Në librin e tij “Mëngjeset në Kafe Rostand”, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, thotë se popujt ballkanas gjithnjë e kanë pasur një epiqendër të cilës i luteshin dhe e cila ia zgjidhte problemet e hasmëritë që ata i kishin mes vete.
Në lashtësi, thotë ai, Olimpi antik ishte vendi ku ata venin për këtë qëllim. Sot, vazhdon Kadareja tek po i njëjti libër, e kanë Brukselin.
Si dikur në Olimp, sot, “the problematic guys” të Ballkanit – nëse e citojmë mbrapsht një shprehjeje të famshme të Presidentit të Kosovës – shkojnë në Bruksel për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes vete, të cilat janë sa të vjetra aq edhe të reja.
Akuza, kundërakuza, pretendime historike, kundërpretendime akoma më të lashta, djepe, zemra, themele, luftëra, përdhunime, gjak, masakra, epos, vajtime, mallkime, urime, arrestime, taksa… Dhe nevoja që Evropa ta zgjidhë këtë problem mes dy popujve që assesi të gjejnë paqe mes vete.
Pasi që Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, shumëkush – sidomos shumë kosovarë – mendoi se kjo histori mori fund. Por, ky nuk ishte fundi i historisë.
Në vitin 2011 filluan negociatat e facilituara nga Bashkimi Evropian. Nga Brukseli. Sërish Olimpi duhej të ndërhynte si gjykatës i paanshëm në shamatën ballkanase.
Por, tanimë bëhen tetë vite dhe ka pak përparim në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Për më tepër, viti i fundit ta lë shijen e një prapakthimi. Duket sikur edhe ai përparim i vogël është vithisur sa hap e mbyll sytë, mu sikurse në baladën e famshme ballkanase siç shembej natën muri i kalasë që ngritej ditën.
Në verën e vitit 2018 u fillua të përmendej mundësia e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve si kyçi i zgjidhjes së problemit. Disa e përkrahën, por më shumë e kundërshtuan këtë ide. Por, ajo që nuk kundërshtohej dot ishte dështimi i formatit të gjerasokohshëm të negociatave të ndërmjetësuara nga Brukseli.
Olimpi kishtë dështuar. Ai duhej zëvendësuar sërish, sikurse shumë herë në historinë e Ballkanit.
Ashtu që marrëdhëniet të komplikoheshin prore më shumë, duhej të vinte stina tjetër – vjeshta e vitit 2018. Serbia kishte ndërmarrë një ofensivë diplomatike për të bindur disa vende që paraprakisht e kishin njohur Kosovën për ta tërhequr njohjen. Kulmi arriti kur Serbia loboi fuqishëm – dhe suksesshëm – që Kosova të mos pranohej në Interpol.
Sakaq, si reagim, Qeveria e Kosovës e vendosi një taksë prej 10% ndaj produkteve me prejardhje serbe, për ta rritur në 100% vetëm pak kohë më vonë. Tekqë në fillim politikanët kosovarë rropateshin se cili t’i mirrte lavdatat e një vendimi të këtillë të perceptuar si patriotik, nuk kaloi shumë kohë dhe, me rritjen e presionit ndërkombëtar kundër taksës, kryeministri Ramush Haradinaj ngeli i vetëm. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli – kryetari i PDK-së, aleatit më të madh të koalicionit qeveritar – u distancuan nga taksa.
Nga ana e saj, Serbia deklaroi se nuk do të vazhdonte të negocionte pa u larguar taksa ndaj produkteve të saj. Ndonëse eksportet serbe në Kosovë paraqesin vetëm 3 përqind të eksporteve të përgjithshme serbe, Presidenti Aleksandar Vučić vajtonte me kujë për një tjetër padrejtësi ndaj Serbisë.
Dy popujt e Ballkanit ishin futur sërishmi në qorrsokak. Sërishmi kishte nevojë për një Olimp.
Mësa Brukselit po i venitej vezullimi prej Olimpi, po kërkohej një tjetër zëvendësim, si ngahera. Të frikësuar se mos Washington-i dhe Moska do të ishin “Olimpët binjakë” të rinj të ballkanasve, evropianët u rrekën ta gjenin një zgjidhje.
Dy “perënditë” e Olimpit Bruksel, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, e thirrën një samit. Domethënë pranuan të zëvendësohej Olimpi, por jo të gjindej jashtë kontinentit të vjetër. Berlini, kryeqyteti gjerman, u përzgjodh të ishte Olimpi i ri.
Olimpi i zëvendësuar
Data u caktua 29 prilli i vitit 2019. Samiti i Berlinit do të tubonte rishtazi krerët e Ballkanit, “the problematic guys”, për të sheshuar ngatërresën e tyre të moçme. Por, fokusi ishte tek liderët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë – presidentët Thaçi e Vučić dhe kryeminisrat Haradinaj e Ana Brnabić.
