Në thelb | Ekonomia

Rritja e pagës minimale dhe ndryshimi i tatimit: si ta kuptojmë?

Nga - 06.09.2024

K2.0 sqaron implikimet kryesore. 

Paga minimale në Kosovë, e njëjta qe 13 vjet, do të ndryshojë nga 1 tetori i vitit 2024. Nga ajo datë, paga më e vogël që punëdhënësit do të mund t’i paguajnë punonjësit është 350 euro bruto. Përkundër që rritja e pagës minimale u mirëprit pasi ka qenë kërkesë e vazhdueshme, mënyra se si ndodhi gjithçka shkaktoi huti në diskutim publik.

Ligji që i çeli rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë hyri në fuqi me 23 gusht 2024, një vit pasi u miratua në Kuvendin e Kosovës. Ky ligj — Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore — nuk përcakton shumën e lartësisë së pagës minimale, por rregullon se si përcaktohet paga minimale dhe beneficionet tjera, për shembull ato të skemave sociale, që ndërlidhen me pagën minimale. 

Fillimisht, prej vitit 2022 qeveria kishte propozuar pagën minimale prej 264 euro, por për t’u zbatuar kjo, duhej së pari të miratohej ky ligj. Ndonëse ligji u miratua në korrik 2023 nga Kuvendi i Kosovës, partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se ishte kundërkushtetues. Gati një vit më vonë, në fund të qershorit të këtij viti, Gjykata Kushtetuese dha përfundimin ky ligj është në përputhje me Kushtetutën.

Kjo bëri që ligji të hynte në fuqi më 23 gusht. Kjo situatë ia mundësoi qeverisë që pas gjashtë ditësh, në mbledhjen e 28 gushtit 2024, të marrë vendim të ri që paga minimale të rritet në 350 euro që nga 1 tetori. Ligji i ri, po ashtu, ndryshoi shkallët e tatimit duke ulur shumën e tatimit që paguajnë punëdhënësit dhe punëmarrësit në vend. 

Premtimi për rritjen e pagës minimale ka qenë i pranishëm në premtimet zgjedhore të partive garuese në të gjitha zgjedhjet në nivel vendi në dekadën e fundit. Ky premtim ishte edhe në programin zgjedhor e pastaj atë qeverisës të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). 

Mirëpo, vendimi i qeverisë për ta rritur pagën minimale në 350 euro pak muaj para zgjedhjeve e pa konsultim me biznese dhe sindikata është kritikuar si arbitrar dhe me potencial për të qenë i kundërligjshëm. Ndërkohë, njoftimi brenda-ditor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për ndryshimin e shkallëve tatimore shkaktoi huti në diskutimin publik. K2.0 sqaron implikimet kryesore. 

Pse paga minimale nuk u rrit që nga viti 2011?

Deri më 23 gusht, Kosova pati pagën minimale më të ulët në Ballkan dhe njëherit, një prej më të ulëtave në krejt Evropën. Me 130 euro në muaj për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç, minimumi nuk është rritur që nga viti 2011. Megjithatë, kur u vendos para 13 vitesh, paga minimale ishte në përputhje me atë të vendeve fqinje, si në Shqipëri (136 euro), në Serbi (212 euro), e në Bullgari (122 euro). Por teksa pagat minimale të vendeve fqinje janë rritur ndër vite, paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë. 

Rreth 90% të të gjitha vendeve në botë kanë një pagë minimale. Rritja e pagës minimale ndikon sidomos në disa kategori të punonjësve me kualifikime me të ulëta dhe te shtresat më të margjinalizuara të shoqërisë. 

Megjithëse të gjithë politikanët dhe qeveritë kanë qenë unanime në nevojën e rritjes së pagës minimale, asnjëra nuk arriti ta përmbush. Por, kjo mund të mos jetë varur plotësisht nga institucionet vendimmarrëse në Kosovë. 

Paga minimale ka qenë e ndërlidhur edhe me ndihmën financiare që marrin nga buxheti shtetëror disa kategori të skemës sociale si: veteranët e luftës, personat e verbër, ata tetraplegjikë e paraplegjikë. Për shembull, ligji i mëhershëm përcaktonte se kompensimet mujore nga buxheti shtetëror për kategorinë e veteranëve nuk mund të ishte nën vlerën e pagës minimale. Kjo nënkuptonte se në rast se paga minimale do të rritej, do të rritej edhe ndihma financiare që do të merrte kjo kategori nga buxheti shtetëror. Kjo do ta rëndonte buxhetin shtetëror edhe më tej. Por, kjo predispozitë ndryshoi në vitin 2017 kur me plotësim ndryshimin e Ligjit për veteranët e luftës u hoq ky nen, por ndërlidhja mbeti e vlefshme deri në kategorizimin përfundimtar të veteranëve të luftës.

Ligjin i ri nuk përcakton lartësinë e pagës minimale, por u hap rrugë ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që përcaktojnë shumën e përfitimeve që ndërlidhen me lartësinë e pagës minimale, procedurën e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. 

Ligji në Gjykatën Kushtetues

Ky ligj u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga AAK për tri arsye: a) mundësia e qeverisë për të propozuar pagën minimale në mungesë të propozimit nga Këshilli Ekonomik-Social, b) mosdërlidhja e pagës minimale me kompensimin e personave të verbër, atyre paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe c) mosdërlidhja e pagës minimale me kompensimin e veteranëve të luftës. Këta të fundit protestuan disa herë për këtë çështje. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në fund të qershorit të këtij viti tha se ky ligj ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ligji i ri i hapi rrugë qeverisë së Kosovës që ta rrisë pagën minimale edhe pa ndonjë konsultim me palë interesi. Para miratimit të këtij ligji, përcaktimi i pagës minimale kërkonte konsultime me Këshillin Ekonomiko-Social (KES). KES përbëhet prej përfaqësuesve të punëdhënësve, punëtorëve dhe institucioneve qeveritare dhe duhet të mblidhej çdo vit dhe në bazë të vlerësimit të gjendjes ekonomike të propozojë një pagë të re minimale. Pos që propozimet e tyre, qeveritë i shpërfillën në vazhdimësi, me ligjin e ri, në mungesë të propozimit nga ky i fundit, qeveria vetë mund ta përcaktojë lartësinë e pagës minimale. Sipas ligjit të ri, mjafton që qeveria ta njoftojë KES për vendimin e saj.

Kapërcimi i KES në përcaktimin e pagës minimale është kritikuar pasi venit dialogun social mes punëtorëve, punëdhënësve dhe qeverisë, çka është kërkesë e konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për përcaktimin e pagës minimale.

Sipas konventës së ILO, në përcaktimin e pagave minimale, qeveritë duhet të sigurojnë konsultime të plota dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe të barabartë të partnerëve socialë. Konventa shton se konsultimet duhet të zhvillohen përmes dialogut të hapur social përpara marrjes së vendimeve nga autoritetet publike dhe se ky proces ndihmon në krijimin e politikave efektive, rrit pranimin dhe zbatimin e tyre dhe kontribuon në paqen dhe stabilitetin social e industrial duke minimizuar keqkuptimet dhe tensionet.

Në aktgjykimin e saj, edhe Gjykata Kushtetuese tha se ndonëse kjo Konventë nuk është  detyrimisht e zbatueshme në Kosovë, mund të afektojë mënyrën e konsultimit ose vendimmarrjes në mes të përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve, punëtorëve dhe Qeverisë, në kontekst të propozimit për nivelin e pagës minimale.

Ndryshe nga ç’thotë ligji i ri, vendimi i qeverisë për ta rritur pagën minimale nga 264 në 350 euro nuk erdhi pasi KES nuk dorëzoi propozim, por pavarësisht këtij fakti. Ky këshill është jofunksional qe një vit dhe sindikatat thanë që nuk janë njoftuar paraprakisht se pati plan për këtë rritje. Vendimi arbitrar i qeverisë mund ta bëjë pagën minimale të paqëndrueshme në terma afatgjatë. Nuk dihet nëse qeveria ka bërë analiza paraprake për të parë se a është paga minimale prej 350 euro e përballueshme për bizneset. Kjo mund të çojë në rritje të informalitetit në treg.

