Pikëpamje | Migrimi

Si Gjermania e ndali numrin e madh të azilkërkuesve nga Ballkani

Nga - 17.08.2018

Mundësitë e migrimit legal për në Gjermani u rritën nga presioni i azilkërkuesve në vitin 2015.

Në maj të vitit 2015, isha i ulur në një dhomë plot me azilkërkues dhe disa zyrtarë gjermanë në një qendër azili në Gjermani. Atje isha vullnetar si një përkthyes shqiptaro-gjerman për qendrën e azilit që kishte të bënte me një numër të madh kërkesash për azil nga qytetarët kosovarë dhe shqiptarë. “U thoni atyre se kanë pothuajse zero mundësi për të marrë azil këtu,” më tha zyrtari gjerman. “Ne gjithsesi duam ta provojmë fatin tonë”, u përgjigjën azilkërkuesit.

Ndërsa po përktheja shqetësimet e azilkërkuesve, të cilët kishin ardhur në Gjermani për të punuar dhe për të qendruar në qendrat e azilit, një prej tyre bërtiti: “Nuk dua azil, dua të punoj! Përkthejeni!”.

Atë vit, Kosova dhe Shqipëria ishin ndër vendet që patën numrin më të madh të azilkërkuesëve në Gjermani, krahas vendeve në gjendje lufte në Lindje të Mesme. Bile Shqipëria radhitej menjëherë pas pas Sirisë dhe u pasua nga Kosova, duke lënë pas Irakun e Afganistanin për nga numri i azilkërkuesëve.

Numri i rritur i azilkërkuesve kishte të bënte me faktorë të llojllojshëm, si papunësia e mungesa e perspektivës në Ballkan, numri i madh i dezinformatave nga trafikantët se shqiptarët do të mund të punonin atje,  sistemi i azilit në Gjermani që jipte pagesa mujore më të larta se rroga mesatare në Kosovë dhe Shqipëri.

Situata e tillë e shtyri politikën gjermane të marr masa në politikën e saj të azilit dhe të dallonte mes një refugjati që po ikte nga një luftë dhe një migranti që po ikte nga situata e rëndë socio-ekonomike.

Të nxënë në njërën anë nga mungesa e perspektivës në vendin e tyre dhe në anën tjetër nga mungesa e kanaleve të migrimit legal në shtetet perëndimore, qytetarët nga Ballkani, e sidomos nga Kosova e Shqipëria e provuan strategjinë e vetme “të mundshme“ të migrimit, atë ilegal përmes kanalit të azilit. Vala e azilkërkuesve nga Ballkani edhe pse ishte shqetësuese, nuk kishte krijuar situatë emergjente në Gjermani.

Sidoqoftë, presioni për të gjetur zgjidhje rreth azilkëruesve nga Ballkani u shtua në gusht të vitit 2015 me rritjen e numrit të migrantëve në Evropë dhe vendimin e Gjermanisë që të hap kufinjtë për të prekurit nga lufta në Lindje të Mesme. Kjo situatë e re e refugjatëve ishte breshëri, pas shiut të azilkërkuesve nga Ballkani.

Në këto rethana, ku shteti gjerman po pranonte refugjatë të luftës, azilkërkuesit nga Ballkani që vinin nga vende të sigurta nuk përbënin prioritet, por përkundrazi ngarkonin sistemin administrativ të azilit, i cili veçse ishte tejet i ngarkuar nga numri i refugjatëve dhe migrantëve të Lindjes së Mesme.  

Situata e tillë e shtyri politikën gjermane të marr masa në politikën e saj të azilit dhe të dallonte mes një refugjati që po ikte nga një luftë dhe një migranti që po ikte nga situata e rëndë socio-ekonomike në vendin e tij/saj. Sado e rëndë të jetë një situatë socio-ekonomike e një migranti në vendin e origjinës, ajo nuk mund të përbënte arsye për të fituar azil. Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshonte faktin që azilkërkuesit nuk shihnin të ardhmen në vendin e tyre dhe do të mundoheshin prapë të migronin në një vend tjetër evropian pasi të riatdhesoheshin në Ballkan nga institucionet.

Ballkani: Një rajon i sigurt por pa perspektivë

Në këtë dilemë partitë politike gjermane, në vjeshtën e vitit 2015, u dakorduan që vendet e Ballkanit të kategorizoheshin si ‘vende të sigurta’, që do të përshpejtonte procesin e azilit për qytetarët nga këto vende. Me ligjet e reja, qytetarëve nga Ballkani do u shqyrtohej lënda në procedurë të përshpejtuar, do të mirrnin më pak para nga shteti, si dhe në rastin e refuzimit të azilit që ndodhte në shumicën e rasteve, azilkërkuesit do të dënoheshin me një ndalesë për të hyrë në shtetet e BE-së për disa vite.

Në të njëjtën kohë, në tetor 2015, spektri politik gjerman ra dakord për të rritur mundësitë ligjore të punësimit për qytetarët nga vendet e Ballkanit, me të ashtuquajturën Westbalkanregelung (Rregulla e Ballkanit Perëndimor). Sipas këtij rregulli, një shtetas nga Ballkani mund të marrë një kontratë pune nga një kompani gjermane për aq kohë sa asnjë shtetas gjerman apo i BE-së nuk ka aplikuar për të njëjtën punë. Në këtë mënyrë, punëkërkuesit gjermanë dhe të BE-së nuk do të dëmtoheshin, dhe kompanitë gjermane që përballen me mungesa të punësimit të pakualifikuar mund të merrnin punëtorë nga Ballkanit.

