Blogbox | Rinia

Shoku i përkundërt kulturor

Nga - 24.11.2020

Jeta pas Kosovës.

Vera e vitit 2017 ishte kohë përcaktuese në jetën time. Sapo kisha përfunduar vitin e parë në Universitetin RIT, në kampusin kryesor në Nju-Jork. Po planifikoja të shkoja në pjesën tjetër të botës për ta kaluar verën në një vend për të cilin pothuajse nuk dija asgjë.

Atë vit, ditët verore me shi në Prishtinë mirëpritën një djalosh 19 vjeçar flokëverdhë e të pakrehur. I armatosur me hormone të vrullshme të adoleshencës dhe padjallëzisë rinore, zbrita nga aeroplani në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari për të punuar si praktikant në Gazetën Express, ku kalova tre muaj.

Më pëlqente çdo grimë bukurie prapa rrëmujës së Kosovës.

Ata tre muaj u shndërruan në tri vite dhe djaloshi 19 vjeçar që isha dikur është larg nga të qenët ai që jam sot. Kurrë në të vërtetë nuk kam pasur një identitet, apo një vend dhe njerëz që i kam quajtur të mitë. I rritur në tri kultura të ndryshme, me një baba danez dhe një nënë kolumbiane, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës në Uashington, për mua ishte e vështirë ta kuptoja se kush isha.

Megjithatë, kjo kishte disa përparësi pasi më mundësoi të mësohem shpejt në ambiente të reja. Shoku kulturor nuk ishte problem për mua pasi shpejt u familjarizova me jetën në Kosovë.

Gjetja e shtëpisë

Pas ca kohësh, Kosova u bë shtëpia ime; gjeta njerëzit e mi, e gjeta veten, dhe mbi të gjitha zbulova se çfarë doja të bëja me jetën time: të bëhesha gazetar. U diplomova nga RIT Kosovo, punova për shumë media dhe e mësova gjuhën shqipe.

Dikur u ndjeva se isha vendas, jo danez, kolumbian apo amerikan. Shokët më thërrisnin “Kupi”, shkurt për verzionin shqip të emrit tim “Jakup” apo “Portokall”. Jetoja në zemër të një prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës, Dardanisë, me shokë nga Peja dhe po ashtu shkova me disa vajza shqiptare.

Ndonjëherë, kur njerëzit më pyesnin “Prej kahit je?” si me gjysmë shakaje përgjigjesha “Jom gjysmë danez, gjysmë kolumbian, ama në zemër jom shqiptar”. Nuk kisha pse t’i thirrja shokët për t’i pyetur nëse kishin dalë për pije, thjesht shkoja te Kafet e Rakisë dhe shihja kush ishte aty, teksa pija birrën Peja në minutë. Madje edhe zonjat në furrat e bukëve më quanin “i huaji”, kur shkoja çdo mëngjes për burek të nxehtë apo fli para se të mbërrija në shkollë apo punë. Në një mënyrë, isha prishtinali për të gjithë që më njihnin.

Gjatë këtyre kohëve, më merrte malli me gjithë zemër për Kosovën kur i vizitoja “shtëpitë” e mia të tjera — ShBA-në, Kolumbinë apo Danimarkën. Sepse, në mendjen time, më thërrisnin rrugët e Bulevardit Nëna Terëzë dhe shtigjet e Parkut të Gërmisë; më pëlqente bukuria prapa rrëmujës së Kosovës.

Lamtumira

Nëna ime në vazhdimësi më pyeste, “a do ta kalosh me të vërtetë gjithë pjesën tjetër të jetës atje?” Shumica e të huajve vijnë në Kosovë sepse i sjell puna, por unë erdha sepse kisha dëshirë dhe qëndrova sepse kisha dëshirë; mbase, po të doja do ta kaloja jetën time aty gjithashtu.

U ndjeva i huaj, kisha kaluar aq shumë kohë jashtë vendit saqë nuk më dukej vetja si dikush nga Danimarka.

Kur u afrua dita e diplomimit nga RIT Kosovo në maj të vitit 2020 — në mes të dëshpërimit që po përfshinte botën për shkak të COVID-19 — është dashur të vendos se a dua të qëndoj apo të largohem nga vendi që kisha në zemër.

Si për djall, e shkrova edhe një letër lamtumire në një konkurs shkrimesh të organizuar nga Komuna e Prishtinës, që nxori ndjenjat e mia në letër. Nuk mund të qëndroja në Kosovë për t’i vazhduar studimet master; u desh të shkoja në Danimarkë ku mund të gjeja një shkollim më të mirë, pasi universitetet në Prishinë nuk ofronin shumë.

