Në thelb | Zgjedhjet Lokale 2017

Shpend Ahmeti vs. Arban Abrashi

Nga - 14.11.2017

Kandidatët nga Vetëvendosje dhe LDK synojnë kryeqytetin.

Më 19 nëntor të këtij viti, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për postin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Arban Abrashi, do të shkojnë në balotazh me shpresë për të fituar pozitën e të parit të kryeqytetit të Kosovës. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, që u mbajtën më 22 tetor, Ahmeti mori 43.6 për qind të votave, ndërsa Abrashi 35.8 për qind.

Qysh nga fillimi i fushatës zgjedhore, kandidatët ishin shprehur se garën për Prishtinën e shohin mes njëri-tjetrit, andaj edhe sulmet ishin adresuar kryesisht ndaj njëri-tjetrit.

Ahmeti shpeshherë ka bërë krahasimin ndërmjet qeverisjes së tij dhe atë të LDK-së në të kaluarën, duke thënë se ekzistojnë dy opsione të qarta: ‘‘Kthimi i Prishtinës nën qeverisjen e atij grupi që e kanë sjellë qytetin në atë situatë që e kemi gjetur ose ecja përpara”, që ai thotë se e sheh të domosdoshme për Prishtinën.   

Por kritikat nuk kanë munguar as nga ana e Abrashit, i cili Shpend Ahmetin e akuzon për mosrealizim të një sërë projektesh të premtuara, dhe përdorim të mbi 60 për qind të buxhetit komunal për ‘‘shpenzime operacionale’’, derisa vetëm 40 për qind, sipas tij, janë përdorur për investime kapitale.

Por përveç kritikave, akuzave e sulmeve, të dy kandidatët kanë paraqitur edhe programet qeverisëse për katër vitet e ardhshme.

Fushat ku orientohen më shumë këto premtime kryesisht janë ajo e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, si dhe shërbimeve publike.

Ahmeti i ka shpalosur projektet e tij në programin e quajtur ‘‘Jepi krahë Prishtinës’’, e që prek dhjetë fusha me gjithsej 100 zotime; ndërsa Abrashi garon me ‘‘Programin për Prishtinën’’ me projekte të ndara në tetë fusha.   

Rritja e numrit të asambleistëve të subjektit politik që ai përfaqëson, për Ahmetin ka qenë një nga qëllimet e kësaj fushate, meqë sipas tij numri i vogël i asambleistëve në krahasim me opozitën e  ka penalizuar atë në mandatin e kaluar, ku thotë se ka qenë i bllokuar në Kuvendin Komunal.

Pastrimi i Prishtinës nga mbeturinat është puna e parë që ai do ta ketë parasysh, duke e renditur edhe si prioritetin e tij kryesor në programin e tij qeverisës.

Abrashi në anën tjetër ka potencuar gjatë fushatës zgjedhore se pika më e fortë të tij karshi kryetarit aktual është qasja e tij më bashkëpunuese si me Kuvendin Komunal ashtu edhe me institucionet qendrore apo donatorët e jashtëm. Ndërsa sa i përket programit të tij, ai ka theksuar se është e vështirë të veçohet ndonjë prioritet sepse ‘‘secili sektor ka një problem në vete’’, dhe se ai është orientuar që për secilën lagje të japë zotime.

Pikë kthese në qeverisjen e Prishtinës, sipas tij, do të jetë orientimi i buxhetit në investime kapitale dhe kjo ‘‘do t’i japë Prishtinës karakter zhvillues’’, dhe se nga kjo do të mund të gjeneroheshin rreth 30 mijë vende të reja të punës.

K2.0 paraqet një përmbledhje të premtimeve të bëra prej tyre, si dhe fushat ku orientohet më shumë këto premtime e që kryesisht është ajo e arsimit, e shëndetësisë, e infrastrukturës, si dhe fusha e shërbimeve publike.

Arsimi    

Në programin ‘‘Jepi krahë Prishtinës’’, Ahmeti e nis trajtimin e fushës së arsimit me një përmbledhje të projekteve të realizuara gjatë mandatit të kaluar. Ai përmend funksionalizimin e shtatë çerdheve me bazë në komunitet, shpërndarjen gjatë katër viteve të mbi 10 milionë shujtave për nxënësit e klasave 1 deri 4 [në të gjitha shkollat fillore publike],  integrimin e afër 450 nxënësve me nevoja të veçanta në arsim, pajisjen e shkollave me 102 laboratorë, funksionalizimin e shtatë bibliotekave nëpër shkolla dhe pajisjen e 29 objekteve edukative e arsimore me mjete teknologjike.       

Premtimet e Ahmetit, në rast se fiton edhe një mandat, janë ndërtimi i pesë shkollave të reja me lokacion në lagjet: Mati 1, Kalabri, Sofali, Arbëri dhe Veternik. Në programin e tij thuhet se punimet do të fillojnë në tetor të vitit të ardhshëm, dhe se mjetet janë të siguruara për këto projekte, me një marrëveshje me Bankën Botërore. Gjithashtu, në një debat televiziv Ahmeti ka theksuar se do të renovojnë edhe dy shkolla të tjera, por që nuk ka bërë të ditur se cilat janë ato shkolla dhe sa do jetë kostoja e atij intervenimi.      

Në vazhdën e investimeve në infrastrukturën shkollore, Ahmeti ka premtuar se do të ndërtojë edhe katër çerdhe të reja, të shpërndara në disa lagje duke vënë theksin në çerdhen e re në Bardhosh e cila do të jetë multietnike, dhe se mjetet janë të siguruara e punimet pritet të fillojnë në vitin 2018.

Në anën tjetër edhe Abrashi parasheh ndërtimin e shkollave të reja, dhe si hapësirë për këtë ka përmendur “Prishtinën e re”. Ai po ashtu premton investime në infrastrukturën e shkollore të cilën e sheh si parakusht për cilësi. Ai premton ndërtimin e shtatë shkollave të reja, nëntë çerdheve, ndërtimin e shkollës së muzikës, renovimin e objekteve shkollore të shkollave të mesme, shtimin e anekseve nëpër shkolla ‘‘kudo që ka nevojë’’, pajisjen e sallave të edukatës fizike me mjete të nevojshme.

Abrashi në anën tjetër, investimet e tij në arsim premton se do t’i vazhdojë me pajisjen e laboratorëve të shkollave, implementimin e ditarëve elektronikë, mësimin gjithëditor, funksionalizimin e bibliotekave, pastaj brenda 4 apo 6 viteve largimin e dërrasave të zeza dhe vendosjen e dërrasave digjitale, pajisjen e të gjithë profesorëve me laptopë personalë, si dhe sponzorizimin e “Ditës së Shkollës” për çdo vit, me ç’rast do të organizohej një darkë solemne për profesorët e asaj shkolle.  

Edhe kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, beson se duhet të aplikohet mësimi gjithëditor. Ai përmend pilot-projektin që është aplikuar në disa shkolla të Prishtinës gjatë mandatit të kaluar, dhe në bazë të kësaj përvoje janë bërë edhe hulumtime se a është e nevojshme mbajtja e mësimit edhe në të ardhmen.

Pjesë e diskutimeve të dy kandidatëve ishin edhe shujtat për nxënës; Ahmeti ka thënë se do të shikohet të reformohet kjo praktikë, duke i përmendur edhe frutat si mundësi për t’iu shtuar shujtës së nxënësve; Abrashi në anën tjetër ka thënë se shujtat për nxënësit duhet të jenë të nxehta.

Shëndetësia

Themelimi i Spitalit të Qytetit është një nga pikat e cila gjendet në programet e të dy kandidatëve. Ahmeti në programin e tij politik thotë se Prishtina është i vetmi regjion prej regjioneve të mëdha që nuk ka spital të shërbimeve sekondare dhe kjo e bën të domosdoshëm ndërtimin e këtij spitali, i cili gjithsesi duhet të jetë në afërsi të QKUK-së.

Duke u nisur nga puna e deritashme, Ahmeti ka dhënë katër zotime në fushën e shëndetësisë. Ai beson së është bërë punë e madhe në këtë fushë gjatë mandatit të deritashëm, ku përmend se 85 për qind e pacientëve kanë marrë shërbime në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF), të cilat, sipas tij, janë reformuar gjatë katër viteve të kaluara. Ahmeti tregon se këto qendra i kanë vizituar 1.2 milionë pacientë dhe janë kryer mbi 2.4 milionë shërbime.

Premtimet e Ahmetit gjatë mandatit të ardhshëm janë; ndërtimi i Qendrës për Autizëm dhe Sindromin Down. Ai thotë se për këtë projekt është ndarë lokacioni dhe mjetet tashmë janë të siguruara dhe punimet priten të fillojnë në fillim të vitit 2019. Zgjerimi i rrjetit të QMF-ve në programin e kryetarit aktual është edhe ndërtimi i një qendre të tillë në lagjen Veternik. Pas përfundimit të këtyre qendrave gjithashtu parashihet të bëhet zonimi i qytetit për shëndetësinë primare dhe vazhdimi i përmirësimit të shërbimeve të këtyre qendrave, e që nënkupton edhe krijimin e një databaze me informata të sakta për atë se sa banorë mund të mbulojë një qendër mjekësore me shërbimet e saj, cilat zona të qytetit mund të mbulohen si dhe kapacitetin për ofrimin e shërbimeve në ato zona ku janë të vendosura qendrat.

Edhe Arban Abrashi në programin e tij për Prishtinën parasheh kompletimin e rrjetit të QFM-ve sipas ‘‘standardit 1 QMF në 10 mijë banorë dhe 1 mjek specialist dhe 2 infermierë për 2 mijë pacientë’’. Ndërtimi i një QMF-je në lagjen e Veternikut është gjithashtu pjesë e programit të Abrashit, si dhe vlerësimi i nevojës për një qendër të tillë në lagjen Mati 2.

Hartimi i master-planit për nevojën e zgjerimit të rrjetit të ambulancave sipas rritjes së qytetit është një pikë tjetër që e trajton ‘‘Plani për Prishtinën’’. Këtu poashtu hyn kompletimi i QFM-ve me pajisje moderne dhe autoambulanca, kabinetet e rëntgenografisë dhe mamografisë, si dhe funksionalizimi i plotë i laboratorëve si disa prej premtimeve të tjera që Abrashi i bën në fushën e shëndetësisë. Abrashi parasheh edhe zgjerimin e shërbimit shtëpiak mjekësor, ku premton se në vitin e parë të qeverisjes së tij do të funksionalizojë 8 ekipe mjekësore mobile të cilat do të ofronin shërbime mjekësore nëpër shtëpi të atyre familjeve që nuk kanë mundësi t’i vizitojnë qendrat mjekësore.  

Infrastruktura

Përgjatë viteve, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar se buxheti, qoftë ai komunal apo qendror, është i orientuar në asfalt. Mirëpo, kandidati i tyre për kreun e komunës më të madhe në vend në programin e tij ka vënë theks të veçantë edhe në investimet në infrastrukturë. Në njërin prej zotimeve të Ahmetit thuhet: ‘‘… Komuna e Prishtinës do të ndajë buxhet substancial për infrastrukturën rrugore në qytet dhe fshat’’.  

Dy projekte që zënë vend në zotimet e Ahmetit për mandatin e ardhshëm janë: ndërtimi i ‘‘Rrugës A’’ që është vazhdimësi e ‘‘Rrugës B’’ në Mati I, si dhe lidhja e Rrethit të Fushë Kosovës me lagjen Arbëria. Ky projekt tashmë ka filluar por ende nuk ka përfunduar.

Dy projekte që kanë filluar gjatë mandatit të kaluar, por që nuk kanë përfunduar ende janë pjesë e zotimeve të Shpend Ahmetit edhe për katër vitet e ardhshme. Këtu bën pjesë përfundimi i dy kolektorëve të kanalizimit në Mat dhe Kalabri, të cilat, sipas tij, janë të kushtueshëm, por që janë me prioritet në mandatin e ardhshëm.

Zotim tjetër i Ahmetit është edhe që në bashkëpunim me partnerë/donatorë ndërkombëtarë të bëjë një studim të fizibilitetit për ndërtimin e unazës në Prishtinë. Sipas tij, ky studim do të përdoret në diskutime me Qeverinë e Kosovës për prioritetizimin e mundshëm të unazës. Pastaj përmend edhe investimet dhe intervenimet e vogla në infrastrukturën e çdo lagjeje, ku vetëm për ndërtimin e fushave të sportit dhe rekreacionit nëpër lagje të ndryshme premton se do të realizojë projekte me vlerë 4 milionë euro.

Abrashi qysh në fillim të fushatës së tij ka bërë të ditur se është e pakuptueshme se si Komuna e Prishtinës në katër vitet e fundit nuk ka bërë më shumë investime kapitale. Ai ka përmendur se në fokus të punës së tij në rast se fiton garën për udhëheqjen e komunës do jenë investimet e tilla. Në programin e tij, Abrashi parasheh që të ketë më shumë projekte kapitale, ku përmend shkollat, rrugët, unazat dhe kolektorë të ujërave të zeza dhe rezervoarë të ujësjellësit.

Ai premton se do t’i ndërtojë këto rrugë: rrugën A dhe vazhdimin e rrugës B; pastaj unazën qendër në Prishtinë me vazhdimin e rrugës tek hekurudhat nga rrethi i Arbërisë deri tek rrethi i madh Fushë Kosovë; rrugën ‘‘Barjam Bahtiri’’ në Llukar; si dhe rrugën nga shkolla e  mesme ‘‘Sami Frashëri’’ në drejtim të tregut të gjelbër.  

Ndërtimi i kolektorit fekal, atmosferik dhe ujësjellësit janë premtime të tjera të Abrashit.  

Përmirësimi i infrastrukturës urbane dhe rurale dhe investimet në funksionalizimin e së paku gjashtë zonave ekonomike janë disa nga premtimet e Abrashit. Sipas tij, tregu me shumicë do të kthehet në pronësi të komunës dhe do të ketë investime për rregullimin e infrastrukturës së tij, ku ndër tjera do të investohet që të ketë edhe tregje të tjera në çdo lagje.

Abrashi parasheh edhe vazhdimin e bashkëpunimit me nivelin qendror për ndërtimin e Qendrës Nacionale për Sport dhe Stadiumit Kombëtar ‘‘Arena Dardania’’ në Bërnicë të Poshtme në Komunën e Prishtinës.

Fasadimi i ndërtesave në Prishtinë është një tjetër premtim i Abrashit. Kur u pyet se sa do të kushtojë ky investim, gjatë një debati televiziv në Rubikon, Abrashi tha: ‘‘jemi duke llogaritur por këtë investim por që nuk do të kisha dashur të flas më shumë, sepse po mendojmë ta bëjmë me bashkëfinancim’’, duke mos sqaruar më tej se për çka bëhet fjalë.

Abrashi ka përmendur edhe studime të fizibilitetit për mundësi të shtrirjes së rrjetit të tramvajit në Prishtinë. Përveç kësaj, Abrashi ka thënë se do të ketë edhe studim fizibiliteti për metro, edhe pse shprehet se është i vetëdijshëm se ky është një investim kapital shumë i lartë.

LVV dhe LDK konsiderohen dy rivale të ashpra në këto palë zgjedhje lokale, sidomos për të parin e kryeqytetit të Kosovës, ku qytetarët e të cilit do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy partive të cilat tashmë veçse i kanë parë në qeversije në Prishtinë.

Se cili do të ketë mundësi ta dëshmojë veten në realizimin e gjithë këtyre premtimeve dhe bërjen e Prishtinës europiane siç synojnë të dy kandidatët nga radhët e VV-së dhe LDK-së, do të shihet pas balotazhi për udhëheqjen e Prishtinës, i cili do të zhvillohet ndërmjet këtyre dy subjekteve politike të cilat në vitet e fundit kanë pasur shumë përplasje mes vete. Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Shpend Ahmeti, në fund të vitit 2013 kishte arritur që nga qeverisja e Prishtinës ta largojë LDK-në e cila qysh prej përfundimit të luftës ishte në krye të komunës.    

Pak kohë pasi Ahmeti mori udhëheqjen e Prishtinës, ishin dërguar dosje në Prokurori me supozimin se qeverisja e Isa Mustafës kishte bërë shkelje ligjore dhe se do të duhej të hetoheshin. Më vonë, edhe gjatë qeverisjes së vendit nga LDK-ja tensionet mes këtij subjekti dhe VV-së ishin të shumta, ku ata edhe e akuzonin VV-në se kishte sulmuar Kryeministrin Mustafa duke ia rrezikuar madje edhe jetën.  

Kështu, LVV-ja dhe LDK-ja konsiderohen dy rivale të ashpra në këto zgjedhje lokale, sidomos për të parin e kryeqytetit të Kosovës, qytetarët e të cilit do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy partive të cilat tashmë i kanë parë në qeverisjen e Prishtinës.K

Ilustrimi K2.0.