Rregulla e Ballkanit Perëndimor, ishte një inovacion në politikën e azilit, pasiqe hapi tregun e punës për punëtorët e pakualifikuar, të cilëve nuk u kërkohej të kishin kualifikime paraprake ose njohuri gjuhësore. Mënyra ligjore për të migruar në Gjermani veçse kishte ekzistuar, por vetëm për punëtorët e kualifikuar, të përzgjedhur përme atë që njihet si karta blu e vizës. Megjithatë, shumica e azilkërkuesve nga Ballkani ishin njerëz me arsim fillor ose të mesëm, prandaj një hapje e tregut për fuqinë punëtore të pakualifikuar ishte vendimtare për këta njerëz, por edhe për bizneset gjermane në sektorë të caktuar të cilët kishin vështirësitë gjenin punëtorë.

Që atëherë, aplikuesve nga Ballkani gjatë fundit të vitit 2015 e deri në shtator të vitit 2017 u janë dhënë 101 mijë kontrata të punës, ndërsa 37% e tyre (37.241) i janë dhënë punë kërkuesve Kosovarë. Pjesa më e madhe e tyre në ndërtimtari, shërbime shëndetësore si dhe gastronomi.

Me hapjen e tregut të punës në vitin 2016 azilkërkuesit e atëhershëm u kthyen në fuqi punëtore për Gjermaninë.

I ashtuquajturi problem i azilantëve nga Ballkani – që pa më shumë se 33,000 aplikime për azil për herë të parë në Gjermani nga kosovarët vetëm në vitin 2015 – shtyu politikën gjermane që të rimendojë politikën e saj të azilit si dhe politikën e saj migruese për punëkërkues që nuk kanë edukim universitar. Me hapjen e tregut të punës në fund të vitit 2015, shumë azilkërkues të atëhershëm u kthyen në fuqi punëtore për Gjermaninë dhe ka pasur një reduktim prej 1.300 aplikime për azil për herë të parë nga kosovarët në Gjermani vitin e kaluar.

Sidoqoftë, mijëra punëkërkues të tjerë vazhdojnë të jenë në rradhë duke pritur termine për viza në ambasadat Gjermane të shteteve të Ballkanit. Në Prishtinë koha e pritjes për vizë pune kalon 12 muaj, ngaqë kapaciteti i ambasadës nuk mund të ballafaqohet me kërkesën e madhe për viza nga qytetarët. Kjo kohë e pritjes shpesh ështe edhe e gjatë për punëdhënësit të cilët i tërheqin ofertat. Prandaj koalicioni në qeverisje në Gjermani tashmë është duke diskutuar forma të reja të mundësive të migrimit.

Ministri Gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn është deklaruar se po kërkon ta mbulojë nevojën për infermierë për të ndihmuar në plotësimin e një mungese kombëtare Gjermani me staf nga Ballkani, veçanërisht nga Kosova dhe Shqipëria ku sipas tij ka potencial cilësor për punëtorë në shëndetësi.

Ndërsa Ministri i Punës në Gjermani, Hubertus Heil ka propozuar që migrantëve të u jipet një vizë 6 mujore për kërkim pune, duke e mënjanuar kështu efektivisht problemin burokratik me kontratat e punës dhe pritjet të cilat ekzistojnë në status quo me Rregullën e Ballkanit. Përmes kësaj skeme, punëkërkuesit duhet të kontaktojnë një kompani në Gjermani nga Kosova dhe nëse marrin një kontratë, shpesh duhet t’i kërkojnë kompanisë gjermane të presë më shumë se një vit derisa të marrin vizën e kërkuar.

Deri në fund të këtij viti koalicioni qeverisës në Gjermani pritet të kalojë Ligjin për migrim i cili do të lehtësojë migrimin për punë në Gjermani për profesione të caktuara – se cilat profesione do të përfshijë është ende duke u diskutuar.

Natyrisht, që një ligj i tillë do të ketë ndikim direkt në vendet e Ballkanit e sidomos në Kosovë ku më shumë se 50% e të rinjëve janë të papunë dhe migrimi është ndoshta edhe forma më e lehtë e mbijetesës ekonomike dhe lëvizshmërisë sociale.

Edhe pse viti 2015 ishte periudhë e trishtë për Kosovën me imazhet e familjeve duke migruar ilegalisht në Evropën Perëndimore, ky migrim shpërfaqi pabarazinë që ekziston mes Ballkanit dhe Evropës Perëndimore. Sipas studiuesit të pabarazisë Branko Milanovic “Të fluturosh nga Viena në Beograd të merr një orë, por dallimi në të ardhura (mes këtyre dy vendeve) është 4 me 1. Kjo është sikurse të humbësh 30% e të ardhurave të tua çdo 15 minuta gjatë fluturimit”. Përveç pabarazisë, viti 2015 poashtu demonstroi edhe mungesën e perspektives për migrim legal për punë që kanë qytetarët nga Ballkani në pjesën e pasur të kontinentit të Evropës.  

Hapja e pjesërishme e tregut të punës nga Gjermania ishte një politikë që ndryshoi jetërat e qindra mijërave qytetarëve të Ballkanit, ajo i shndërroi taksashpenzuesit në taksapagues, sepse iu dha atyre atë që po e kërkonin tash e sa kohë me ngulm, pra punë e jo azil.  

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTO