Në thelb | Diaspora

Rruga e përbashkët për diasporë

Nga - 16.09.2019

Kosovarët që kërkuan një jetë më të mirë diku tjetër.

Gati çdo vit, mbarimi i verës nxjerr në pah përvojat dhe rrëfimet e llojllojshme të mërgimatarëve kosovarë.

Shumica e tyre ende e zgjedhin Kosovën si destinacion për pushimet vjetore. Brenda bisedave nëpër familje, nëpër kafeteri, e gjatë mbulimit mediatik, diskutimet shpesh fokusohen në “a më mirë këtu a atje”, pritjet e gjata nëpër kufij, remitencat që i dërgojnë në Kosovë e që vazhdojnë të jenë jetike për shoqërinë kosovare, ose edhe planet e politikanëve e të ekspertëve për tërheqjen e investimeve të tyre.  

Por secili vizitor veror ka edhe historinë e vet të nisjes, ashtu si shumë prej atyre që janë kthyer — me dekada ose ndryshe — në Kosovë.

Për dekada dhe brez pas brezi, të nxitur nga rrethanat ekonomike e politike, kosovarët janë ndier të detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe të njohurit, në kërkim të një jete më të mirë diku tjetër. Ky është një trend që ende vazhdon, ndërsa i afrohemi dekadës së tretë të shekullit XXI.

E ndërsa vera po mbaron, K2.0 ju sjell katër histori unike, por të ngjashme, të atyre që kanë kërkuar një jetë më të mirë jashtë Kosovës ndër vite — dilemat, betejat dhe përkrahjet e marra gjatë rrugës.

Pritja për vizë  

Për vite me radhë, Agron dhe Fikrie Gashi tentuan të merrnin viza për t’u larguar nga Kosova. Në ditët e para të 2011-ës, çifti nga Prishtina, i martuar dy vjet e gjysmë më parë, kontrolloi për herë të fundit dokumentet, para se t’ia mësynte ambasadës hungareze në kryeqytet.                

Largimin nuk donin ta shfrytëzonin vetëm për të gjetur ndonjë vend pune, por edhe për t’i bërë kontrolle mjekësore vajzës së tyre 18-muajshe; ata thonë se fëmija ishte shëndetlig dhe se frikësoheshin që mund të vuante nga ndonjë sëmundje e cila nuk po identifikohej. Brengat ia shtonin edhe dyshimet në sistemin shëndetësor në Kosovë

Edhe në aplikimin për vizë të Fikries dhe të vajzës, thanë se qëllimi i vizitës do të ishte mjekësor. Ndërsa u pajtuan që Agroni të provonte largimin përmes vizës turistike, të fundit nga shumë përpjekje të pasuksesshme në të kaluarën. 

‘‘S’ka pasë qarkullim [në bankë], jemi pagu në dorë, as kontratat s’janë konë qysh duhet [të rregullta]”, thotë Agroni. “Ani pse kena punu [për vite me radhë]… mundi na ka shku poshtë”.

Agron Gashi u largua nga Kosova me gruan e tij Fikrien dhe vajzën 18-muajshe në fillim të vitit 2011, por hapat e tyre të ardhshëm nuk ishin aspak të lehtë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Gjendja ekonomike e familjes u rëndua vecanërisht në vitin 2008, kur Fikria humbi punën në UNMIK dhe nuk po arrinte të gjente punë tjetër. Ata mbijetonin nga të ardhurat që siguronte Agroni nga puna si elektricist dhe montues i kamerave të sigurisë për një kompani në Prishtinë. 

Sipas tij, pagat që shpesh vonoheshin, si dhe qeraja e banesës, e vështirësonin edhe më shumë mbijetesën deri në në fund të muajit. Ata, pos që u duhej t’u dëshmonin ambasadave se kishin para të mjaftueshme për bileta dhe akomodim, shqetësimin më të madh e kishin se ku do t’i merrnin ato para.  

Tejkalimin e kësaj brenge ua mundësoi familja e Agronit. Nëna e tij, tashmë e ndjerë, që në atë kohë punonte në Policinë e Kosovës, arriti të merte një kredi prej 10 mijë eurove, të cilat ia  dhuroi Agronit, Fikries dhe mbesës së vet – këstin do ta paguante vetë ajo. 

Për dy a tri javë, vizat iu aprovuan Fikrisë dhe vajzës. Në fund të shkurtit 2011 ato u nisën për në Hungari e prej aty në drejtim të Gjermanisë, ku i priste një afërm i familjes që do t’u bënte konak për disa ditë.

Pas gati 10 ditësh, Agronit iu aprovua viza turistike. Në javën e parë të marsit u takuan të gjithë në Gjermani. Në dy a tri ditët e ardhshme i kryen edhe vizitat mjekësore për vajzën, me ç’rast kuptuan se nuk kishte ndonjë problem shëndetësor.  

Por familja s’kishte ndër mend të kthehej në Kosovë.

"Natën arritëm në Bruksel dhe vendosëm me fjetë në hotel. Me hangër e m’u la, e nesër m’u lajmëru në polici’’.

Agron Gashi

Nga Gjermania shkuan në Belfort të Francës, ku më 11 mars 2011 kërkuan azil, me arsyetimin se i kishin të rënda kushtet ekonomike. Pavarësisht kësaj, autoritetet franceze, në vetëm pak ditë qëndrimi, ua refuzuan kërkesën për azil. Agronit dhe Fikries iu kërkua që ta lëshonin shtetin vullnetarisht, në të kundërtën do t’i largonte policia.       

Por familja nuk kishte ndër mend ta priste atë ditë.  

Me tren u kthyen në Gjermani dhe qëndruan aty për një ditë. Vazhduan për në Belgjikë, pasi besuan fjalët e të afërmeve se autoritetet belge ‘‘e kishin lëshu dorën e po jepnin ma lehtë leje qëndrimi’’, dhe se ‘‘mundesh me gjetë edhe punë’’.      

‘‘Natën arritëm në Bruksel dhe vendosëm me fjetë në hotel. Me hangër e m’u la, e nesër m’u lajmëru në polici’’, kujton Agroni.      

Pasi që kërkuan azil me arsyetimin e njëjtë sikurse në Francë, u vendosën në qendrat e azilkërkuesve, në pritje që kërkesa t’u shqyrtohej.

‘‘Shumica [në qendër të azilkërkuesve] janë konë prej [zonave të] luftës’’, thotë Agroni. 

Ata menduan se po të gjenin punë – që ua kishin premtuar disa të njohur – dhe të merrnin një banesë me qira, atëherë do të ishte më lehtë të fitonin leje qëndrimi. Këtë edhe e bënë, por kërkesa iu refuzua.    

Pas qëndrimit për rreth 5 muaj në qendrat e azilkërkuesve, familja u urdhërua ta lëshonte Belgjikën, madjeme shpenzimet e tyre. Kushtet jo të mira në kampe, si dhe frika se vajzën mund ta kapte ndonjë sëmundje, i bëri të vendosin që të mos provonin më, dhe të ktheheshin në Kosovë, qoftë edhe me paratë e tyre. 

Në udhëtimet e tyre, ata shpenzuan mbi 80 përqind të parave që i kishin marrë nga nëna e Agronit.  

‘‘Ulurima’’ si biletë treni për Mynih 

Për më pak se një vit qysh kur Fikria dhe Agroni u kthyen në Kosovë, Fatlum Sadiku përfundoi gjimnazin në Vushtrri. Ai po mendonte ta studionte gazetarinë. Mirëpo për këtë iu desh të priste, pasi familja e tij nuk qëndronte mirë financiarisht – vetëm babai i punonte si taksist – dhe prandaj ai gjatë një viti punoi si kamarier.       

Përkundër kësaj, në gushtin e 2013-ës provoi nëse mund ta kalonte testin pranues për gazetari, ani pse, edhe po të pranohej, nuk dinte nëse mund të shkonte në studime. E kaloi testin dhe nuk e kishte ndër mend ta humbte këtë mundësi. Vendosi t’i ndiqte studimet dhe të kërkonte punë.   

‘‘Doja m’u ba gazetar, mendoja se kështu mund të kontribuoja me diçka’’, thotë ai.  

Më 1 tetor filloi studimet dhe, për disa muaj, financiarisht e mbështeti familja. Por, pas pesë a gjashtë muajve, arriti të gjente punë si gazetar në një portal në Prishtinë. U shpërngul në kryeqytet dhe filloi të jetonte me qira ‘‘me cimera’’.     

‘‘Punoja në një portal të ‘porsalindur’ dhe paguhesha pak, sa as qiranë s’e paguaja siç duhet’’, thotë Fatlumi, duke shtuar që herë pas here punonte edhe si kamarier. 

Sado që mundohej, ai nuk besonte se do të mund t’ia dilte. Kah mesi i vitit të dytë të studimeve vendosi se ka ardhur koha të largohet nga Kosova. Por kishte hall se si do t’i siguronte paratë për udhëtim.   

‘‘E kisha të vështirë t’i kërkoja para [familjes], e dija që nuk kishin kursime’’, thotë ai.

‘‘Ilegalitetin tim në Gjermani e pagoi një tokë e shitur’’.

Fatlum Sadiku

Por në orët e mbramjes së 26 janarit 2015, Fatlumin e thirri në telefon babai i tij. 

“Paret t’i kam ba, noshta 700 euro të dalin boll”, u dëgjua në anën tjetër të telefonit.  

I gëzuar dhe i mërzitur në të njëjtën kohë, ai menjëherë telefonoi dy shokët me të cilët mendonte të largohej nga Kosova dhe ua tregoi lajmin. 

U pajtuan që sa më parë t’i blinin biletat e autobusit për në Suboticë të Serbisë, nga ku mendonin ta kalonin kufirin ilegalisht për në Hungari, dhe më pas të niseshin për në Gjermani. Kjo ide e tyre erdhi në fillim të 2015-ës kur emigrimi masiv i kosovarëve kishte arritur kulmin, e sipas të dhënave, mbi 50,000 kosovarë ishin futur ilegalisht nëpër shtetet evropiane brenda disa muajve.

‘‘Ilegalitetin tim në Gjermani e pagoi një tokë e shitur’’, thotë Fatlumi, pasi babai i tij e shiti një parcelë të vogël toke në fshatin Pasomë për t’ia siguruar paratë.  

Në mbrëmjen e 2 shkurtit, në përcjellje të familjarëve dhe të shoqërisë, tre shokët u nisën drejt Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Pak para nisjes, në njërin prej kiosqeve në stacion, Fatlumi bleu romanin “Ulurima e Ujkut” të shkrimtarit kosovar, Ag Apolloni, për ta lexuar rrugës për në Suboticë. 

Me të arritur në qytetin verior të Serbisë, hasën në një grumbull njerëzish – mes tyre edhe shumë emigrantë nga Kosova – dhe kërkuan ndihmë se si të vijonin më tej.

‘‘Na thanë se për të kaluar kufirin duhet të jepni nga 150 euro secili’’, kujton Fatlumi.

"Libri që bleva në Prishtinë mendoj se disi më shpëtoi".

Fatlum Sadiku

Asnjëri nga të tre shokët nuk e kishte ndër mend t’i paguante aq para dhe pranaj vendosën ta kalonin vetë kufirin. Pas gati gjashtë orësh ecjeje arritën në qytetit Mórahalom të Hungarisë. Nga aty shkuan për në Budapest, ku do të tentonin të merrnin trenin për në Munih të Gjermanisë.  

Për njërin shok udhëtimi përfundoi aty. Fatlumi kujton se në stacion të trenit kishte numër të madh të policëve që kontrollonin dhe ndalonin emigrantët e padokumentuar. 

Fatlumi hyri në tren, por edhe aty hasi në rrezikun e kapjes nga policia, të cilët po u kërkonin dokumentet gati secilit. Por Fatlumin e kapërcyen. 

‘‘Libri që bleva në Prishtinë mendoj se disi më shpëtoi nga policia hungareze në tren’’, thotë ai kur kujton momentin që policia po i ofrohej, kurse ai shtirej se po e lexonte librin, ndonëse me bishtin e syrit i shikonte policët.

Fatlumi dhe shoku i tij udhëtuan më se 30 orë, që prej nisjes nga Prishtina. Ndërruan shumë trena në shumë stacione, por Fatlumi thotë se nuk guxonin as ushqim të blenin prej frikës se mund të binin në sy policisë.

Më në fund arritën në Munih, ku qëndroi shoku i tij. Fatlumi vazhdoi për në Koln, ku e priste një i afërm, i cili i kishte premtuar se do t’ia siguronte një vend qëndrimi dhe një vend pune.

Fatlum Sadiku duke shkuar në vendin e tij të punës në qytetin Koln të Gjermanisë. Foto: Nga arkiva e Fatlum Sadikut.

Pas një muaji në Koln, vendosi të lajmërohej në polici. Aplikoi për azil politik, sepse thotë se për gjendjen e rëndë ekonomike fajësonte politikanët në Kosovë.   

Për një muaj qëndroi në kampet e azilkërkuesve, dhe më pas e vendosën në një banesë me katër të rinj të tjerë, që vinin nga Klina, Mitrovica dhe Ferizaji. Gjatë kësaj kohe, thotë se ndimohej nga autoritetet e atjeshme me rreth 300 euro në muaj. 

Por, përderisa jetonte në banesë dhe nuk ishte në mbikqyrje të vazhdueshme, pati mundësi edhe të punonte ilegalisht tek një i afërm. Do para i mbante për vete, por shumicën ia dërgonte familijes – donte t’ua lante borxhin, gjë që edhe arriti ta bënte brenda disa muajsh.  

Thotë se nisi as të mos ndihej i huaj a i përjashtuar pasi filloi të krijonte shoqëri – këtë ndjenjë ia jepte sidomos shoqja e tij Lara, që punonte si punonjëse sociale.

‘‘S’mund të takoheshim, ishte tepër vonë. Policia s’do të na lejonte’’.

Fatlum Sadiku

Lara dhe Fatlumi nisën të kalonin gjithnjë e më shumë kohë bashkë dhe pas disa javësh nisën një lidhje. Shikonin shumë filma së bashku. Fatlumi kujton filmin ‘‘Django Unchained’’, që për disa herë e shikuan në DVD, si dhe vazhdimisht flisnin për ‘‘të priveligjuarit, të shfrytëzuarit, e nënshtruarit’’. 

Shpesh shkonin edhe të vallëzonin dhe dëgjonin muzikë – sidomos këngët e Red Hot Chilli Peppers. Pas gati shtatë muajsh, lidhja nisi të bëhej më serioze se ç’mendonin, por shumë shpejt hasën edhe në vështirësitë e para.        

Në fillimin e mëngjesit të 19 nëntorit, dikush trokiti në banesën ku Fatlumi jetonte.   

‘‘Isha zgjuar, e dija se në këtë kohë s’ka kush tjetër të jetë [pos policisë]”, thotë ai. “Hapa derën dhe [policia] më kërkonin mua. Thanë se duhej të më merrnin, e të më dërgonin në aeroport”.    

Policia i kishte ardhur në derë, pasi Fatlumi refuzoi të largohej vullnetarisht nga Gjermania, sepse ende besonte se mund ta argumentonte kërkesën e tij për azil politik. Por kjo nuk u mor parasysh, siç nuk u morën parasysh as arsyetimet e ngjashme nga mijëra azilkërkues të tjerë nga Kosova në këtë kohë.

Policia gjermane i dha kohë vetëm t’i mblidhte gjërat personale dhe të nisej për në aeroport, nga ku do të kthehej për në Prishtinë. Telefonoi Larën për t’i kumtuar lajmin.  

‘‘S’mund të takoheshim, ishte tepër vonë. Policia s’do të na lejonte’’, kujton ai. 

Pas kësaj, i telefonoi në Viber babait që ta priste në Aeroportin e Prishtinës pas pak orëve.   

‘‘Hajmet’’  

Në qershor të 1990-ës, tri vite para se të lindte Fatlum Sadiku, Selatin Gashi po priste vizë pune për në Greqi. Por, takimi me një shok të tijin, biznesmen i suksesshëm në Norvegji, ia ndryshoi mendjen.    

‘‘Hajde në Norvegji, dy mijë marka në muej të mbesin, edhe mundesh me marrë azil. Unë t’gjej punë’’, i tha shoku Selatinit, pak para ditës së verës atë vit.         

Boksierit, që mbi 1 vit më parë ishte pensionuar nga sporti, iu turbulluan planet. Kjo edhe më shumë, meqë gruaja dhe djali i tyre 6 muajsh tashmë ishin larguar nga Prishtina për në Poloni  – nga ku e kishte prejardhjen gruaja – duke qenë se në Prishtinë nuk shihnin të ardhme për shkak të rritjes së represionit policor e ushtarak në Kosovë.   

Selatini mendoi se në Norvegji do ishte më lehtë sesa në Greqi, e se do të bashkohej me gruan e djalin, dhe se atje mund të jetonin më mirë. Para se të largohej nga Kosova, lëshoi me qira pjesën e shtëpisë ku jetonte, ndërsa në pjesën tjetër jetonin nëna dhe vëllai i tij.

Ish-boksieri Selatin Gashi vendosi të largohej nga Kosova në 1990 për të provuar të gjente një jetë më të mirë për familjen e tij të re. Foto: Trëndelinë Halili / K2.0.

Në shtator të 1990-ës, kur ende udhëtohej lehtë ndërkombëtarisht, ai shkoi në Norvegji, ku shoku i tij e mbajti fjalën dhe e punësoi.  

‘‘Paguesha shumë mirë për atë kohë’’, kujton Selatini.   

Rreth dy muaj më vonë, atje iu bashkuan edhe gruaja me djalin. Gjatë qëndrimit në shtetin skandinav, u lindi djali i dytë. Ani pse po jetonin mirë,  menduan se do të ishte shumë e vështirë t’i merrnin ‘‘letrat’’ në Norvergji dhe, pas 13 muajsh, vendosën të largoheshin për në Suedi ku aplikuan për azil.

Por, në Suedi nuk po arrinin të gjenin punë, dhe shumicën e kohës jetonin në qendrat për azilkërkues.   

‘‘Shtoja kësaj edhe se jeta ishte shumë e shtrejtë [në Suedi], unë u pata mësu qysh si fëmijë me fitu paren teme’’, thotë Selatini.  

Pas gati dy viteve ata u larguan edhe nga Suedia.   

Me 25 shkurt të 1994-ës, ai me dy djemtë arritën në Hanover dhe kërkuan azil politik. Gruaja e tij do të shkonte atje më vonë. Pasi qëndruan për gati një vit nëpër qendra azilantësh, që në diskursin e emigrantëve nga Kosova të viteve ‘90-ta njihen si ‘‘hajme’’ (sipas fjalës gjermane “heime”, që do të thotë “shtëpi” ose “strehim”), ata fituan lejen e përkohshme të qëndrimit në Gjermani dhe të drejtën për të punuar.  

Selatini dinte të bënte edhe punën e bojaxhiut dhe këtë aftësi e shfrytëzoi për të gjetur punë – të cilën e praktikoi për gjashtë vitet e ardhshme. 

Gjatë kohës kur ai u rehatua mendoi të merrte edhe vëllain e vet në Gjermani. Kur më në fund nisi lufta në Kosovë në vitet 1998-99, ai ua pagoi rreth 6 mijë marka kontrabandistëve për t’ia sjellë vëllanë, por nuk arriti për shkak të pamundësisë së vëllait për t’u larguar nga Prishtina. 

Aktivizëm në rrugë

Kur Selatini jetonte në Prishtinë, dhe merrej aktivisht me boks, Osman Osmani, tashmë mendonte si të largohej nga Kosova. Ai po ndiqte studimet e vitit të dytë në Fakultetin Juridik — por njëjtë si Fatlumi tri dekada më vonë — po përballej me kushte të rënda ekonomike që ia vështirësonin vazhdimin e studimeve. 

Në fillim të marsit, bashkë me një mik të tijin, nisën planet për të shkuar në Slloveni, pasi dëgjuan se atje kishte punë, si dhe njihnin disa persona që mund t’i ndihmonin për ta arritur këtë qëllim. 

Por, paraprakisht Osmani dhe shoku i tij e kishin të vështirë t’i siguronin paratë. 

‘‘Prindërve me jau marrë [paratë], së pari nuk janë pajtu që na me shku, për shkak të shkollës”, thotë Osmani. “Por me kqyrë hollë e hollë, s’kanë pasë as mjete’’. 

Ata arritën t’i merrnin paratë nga miq të ndryshëm, të cilët ishin duke punuar në atë kohë. Me ndihmën e shokëve të tjerë mbërritën dhe u strehuan në Valjevo të Serbisë, për të vazhduar pastaj në Postojna të Sllovenisë. Pasi qëndruan për disa orë aty, takimi me një polic ua ndërroi gjithë planin.

 “Çka keni ju që jeni çu, çka po lypni?” iu tha polici.

Osman Osmani fillimisht u përpoq ta linte Kosovën në fillim të pranverës së vitit 1981, por aktivizmi i tij politik bëri që të kthehej shkurtimisht për të ndihmuar në organizimin e valës së protestave masive atë vit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ai po fliste për demostratat masive që studentët shqiptarë kishin nisur në Prishtinë, në 11 marsin e 1981-ës. Kërkesat fillestare të studentëve për përmirësimin e kushteve brenda Universitetit, u shndërruan në protestë të madhe studentore, të cilës iu bashkangjit një numër i madh i qytetarëve, ku për herë të parë u dëgjua parulla “Kosova Republikë”.

Osmani ishte në rrugë dhe nuk kishte ide ç’po ndodhte në Kosovë. 

Para se të shkonin për Slloveni, ai me shokun ishin përfshirë në ‘‘lëvizjen ilegale’’ të shqiptarëve që vepronte aso kohe, dhe angazhoheshin për ta ndalur represionin ushtarak e policor ndaj shqiptarëve, për barazi ekonomike, si dhe shkëputje të Kosovës nga Jugosllavia. Me të dëgjuar për protestat, që përkonin me qëllimin e tyre politik, ata u kthyen në Prishtinë. 

Në Kosovë iu bashkëngjitën përgatitjeve të protestave të tjera që do të zhvilloheshin pas dy javësh. Demostrata pati edhe në prill të atij viti dhe shumë nga njerëzit e përfshirë u vunë nën vëzhgim policor.    

Në tetor të vitit 1981 u arrestuan disa pjesëtarë të ilegales, duke ngritur shqetësimin tek të tjerët. Për të mos rrezikuar ekzistencën e organizatës, Osmani dhe tre pjesëtarë të tjerë vendosën të largoheshin nga Kosova. Së bashku me Abdullah dhe Nexhmije Prapashticën, si dhe Faton Topallin – ish-deputet i Kuvendit të Kosovës – vendosën të largoheshin për në Turqi. Nga Fushë Kosova, me tren, u nisën për në Nishë, nga ku morën rrugën për në Stamboll. 

“Përdorëm si alibi një rast familjar në Turqi [për t’u larguar]”, thotë Osmani. ‘‘Abdullahu shiti veturën Fiat dhe kishte disa kursime – unë s’kisha para – dhe me ato arritëm të udhëtonim’’.

Por këto para nuk ishin të mjaftueshme për të jetuar në shtetin turk. Një pjesëtar tjetër i lëvizjes ilegale, që jetonte atje, u ndihmonte financiarisht dhe ua gjeti një vend për të qëndruar në Ankara.

‘‘Edhe shqiptarët e tjerë [që jetonin në Turqi] na ndihmonin, ani pse ishin në kushte shumë të vështira’’, kujton Osmani.

