e diskutueshme e çmimeve të sigurimit të automjeteve në Kosovë

Dyshohet transparenca dhe ligjshmëria e vendimit të Bankës Qendrore.

Nga - 31.03.2020

Gazmend Gashi u parkua para kafenesë ku kishim për t’u takuar, para izolimit aktual që i ka bërë takimet të duken si luks. 

Në tetor 2019, Banka Qendrore e Kosovës kishte vendosur t’i rritë çmimet e sigurimit të automjeteve të palës së tretë — i cili është i detyrueshëm për automjetet në Kosovë — për 26.6% pothuajse brenda natës. Ishte një vendim i cili menjëherë nxiti një reagim nga pronarët e automjeteve në Kosovë.

“Tani kompania ime duhet të paguajë rreth 500 euro më shumë për automjete”, thotë Gashi.

Familja e tij e gjerë i ka shtatë automjete; dy përdoren për punë në kompaninë e tij të aluminit, dhe të tjerat janë automjete private që përdoren prej familjarëve. 

Gashi është anëtar i një grupi në Facebook që quhet Marakli t’Kerreve, ku bëjnë pjesë rreth 118,000 entuziastë të kerreve. Ata u bënë më shumë se një grup në Facebook kur doli lajmi për rritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve. 

Më 22 nëntor, grupi e organizoi një protestë para ndërtesës së Bankës Qendrore të Kosovës në Prishtinë. Mbase nuk u tubua një masë e madhe — të pranishëm ishin disa dhjetëra njerëz — por sidoqoftë protesta pati efekt; zyrtarët e Bankës Qendrore u pajtuan të takohen me disa prej përfaqësuesve të grupit.

“Për ta regjistruar një automjet, vozitësit tani i duhen hiç më pak se 300 euro.”

Agan Hajdarhoxha, Marakli t'Kerreve

Të nesërmën, një grup tjetër i entuziastëve të automjeteve, SPeedomaniaks, e organizuan një protestë të ngjashme para ndërtesës së Bankës Qendrore.

Në shkurt, përfaqësuesit e Marakli t’Kerreve u takuan sërish me zyrtarët e Bankës Qendrore, përfshirë këtu Guvernatorin Fehmi Mehmeti; u diskutuan masa të ndryshme të lehtësimit, duke përfshirë një propozim për ta reduktuar ngritjen e çmimeve në 21%. Sidoqoftë, ngritja origjinale e çmimeve, e cila vlen për 300,000 veturat që vlerësohet se janë në Kosovë, ka mbetur e pandryshuar.

Agan Hajdarhoxha, njëri nga administratorët e Marakli t’Kerreve, ishte njëri prej atyre të cilët u takuan me guvernatorin e Bankës Qendrore, dhe së shpejti u bë zëri i protestuesve. 

“Për ta regjistruar një automjet, vozitësit tani i duhen hiç më pak se 300 euro”, tha Agan Hajdarhoxha, duke iu referuar shpenzimeve të ndryshme që përfshihen në procesin e regjistrimit të një automjeti, si kryerja e kontrollit teknik dhe pagimi i taksës rrugore. 

Rroga mesatare mujore në sektorin privat është rreth 360 euro, ndërsa në sektorin publik është rreth 500 euro. Ekspertët presin që rritja e çmimeve do të ndikojë posaçërisht në buxhetin e familjeve rurale, të cilat veçse e shpenzojnë 6% të buxhetit të tyre në transport.

Të dhënat nga arkiva e Bankës Qendrore tregojnë se si janë ngritur çmimet për llojet e ndryshme të automjeteve të cilat kategorizohen në bazë të madhësisë së motorit.

Për shembull, për automjetet me motorë deri në 750 cm³, çmimet janë ngritur nga 59 në 74 euro, ndërsa pronarët e automjeteve me motorë mbi 2,701 cm³ tani duhet t’i paguajnë 313 euro ndërsa më parë i paguanin 247 euro.

Ndonëse ky vendim ka hyrë në fuqi në mes të nëntorit, Gashi thotë se ende nuk e ka paguar çmimin e ri pasi që polisat aktuale që i mbulojnë veturat e tyre ende nuk kanë skaduar.

Por ajo ditë do të vijë së shpejti.

“Nëse më parë i kam paguar 250 euro për një polisë të sigurimit, tani duhet t’i paguaj 310 euro për vetëm një veturë. Ky është problem i madh. Nuk paguhemi të gjithë 12,000 euro në muaj si ai tipi”, thotë Gashi, duke iu referuar me sarkazëm lajmit për një avokat i cili ishte paguar 12,000 euro në muaj nga Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Mungon transparenca

Më 23 nëntor, Banka Qendrore mbajti një konferencë për shtyp për t’u munduar t’i qartësojë arsyet prapa vendimit të saj për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve.