Ishte një moment gjatë verës në një udhëtim, kur isha në një festë në Vlorë, në bregdetin shqiptar, dhe këngët tradicionale popullore filluan të lëshoheshin me zë të lartë nga një altoparlant. Natyrisht, të gjithë formuan një rreth dhe nisën ta vallëzonin “Vallen e Gajdes”, një valle e zakonshme që luhet në dasma. Për disa arsye, instinktivisht më erdhi ta kapja shaminë dhe fillova ta luaja pjesën time në fund të rreshtit, hap pas hapi. Të gjithë u çuditën, madje edhe unë.

Në gusht 2020, pas një lamtumire prekëse me miqtë e mi — të cilët tanimë i konsideroja familje — mbërrita në Danimarkë, duke u rimësuar me mënyrën daneze të jetesës, ku të gjithë merreshin me veten dhe çdo gjë duhej të ishte perfekte në një shoqëri kolektiviste. U ndjeva i huaj; kisha kaluar aq shumë kohë jashtë vendit saqë nuk më dukej vetja si dikush nga Danimarka.

E doja një dyner prej Tatlisesit, i thirrja shokët për ta praktikuar shqipen, kërkoja taksi ilegalë për të më dërguar në universitet kur e humbisja autobusin, por mbi të gjitha më mungonte një shoqëri ku njerëzit ishin më të gatshëm të ndanin lumturinë dhe shtëpinë e tyre me të tjerët.

Shoku i përkundërt kulturor

Kur erdha fillimisht në Kosovë nuk përjetova shok kulturor, kyesisht për shkak të kulturës vërtet mikpritëse shqiptare dhe edukimit tim. Në vend të kësaj, përjetova shok të përkundërt kulturor kur u largova nga Kosova.

Dean Foster, themeluesi dhe presidenti i DFA Intercultural Global Solutions e përshkruan shumë mirë termin në një intervistë me Expatica.com: “Shoku i përkundërt kulturor përjetohet atëherë kur ktheheni në një vend që prisni të jetë shtëpi, por që nuk është më i tillë. Është shumë më delikat, andaj është më vështirë për t’u përballuar”.

Duke shpresuar që nuk isha i vetmi që po e përjetoja këtë në jetën pas Kosovës, bisedova me disa nga miqtë e mi të cilët po ashtu u kthyen në vendet e tyre pasi kishin kaluar vite atje. Të gjithë i ndanin të njëjtat mendime që kisha; të gjithë e ndjenim që vendi të cilin dikur para Kosovës e quanim shtëpi, kishte ndryshuar kur u kthyem.

Mosha 18 deri në 22 vjeç është më e rëndësishmja në jetë — kalimi nga fëmijëria në pjekuri — dhe nuk do të pendohem kurrë se përjetova këtë kohë në Prishtinë.

Megjithatë, nuk ishte pikërisht ashtu. Nuk ishte vendi që kishte ndryshuar, por ishim ne.

Një ditë do të kthehem

Sinqerisht, po të mos ishin kufizimet për udhëtime për shkak të pandemisë, do ta vizitoja Prishtinën të paktën një herë në muaj. Isha në depresion, në fillim kur fillova të jetoja në Aalborg të Danimarkës. Më mungonin shokët, ndenjat në kafene dhe dilemat se çfarë do të bënim atë natë: të shkonim te Miqt Pub, Soma ose në Klubin M dhe ta merrnim nga një hamburger te Fati gjatë rrugës për në shtëpi.

Në Danimarkë nuk e njihja askënd, përveç disa familjarëve. Madje dikur i pyeta shokët nëse kishin ndonjë familjar në Danimarkë me të cilët do të mund ta praktikoja gjuhën shqipe. U ndjeva si “shaci”, një term për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kthehen në Kosovë gjatë verës.  

Shokët e mi në Kosovë filluan të më thërrasin ashtu me shaka, kur ua tregova planet e mia për ta kaluar çdo verë në Kosovë, siç bëjnë çdo vit shumë prej familjeve të tyre në Zvicër, Gjermani apo Austri. Mbase nuk do të befasoheshin po të kthehesha verën e ardhshme me një tatuazh shqiponje në shpinë! 

Mosha 18 deri në 22 vjeç është më e rëndësishmja në jetë — kalimi nga fëmijëria në pjekuri — dhe nuk do të pendohem kurrë se përjetova këtë kohë në Prishtinë. Edhe pse jeta ime e tanishme është në Danimarkë, shoku i përkundërt kulturor më bëri të kuptoj se si Kosova është bërë shtëpi për mua dhe se sigurisht do të kthehem një ditë.  

Prandaj, kur u largova i pata thënë vetes dhe të gjithëve që i njihja: “Ta jap besën se do të kthehem një ditë, Prishtinë.” Ta jap fjalën, një ditë do të kthehem, Prishtinë.  

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO