Gjerë e gjatë | Sindikatat

Rrugë e gjatë përpara sindikatave të Kosovës

Nga - 31.01.2023

Organizimi sindikal në Kosovë ndër vite dhe sfidat e reja.

Në pranverën e vitit të kaluar, në Kosovë zuri fill një organizim më i gjerë sindikal. Qindra punëtorë të sektorit publik, më 8 prill 2022, nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dolën në protestë duke kërkuar rritje pagash dhe mbështetje në ballafaqimin me krizën ekonomike në vend. 

Pas protestës, sindikatat nisën drejt qeverisë një varg kërkesash e shkresash për takim. Kreu i qeverisë, Albin Kurti nuk u përgjigjej. Si pasojë, sindikalistët vazhdimisht përmendnin grevën e përgjithshme si mjet të skajshëm sindikal. 

Përfundimisht, punët shkuan deri te greva e përgjithshme. Më 25 gusht BSPK njoftoi se administrata publike dhe arsimi do të futeshin në grevë të përgjithshme. Në këtë situatë, vëmendje mori sidomos greva e sektorit të arsimit. Grevistët e arsimit, bojkotuan procesin mësimor për një muaj rresht, duke kërkuar rritje pagash.

Në Kosovë sindikatat nuk janë të panjohura. Mirëpo, këtë herë, përplasjet e pushtetit me to dhe deklaratat se nevojiten ndryshime në sindikata, shpeshherë janë lexuar si përpjekje e qeverisë për ta penguar lirinë sindikale. 

Vendosmëria e sindikatave që të mos i dëgjojnë kërkesat e qeverisë për t’u kthyer në orët mësimore për gati pesë javë, prodhoi debat të gjerë shoqëror. Në këtë debat, u vënë në dyshim edhe motivet e sindikatave në raport me punëtorët dhe me pushtetin. Disa kritika thonin edhe se sindikatat e sotme kanë mbetur mbrapa në kohë dhe se nuk janë reformuar mjaftueshëm për t’u përgjigjur nevojave dhe kërkesave aktuale.

Ndonëse të krijuara që prej viteve të ‘90-ta, sindikatat në Kosovë ende nuk kanë arritur të konsolidohen si adresë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve e as si partnerë të sistemit të punës. Midis sfidash të njëpasnjëshme ndër vite, nga sindikatat po kërkohet reformim rrënjësor.

Krijimi i sindikatave — nevojë e kohës

Liria sindikale është parakusht për ruajtjen e demokracisë, pasi sindikatat historikisht kanë bartur dhe vazhdojnë të bartin rol qenësor në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. 

Organizimi sindikal në Kosovë i ka rrënjët që para viteve të ‘90-ta. Në kohën e Jugosllavisë, sindikatat e Kosovës ishin pjesë e Konfederatës së Sindikatave Jugosllave, që mbulonte të gjithë punonjësit shtetërorë të Federatës Socialiste të Jugosllavisë. Por, atëkohë, sindikatat nuk kishin liri të plotë e as autonomi sepse nuk mund të vepronin pa miratimin e partisë komuniste. 

Në fillim të viteve ‘90, kur Jugosllavia po jepte shenjat e para të shpërbërjes, qytetarët e Kosovës po përjetonin segregacion etnik, i cili kulmoi me dëbimin masiv nga puna të shqiptarëve, që refuzonin nënshtrimin dhe njohjen e aparatit shtetëror të Serbisë. Rreth 150,000 shqiptarë u përjashtuan nga puna.

Organizimi i formimit të pavarur sindikal në Kosovë nisi në qershor të vitit 1990. Nën moton, “pa liri kombëtare nuk ka as liri sindikale” e i shkëputur nga institucionet e asaj kohe, në Gjakovë u mbajt Kongresi i parë, ku u themelua Sindikata e Pavarur e Kosovës. 

Në Kongres morën pjesë rreth 600 delegatë dhe prej aty derivuan strukturat udhëheqëse të saj, me ç’rast Hajrullah Gorani, tashmë i ndjerë, ishte zgjedhur kryetari i parë. Tek një vit më vonë, kjo sindikatë mori emrin Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Në fillet e veta, BSPK kishte 127,800 anëtarë të organizuar në 18 sindikata apo federata të pavarura të veprimtarive të ndryshme. Si tërësi shërbente si platformë e përbashkët e sindikatave për të luftuar për të drejtat e punëtorëve dhe për t’i përfaqësuar interesat e tyre. 

Pjesëmarrësit e kongresit ku u themelua Sindikata e Pavarur e Kosovës. Fotografia: Arkiva e BSPK.

BSPK-ja po ashtu mbështeste punëtorët e larguar nga puna, duke u ndihmuar të gjenin punë të re e duke u siguruar ndihmë financiare familjeve të punëtorëve të larguar dhe atyre me vështirësi ekonomike.

Rrahman Jashari, kreu i tanishëm i SBAShK, që sot numëron afër 26,000 anëtarë, thotë se këtë sindikatë e krijoi nevoja e kohës, pra përpjekja për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të regjimit të Slobodan Milošević ndaj arsimit në shqip.

Teksa BSPK po e kapërcente rolin e mbrojtjes së të drejtave të punëntorëve duke u shëndërruar në një lëvizje për kauzë kombëtare, në Kosovë po formohej edhe një sindikatë tjetër, ajo e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK). Kryetar i parë i SBAShK i ishte zgjedhur profesori universitar Agim Hyseni.

Në fund të vitit 1989 dhe në fillim të vitit 1990, pushteti serb filloi të ndërhynte edhe në sektorin e arsimit. Së pari filloi imponimi i planprogrameve serbe e më pastaj ndalesa e pagave për punëtorët e këtij sektori. Situata u përshkallëzua tutje dhe pushteti policor i Serbisë mbylli objektet shkollore në fillim të të ‘90-ve. 

Arsimimi në gjuhën shqipe u ndalua në shkolla dhe universitete. Për të vazhduar mësimin, mësimdhënësit shqiptarë organizuan sistemin paralel të arsimimit nëpër shtëpi private. Ky sistem, i ideuar fillimisht nga mësuesit e shkollave fillore vazhdoi deri në mars 1999. Midis kësaj periudhe, disa objekte të shkollave fillore, kryesisht në Prishtinë, u rihapën. 

Rrahman Jashari, kreu i tanishëm i SBAShK, që sot numëron afër 26,000 anëtarë, thotë se këtë sindikatë e krijoi nevoja e kohës, pra përpjekja për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të regjimit të Slobodan Milošević ndaj arsimit në shqip.

Aktivitetet e kësaj sindikate u zgjeruan përtej sferës sindikale. Ajo iu bashkua organizatave tjera, ku ndihmonin njëra-tjetrën në veprimtaritë përkatëse, si për shembull në mbledhjen e ndihmave për mësuesit e larguar nga puna.  

Sindikata kishte bashkëpunuar ngushtë sidomos me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë (LASh) e cila e kishte me lehtë të vepronte sepse nuk ishte sindikatë e rrjedhimisht nuk ishte në shënjestër të regjimit. Ata organizonin grumbullime dhe protesta kryesisht në ambientet e arsimit dhe në qendrat e qyteteve ku ishin themeluar, duke kërkuar të drejtat dhe liritë e mësimdhënësve shqiptarë dhe mbrojtjen e arsimit shqip.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë. Fotografia: Arkiva e BSPK.

Jasharaj tregon se momentet më të mëdha të organizimit të kësaj sindikate ishin në vitin 1993, kur Kosovën e vizitonin delegacione të ndryshme ndërkombëtare për të parë gjendjen e arsimit në atë periudhë. 

“Të huajt e panë që mësimi fillor mbahej në objekte shkollore, por ai i mesëm në shtëpi-shkolla. Duke e parë këtë qëndresë tonën, ata ndikuan që në Asamblenë e UNESCO-s, kryetari i atëhreshëm i SBASHK-ut ta mbajë një fjalim duke i treguar delegatëve të gjitha shteteve për gjendjen tepër të rëndë në atë kohë në arsimin shqip. E kam fjalën për vitin 1993”, thotë Jasharaj.

Kjo sindikatë, sipas Jasharajt, ishte pranuar si anëtare e barabartë e Internacionalja Botërore e Arsimit në vitin 1996. Por, atë kohë, as SBAShK s’shërbente mirëfilli si sindikatë. Ajo më shumë ishte organizim humanitar sepse, siç thotë Jasharaj, “ashtu e impononte koha.” 

Pas luftës, shumë struktura ekonomike u përballën me vështirësi për të mbijetuar e as nuk kishte bazë ligjore mjaftueshëm të konsoliduar për të drejtat e punëtorëve. Peizazhi i rëndë socio-ekonomik në atë kohë i gjeti të pastrukturuara edhe sindikatat, të cilat s’kishin fuqi t’i shtynin përpara kërkesat e tyre.

Rolin e tyre sindikal ndërkohë, pas luftës, SBAShK filloi ta konsolidojë duke protestuar kundër Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke shprehur pakënaqësinë ndaj shpërfilljes që sipas tyre UNMIK po ia bënte çështjes së kushteve të punës të mësimdhënësve.

Sistemi politik i pas vitit 1999 kishte krijuar një mekanizëm krejtësisht të ri të marrëdhënieve industriale. Strukturat ndërkombëtare e lidhnin përparimin me privatizim të ndërrmarrjeve publike, që mori hov e la mijëra njerëz të pa punë. Teksa hidheshin fillet e një sistemi ekonomik neoliberal, mbrojtja sociale e punëtorëve e rrjedhimisht sindikatat zbeheshin. 

“UNMIK-u nuk donte të dëgjonte se në Kosovën e pasluftës mund të ketë sindikata”, thotë Jasharaj.

Protesta e SBAShK kundër administratës së UNMIK-ut. Fotografia: Arkiva e BSPK.

Në vitin 2002, SBAShK-u kishte organizuar një protestë me kërkesën fillestare për rritje të pagës për punëtorët e arsimit, të cilët atëkohë paguheshinrreth 100 marka në muaj, të barasvlefshme me 50 euro sot.

“Pagat tona më shumë i ngjanin një ndihme sociale, ne e kishim bërë një protestë ku e kishim bërë me pjesëmarrje maksimale të punëtorëve të arsimit nën kërkesën ‘duam pagën sa një mëditje e zyrtarëve të UNMIK-ut’, sepse pagat dhe mëditjet e tyre ishin jashtëzakonisht të larta”, thotë i pari i SBAShK-ut.

Tri vjet më vonë, sindikata kishte filluar riorganizimin e brendshëm dhe punën në statut, që do të përcaktonte strukturën dhe udhëheqësinë e sindikatës.

Ndër vite, me konsolidimin e bazës ligjore përmes Ligjit të Punës (i miratuar në vitin 2003), Ligjit për Organizim Sindikal (i miratuar në vitin 2002) e Marrëveshjes Kolektive (i miratuar në vitin 2014), sindikatat në sektorin publik u fuqizuan, por jo edhe ato në sektorin privat.

Domosdoshmëria për reformim

Organizim sindikal i sektorit publik dhe atij privat dallon shumë në Kosovë. 

Brenda konfederatës së BSPK operojnë 235 shoqata sindikale dhe 30 federata sindikatash. Për të qenë pjesë e BSPK-së si sindikatë, sipas statutit të kësaj konfederate, duhet që sindikata t’i ketë mbi 1,000 anëtarë. Këto sindikata përfaqësojnë mbi 300,000 punëtorë. 85,000 punëtorë janë të sektorit publik, ndërkaq pjesa tjetër, rreth 215,000 punëtorë janë të sektorit privat dhe përfaqësohen nga vetëm një sindikatë.

Atdhe Hykolli, kryetari i BSPK, prej tetorit 2021, thotë se anipse pjesëmarrja e fuqisë punëtore në sektorin privat është disa herë më e madhe, për kah organizimi sindikal dominon sektori publik. Hykolli thotë që për qëllim parësor e ka zgjidhjen e marrëveshjes së përgjithshme kolektive, të cilës i ka skaduar afati në fund të vitit 2017. 

Kjo marrëveshje lidhet ndërmjet bashkimit të organizatave të punëdhënësve, bashkimit të organizatave të punëmarrësve si dhe institucioneve shtetërore. Modeli i kësaj marrëveshjeje përkon me sistemin tre-partiak i njohur në shumë vende të botës si sistemi ku marrin pjesë tri subjekte kryesore nga marrëdhëniet e punës: organizatat e punëdhënësve, punëmarrësve dhe si ndërmjetësues është shteti. Përmes kësaj marrëveshjeje rregullohen themelimi i marrëdhënies së punës, orari dhe pushimet, pagat, kompensimi dhe ndërprerja e kontratës së punës.

Sipas Hykollit, sindikatat në sektorin publik janë të konsoliduar mjaftueshëm përmes sindikatës së arsimit, e cila ka anëtarësinë më të madhe në Kosovë. 

Ndërkohë, përkundër këtij konsolidimi, Rrahman Jasharaj e pëshkruan rrugëtimin e gjatë të SBAShK si sfidues. Në sfidat e sindikatës, sipas tij, kanë kontribuuar edhe ndërrimet e shpeshta të qeverive gjë që ka pamundësuar vazhdimësinë e bashkëpunimit pasi secila qeveri hidhte poshtë progresin e arritur dhe kështu, gjithçka duhej nisur nga e para.

Greva e parë, prej të shumtave që ka organizuar SBAShK deri sot, ishte në vitin 2004,  kur vendi qeverisej nga koalicioni LDK-AAK në kohën e administrimit ndërkombëtar. Në këtë grevë një-mujore, Jasharaj kujton se kërkonin “pagë më të dinjitetshme edhe në atë kohë dhe u bë një rritje prej vetëm 7 markave”.

Teksa sektori publik, me gjithë vështirësitë, ia ka dalë të krijojë një histori të organizimit sindikal, organizimi në sektorin privat është pothuajse i pavërejtshëm.

Sipas tij, pagat kanë mbetur të ulëta dhe metodat e tjera sindikale si protestat e negociatat ishin shpërfillur nga pushtetet, prandaj grevat kanë vazhduar si domosdoshmëri. Që nga shpallja e pavarësisë në 2008, mësimdhënësit kanë pasur një rritje lineare të pagave pavarësisht kualifikimit apo pozitës dhe pavarësisht se ata vazhdimisht kanë qenë të zëshëm në kërkesat për paga më të larta. Pagat e mësimdhënësve të nivelit të mesëm të lartë, nga 240 euro në vitin 2010 u rritën në 430 euro në vitin 2016. Në 2018, pagat u rritën për 18 euro, që është edhe rritja e fundit e pagave të mësimdhënësve.

Teksa sektori publik, me gjithë vështirësitë, ia ka dalë të krijojë një histori të organizimit sindikal, organizimi në sektorin privat është pothuajse i pavërejtshëm. E në fakt, pikërisht punëtorët e sektorit privat përballen në vazhdimësi me shkelje të të drejtave dhe kushte të vështira të punës si paga të ulëta, mungesë të sigurisë në punë dhe përgjithësisht mosrespektim të obligimeve që punëdhënësit kanë ndaj tyre, sipas Ligjit të Punës.

Po ashtu, paga mesatare në sektorin privat vazhdon të jetë më e ulët sesa ajo në sektorin publik. Përderisa paga mesatare neto për sektorin publik është 542 euro, ajo në privat nuk e kalon shumën e 376 eurove. Ky dallim në pagë dhe respektimi më i madh i Ligjit të Punës ka ndikuar që sektori publik të jetë më tërheqës për punëkërkuesit, posaçërisht ata me shkollim universitar.

Pra, edhe pse nevoja për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve është dukshëm më e madhe në sektorin privat, sindikatat në këtë sektor kanë qenë të pafuqishme apo të paorganizuara mjaftueshëm.

Ngjashëm i sheh dinamikat midis organizimit sindikal të sektorit privat dhe publik edhe Brikenë Hoxha, drejtore ekzekutive e Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), një think-tank i përqendruar në kërkime dhe analiza empririke të zhvillimit socio-ekonomik në Kosovë.

“Kahas sektorit publik, sektori privat është inekzistent në përfaqësimin sindikal. Dhe mundësia për me ua shkel të drejtat atyre në publik është pakrahasimisht më e vogël se këta në privat”, thotë Hoxha. Sipas saj, në sektorin privat ndodh “skllavëria e punëtorëve”, për dallim nga ai publik, që janë edhe nën mbrojtje të Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil— një organ që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil. 

Në kuadër të BSPK operon vetëm një sindikatë nga sektori privat –– Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, që mbulon rreth 60,000 biznese. Në BSPK janë të anëtarësuara edhe sindikata të partneritetit publiko-privat, siç janë ndër tjera sindikata e Trepçës, Aeroportit, Feronikelit. 

Jusuf Azemi, kreu i Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës në një protestë në vitin 2014. Fotografia: Arkiva e BSPK.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi thotë se sindikatat e sektorit privat çdokund janë më të dobëta se ato publike dhe se këto të fundit kanë më shumë mbështetje ligjore pasi punëdhënës kanë shtetin.

“Për shembull sindikata e arsimit e ka një punëdhënës, është Ministria e Arsimit, përderisa ne i kemi 60,000 biznese në Kosovë, që nënkupton i kemi 60,000 punëdhënës”, thotë Azemi. 

Qeveria aktuale, në programin zgjedhor, kishte premtuar kushte më të dinjitetshme për punëtorët e sektorit privat e pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës, të cilët janë përgjegjës për mbikqyrjen e respektimit të Ligjit të Punës. Megjithatë, ky premtim ende nuk është realizuar. Janë vetëm 38 inspektorë që mbulojnë të gjitha komunat e Kosovës.

Azemi përmend sidomos ndërtimtarinë, ku gjendja vazhdon të jetë e rëndë. “Unë kam qenë jo më larg se para një muaji në Fushë Kosovë dhe është tmerr me i pa punëtorët në çfarë gjendje punojnë. Me i pa ndërtimet e larta që punohen është tmerr dhe po kemi edhe raste të vdekjeve edhe ku po bijnë edhe në hapësirën e liftave. Këtë vit [2022] kemi diku 17 raste të vdekjes”, thotë Azemi.

“Ka munguar një solidaritet i sindikatave në rastet kur janë shkelur në mënyrë drastike të drejtat e punëtorëve, ku nuk është siguruar siguria në punë, mbrojtja e shëndetit dhe jetës në punë, në këtë sektor pothuajse fare nuk ka organizim”.

Osman Osmani, aktivist sindikal.

Si rrjedhojë, sindikatat kritikohen se nuk po arrijnë t’i mbrojnë mjaftueshëm të drejtat e punëtorëve, duke qenë të ngathëta për sigurimin e kushteve më të mira për punëtorët.

Në këtë drejtim, Osman Osmani, aktivist sindikal në Zvicër, që është angazhuar për bashkëpunimin sindikal midis Zvicrës dhe Kosovës, mendon se në Kosovë duhet të zhvillohen “beteja sindikaliste” pasi situata në këtë sektor është e mjerueshme.

“Ka munguar një solidaritet i sindikatave në rastet kur janë shkelur në mënyrë drastike të drejtat e punëtorëve, ku nuk është siguruar siguria në punë, mbrojtja e shëndetit dhe jetës në punë, në këtë sektor pothuajse fare nuk ka organizim”, thotë Osmani, i cili po ashtu është ish-sekretar sindikal për migracion në sindikatën UNIA në Zvicërr, një sindikatë prej 200,000 antarësh ku gjysma janë anëtarë me prejardhje jashtë Zvicrës e 15,000 janë shqiptarë.

Për Osmanin, sindikatat në Kosovë nuk kanë arritur t’u nënshtrohen ndryshimeve sistemore dhe si rrjedhojë, nuk iu kanë përshtatur modeleve të reja politike e ekonomike që ai i quan model neo-liberal. 

Osmani mendon se sindikatat nuk kanë pësuar ndryshime që nga koha e Jugosllavisë. Në sistemin e asaj kohe, i vetmi punëdhënës ishte shteti apo sektori publik, i cili përfshinte edhe ndërmarrjet shoqërore. Për këtë, organizim sindikal kishte vetëm në këtë sektor, por sindikatat ishin pjesë e sistemit dhe zyrtarët e sindikatave përceptoheshin si “funksionarë shteti”. Andaj, sipas Osmanit, edhe në Kosovë organizimi sindikal vazhdon të jetë më i pranishëm në sektorin publik sesa në atë privat.

“Shkretëtira sindikaliste”

Betejat mes sindikatave dhe qeverive u thelluan sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Korniza ligjore për organizim sindikal nisi të konsolidohej dhe sindikatave iu krijua një adresë më e qartë ligjore për t’i artikuluar kërkesat e tyre.

Kështu nisi dialogu social mes qeverisë e sindikatave ku negociohej kryesisht për paga më të larta, kushte më të mira të punës dhe ulje të pabarazisë ekonomike. Organet që përfaqësojnë punëdhënësit, punëtorët dhe qeveritë përbëjnë tre partnerë socialë, të cilët inkuadrohen në dialog social për t’u konsultuar e negociuar mbi punën, praktikat sociale dhe ekonomike, politikat e legjislacionin.

Kërkesat nga sindikatat  shpesh kanë rezultuar në përplasje me pushtet në Kosovë, që shpesh është përcjellur me gjuhë të përkeqësuar ndaj sindikatave, të etiketuara si instrumente të grupimeve politike. Raporti i sindikatave me pushtete apo parti të ndryshme politike ka qenë vazhdimisht i ndërlikuar, aq sa ka pasur raste kur për sindikatat është thënë se janë të ndikuara nga dhe të lidhura me parti politike, në veçanti me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), sidomos gjatë kohës kur kjo e fundit ishte në qeveri.

Ndërkohë, LVV, në përcaktimin ideologjik e edhe në praktikën e vet sa ishte në opozitë përkrahte organizimin sindikal, përfshirë atë të arsimit. Ndërkohë, gjatë grevave të vitit të kaluar, LVV, tashmë në krye të qeverisë, përdori diskurs kritik e herë-herë nënçmues ndaj sindikatave, duke i etiketuar si “mjete të pushtetit të kaluar”.

Një prej përplasje të përvjetshme midis sindikatave dhe qeverisë vazhdon të jetë diskutimi për pagën minimale, që për Jusuf Azemin nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, përllogaritet me shpenzime të minimumit jetik për një familje katër-anëtarëshe.

Qeveria e Kosovës, në prill 2022, miratoi një projektligj, që parasheh rritjen e pagës minimale nga 130/170 euro në 264 eurove bruto, që i bie 250 euro neto. Vendimi ende nuk ka hyrë në fuqi. Ndërkohë, Azemi thotë se sindikata që ai drejton nuk pranon të nënshkruajë asnjë marrëveshje, që parasheh pagë minimale nën 500 euro neto.

Paga minimale

Në parim paga minimale vendoset si politikë qeveritare që përkufizohet si “shuma minimale e pagesës (shpërblimit) që punëdhënësi duhet t'i paguaj punëmarrësit për punën e kryer gjatë periudhës së dhënë kohore të përcaktuar me kontratë. Me qëllim të mbrojtjes së punëtorit nga paga më e ulët, qeveria ligjërisht përcakton kufijtë e pagës minimale.

Rritja e pagës minimale do të nënkuptonte ndihmë për punëtorët e rinj, ata të margjinalizuar dhe me kualifikim më të ulët, duke dhënë efekt edhe në ekonomi përmes rritjes së konsumit.

Mirëpo, kundërshtar i kësaj rritje ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar duke i rekomanduar qeverive në Kosovë që ta izolojë rritjen e mundshme të saj nën arsyetimin e brengës buxhetore dhe implikimeve që mund të ketë te rritja e shpenzimit për disa skema pensionale si pensionet e veteranëve të luftës.

“Në këtë mandat nuk ka me pasë ndryshim se ky [kryeministri Kurti] tentoi me ndryshu me anë të njëanshme. Nuk po guxon me e qitë në parlament”, thotë Azemi.

Debati për paga minimale dhe rëndësinë e saj është theksuar vazhdimisht dhe premtime për rritje janë bërë vazhdimisht nga qeveritë, por asnjëherë nuk janë pranuar propozimet e Këshillit Ekonomiko Social (KES) për këtë rritje.

KES është organ konsultativ i qeverisë dhe përbëhet prej përfaqësuesve të punëtorëve, punëdhënësve dhe institucioneve shtetërore të cilët shqyrtojnë situatën ekonomike çdo vit dhe propozojnë rritjen e pagës minimale. Kryesuesi i KES-it zgjidhet me rotacion çdo vit. Ai ka qenë jofunksional për një vit derisa është funksionalizuar në mandatin e Hykollit.

Ndërkohë Jasharaj nga SBAShK, përplasjet me qeveritë parimisht i konsideron si të shëndosha sepse kjo, sipas tij, i jep më shumë jehonë zërit sindikalist.

Brikenë Hoxha nga organizata IKS thotë se sektori privat është inekzistent në përfaqësimin sindikal. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Edhe për Hoxhën nga IKS, raporti shpesh përplasës i sindikatave me qeveritë ka ndikuar në një masë në formësimin dhe njohjen e rolit sindikal. Dhe përtej kritikave për formën e organizimit, për këtë, ajo meritat ia jep sindikatës së arsimit.

“Ata janë meritorë për ndërrimin e përceptimit të sindikatës në publik, nëse njerëzit e dinë çka është sindikata, një nga arsyet [për këtë] është SBAShK-u”, thotë Hoxha. 

Sipas Brikenë Hoxha nga IKS, raporti shpesh përplasës i sindikatave me qeveritë ka ndikuar në një masë në formësimin dhe njohjen e rolit sindikal.

Por, në të njëjtën kohë, Hoxha mendon se sindikatat dhe roli i tyre kryesisht keqkuptohen pasi nuk ka njohje të mjaftueshme për rolin dhe funksionimin e tyre. Sipas saj, fajtorë për këtë janë vetë sindikatat.

“Në vitet ‘90 ka qenë rol tjetër për shkak të situatës që ka qenë në Kosovë, kështu që edhe për shkak të atij rolit që kishin në atë kohë keqkuptohet pak, edhe ata [sindikatat] kanë mbetur në qatë mendësi dhe nuk e kryjnë rolin e vet si duhet, por edhe nuk ka njohuri të përgjithshme si duhet”, thotë Hoxha. Po ashtu, ajo thotë se sindikatat janë regjistruar si organizata jo-qeveritare, gjë që, sipas saj, përbën gabim, pasi sikur të ishin të regjistruara si pjesë e sistemit të punës, si në vendet nordike, ato do të kishin rol aktiv në negociimin e marrëveshjeve të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve

Prandaj, Hoxha e sheh të domosdoshëm një reformim sindikalist. Ajo thotë se në sindikata duhet edhe një përfaqësim më i barabartë gjinor pasi shumica dërmuese e sindikatave drejtohen nga burrat. 