Kënd e prekë rritja e pagës minimale?

Sipas qeverisë së Kosovës, janë 105,000 punonjës në vend që marrin pagë më të ulët se 350 euro bruto. Nga 1 tetori, të gjithë punëdhënësit/et do të obligohen që punonjësit/et t’i paguajnë një pagë më së pagu 350 euro bruto. Sipas një analize të institutit GAP, nga rritja e pagës minimale do të ndikohen rreth 117,000 punonjës/e kryesisht nga sektorët e aktivitetit financiar/ndërmjetësimit financiar, gastronomia, ndërtimtaria, etj. Sipas kësaj analize, punëdhënësit do të paguajnë 12 milionë euro shtesë në muaj për ta rritur secilën pagë në atë minimale.

Kjo mund të ndikojë në rritjen e nivelit të mirëqenies tek qytetarët/et që fitojnë më pak, por edhe mund ta rrisë punësimin joformal. Në pamundësi për t’i paguar të gjithë punëtorët/et me pagë minimale, bizneset mund të preferojnë të paguajnë kesh apo të mos lidhin kontrata. Kjo mund ta përkeqësojë situatën e atyre që kjo pagë synon t’i ndihmojë.

Në bazë të Nenit 57 të Ligjit të punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.

Por, nuk ka të dhëna të përditësuara publike nëse 350 euro bruto mund t’i mbulojnë shpenzimet e një shportë mujore. Vlera e shportës mujore nuk është përditësuar që prej vitit 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), kur ishte 125 euro. Por me rritjen e çmimeve të viteve të fundit, mungesa e të dhënave zyrtare e bën të pamundur analizimin se sa mund të ndikojë paga minimale në zbutjen e kostos së rritur të jetesës të qytetarëve. Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim se si ka arritur te shifra 350.

Publikimi “Një pagë e jetesës për punëtorët në Kosovë: Përpjekja për një jetë bazike, por të denjë,” i institutit për politika sociale, “Musine Kokalari”, ofron vlerësimet e para për një pagë të jetesës në Kosovë. Sipas publikimit, një pagë e jetesës siguron që punëtorët dhe familjet e tyre të mund të përballojnë një jetë bazike, por të denjë.

Sipas analizës, për të përballuar një jetë bazike por të denjë në Kosovë, një familje prej katër anëtarësh duhet të ketë një të ardhur mujore prej 1,295 euro bruto (1,152 euro neto). Në zonat rurale, kjo shumë fillon nga 1,224 euro bruto (1,091 euro neto), ndërsa në zonat urbane kjo shkon deri në 1,394 euro bruto (1,236 euro neto).

Për një të rritur të vetëm, të ardhurat mujore të nevojshme për një jetë bazike dhe të denjë janë 816 euro bruto (720 euro neto). Megjithatë, kjo shumë mund të variojë nga 762 euro bruto (674 euro neto) në disa zona deri në 880 euro bruto (775 euro neto) në zona të tjera.

Sipas analizës, gjetjet tregojnë një hendek të rëndësishëm midis pagave minimale aktuale dhe pagës së vlerësuar të jetesës, duke theksuar se shumë punëtorë me pagë minimale kanë vështirësi për të mbuluar nevojat bazike. Pavarësisht rritjeve të propozuara, paga e re minimale do të vazhdojë të jetë më e ulët se kostoja e e jetesës.

Bazuar në këtë analizë, krahasuar me pagën e re minimale prej 350 euro bruto, ajo është 466 euro më e vogël se sa që i duhet një të rrituri të vetëm, ndër tjera, ta paguajë qiranë, të blejë ushqim e veshmbathje, të kryejë shpenzimet shëndetësore e transportin. 