Guvernatori Mehmeti shpjegoi se vendimi për t’i rishikuar çmimet ishte rekomanduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në mënyrë që të garantohet stabiliteti i sektorit. Ai gjithashtu tha që ndonëse çmimet e sigurimeve duhet të rishikohen çdo vit — jo domosdoshmërisht për t’i ngritur — kjo nuk kishte ndodhur që nga viti 2001.

Ngritja e çmimeve për 26.6%, sipas Mehmetit, ishte e bazuar në shkallën e inflacionit ndërmjet 2002 dhe 2018 dhe koston e rritur të dëmtimeve. 

“Faktori kryesor ka qenë rritja e numrit të rasteve të dëmtimeve të bëra nga automjetet… dhe kërkesat e kompanive të sigurimit kanë qenë të vazhdueshme”, tha Mehmeti, i cili shtoi se kompanitë e sigurimit kishin kërkuar rritje për 36%, kërkesë kjo e cila u refuzua nga Banka.

Megjithatë, mënyra se si janë rritur tarifat e sigurimit të automjeteve ka nxitur kritika nga monitoruesit e qeverisjes së mirë, të cilët thonë se procesi i vendimmarrjes nuk ishte transparent, nuk ishte në përputhje me rekomandimet e FMN-së, dhe ishte kundër parimeve të tregtisë së lirë.

Eksperti i caktuar i kishte vetëm dy vjet përvojë si profesionist i licensuar — përvoja minimale e kërkuar për këtë pozitë.

Një raport i ri nga instituti GAP — i prodhuar si pjesë e një bashkëpunimi të ri me K2.0 që fokusohet në monitorimin e vendimeve të institucioneve i thekson disa probleme në lidhje me vendimin për t’i rritur çmimet, përfshirë faktin që Banka nuk i publikoi dokumentet e procesit të vendimmarrjes. Është raportuar se dokumentet e Bankës të cilat u panë nga GAP, i cili në fund siguroi qasje të kufizuar pasi i ngriti publikisht këto shqetësime, tregojnë se shkalla 26.6% u vendos duke marrë parasysh vetëm rritjen e inflacionit. 

Raporti i GAP gjithashtu thekson se në 2013 FMN-ja i kishte rekomanduar Bankës Qendrore t’i punësojë dy ekspertë të sigurimeve të cilët mund të kryejnë parashikime dhe analiza të rëndësishme teknike, të cilat pastaj shërbejnë si bazë për rishikimin e tarifave dhe parashikimin e rreziqeve.

Pavarësisht rekomandimit të FMN-së, Banka nuk e punësoi asnjë ekspert të sigurimeve deri në prill 2017 — katër vjet më vonë — dhe atëherë e punësoi vetëm një. Madje edhe atëherë, eksperti i caktuar i kishte vetëm dy vjet përvojë si profesionist i licensuar — përvoja minimale e kërkuar për këtë pozitë — nga momenti kur e mori licencën deri te hartimi i raportit nëpërmjet të cilit u rekomandua rritja e çmimeve.

Pati pyetje edhe për atë se kur ishin rishikuar së fundi çmimet e sigurimeve, pasi raportet e FMN-së thonë që kjo ndodhi në 2011, e jo në 2001 siç u deklarua nga Banka në justifikimin e saj për periudhën kohore që ishte marrë parasysh kur u kalkulua shkalla e inflacionit. 

Raporti i GAP thekson se arsyetimi i deklaruar i Bankës për llogaritjen e rritjes së çmimeve duke u bazuar vetëm në inflacion i shpërfilli faktorët tjerë që është dashur të merren parasysh në analizë sipas rregullave të vet Bankës dhe rekomandimeve të FMN-së. Këtu përfshihen profili i rrezikut, dëmtimet dhe koeficienti i fondit të kompensimit — me fjalë tjera, sasia e paguar për kërkesa në krahasim me sasinë e marrë nëpërmjet primeve.

Sektori i sigurimeve në Kosovë është më i vogël se në shtetet tjera të rajonit pasi që ka primin më të ulët të sigurimit për kokë banori, e gjithashtu Kosova ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara — rreth 110,000. Raporti i GAP thotë se 3 nga 14 kompanitë e licensuara të sigurimit në Kosovë kishin kapital të pamjaftueshëm në 2019.

Si Banka ashtu edhe sektori i sigurimeve kanë aluduar se këta faktorë tjerë ishin konsiderata të rëndësishme në nevojën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve, duke ngritur pyetje të mëtejme për atë se pse u raportua që ngritja e zbatuar ishte e bazuar vetëm në inflacion.

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës tha se kompanitë e sigurimit kanë vazhduar të punojnë me bilance vjetore negative.

Sipas Sokol Havollit, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore, sektori i sigurimeve rrezikonte të mos kishte mundësi t’i mbulonte aksidentet për shkak se disa kompani nuk kishin mundësi ta ruajnë stabilitetin financiar në mënyrë që ta përmbushin si duhet funksionin e tyre.

“Kosto mesatare e dëmeve pas luftës ishte 400-500 euro, ndërsa tani është rreth 1,300 euro, e kapaciteti i kompanive për t’i mbuluar dëmet ka mbetur i njëjtë”, tha Havolli në një debat televiziv në emisionin Rubikon më 27 nëntor të vitit të kaluar. 

Në një njoftim për shtyp rreth kohës së protestave në nëntor, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës tha se kompanitë e sigurimit kanë vazhduar të punojnë me bilance vjetore negative për shkak të shifrave të parave që janë të detyruara t’i paguajnë kur mbulojnë dëmet e aksidenteve.

K2.0 kërkoi një kopje të vendimit për rritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve, si dhe raportin relevant të ekspertit të sigurimeve të Bankës Qendrore, por përgjigja që morëm ishte se dokumentet janë të klasifikuara pasi që janë komercialisht të ndjeshme.

Shkelja e ligjeve të konkurrencës

Njëra prej shqetësimeve më të mëdha të ngritura nga GAP është vendimi i Bankës për t’i rritur çmimet në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë klientët dhe kompanitë. 

Ata thonë se kjo është kundër objektivave ligjore të Bankës Qendrore, të cilat thonë se institucioni duhet të funksionojë në bazë të parimeve të një ekonomie të tregut dhe tregtisë së lirë, dhe se gjithashtu e shkel Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës

Ngjashëm, këto shqetësime u ngritën nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) një muaj para se të merrej vendimi për rritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve, pasi Banka i kërkoi të japë një mendim profesional

Në atë mendim AKK-ja konkludoi se caktimi i një sërë çmimesh për të gjitha kompanitë e sigurimeve në mënyrë të njëtrajtshme i shkelë parimet e konkurrencës së lirë. 

“Të shmanget bashkëveprimi i kompanive të sigurimit në procesin e përllogaritjes/përcaktimit të primeve duke mos miratuar apo orientuar një çmim të njëjtë, por ky proces të bazohet në të dhënat që merren në mënyrë të pavarur nga kompanitë e sigurimit”, deklaroi AKK-ja. 

“Në varësi të strategjisë së shitjeve, kapaciteteve të kompanisë dhe një game të gjerë të parametrave të cilat mund të merren parasysh si mosha e shoferit, vjetërsia e automjetit, lloji i automjetit, karakteristikat teknike, historia e dëmtimeve dhe shumë arsye të tjera, përcaktimi i çmimeve gjithmonë duhet të bëhet në mënyrë të pavarur”.

Duke marrë parasysh faktin se vendimi për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve është marrë nga një institucion publik, AKK-ja nuk ka autoritet për t’i ndëshkuar kompanitë e sigurimit.

Nëse kompanitë e shkelin Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës, mund të merren vendime ndëshkuese duke i gjobitur deri në 30% të vlerës së të ardhurave të tyre relevante. Megjithatë, raporti i GAP thotë se duke marrë parasysh faktin se vendimi për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve është marrë nga një institucion publik, AKK-ja nuk ka autoritet për t’i ndëshkuar kompanitë e sigurimit. 

Banka Qendrore nuk iu përgjigj asnjë prej email-ave që i dërgoi K2.0 për t’ua kërkuar komentet mbi kritikat ndaj tyre. 

Hajdarhoxha ende ka shpresë se rritja do të reduktohet në 21%. 

Dhe ai thotë se anëtarët e grupit Marakli t’Kerreve duan edhe ndryshime tjera në mënyrën e funksionimit të sigurimit të automjeteve në Kosovë; gjegjësisht, që sigurimi i automjeteve të kategorizohet si sigurim personal për secilin vozitës, dhe jo për pronarin e veturës, siç është aktualisht. 

Ata thonë se kjo do ta lehtësonte një sistem më të drejtë bonus-malus (bonus pa kërkesa), që ka për qëllim t’u bëjë zbritje në sigurim vozitësve që nuk kanë shkaktuar aksidente në vitin e fundit të regjistrimit. Sipas propozimit të tyre për rishikim të sistemit të sigurimit, kur shkaktohen aksidente, kostot shtesë që duhet të paguhen vitin e ardhshëm do të paguheshin nga vozitësi që ka qenë duke vozitur në kohën e aksidentit, jo nga pronari i automjetit. 

Megjithatë, aktualisht synimi kryesor i tyre është ta bëjnë sigurimin e automjetit më të përballueshëm. 

“Rritja është e tepërt”, thotë Hajdarhoxha. “Njerëzit veçse po marrin kredi në banka për t’i paguar këto tarifa”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

 

 

Ky artikull është publikuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes
pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

KOMENTO