“Ky më shumë është një konfirmim i marrjes së përgjegjësisë nga Gjermania dhe Franca – dy shtetet më të rëndësishme të BE-së,” thotë analisti politik, Imer Mushkolaj. “Kjo është përpjekje për ta rikonfirmuar vullnetin për ta vazhduar dialogun.”
Analisti politik Imer Mushkolaj e sheh rolin më të spikatur të Francës dhe Gjermanisë si shenjim të një faze të re për dialogun Kosovë-Serbi. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Sipas Mushkolajt, nuk është sinjifikative vetëm madhësia dhe pesha relative politike që bartin Parisi e Berlini në përçapjet e fundit të Macron-it dhe Merkel-it për ta arritur një marrëveshje ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
“Nëse e kemi parasysh ndikimin e Merkel-it tek Vučić-i dhe afërsinë historike të Francës me Serbinë, e kuptojmë se jo rastësisht këto [dy shtete] e kanë marrë përgjegjësinë e këtij samiti,” thotë ai. “Njëjtë, edhe kosovarët kanë shumë besim tek gjermanët.”
Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se, pasi që Maqedonia e Veriut e ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, mosmarrëveshja Kosovë-Serbi shihet nga dy shtetet më të fuqishme të BE-së si çështja e fundit e pazgjidhur në Ballkan, paçka që BE-ja si e tërë nuk e ka shfaqur seriozitetin e duhur për ta arritur normalizimin e shumëkërkuar.
“Kur BE-ja e ka filluar dialogun më 2011, ajo ka qenë lehtësuese e këtij procesi. Por, nuk është që ka arritur ta finalizojë normalizimin e marrëdhënieve edhe 6 vite pas Marrëveshjes së parë të Parimeve,” tha ajo, duke iu referuar marrëveshjes 15-pikëshe të nënshkruar nga të dy palët në prill 2013. “Madje, palët janë edhe më larg normalizimit se sa kurdoherë më parë. Mendoj që në këtë aspekt BE-ja ka dështuar.”
Haxholli nuk ia vë domosdo fajin për këtë dështim Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, të anametuarës Federica Mogherini, ose pararendëses së saj, baroneshës Catherine Ashton, por më shumë faktit që BE-ja nuk e ka një zë unik sa i përket raporteve të saj me Kosovën. “Madje, dihet se pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën,” thotë ajo.
Hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli, beson se BE-ja gjer më tani ka dështuar në rolin e saj në dialog. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Njëherazi, Haxholli vlerësoi se BE-ja është munduar më shumë ta marrë rolin e lehtësuesit, pa interferuar shumë në marrëveshje dhe pa garanca për zbatimin e marrëveshjeve.
“Nga 33 marrëveshjet, shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim,” thotë ajo. “BE-ja nuk ia ka arritur që t’i detyrojë palët për t’i zbatuar ato. Prandaj, vjen në shprehje roli më i madh i Gjermanisë dhe Francës.”
Mushkolaj ishte kritik edhe ndaj rolit të BE-së në procesin e gjertanishëm negociator, duke thënë se qasja e gjithmbarshme e BE-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi ka qenë “tërhiq e mos këput”. “Për BE-në ka qenë me rëndësi që dialogu të vazhdojë, ndonëse rezultatet kanë qenë minimale,” tha ai.
“Edhe nëse e shohim zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe zgjidhjen e problemeve, nuk është arritur sukses. Prandaj, besoj që qasja e Brukselit ka dështuar. Tash jemi tetë vite mbrapa dhe nuk kemi përmirësim të dukshëm në terren – qoftë për marrëveshjet e arritura, qoftë për zbutjen e raporteve në mes të të dyja vendeve.”
Në ditët që i paraprinë Samitit të Berlinit, në mediat kosovare u vërtit një thashethem i pakonfirmuar – me pak detaje ose dëshmi – rreth një plani të ri gjerman i cili parasheh më shumë autonomi për serbët, sovranitet të dyfishtë të Kosovës e Serbisë mbi kishat ortodokse serbe, si dhe një status special për pjesën e veriut me mundësi shkëputjeje pas një përiudhe 15 ose 20 vjeçare.
Haxholli thotë se ideja e korigjimit të kufijve është kundërshtuar nga Gjermania, pasi ky shtet e sheh këtë si mundësi për destabilizimin e rajonit dhe prandaj përngaherë ka pasur prirje që t’ia jap negociatave një tjetër drejtim.
“Edhe në të kaluarën – në negociatat në Rambuje [më 1999] ose në Vjenë [rreth statusit final të Kosovës në vitet 2006-2007] – marrëveshjet janë pranuar nga Kosova, por jo nga Serbia,” thotë ajo. “E, Gjermania e ka menduar [këtë plan] si një marrëveshje ligjërisht të pranueshme nga Serbia. Për më tepër, Serbia nuk do të ishte e detyruar ta njihte Kosovën dhe ta pranonte de jure pavarësinë e saj, por do ta njihte realitetin politik dhe nuk do ta bllokonte rrugën evropiane të Kosovës.”
Ajo ceku se KDI-ja beson që gjithçka përtej themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe – një komponent thelbësor i Marrëveshjes së Parimeve të 2013-s – do e rrezikonte funksionalitetin e Kosovës dhe karakterin e saj unitar dhe shton se plani i përfolur do të krijonte probleme të shumta. “A ia vlen të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë nëse Kosova abnormalizohet [së brendshmi]?” e shtron ajo pyetjen retorike.
Haxholli shpreson që Kosova nuk do të jetë në pozitë të zgjedh mes këtyre dy opsioneve që ajo i merr si të dëmshme për shtetin. “Kosova nuk është e detyruar ta pranojë asnjë marrëveshje të dëmshme dhe nuk duhet të ngutet, por [në ndërkohë] të merret me probleme të tjera që nuk varen nga kjo marrëveshje,” tha ajo, duke shtuar se edhe në rast të marrëveshjes, Kosova ka perspektivë të mangët të integrimit evropian dhe nuk i garantohet anëtarësimi në OKB.
Balada vazhdon
Me të përfunduar darka e Samitit, Presidenti Thaçi tha se palët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje dhe duke shtuar se “u pajtuan që të mos pajtohemi” ai aludoi në dështimin e këtij procesi të ndërmjetësuar nga evropianët. Hashim Thaçi po kërkonte një Olimp të ri. Ai ishte ShBA-ja.
Në fakt, që në dhjetor 2018 kur Presidenti Donald Trump ua kishte nisur një letër presidentëve Thaçi e Vučić, ku i ftonte që ta festonin paqen në Washington, ishte përfolur ideja e mundshme që ShBA-ja të merrte një rol më proaktiv, ose mbase udhëheqës, të këtij procesi.
Kryeministri kosovar Haradinaj pas samitit u shpreh i kënaqur me zhvillimet dhe me ndërmjetësimin evropian, por ishte i pezmatuar në Presidentin kosovar dhe në kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilët, sipas tij, i kishin bërë më shumë presion se sa liderët evropianë për ta larguar taksën ndaj produkteve me origjinë serbe. Si përgjigje, kryeministri Rama i mohoi këto akuza të homologut të tij kosovar.
Nga pala tjetër, Presidenti Vučić e vlerësoi pozitivisht Samitin dhe sidomos rolin e Merkel-it dhe Macron-it në zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi. Por, ministri i tij i Punëve të Jashtme, Ivica Dačić, deklaroi se gjatë Samitit kishte pasur shumë presion ndaj Presidentit Vučić që ai të kishte një qasje me konstruktive në raport me Kosovën dhe të hiqte dorë nga ideja për shkëmbim territoresh.
Megjithë që konstatuan mungesën e përparimit të njëmendtë, si Haxholli ashtu edhe Mushkolaj kanë besim se dialogu duhet të vazhdojë.
Mushkolaj thotë se shpesh dëgjon interpretime se nuk është e rëndësishme marrëveshja me Serbinë dhe se ne mund të funksionojmë edhe pa të. “Po, mundesh,” ai thotë, “por, do të kishte shumë probleme dhe pengesa.”
Ai beson se problemi nuk është nëse Serbia e njeh ose jo Kosovën, por se çfarë ndodhë me Kosovën si shtet.
“A do të vazhdojmë edhe dhjetë vite të tjera të qendrojmë në të njëjtat pozicione? Të mos jemi të anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare dhe të mos mund ta ushtrojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar?” pyet ai “Apo do të ndërmarrim hapa që të ndryshojë kjo situatë?”
Për fund, analisti Mushkolaj thotë se nuk ka zgjidhje ideale, por shpreson që zgjidhja e ofruar nga politikanët kosovarë do të jetë të paktën më pak e dëmshme për Kosovën dhe se nuk do ta cenojë bërthamën e shtetit e nuk do ta bëjë Kosovën një shtet jofunksional.
“Nëse krerët [kosovarë] shtetërorë na thonë se nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi në mënyrën se si funksionon shteti i Kosovës, atëherë thjesht na rrejnë sepse ajo është e pamundur,” thotë ai. “Ne e dimë se dialogu është kompromis dhe marrëveshja do të jetë kompromis.”
Megjithëkëtë, ai është optimist për të ardhmen.
“Përfshirjen e Gjermanisë e shoh edhe me qëllimin që pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, një nga pozitat kryesore ta marrin gjermanët,” tha ai. “E, atëherë do të jetë njëmend një qasje më e ndryshme.”K
Fotografia kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0