Pikëpamje | Të Drejtat e Grave

Shlyerja e grave të vrara të Kosovës

Nga - 13.11.2020

Shpërfaqja e mizogjinisë në sistemin e drejtësisë përmes shtatë rasteve.

Mitrovicasja 41 vjeçe Mirjeta Zeka-Shabani është e zhdukur që nga fundi i marsit 2019. Vëllezërit pretendojnë se e kanë parë për herë të fundit më 31 mars. Ajo po përgatitej të kthehej në Gjermani, ku kishte jetuar prej disa vitesh me bashkëshortin Nehatin që ka shtetësi të Kosovës dhe të Gjermanisë.

Familja e Mirjetës thotë se Prokuroria e Shtetit në Mitrovicë e ka “heshtur” rastin dhe se duhet të kishte pasur më shumë vëmendje ndaj veprimeve të burrit të saj, i cili është lejuar të kthehet në Gjermani pa u intervistuar fare lidhur me zhdukjen. 

Në ndërkohë, ka pak shpresë se Mirjeta mund të gjendet gjallë.

Vrasja e qëllimshme e grave për shkak se janë gra — që njihet si femicid — është trupëzimi më i skajshëm i dhunës ndaj grave. Nuk është çështje as e akteve të izoluara të dhunës së skajshme, as e një krimi që kryhet prej një grupi të vogël burrash që prihen nga mendjet e tyre mizore. Femicidi është pasojë e një ideologjie të trashëguar nga shekulli në shekull: e ideologjisë së mizogjinisë, pra urrejtjes së grave ose paragjykimeve të thella ndaj tyre dhe njerëzisë së tyre.

Kështu, vrasja e grave në baza gjinore i vishet një tradite të gjatë të dhunës ndaj grave në forma të ndryshme. Mungesa e të dhënave për femicidin në tërë botën dëshmon për shpërfilljen e jetëve të grave: sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbledhja e të dhënave për femicidin është sfiduese sepse në shumicën e shteteve, sistemet për grumbullimin e të dhënave policore dhe mjekësore që dokumentojnë rastet e vrasjes “nuk kanë informatat e duhura ose nuk raportojnë marrëdhënien mes viktimave dhe kryerësve ose motivet e vrasjeve, e jomë motivet gjinore për vrasjet”.

Një mungesë e tillë e respektit për jetët e grave është e rrënjosur në të gjitha kulturat, traditat dhe ligjet që lejojnë shlyerjen e jetëve të grave nga kujtesa kolektive, sikur gratë nuk meritojnë të kujtohen mirëfilli. Lloji më i shpeshtë i femicidit është ai që kryhet nga partneri intim, por gjithsesi mishërohet në mënyra të ndryshme, prej vrasjeve në emër të nderit deri te abortimi selektiv.

Në librin e saj “Down Girl: The logic of misogyny”, shkrimtarja amerikane Kate Manne prezanton nocionin e “herasure”, ose prirjen për t’i shlyer rrëfimet e viktimave — si dhe besueshmërinë e rrëfimeve të tyre — si pasojë e mohimit të “shërbimeve njerëzore” që burrat kërkojnë nga gratë. Meqë gratë pozicionohen si dhënëse njerëzore për nga aspekti social, Manne pohon që “individualiteti i tyre mbahet si borxh ndaj të tjerëve në formë të shërbimeve, dashurisë dhe besnikërisë”. Ajo që pason kur burrave u mohohen këto shërbime është dhuna.

Zejnepe Berisha

“Trupi gjykues ka qenë i obliguar të paktën ta japë një arsyetim motivin e vrasjes, pse ka ardhë”, ka thënë Esat Gutaj ndërsa shpjegonte ankesën që do ta dorëzonte si avokat i Nebi Berishës. Më 23 tetor 2015, Nebi Berisha vrau gruan e tij — Zejnepen 40-vjeçare — duke e therur 20 herë me thikë ndërkohë që katër fëmijët e tyre ishin në shtëpi. Njëra vajzë u lëndua kur u hodh për ta mbrojtur të ëmën.

“Motivi i krimit qëndron në dyshimin se gruaja e tij e ka tradhtuar atë me një polic në Suharekë”, ka vazhduar Gutaj.

“A ka prova?” pyeti një gazetare duke iu referuar pretendimeve për pabesinë e Zejnepes, të cilës Gutaj ia priti me “ka mjaft”.

Pandjeshmëria institucionale ndaj viktimave kosovare të femicidit është po aq e shpeshtë sa dhembshuria për vrasësit. “Ai ka nevojë për trajtim neuropsikiatrik, e jo për dënim, sepse njerëzit që nuk janë të përgjegjshëm për veprimet e veta nuk kanë vend në burg”, ka thënë Gutaj gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Apelit. Për më tepër, Gutaj u sigurua që ta fyejë publikisht viktimën duke e përligjur dhunën e pësuar nga Zejnepja me pretendime për pabesi. Një qasje e tillë vlen si paralajmërim për gratë e tjera se pabesia mund të çojë te vdekja e shkaktuar nga 20 therje me thikë.

Kanuni thotë se “Gjaku i grues s’bahet krahas me gjak të burrit.”

Fajësimi i grave të vdekura dhe poshtërimi publik i tyre kontribuon në përforcimin e ritualit ku gratë shihen si të padenja për t’u kujtuar mirëfilli dhe kështu, me kohë harrohen. Viktimat e femicidit në Kosovë kujtohen kryesisht si nëna që kanë lënë fëmijë jetimë, si viktima të pafat dhe ndoshta si tradhtare. Ka pak ose fare informata për atë se kush kanë qenë si individë.

Donjeta Pajazitaj

“Çka s’u folke ato ditë”, ka thënë një dëshmitar gjyqi duke zënë ngoje thashethemet në fshat gjatë gjashtë javëve kur 24-vjeçarja Donjeta Pajaziti ishte e zhdukur. Thuhet se ajo është rrëmbyer nga kushëriri i saj, 56-vjeçari Naser Pajazitaj, i cili e çoi te një mal i afërt dhe ia dha dy plumba në kokë. Gjashtë javë më vonë, disa fshatarë e gjetën trupin e saj të mbuluar me drurë. Kushëriri i saj është dënuar me burgim të përjetshëm dhe tani është në burg.

Burrat kosovarë në përgjithësi besojnë se nderi i burrit është më i rëndësishëm se jeta e gruas. Kur Esat Gutaj mbron klientin Nebi Berisha duke përligjur krimin e skajshëm që ka kryer ndaj gruas Zejnepe, ai artikulon publikisht besimin që shumë burra (dhe disa gra po ashtu) nuk ngurrojnë ta shprehin në rrethana joformale se “dikush nuk kryen krim të tillë pa e pasë një arsye”.

Burrat po ashtu mobilizojnë njëri-tjetrin për t’i legjitimuar ligjet zakonore shqiptare të përmbledhura në Kanun, ku thuhet se “Gjaku i grues s’bahet krahas me gjak të burrit”. Ndërsa mbanin zi për humbjen e dhunshme të bijës dhe motrës së tyre të dashur, familja e Donjetës po ashtu është dashur të merren me trysninë e pleqve të fshatit që familjet të pajtohen me familjen e vrasësit: të falin dhe të harrojnë.

Në vend se të nderohet vajza e vrarë, jeta e Donjetës u trajtua si e parëndësishme: dhimbja dhe zemërimi i familjes u mbyt në një proces të përciptë të pajtimit nga njerëzit e fshatit ku ajo është rritur, ka luajtur si fëmijë, ka shkuar në shkollë dhe ku është pjekur.

Valbona Marku 

Në maj të vitit 2019, shtëpia ku jetonte Valbona Marku është bërë shkrumb e hi. Shtëpia ishte braktisur pasi 34-vjeçarja Valbona ishte vrarë me armë nga bashkëshorti Pjetër Ndrecaj në gusht 2018. Pasi kishte mbijetuar vite të tëra përplot dhunë të rëndë nga bashkëshorti, Valbona u vra në shtëpinë e të atit në fshatin Brekoc ku kishte shkuar për t’u arratisur. Plumbat e kalashnikovit të Ndrecajt po ashtu ia morën jetën bijës së tyre Klara.

Pas vrasjes së planifikuar të Valbonës, Ndrecaj ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit. Sidoqoftë, Gjykata Supreme anuloi vendimin në fjalë dhe e ktheu rastin në rigjykim për shkak të pretendimit të Ndrecajt se kishte vrarë të bijën aksidentalisht.

Shkaku i zjarrit në shtëpinë e Valbonës mbetet i panjohur, por ky incident mund të shërbejë si porosi simbolike për mënyrën se si po e trajton gjyqësori rastin e saj, duke punuar në të mirë të vrasësit dhe duke e shkrumbuar domethënien e jetës së saj dhe të viteve plot dhunë të cilave u është nënshtruar.

Antigona Morina

Antigona Morinës ia ujdisën një martesë dhe tri ditë pas dasmës, ajo ishte e vdekur. Përdhunimi martesor që çoi te vdekja e saj është koncept joekzistues për Gjykatën Themelore të Gjakovës dhe për degën e saj në Rahovec që, me një dhembshuri të përbrendësuar për kryerësin e dhunës seksuale, përdorën Kodin Penal për ta klasifikuar vdekjen e Antigonës si “shkelje të obligimeve familjare”. Kështu, bashkëshorti u shpall fajtor vetëm për “mossigurimin e kujdesit mjekësor” pasi Antigona pësoi hemorragji për dy ditë me radhë — ai kurrë nuk u përball me akuza për përdhunim ose vrasje.

Ankesa që është nxjerrë nga prokuroria disi është zhdukur; është thënë se ankesa ka mbërritur por dokumenti mungonte. Mos të ishin raportimi mediatik dhe aktivizmi feminist për këtë rast, shoqëria kosovare nuk do të merrte vesh kurrë për Antigonën dhe për atë që i ka ndodhur, kurse dosja e saj do të fshihej nga Gjykata Themelore e Rahovecit.

Dafina Zhubi

“Ishte vetëvrasje”, kishte deklaruar Prokuroria e Shtetit në Prishtinë. Dafina Zhubi është gjetur e vdekur në banesën e të dashurit të saj më 17 shkurt 2016 si një tjetër viktimë e dyshuar e femicidit nga partneri intim. I vetmi i dyshuar ishte i dashuri Astrit Dibra, pronar i një kasinoje, i cili u lëshua; rasti u mbyll si vetëvrasje. U desh ekspertiza zvicerane për të dëshmuar që Dafina nuk ka kryer vetëvrasje por është vrarë. Astrit Dibra është arratisur nga vendi dhe nuk është gjykuar kurrë për vrasjen e Dafinës.

Diana Kastrati

Një skenar i ngjashëm është parë në vitin 2011 në rastin e vrasjes me armë të 35-vjeçares Diana Kastrati. Një gjykatës kishte refuzuar t’ia lejonte Dianës urdhrin mbrojtës emergjent kundër ish-bashkëshortit dhe pastaj ajo është vrarë me plumb në pikë të ditës vetëm disa metra larg shtëpisë së saj në Prishtinë. Ajo po shkonte në fakultet ku studionte mjekësi. Ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari besohet se është në Spanjë dhe nuk mund të sillet këtej sepse Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe nuk ka marrëveshje të dyanshme të ekstradimit me Spanjën.

“Çohu dhe shko në ligjërata. Ke të ardhme të ndritur para teje”, i kishte thënë Dianës nëna Makfire ditën që është vrarë. Me pendim të thellë dhe duke fajësuar paksa veten që e kishte zgjuar atë mëngjes, Makfirja qan nga malli për ta prekur, për ta mbajtur dhe për ta nuhatur të bijën:

“Do të doja të kisha përqafuar shumë… fuqishëm… aq shumë sa të ngihesha gjith jetën tani pa ty. A ka nanë që ngihet me evlad?”, ka shkruar ajo në mediat sociale.

Edhe pse shteti ka kompensuar familjen Kastrati, Makfirja e di që vrasja e Dianës nuk është rast i izoluar, por është sistematik: “U banë tetë vite e edhe vajza të tjera po vriten e shteti po i mbyll sytë”, ka shkruar ajo në vitin 2019.

Duke mos mundur t’i mbrojë qytetaret, ta përmirësojë vetveten ose të marrë përgjegjësi të plotë, shteti bën pikërisht atë që bëjnë burrat abuzues ndaj grave.

Kuvendi i Kosovës ka nderuar për herë të parë viktimat e femicidit. Më 25 shtator 2020, në ditën kur Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit, është shtuar si amandament në Kushtetutën e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila atëkohë ishte kryeparlamentare, ka thënë:

“Vota juaj pro këtij amandamenti është vetëm një kërkimfalje që nuk arritëm të bëjmë asgjë t’i mbrojmë gratë përpara se të vriten”. Osmani më tej ia kushtoi votën Zejnepes, Donjetës, Valbonës dhe Klarës, Antigonës, Dianës, Dafinës e grave të tjera për të cilat ka thënë se “shteti dështoi t’u ofrojë siguri”.

Lumnija, nëna e Donjetës, ka rënë deri diku në paqe kur është gjetur trupi i Donjetës. “Më është dukur si e kam gjetur të gjallë”, ka thënë ajo, duke shtuar se është lehtësuar që bija e saj “nuk është [më] në dorë të hasmëve”. Ndonëse të gjitha këto gra kanë pësuar vdekje të dhunshme në duar të burrave, armiku i vazhdueshëm i sigurisë dhe lirisë së grave është mizogjinia që promovohet hapur nga sistemi gjyqësor i Kosovës.

Duke mos mundur t’i mbrojë qytetaret, ta përmirësojë vetveten ose të marrë përgjegjësi të plotë, shteti bën pikërisht atë që bëjnë burrat abuzues ndaj grave: gjen një mënyrë për t’i fajësuar gratë dhe për t’ua mohuar mundësinë të kujtohen me respekt dhe njerëzi. Kjo jo vetëm që parandalon drejtësinë për gratë e vrara, por edhe përforcon traditën e varrimit të rrëfimeve të këtyre grave bashkë me trupat e tyre.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.