‘‘Abdullahu tha që Osmani le të shkojë, se edhe punon në organizatë edhe i ka punët keq ekonomisht në shpi - u ndihmon edhe atyne - i kryen dy punë".

Osman Osmani

Ndihma që merrnin u mundësoi ta vazhdonin aktivitetin politik, madje ranë në kontakt me organizata të tjera ilegale të shqiptarëve që vepronin në shtetin turk. Aktiviteti i këtyre organizatave më shumë ishte i shtrirë në Gjermani dhe Zvicër, çka bëri që Osmani dhe shokët të mendonin të zhvendoseshin atje. 

 ‘‘Abdullahu tha që Osmani le të shkojë, se edhe punon në organizatë edhe i ka punët keq ekonomisht në shpi – u ndihmon edhe atyne – i kryen dy punë’’, kujton Osmani. 

Biletat e udhëtimit për në Shtutgart të Gjermanisë, Osmanit dhe një shoku tjetër ua pagoi Ambasada e Shqipërisë në Turqi, përmes konsulli të saj, që ishte me prejardhje nga Peja.

Osmani në Gjermani jetoi nëpër banesat e shqiptarëve që ishin të angazhuar në ‘‘ilegale’’. Ai gjatë kësaj kohe u angazhua për nxerrjen e revistës mujore  ‘‘Zëri i Kosovës’’. 

Në vitin 1983, aktivitetet e organizatës shtynë Osmanin dhe Faton Topallin që të udhëtonin për në Zvicër. Gjatë kthimit, Fatoni u ndal nga policia zvicerane për shkak të skadimit të afatit të pasaportës. Osmani vendosi të mbetej në Zvicër me mikun dhe, pasi Fatoni përballej me dëbimin e mundshëm për në Jugosllavi, të dy kërkuan azil politik.

Për disa muaj ata qëndruan nëpër qendrat për azilantë, ose ‘‘hajmet” e Zvicrës, siç i quan, tek i kujton, Osmani. Shpesh jetonin edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve, të cilët shprehnin gatishmërinë t’u ndihmonin. Për shkak të represionit kundër shqiptarëve në Kosovë u lejuan të qëndronin në shtetin zviceran, ku Osmani jeton edhe sot.K

Ku janë tani?

Osman Osmani vetëm në fund të ‘80-ve arriti ta ndihmonte financiarisht familjen e tij. Tash e 10 vjet është pjesë e sindikatës zvicerane ‘‘Sindikata Unia’’, si Sekratar Nacional për Evropën Juglindore, dhe vazhdimisht angazhohet e avokon për respektimin e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Pasi e mori shtetësinë gjermane, Selatini vendosi të kthehej në Prishtinë në vitin 2008 për të hapur një restorant. Por biznesi i tij nuk arriti të mbijetonte, dhe pas 18-muajsh u kthye në Gjermani, ku jeton edhe sot. Momentalisht jeton me djalin e madh në Berlin. Selatini vazhdon ta kultivojë pasionin, duke mbështetur boksierët në Kosovë dhe në Maqedoni Veriore, gjatë verës kur vjen në Ballkan.

Gjatë vizitës së sivjetshme, Agroni, nipi i Selatinit, mori vizë pune për Kroaci. Prej gushtit ka filluar të punojë në Zagreb, dhe nga kjo e ndihmon financiarisht gruan, vajzën dhe djalin e tij 17 muajsh, që vazhdojnë të jetojnë në Prishtinë.

Fatlum Sadiku, pasi u kthye në Kosovë, vazhdoi të mbajë kontakte me Larën. Ajo e vizitoi gati 10 herë në më pak se një vit e gjysmë, pasi ai e kishte të pamundshme të udhëtonte në Gjermani. Ata tashmë janë të martuar. Prej majit të vitit 2018, Fatlumi jeton në Gjermani dhe punon në një restaurant në Koln. Ndër të tjera, për qëllim ka të ndihmojë familjen e vet, sidomos shkollimin universitar të së motrës.

Foto kryesore: Foto nga arkivi i Osman Osmanit.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.