6.8 euro më shumë nuk ndihmojnë as qytetarët as buxhetin shtetëror

Ligji që hyri në fuqi me 23 gusht po ashtu ndryshoi shkallën e tatimeve në të ardhura. Deri më tash, pagat taksohen në këtë mënyrë:

  • 0% për të ardhurat deri në 80 euro/muaj
  • 4% apo 6.8 euro për të ardhurat deri në 250 euro/muaj
  • 8% për të ardhurat prej 251 deri në 450 euro/muaj
  • 10% për të ardhurat mbi 450 euro/muaj

ATK njoftoi se me ndryshimin e shkallëve tatimore, nuk do të ketë tatim në pagë deri në shumën 250 euro — deri tash kjo shumë ishte 80 euro.

Pagat, sipas ligjit të ri, do të taksohen kështu:

  • 0% për të ardhurat deri në 250 euro/muaj
  • 8% për të ardhurat prej 251 deri në 450 euro/muaj
  • 10% për të ardhurat mbi 450 euro/muaj

ATK njoftoi se deklarimi dhe pagesa e tatimit për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore. Ndryshimi i shkallëve tatimore dhe njoftimi i vonë i ATK ngjalli reagime, përfshirë edhe tek komuniteti i bizneseve. Lulzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se komuniteti i bizneseve nuk ka qenë as i konsultuar e as i njoftuar për vendimin e qeverisë as për rritjen e pagës minimale në 350 euro e as për ndryshimin në tatimin e të ardhurave, por janë njoftuar përmes medieve. Sipas tij, kjo vështirëson përshtatjen e tyre dhe plotësimin e kërkesave, që burojnë nga këto ndryshime.

Ndërkohë, ky vendim i qeverisë është parë i padobishëm në terma praktikë. Sipas kritikave në diskutim publik, teksa 6.8 euro në muaj nuk zgjidhin ndonjë problem praktik të qytetarëve të vendit, në tërësi, përmes këtij vendimi qeveria ka dobësuar buxhetin shtetëror për 27 milionë euro në vit, që do të mund t’i orientonte në përmirësimin e shërbimeve publike.

Kosova edhe ashtu ka një nga normat më të ulëta të tatimit mbi të ardhurat në rajon, me një sistem progresiv që fillon nga 0% dhe arrin deri në 10%. Kjo është më e ulët se norma e sheshtë prej 10% e përdorur në Serbi, 9% në Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe normat progresive në Shqipëri prej 0% deri në 23%, Maqedoninë e Veriut prej deri 10% deri në 18%, dhe Kroaci. 

Edhe nëse merret shuma e kombinuar e tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, ku përfshihen kontributet për pensione, sigurim shëndetësor, sigurim të papunësisë, invaliditet — barra tatimore mbi të ardhurat në Kosovë është një nga më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor. Aktualisht në vend paguhen vetëm kontribute për pensione si formë për sigurimet shoqërore (5% punëdhënësi, 5% punëtori) dhe një pjesë e qytetarëve paguajnë vullnetarisht sigurim privat shëndetësor, por jo edhe për sigurimin e obligueshëm shëndetësor, të papunësisë, të invaliditetit si në rastet e vendeve të tjera të rajonit.

Kjo ul ndjeshëm barrën e përgjithshme tatimore mbi të ardhurat në Kosovë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ku kontributet e sigurimeve shoqërore mund të përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave bruto.

A do të lirohet paga minimale nga tatimi?

Është ende e paqartë a do të lirohet nga tatimi paga minimale, siç ishte premtuar. Sipas deklarimeve të mëhershme të ministrit të Financave, Hekuran Murati, paga minimale do të lirohet nga tatimi. Më 28 gusht, ai tha se me ndryshimin e shkallëve tatimore, paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Por, në atë ditë që Murati tha kështu, paga minimale supozohej të ishte 264 euro dhe jo 350 që u bë të nesërmen më 28 gusht.

Në bazë të ndryshimeve tatimore, paga minimale nuk do të lirohet në tërësi nga tatimi, por do të taksohet 100 euroshi mbi 250 euro.

Imazhi i ballinës: K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

  • 29 Sep 2024 - 20:48 | Musa Maxhuni:

    Sa tatimet me.pag 905 e

KOMENTO