S`fundmi | Demokraci

Serbët të ndarë në zgjedhjet e Kosovës

Nga - 09.06.2017

Partitë politike serbe të varura nga mbështetja e Beogradit.

Politikanët serb në Kosovë janë më të ndarë se kurrë më parë. Në zgjedhjet e së dielës, rreth 40,000 serbë do të kenë mundësi që të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës. Ata do të mund të zgjedhin prej pesë listave zgjedhore, kandidatët e së cilave po garojnë për 10 ulëse që janë të rezervuara për serbë, prej 120 ulëse që janë gjithsej në Kuvend.

Sivjet fushata është shënuar me telashe në mes të Partisë Serbe të Kosovës (PKS) dhe Listës Serbe, si dhe me presion politik, tërheqje dhe përpjekje të vështira për ta fituar mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe e ka numrin më të madh të kandidatëve që po garojnë në këto zgjedhje – gjegjësisht 12 burra e 8 gra – dhe udhëhiqet nga Slavko Simic. ndërsa ish-anëtari i Listës Serbe Aleksandar Jablanovic e udhëheqë PKS-në. Armiqësia e vazhdueshme në mes të këtyre dy burrave ka qenë në qendër të vëmendjes në këtë fushatë, dhe kryesisht e ka larguar vëmendjen nga çështjet që janë të rëndësishme për serbët e Kosovës.

Armiqësia e tyre arriti kulmin të dielën (4 qershor) kur anëtarë të dy partive u përleshën për disa postera që ishin vendosur në qendër të Komunës së Leposavicit. Kjo zënkë përfundoi me arrestimin e Jablanovic i cili u arrestuar për posedim të armës së zjarrit, ngase bartke armë me vete.

Lista Serbe pretendon se Jablanovic i kërcënoi anëtarët e saj me armë, pretendim që u mohua nga PKS, të cilët pretendojnë se lideri i tyre nuk e kërcënoi askënd, dhe se Lista Serbe e organizoi këtë incident.

Të nesërmën zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti, i tha mediave lokale se Jablanovic ishte liruar pasi kishte dhënë deklaratë. “Policia nuk merr deklarata prej njerëzve kur janë të dehur”, tha ai. “Kur u kthjellë, e liruam”, tha Hoti, duke shtuar se hetimet në lidhje me incidentin ishin duke vazhduar.

Jablanovic më vonë mbajti konferencë për shtyp në zyret e partisë së tij. Derisa ai po e shpjegonte ndodhinë, Simic e udhëhoqi një protestë të Listës Serbe jashtë. Gjatë kësaj proteste u rrah një aktivist i PKS, Milan Radojevic, i cili pësoi lëndime të lehta.

Roli i Beogradit

Këto incidente shërbejnë si ilustrim për natyrën kaotike të fushatës zgjedhore. Ndarja në mes të serbëve të Kosovës është më e theksuar se kurrë më parë, e kësaj ndarje i kontribuojnë zyrtarët në Beograd që kanë vendosur që ta mbështesin vetëm Listën Serbe, duke thënë se të gjithë kandidatët tjerë janë duke punuar kundër Serbisë dhe janë nën kontrollin e plotë të shqiptarëve.

“Ata po i blejnë njerëzit tanë që të mund ta themelojnë ushtrinë e Kosovës”, tha Presidenti serb Aleksandar Vucic për media në Serbi muajin e kaluar. “Një grup po kontrollohet nga [Ramush] Haradinaj, një tjetër nga [Hashim] Thaçi, dhe një tjetër nga një ambasadë. E rëndësishme është që të zgjedhin sa më shumë deputetë të Listës Serbe në mënyrë që ata të mund të vendosin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e ushtrisë së Kosovës. Ky është thelbi”, deklaroi ai.

Çështja e ushtrisë së Kosoës është ngritur direkt nga Lista Serbe në fushatën e tyre. “Fëmiu, kushëriri apo fqinji yt mund të detyrohet që ta vesh uniformën e ushtrisë së Kosovës që ata po duan ta themelojnë; do t’ua japin pushkën, e pastaj do ta përdorin një pushkë tjetër për t’i shtyer që të shkojnë në Kosovën veriore apo ndonjë vend tjetër”, tha kandidati i Listës Serbe Branimir Stojanovic në një tubim zgjedhor në Graçanicë me 2 qershor. “Obligim i yni është që t’u themi ‘jo’, sepse ata nuk kanë formuar ushtri në tri vitet e fundit vetëm për shkakun tonë, e nuk do ta krijojnë as në të ardhmën”.

Kjo pamundësi për të siguruar mbështetjen e Beogradit bëri që këtë javë lideri i Partisë Progresive të Kosovës, Aleksandar Grujic, t’i tërheqë kandidatët e tij nga zgjedhjet e së dielës. “Ne besojmë plotësisht në Serbinë dhe në përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime”, shkroi në një deklaratë të Partisë Progresive të Kosovës. “Jemi të bindur që Serbia do të jetë më efikase dhe do t’i mbrojë interesat e komunitetit serb në Kosovë”.

Jablanovic i PKS-së ka thënë se ai mendon që nuk po ndihmon Beogradi duke e mbështetur vetëm një listë. Ai gjithashtu tha se është ushtruar presion mbi disa prej kandidatëve të tij. Jablanovic theksoi shembujt e Goran Milicevic dhe Zlatko Sekulic, të cilët u tërhoqën nga lista e PKS-së në fund të majit. Jablanovic tha se u kishin bërë presion për ta bërë këtë. Ndërkohë, Nisma Aktive Civile, degë e Partisë Serbia Aktive, që u themelua para zgjedhjeve të fundit në Serbi nga një analist politik dhe një aktivist i dikurshëm i shoqërisë civile, Dusan Janjic, i dha fund marrëveshjes së koalicionit me Jablanovic me 23 maj.

Një tjetër që u tërhoq nga zgjedhjet është kandidati goran Rejhan Zurapi, që ishte pjesë e listës së Partisë Progresive Demokratike të Nenad Rasic. Një kumtesë për media që u publikua nga Zurapi me 26 maj e lajmëroi tërheqjen e tij si dhe aludoi se vendimi i tij ishte i  ndikuar nga vendimi i Beogradit për ta mbështetur vetëm një parti. “Populli goran asnjëherë nuk ka qenë kundër Serbisë, prandaj unë si goran mund ta mbështes vetëm alternativën politike që nuk është në kundërshtim me interesat jetike të popullit dhe shtetit serb”, shkroi në atë kumtesë.

Reagim zyrtar

Raportet për presion të ushtruar mbi kandidatë e parti gjatë fushatës zgjedhore kanë bërë që përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si dhe ata të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të Kosovës, të ngrisin zërin.

“Kandidatët e Kosovës kanë të drejtë themelore dhe demokratike për t’i udhëhequr fushatat e tyre në bazë të idealeve të tyre më të larta për të ardhmën e kësaj shoqërie, dhe ata duhet të kenë mundësi që ta bëjnë këtë pa u frikësuar apo kërcënuar nga askush”, thuhej në një kumtesë të përbashkët për media të Ambasadës së SHBA-së dhe Misionit të OSBE-së, në Kosovë.

Të martën (6 qershor), ambasadat Quint – ato të SHBA, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë – gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre për “raportet shumë shqetësuese për përpjekje për të ndikuar në rezultatet zgjedhore në Kosovë nëpërmjet kërcënimeve dhe frikësimit”. Ambasadat i bënë thirrjë autoriteteve lokale që t’i hetojnë këto kërcënime, duke thënë se veprimet e tilla janë “krejtësisht të papranueshme”.

Kreu i yrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, i ka bërë thirrje përfaqësuesve politik që po marrin pjesë në zgjedhje të parakohshme që të përmbahen nga ushtrimi i presionit dhe përdorimi i gjuhës fyese gjatë fushatës. Ndërsa kyetarja e KQZ-së, Valdete Daka, paralajmëroi se mund të gjobiten partitë politike që nuk veprojnë në përputhje me rregullat dhe dispozitat ligjore gjatë fushatës zgjedhore.

Votimi i së dielës për përfaqësues do të jetë vetëm hera e dytë që po merr pjesë veriu me shumicë serbe në zgjedhje të Kuvendit. Serbët në veri të Kosovës fillimisht morrën pjesë në zgjedhjet komunale të vitit 2013, pasi u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, e ndërmjetësuar nga BE dhe me synim që të normalizohen marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës; një vit më pas serbët e veriut gjithashtu morrën pjesë për herë të parë në zgjedhje për Kuvend.

Organizimi i procesit zgjedhor të sivjetëm në veriun e Kosovës përsëri po mbështetet nga OSBE. “Kemi kërkuar nga OSBE që të ofrojë këshilla vetëm për komisionet komunale dhe mbështetje teknike për komitetet e vendvotimeve”, tha së fundmi Daka e KQZ për BIRN. “Në veri kemi zyrtarë të ri që nuk kanë organizuar zgjedhje kurrë më parë”.

Listat tjera, kandidatët e së cilave po garojnë për ulëset e rezervuara për serbë në zgjedhjet e së dielës janë ato të Partisë së Pavarur Liberale të Slobodan Petrovic dhe Nismës për Begati të Slavisa Petkovic.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.