Sipas të dhënave nga organizata që ajo drejton, që nga themelimi, BSPK-ja në krye ka pasur gjithmonë udhëheqës burra. Nga gjithsej 59 delegatë, sa ka kjo konfederatë vetëm 18 janë gra. Po ashtu, prej katër koordinatorëve që udhëheqin zyrat regjionale të BSKPK vetëm një është grua.

Aktivisti sindikal, Osmani mendon se punëtorët në Kosovë janë të paorganizuar në secilin sektor, duke i quajtur “shkretëtira sindikaliste” apo punëmarrës të paorganizuar, teksa sindikatat e sektorit publik Osmani i kategorizon si zyrtarë, sepse, sipas tij, ata ashtu e kategorizojnë veten.

Mendim të ngjashëm me Osmanin ndan edhe Florina Duli, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe koordinatore për Kosovë në organizatën Terre des hommes. Sipas saj, organizimi sindikal në Kosovë bartë shumë nga e kaluara kur zyrtarët e Sindikatave përjetoheshin si funksionarë të shtetit.

“Sindikatat e mirëfillta duhet ta përfaqësojnë punëtorin në çdo rast kontestues me punëdhënësin, përshirë këtu edhe përfaqësimin ligjor të tyre”.

Florina Duli, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe koordinatore për Kosovë në organizatën Terre des hommes.

“Sindikatat në Kosovë janë të ndërlidhura me rolin e tyre në të kaluarën ish-jugosllave si dhe me rolin e tyre gjatë viteve 90-ta kur ishin akterë aktiv i rezistencës. Në atë kohë, ky ‘shtet’ ishte punëdhënësi i vetëm, dhe rrjedhimisht organzimi sindikal ndodhi në këtë sektor. Sindikatat ishin disi pjesë e sistemit”, thotë Duli.

Kështu, sipas saj sindikatat duhet të reformohen e madje edhe të rimendohet organizimi sindikal, ashtu që të rritet përgjegjësia e sindikatave ndaj anëtarësisë, të mos cenohet e drejta e punëtorit për asocim vullnetar në sindikatë e rrjedhimisht, t’u shërbejnë sa më shumë punëtorëve/eve.

“Sindikatat e mirëfillta duhet ta përfaqësojnë punëtorin në çdo rast kontestues me punëdhënësin, përshirë këtu edhe përfaqësimin ligjor të tyre”, thotë Duli.

Ndonëse sipas përkufizimit, sindikatat janë organizata të pavarura që krijohen si bashkim vullnetar i të punësuarve dhe që për qëllim kanë mbrojtjen e të drejtave ligjore dhe interesave ekonomike, sociale e profesionale të tyre –– ato nuk janë parë gjithnjë ashtu. Sindikatat kanë qenë edhe cak i kritikave për rolet e përgjegjësitë që nuk u takojnë. Një shembull i kësaj janë kritikat e vazhdueshme ndaj SBAShK për rezultatet e dobëta në PISA e për cilësinë në arsim. përgjithësisht, ndonëse kjo është kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive lokale nëpër komuna. 

Fajësimi i sindikatës së arsimit për cilësinë e dobët në arsim shpesh ka prodhuar përshtypje të publiku se sindikata është përgjegjëse edhe për ta përmirësuar gjendjen e arsimit. Për Rrahman Jasharajn është brengosës fakti se ciësia në arsim “popullarizohet vetëm kur janë grevat në prezencë”.

Përderisa, deri vonë, sindikatat kanë marrë vëmendje kryesisht e pothuajse veç në kohë grevash, përplasjet e fundit në veçanti kanë nxitur diskutime që mund të jenë të dobishme për lirinë sindikale, organizimin sindikal dhe reformimin e tij në të ardhmen.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0